Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Arben Ahmetaj

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Arben Ahmetaj

07 Dec 2012    

Sot kjo qeveri meriton kronologjinë e vet politike pas një 8 vjeçari që në finale e lë Shqipërinë dhe qytetarin shqiptar më keq se e gjeti. Asnjë fjalë nuk do meritonte ky buxhet nëse nuk do ishte i fundit, asnjë fjalë nuk do meritonte ky buxhet nëse nuk do ishte epitafi më i shëmtuar, bilanci më negativ për një qeveri në ikje.
Do t’i marrë një nga një shtyllat e kësaj qeverisje dhe do ta filloj me qytetarin.



Qytetari Shqiptar,



Çmimet disa herë më të larta
Ushqimet, vaji sheqeri, më shumë se tre herë
Energjia, dyfishuar
Nafta, katërfishuar
Medikamentet, çmime të rritura. Ju tatoni edhe sëmundjen!
Shërbim shëndetësor i munguar dhe aty ku ekziston për arsye të iniciativës private super i shtrenjtë.
Fatura e ujit e dyfishuar
Sot qytetari shqiptar është më i varfër dhe shumë më i pasigurt se vite më parë. Sot qytetari shqiptar ka më të sigurt padrejtësinë sesa sigurinë.



Ekonomia Shqiptare



Strukturë ekonomike e ezauruar ku rritja ekonomike ka humbur prej vitesh frymëmarrjen. Strukturë ekonomike që ka qenë e bazuar në ndërtim, i cili sot as nuk kontribuon më në rritje, përkundrazi. Bujqësi primitive totalisht e paorientuar ku diku kalben qepët dhe patatet për shkak të largësisë nga tregu dhe mosorientimit të prodhimit, diku ngelet ulliri me togje togje. Bujqësi që ky buxhet i jep vetë, 0.45% të PBB dhe në një kalkulim të para disa kohëve, një fermer shqiptar në ditë do të merrte 50 lekë në ditë kontribut nga shteti. Totalisht i braktisur.



Energjia një shpartallim i vërtetë



Vendi jo vetëm që ka bilanc negativ gati 600 milionë euro në energji nafte dhe hidro, po keqmanaxhon diku qëllimisht, diku nga padija dhe nga papërgjegjshmëria dhe burimet e veta. E doni bilancin e kësaj qeverie sot në energji? 1.2 miliard borxhe të ndërsjella në sistem. Vetëm humbjet joteknike në rrjetin e shpërndarjes, pra vjedhjet e energjisë në vit janë 120 milionë euro, në 8 vite 1 miliardë euro vjedhje. Nuk është shifër filmash multiplikativ. Është shifra e këtyre këtu mbas. Doni shifrën e humbjeve në hidro energji. Çdo vit humbet në Fierzë me 150 milionë euro. Në 8 vite 1.2 miliardë euro. Nuk është shifër filmash multiplikativ është shifra e këtyre këtu mbrapa. Doni humbjen vetëm nga grabitja e toneve naftë në Albpetrolin e partisë. 80 mijë ton nafte në vit vidhet në Albpetrol me një shumë 45 milionë dollarë në vit, në 8 vite 360 milionë dollarë të vjedhura. Dhe dikush habitet si i vodhën zgjedhjet.



Sektor nafte që kontribuon vetëm minimalisht në buxhetin e shtetit vetëm për shkak se kjo qeveri ka bërë marrëveshje për hidrokarburet në disfavor të buxhetit dhe qytetarit.
Kush e ka në kurriz, qytetari shqiptar që paguan dyfish faturën e energjisë në njërën anë dhe 4 fish çmimin e naftës. Qytetarin kam ndërmend ta përmend në të gjithë bilancin modest që do përpiqem të bëj.
Minierat, varr i hapur për të gjithë ata minatorë që prej hallit dhe traditës punojnë atje. Zona të tëra të kthyera në fushë beteja ku të gjithë ngjyrat e krimit janë prezent, përveç ngjyrës së shtetit në ngjyrën e tij të parë, se në ngjyrën e korrupsionit është përditë atje. Janë 2 milion ton krom aty poshtë zotërinj dhe shteti nuk merr me vite asnjë lekë në buxhet.



Sot ky vend importon gati 800 milionë euro produkte dhe nënprodukte ushqimore, para që për shkak se kjo qeveri nuk arriti kurrë të formulonte një politike promovuese për zëvendësim importesh në këtë fushë.
Po mirë nga çfarë do marrë para ky buxhet dhe ky vend, nga specat dhe kastravecët? Këto sektor që kanë bërë ndryshim për çdo vend që ka pasur fatin si ky i joni ti ketë, ka bërë qytetarin të qetë, krenar dhe ka kontribuar në buxhet. Në këtë vend jo, në këtë vend paratë e këtyre sektorëve kanë bërë të pasur këshillin e ministrave. Ndërsa buxheti pret të mbushet nga të ardhurat e specave dhe kastravecëve që dhe në stinën e tyre më të mirë nuk arrijnë dot në treg.



Ecim më tej me bilancin e taksave. Bëjmë këtu debate profesionale apo logjike dhe i tregojmë qeverisë që të ardhurat nuk i ka rritur dot përkundrazi, janë më zi se kurrë. I tregojmë qeverisë se ka dështuar si qeveri në efektivitetin e vet dhe sigurisht në mbledhjen e të ardhurave. Kemi dëgjuar debate për të qeshur nga kriza globale deri tek efektet e borës dhe të shiut në ekonomi. Po ja po qeshim dhe po i marrim si gallatë. Po padrejtësinë ndaj qytetarit të zakonshëm, ndaj atij tatimpaguesit të klasës së mesme e të biznesit të vogël nuk mund ta marrim dot si gallatë për të qeshur. Jo mor zotërinj nuk mund ta tolerojmë padrejtësinë që keni instaluar me taksën e sheshtë. Pretenduat shumë me taksën e sheshtë si gjetje, si shpikje. A thua se 90% e pjesës demokratike të botës janë më pak të mençur se këshilli këtu, që nuk kanë guxuar ta aplikojnë. Pas taksës së sheshtë ka shumë më shumë borxhe, pas taksës së sheshtë ka më pak rritje ekonomike, pas vendosjes së taksës së sheshtë ka më shumë papunësi, pas vendosjes së taksës së sheshtë ka më pak investime të huaja dhe të brendshme.



Nuk mund të tolerojmë atë që i keni bërë të punësuarve, klasës së mesme, 85% e atyre që jetojnë me të ardhura nga paga. I keni trefishuar taksën një mësuesi, paguante 12 mijë lekë në vit, paguan 40 mijë lekë në vit, po po ka shtresa që sot paguajnë taksën mbi të ardhurat personale për shkak të taksës së sheshtë dhe katër e pesë herë më shumë se me sistemin progresiv. Po mor zotërinj, do ta kthejmë taksën progresive tek të ardhurat personale, se ne nuk e tolerojmë grabitjen që i keni bërë klasës së mesme nëpërmjet taksës së sheshtë.



Ne nuk e tolerojmë atë që i keni bërë biznesit të vogël, pavarësisht se ju i referoheni si statistikë të parëndësishme, 0.5% aty e 0.8% këtu. Biznesi i vogël është një instrument punësimi, ekuilibri e kohezioni social. Aty gjejnë veten për hall a për mirë 166 mijë qytetar shqiptar, 166 mijë familjare e kryefamiljarë që juve jua rritët taksën në shumë raste dhe tre herë. E po ne nuk do ta tolerojmë këtë, ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël, do ta çlirojmë këtë segment ekonomik nga taksa dhe nga papërgjegjshmëria e politikbërësit dhe e xhandarit tatimor.


Ju ishit partia e biznesittë madh. Varet për çfarë biznesi të madh e keni fjalën se ky i deklaruari, jo vetëm që ka deklaruar fitime më pak, por ne kemi nxjerrë e do të nxjerrim fakte se për shkak të fushatës së gjobave nga njerëz të lëshuar nga litari i ligjit, tatimi i tyre nuk është më 10%, por ka shkuar në shumë raste dhe 300%. E pra ne nuk do ta tolerojmë këtë, këtë nuk e marrim dot me shaka si batutat e rënies ekonomike për shkak të rënies së borës dhe të shiut.



Taksat më të ulta ke thënë, i ke rritur që nga akciza e duhanit, për hallexhinjtë dhe qejflinjtë e tij tre herë. Ilaçeve ja u ke rritur taksën, profesioneve të lira ja u ke rritur taksën, në doganë ke përdorur e vazhdon të përdorësh referencat, pullën fiskale e ke shoqëruar me një koncesion spektakolar që vetëm i rrit koston dhe i vë birrës pullë letre sipër. Ligjet e rregullat i ke ndryshuar gati 70 herë, skandal i padëgjuar dhe sprintieri Bolt s’do t’ju ndiqte dot në shpejtësinë e ndryshimin e rregullave tatimore, le më biznesi që i jeni kthyer fillimisht në hall, e tani në gangrenë.



Taksa të ulta keni thënë, po ç’thonë faktet. Në 100 lekë të ardhura nga puna, dikur 32 lekë i shkonin qeverisë në formën e taksave apo mbajtjeve të tjera, sot plot 38 lekë në 100 lekë i shkojnë kësaj qeverie. E pra plot 20% më shumë.



Qytetari është sigurisht më i varfër. Shqipëria shumë më keq se vite më parë.
Privatizimet e tyre? Ja më gjeni një privatizim që ju ka funksionuar, përveç privatizimit spektakolar të Hotel Dajtit???



Shpërndarja?? CEZ, gropë e zezë dhe e thellë që fundos këtë qeveri dhe do të rëndoje mbi çdo buxhet tonin në të ardhmen e afërt.



Sistemi hidrokarbur?? Armo?? Sigurisht që jo.
Ka njeri të më flasë për Albpetrolin apo këshilli nuk di gjë akoma?!
Koncesionet në energji????
Ju kanë funksionuar disa privatizime repartesh ushtarake, koncesione pullash fiskale, koncesion skaner doganash apo disa koncesione të fshehura a jo të fshehura, që ja keni dhënë vetes, ku qytetari apo nevojtari detyrohet të paguajë dhe detyrohet të paguajë më shumë??
E pra Shqipëria është më keq se çka e morët zotërinj dhe fajtor për këtë është qeveria e Republikës, ky këshilli këtu.



Keni bërë rrugë thoni. Llogaria e dhjetë mijë km nëse futni dhe rrugicat e plantacioneve të ullishteve apo rrugicat e lagjeve nëpër komuna dhe mund të dalë, po pas 8 vitesh rrugët janë arna arna megjithëse kanë marr 70% të investimeve të të 8 buxheteve. Rezultantja, shqiptarët e shohin rrugën e Beratit, rrugën e Memaliajit, rrugën e pambaruar të Vlorës, arnat e Rrogozhinës, rrugët e pambaruara gjithandej. Po ca është më e zeza, i ka borxh rreth 200 milionë euro të pranuara e të papranuara, kompanive të ndërtimit të rrugëve.



Këtu do marr pak frymë se do kaloj pak tek borxhi publik.  Borxh pas borxhi se borxhi i borxhit të borxhit, ku përfshihen dhe interesat e interesave të principalit, do duhet të ishte i mirë por doli i keq. Doli i keq se po fundos ekonominë shqiptare.  Kryeministri vjen dhe lëshon deklarata për borxhin që llahtarisin dhe më dashamirësin e non-teorisë së tij se po s’morëm borxh përtej asaj që kemi gëlltitur deri tani, nuk ecën ekonomia. Ky është kapitalisti më i qartë i Republikës së Shqipërisë. Non-teoria e tij është bëj rrush e kumbulla sot paçka se nesër të kap borxhi për fyti. Ec këtë 6 mujor e mashtro dynjanë se në 6 mujorin e dytë të 2013 le të haj kokën qeverisja e PS me borxh publik e me borxh kompanish, me energji e me naftë, me kompani rrugësh e me qytetar. Marrim borxh për investime thotë. Shikoni ju lutem tre zëra në buxhetin e shtetit për 2013 të cilat do mundohem thjesht ti krahasoj me 2010.  Deficiti i vitit 2013 rritet. Po të ecësh me gënjeshtrën e Saliut me vrap do shkosh te investimet për të parë se ky burri ka investuar më shumë more zotëri. Kur ç’të shohësh, investimet me fonde të brendshme, pra ato me parat tona dhe jo ato me dashamirësinë e ndërkombëtarëve që kanë ulur me 0.2% të prodhimit. Kërkon sigurisht se çfarë shpenzimi është shtuar se investimet jo. E gjen shtesën tek kostoja e borxhit që është rritur gati fiks sa shuma e deficitit. E pra zotërinj borxhi po e mbyt vendin dhe ato para borxh nuk shkojnë për investime por shkojnë tek gropa e interesave dhe prinicpaleve të borxhit që këshilli ka marrë dhe tek gropa që nuk ka akoma fund e sistemi elektro energjetik shqiptar.



Për 100 vjetorin këshilli na bëri dy dhurata për të mbyllur bilancin e vet alla grande.



Refuzimi tre herë i statusit të vendit kandidat, po jo një herë, po jo dy herë po tre herë. E pa precedent në historinë e BE. Çdo ministër integrimi çdo kryeministër do vinte e do jepte dorëheqjen, jo mor jo erdhi dhe vrau qytetarë në 21 janar, nuk dha drejtësi për Gërdecin, vrau sërish një qytetare tjetër si për ti vënë kapak trishtimit e dëshpërimit.



Ndërkohë që po bëhej gati të shante opozitën, e ndërkohë që gjendej në Vlorë për te imituar atë, pikërisht veprën e të cilit ka tentuar të zhbëj jo vetëm këto tetë vjet po në vazhdimësi, na vjen fanella me numrin 113 nga TI, fanellë e korrupsionit me emrat e këshillit dhe kryetarit të këshillit.



Asgjë nuk është e rastësishme dhe ky buxhet copë copë nuk është i rastësishëm, është mbyllja e një parade mbrapsht që këshilli bëri këto vite. E po, ky është buxheti i fundit i gjysmë vitit të fundit të kësaj qeverie në ikje. Por fatkeqësisht Shqipëria është më keq se vite më parë dhe faji është i qeverisë në ikje.



Ndokush që mund të ketë qenë skeptik ndaj sloganit të rilindjes këtë vjeshtë, pa u mbyllur akoma ky vit, ka kuptuar shumë qartë se Shqipëria ka nevojën e një ndryshimi të madh, të një rilindje të vërtetë, në 100 vjetorin e saj.  Nuk fola për detaje e shifra të buxhetit se ky buxhet nuk ndryshon nga bilanci që u mundova të bëja, e aq më tepër kjo copë letër dokument, që quhet projekt buxhet, nuk do ta shoh dot fundin e vitit 2013, sepse do të zëvendësohet nga programi “Për një Rilindje Shqiptare”, i shumicës së shqiptarëve.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm