Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Damian Gjiknuri

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Damian Gjiknuri

04 Mar 2013    
Ky kuvend po vihet edhe njëherë përpara faktit të kryer, për një tjetër privatizim të panevojshëm dhe në shkelje të ligjit. Nuk ka asgjë të re për t’u shënuar as edhe në këtë praktikë të shitjes së pasurisë publike, e cila karakterizohet nga tipologjia berishiane për privatizimin. Kjo praktikë mund të përmblidhet në aksiomën “Shite lirë, mos mendo për të ardhmen dhe rëndësinë e asaj që po shet. Mbyll hallin politik duke futur ca para në buxhet dhe kuptohet disa para në xhep”.

Me pak fjalë, nuk ka asgjë strategjike në privatizimet strategjike, por vetën një strategji që për të kthyer privatizimin në qëllim në vetvete dhe jo në një instrument zhvillimi të qëndrueshëm. Motoja politike – të shesim gjithçka përpara zgjedhjeve për të mbyllur disa gropa financiare, për të rimarrë pushtetin me qëllim shitjen dhe zhvatjen e çdo gjëje të mbetur në këtë vend. Kështu ndodhi me OSSH, kështu ndodhi me ARMO, kështu po ndodh edhe me këtë pasuri të radhës me rëndësi strategjike për publikun, por jo për atë që ka marrë për sipër të qeverisë.

Po cila është anatomia e abuzimit të fundit? Sot po shiten 4 HEC me një fitim vjetor prej 20 milionë euro për 100 milionë euro, pra investimi lahet për 5 vjet nga investitori i ri. Po shiten asete të rinovuara së fundi me një kredi prej 27 milion dollarë duke i lënë publikut në kurriz kredinë dhe duke i dhuruar pjesën e shëndoshë privatit. Shteti pëson humbje të pastër. Shitja e 4 HEC-ve do të rritë sasinë e energjisë elektrike, që KESH duhet të blejë nga privatët, të paktën me rreth 400 milionë energji elektrike në vit. Për këtë sasi do të duhen afërsisht 30 milionë euro në vit, që KESH sha do të duhet ti paguajë.

Pra, rezultati ekonomik i KESh sha do të përkeqësohet ndjeshëm në krahasim me gjendjen e sotme. Kriza financiare e sektorit të energjisë elektrike do të thellohet më shumë. Shitja po bëhet në kundërshtim me  ligjin për privatizimin në sektorë strategjik, pasi investitori nuk është strategjik dhe nuk ka ekspertizë të veçantë e të demonstruar në këtë drejtim. Pra, është një investitor çfarëdo që përveç parave në buxhet nuk sjell asgjë afatgjatë për sektorin, paçka se kjo e fundit është motoja e çdo vendi serioz në privatizimet strategjike;

Por çfarë fshihet më tej. Investitorit “Kurum” shteti i ka borxh miliona euro si TVSH të parimbursueshme, e cila me një vendim të qeverisë për miratim shitjes në pikën 4 të saj, theksohet se do t’i rimbursohet vlera e TVSH, pra me një fjalë çmimi i vërtetë është 10 milion euro më pak. Por ka gojë të liga, që thonë se është 30 milionë euro. Dikush nga qeveria duhet të japë një shpjegim për këtë sa është vlera e TVSH që i zbritet çmimit? Ky veprim duket si një rialokim detyrimesh, por a mos ka qenë kjo në mendje të qeverisë qysh në fillim? Pasi në fillin dokumentet e tenderit u përgatitën për investitorë strategjikë, dhe kur kjo dështoi, u ndryshuan dhe u rihodhën në shitje në një periudhe të shkurtër duke mos i lënë kohe konkurrentëve të tjerë për tu përgatitur.

Ndërkohë ka dhe shumë subjekte të tjera të cilat shteti u ka borxh me miliona dollarë, por asnjëherë nuk ka bërë një këmbim të tillë apo favorizim të tillë. Kjo më e pakta është favorizim dhe shkelje e barazisë në tenderë publik pasi investitorët e tjerë të mundshëm shqiptar janë disfavorizuar.

Dhe së fundi çmimi i shitjes është i diskutueshëm dhe del zbuluar nga një shitje tjetër e qeverisë disa muaj më parë për HEC e Lanabregasit, ku çmimi i shitjes është 3 milion për Mega ndërsa në rastin në fjalë 1.4 milion për Mega. Si shpjegohet kjo diferencë prej 100 milionë euro me total ? Dikush do të thotë shitja e Lanabregasit ishte shitje fiktive në letër shtet për shtet, një shpikje abuzive e kësaj qeverie abuzive. Shitje ndërmarrjes së Ujësjellësit Tiranë, njësoj si Hotel Dajti Bankës së Shtetit që akoma nuk po i del qëllimi se përse u ble.

Qeveria i detyrohet publikut një përgjigje nëse ka mashtruar në çmimin e shitjes së HEC Lanabregas apo në çmimin e HEC Bistrica? Anatomia e këtij privatizimi është siç e thashë vetëm një fotografi e çastit e privatizimeve berishiane në vend, të cilat janë kthyer në qëllim në vetvete dhe jo si instrument zhvillimi. Kjo qeveri në prag të zgjedhjeve dhe e zhytur në borxhe është vërsulur si lubi për të eliminuar çdo të mirë publike duke shkuar deri në deklarime absurde se paratë nga privatizimi na duhen për të rritur rroga dhe pensione, shkurt për premtime elektorale.

E thënë më thjesht kjo do të thotë që pasuritë e krijuara në breza duhet të shiten me çdo kusht e me çdo çmim përpara zgjedhjeve se paratë na duhen për fushatë elektorale. Po a bën një njeri i përgjegjshëm këtë, po një prind a mund ta bëjë me familjen e tij të shesë të gjitha pasuritë që i përkasin të gjithëve se kërkon të luajë në kazinonë elektorale të radhës? Asnjë, përveç Sali Berishës i cili urren çdo gjë publike megjithëse flet gjithë ditën në emër të publikut. Për të financuar orekset politike të tij, ky vend po kërcënohet seriozisht duke i rritur borxhin publik përtej çdo kufiri të lejueshëm, por likuidon çdo pasuri publike strategjike pas asnjë strategji zhvillimi, nuk po sjell asnjë investitor serioz në këtë vend por veç klane mafioze ndërkombëtare. Kryeministri po krijon monopole pa asnjë dobi dhe me kosto gjithmonë e më të shtrenjtë për publikun në çdo sektor të privatizuar dhe po i kthen shtetasit shqiptarë në statusin e personazheve gjysmë skllevër të revolucionit industrial të përshkruara aq bukur nga Dikensi më shekullin e 19, të cilët po lënë dhe kockat në zgafellet e shfrytëzuesve korruptivë, nën bekimin e doktorit Sali.

Ky është kapitalizimi i Lulizuar i doktorit Berisha, e cila më kujton atë shprehjen e ngjashme me reklamën që e kam thënë vite më parë nga kjo foltore:  “Privat bëje mirë bëje vet pasi nuk ka shtet”. Qytetarë të nderuar, ajo që po ndodh me pasurinë tuaj nën orën e kësaj qeverie mund të përmblidhet në shprehjen proverbiale e filozofit Andre Carnagi i cili thoshte se brezi i parë e krijon pasurinë, brezi i dytë e shpenzon atë pa kriter dhe brezi i tretë përballet me mjerimin… Kjo po ndodh me të gjithë pasurinë tonë të krijuar nga brezi i pasluftës me mundin e të gjithë popullit, të cilat po shpërdorohen nga ky njeri, duke i lënë brezave që vijnë zhgënjim dhe mjerin.

Prandaj në 23 qershor përpara jush shtrohet edhe një dilemë dhe detyrë, të shpëtojmë pasuritë publike të mbetura që u përkasin brezave nga shpërdoruesi Sali. Ju dhe fëmijët tuaj meritoni t’i gëzoni ato.

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm