Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Arben Ahmetaj

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Arben Ahmetaj

04 Mar 2013    
Unë do të prek të gjitha arsyetimet, një nga një, për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që këtu të mos thonë: opozita është kundër privatizimit dhe maxhoranca është pro saj, apo kakofoni politike që cenojnë thelbin.

Çfarë është duke ndodhur me 4 HEC-et?

Të nderuar qytetarë shqiptarë:

-        4 HEC-et janë pasuri publike të Korporatës Elektro-Energjetike shqiptare.

-        Të 4 HEC-et janë në gjendje shumë të mirë funksionale.

-        Të 4 HEC-et prodhojnë afërsisht 400 milionë kilovat-orë, të cilat furnizojnë konsumatorin shqiptar me një çmim shumë të ulët.

Këto HEC-e në vite kanë marrë investime serioze dhe janë pjesa më e mirë e kurorës së Korporatës Elektro- Energjetike shqiptare.

Çdokush mund të pyesë pse shiten këto sot?

Para se të themi pse shiten këto sot, duhet të bëjmë një historik të shkurtër se pse erdhëm sot këtu me këto 4 HEC-e.

Duhet t’i sqarojmë publikut shqiptar se para disa muajsh privatizimi i këtyre 4 HEC-eve dështoi. Ja ku e keni ministrin, le të japë përgjigje. Privatizimi dështoi, sepse nuk u paraqitën ofertues që ishin afër çmimit të kërkuar.

Ne si opozitë po nisim analizën tonë në favor të qytetarit shqiptar për t’i treguar se çfarë ka ndodhur.

Një nga kolegët që iu referua ligjit të privatizimit është në kundërshtim me ligjin e privatizimit në disa pika. Unë do t’i lexoj një nga një, duke sqaruar publikun shqiptar, por edhe kolegët.

Investitori strategjik është çdo person juridik, që zotëron garanci financiare dhe afirmim në  veprimtarinë ekonomike në një sektor të caktuar.

Çfarë ka ndodhur me investitorët strategjikë?

Ju e dini shumë mirë, investitori strategjik sot shkon bankë më bankë për të kërkuar para që të blejë këto 4 HEC-e. Pra, garancia financiare nëpërmjet borxheve të këtyre kompanive është në pikëpyetje.

E dyta, që është shumë e rëndësishme, është përcaktimi i formës dhe i strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë me kapitalin shtetëror në sektorët me rëndësi të veçantë bëhet me ligj të veçantë. Ku është ligji që ka ardhur përpara, për të caktuar formën? Nuk ka ligj. Ai është shkelur.

Ky ligj themelor, neni 5 i tij, është shkelur. Neni 7 i tij: “privatizimi i këtyre sektorëve do të realizohet me pjesëmarrjen e investitorëve strategjikë, të cilëve u afrohen jo më pak se 30% e aksioneve. Kriteret e përcaktimit dhe procedurat e zgjedhësve të investitorëve strategjikë vendosen nga Këshilli i Ministrave”. Këshilli i Ministrave i ka ndërruar, sa herë ka dashur, të gjitha kualifikimet parimore për investitorët strategjikë.

Vazhdojmë edhe me një element të transparencës që është thelbësor në procesin e privatizimit me këtë maxhorancë. Neni 11 “Për zbatimin e procedurave të privatizimit që nga momenti i publikimit të vendimit për privatizimin e shoqërisë do të respektohet një periudhë minimale prej 6 muajsh dhe do të sigurohet transparenca e nevojshme ligjore për të dhënat, procedurat dhe vendimet e marra”. Edhe transparenca ka munguar.

Vazhdojmë me çmimin.

Kujt ia tregoni ju, zotërinj, që ky grup hidrocentralesh kaq të mirë është privatizuar me një çmim 5 herë, 10 herë më të madh? Disa muaj më parë sollët këtu Lanabregasin dhe ka standarde, ka precedentë. Ja ku është standardi i Lanabregasit, transferim i 3 milionë megave. Cila është arsyeja?

Zoti Ministër, tregoji publikut shqiptar, jo mua, sepse unë e di cila është arsyeja. Tregoji se cila është arsyeja që ai është shitur me 1.5 milionë, me gjysmën e çmimit? Kjo nuk është shitje, por grabitje.

Cila është arsyeja që doni të nxitoni të fusni para në buxhetin e shtetit, që t’i harxhoni ato për fushatën elektorale? Është gjysma e çmimit. Po ju them, edhe nëse do të ishte shitur 3 milionë kjo kurorë hidrocentralesh, është shumë pak, sepse këta sot japin një prodhim prej 400 milionë kilovat-orësh dhe nuk kanë nevojë për asnjë investim.

Vazhdojmë më tej.

Ju thatë se kjo është në përputhje me strategjinë e energjisë. Absolutisht jo, të nderuar qytetarë. Kjo nuk është në përputhje, madje është në kundërshtim me strategjinë e zhvillimit të sektorit energjetik. Pse është në kundërshtim? Strategjia thotë specifikisht, dhe le ta lexojë ministri: “Duhet të rrisim kapacitetet, duke ftuar apo duke bashkëpunuar me aktorët strategjikë privatë”.

Çfarë po ndodh sot?

Sot një pasuri publike po i jepet një privati gati falas. Pra, nuk ka të bëjë me strategjinë, por ka të bëjë me një strategji të këtij grupi qeverisës të lodhur, për të harxhuar  paratë e qytetarëve shqiptarë për fushatë elektorale.

Vazhdojmë më tej.

Është shumë e rëndësishme dhe dua t’ua shpjegoj qytetarëve shqiptarë me fjalë të thjeshta. Çfarë po ndodh me këtë privatizim, të nderuar qytetarë shqiptar? Këto 4 hidrocentrale kanë shumë rëndësi për bilancin tonë energjetik. Çfarë po bën qeveria, si i zoti i përkohshëm i shtëpisë së madhe të Shqipërisë?

Po jua shpjegoj me një shembull nga një fermë. Në qoftë se një fermer ka një lopë dhe ajo lopë i jep 10 litra në ditë dhe ato 10 litra në ditë ky fermer shkon dhe i shet dhe merr 10 lekë në ditë, e dini se çfarë do të ndodhë nesër? Pasi fermeri ka shitur lopën me gjysmën e çmimit, do të shkojë të blejë qumështin e lopës së vet me 100 lekë.

Pra, zotërinj, jeni duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 30 milionë eurosh në vit. Pse? Sepse KESH-i do të detyrohet nesër të shkojë te Kurumi t’ia blejë këtë energji me një çmim 5 herë më të lartë.

Dikush nga punonjësit e ministrisë, kur folëm, më tha: “Të lutem se këtë energji do ta harxhojë vetë Kurumi”! Jeni në terezi? Cila është arsyeja? Shpjegojuani qytetarëve shqiptarë, pse nuk e keni lejuar ju Kurumin të ndërtojë një agregat energjie, për të furnizuar veten, por i jepni pasuri kombëtare për të harxhuar energji për vete? E pra kjo nuk është as strategji, as politikë, as përgjegjësi. Kjo është grabitje.

Vazhdojmë më tej.

Është ditë e mirë sa ç’është ditë e keqe për të folur për privatizimet tuaja. Çfarë është ky privatizim? Në qoftë se brenda strategjisë së energjisë dhe brenda logjikës së privatizimit, ne privatizojmë një aset, i cili nuk arrin të menaxhohet; ne privatizojmë një aset, i cili ka nevojë për investime; ne privatizojmë një aset, i cili duhet të rrisë kapacitetet elektro-energjetike në favor të konsumatorit shqiptar, a ka ndonjë nga këto elemente brenda këtij privatizimi? Absolutisht, jo.

E para, privati që e blen nuk shton dot asnjë kapacitet.

E dyta, që është po kaq e rëndësishme, privati që e blen i gjen të 4 hidrocentralet të investuara mirë dhe në mirëfunksionim.

E treta: a do të bëhet rrjedhë e furnizimit elektro-energjetik gjithë prodhimi i këtyre 4 HEC-eve për konsumatorin familjar shqiptar? Jo.

Unë po e mbyll fjalën time duke thënë që po, ne jemi të bindur se pas fitores së 23 qershorit do t’ia kthejmë në duar publikut shqiptar. Dhe ja, këtu është shënuar në një nga pikat e relacionit tuaj se është e mundur. U bëj apel banorëve të atyre zonave që thonë se nuk do të votojnë:

Të nderuar qytetarë, ju keni një detyrim t’ia ktheni këto 4 hidrocentrale publikut shqiptar, duke votuar në 23 qershor...

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm