Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Erjon Braçe

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Erjon Braçe

14 Sep 2013    
Dy muajt e fundit, “Qeveria e Mundur” po dhunon opinion publik për t’i imponuar disa keqkuptime njëherësh:

I pari. Ju populli, u gënjyet prej nesh dhe kështu i bëtë padrejtësi një Qeverie që vodhi duke ju vrarë e ju vrau për të mbajtur pushtetin;

I dyti. Ndodhi sa ndodhi, si “zyrtare” por më shumë e paligjshme, si “administrative” por më shumë e korruptuar, mbaroi. Tani nis një faze e re pa keqbërës, por vetëm me opozitarë që janë po ata që ishin, qeveritarët keqbërës;

I treti. Angazhimet tona programore janë të dëmshme, do të sjellin fatkeqësi e recesion-po ju thonë, por, po sipas tyre, ne duhet t’i mbajmë ato;

I katërti. Ne, Partia Socialiste paskemi qenë në pushtet dhe Partia Demokratike paska qenë 8 vite në opozitë.

Madje ligjërohet edhe për një “skenar grek”. Duke folur për pjesën e “dështimit” dhe, duke harruar pjesën e “ndëshkimit”.

Në fakt e vërteta është krejt ndryshe: Ne kemi qenë për 8 vite në opozitë dhe PD ka qenë në pushtet. Edhe tani që diskutojmë, ne ende nuk kemi hyrë e marrë fuqinë në zyrat e shtetit, “Kryeministri i Mundur” sapo doli dhe po shkon në zyrë sërish. Fuqinë vendimmarrëse, ekzekutive dhe administrative. Për “fuqinë reale” do të duhet edhe pak më shumë kohë, për shkak të përballjes me efektet afatgjata të vendimmarrjes së Qeverisë së Mundur, kudo-në shoqëri, drejtësi, ekonomi, shërbime, biznes.

Por mbi të gjitha me: “Shtetin privat”, “Ekonominë për vete”, “Shërbimet e monopolizuara”, “Ekonominë e Zezë”, “Krimin e organizuar”. Pushteti real në këtë vend është i gjithi këtu. Po i marr me radhë:

Së pari, “Shtetin privat” që këta ndërtuan!! Shtetin ku: Polici bën privatin ndaj çdo shqiptari që gjobit, por dhe keqbërësi që favorizon e nga merr dyfishin e rrogës; Taksidari bën privatin ndaj çdo sipërmarrësi që gjobit, por dhe evazori që favorizon e nga merr katër fishin e rrogës; Komisioneri bën privatin ndaj çdo biznesi qe skualifikon në tender, por dhe klienti që favorizon e nga merr tetë fishin e rrogës; Drejtori bën privatin ndaj çdo mjeku e infermieri që nuk punëson, por dhe çdo të ngjashmi që punëson pasi paguan e nga merr dhe ai rrogën e një viti; Mjeku e infermieri bën privatin ndaj çdo të sëmuri që nuk merr shërbim, por dhe çdo të ngjashmi që merr shërbimin pasi paguan e nga merr, për një shërbim, deri në rrogën e 1 viti; Drejtori bën privatin ndaj çdo edukatori, mësuesi e pedagogu që nuk punëson, por dhe çdo të ngjashmi që fiton punën pasi paguan duke marrë prej tyre rrogën e 2 viteve.

Është një radhë e gjatë “privatësh” që kthehen në të tillë pasi “blejnë” detyrën publike, por do të veçoj edhe një: Komisioni i “Kemp”-it bën privatin ndaj çdo invalidi që e le të vdesë pa përkrahje, duke i hequr një të drejtë kushtetuese, apo duke ja refuzuar padrejtësisht atë, por dhe ndaj çdo të shëndetshmi, që e merr këtë favor pasi paguan e duke marre prej tyre dorën e mirë të parave.

Të gjithë bashkë kanë një shembull: Ministri - i pari në radhë, Kryeministri - në nivelin më të lartë, bën privatin ndaj çdo sipërmarrësi vendas e të huaj që pengon, por dhe Familjes, të cilës, i firmos çdo projekt për 3% “tarifë suksesi”! Ky është korrupsioni si “mënyrë jetese” në Atdheun Privat!

Kjo nuk është liberale apo e djathtë, kjo është thjesht e korruptuar. Këtë do të zhbëjmë ne dhe kjo është e para e këtij programi. Do të ndryshojmë mënyrën tuaj të jetesës, duke shembur këtë “Atdhe të Kryeministrit” e duke ndërtuar “Atdheun Tuaj”, të drejtë, të ndershëm, konkurrues e me mundësi të barabarta për cilindo; Duke zhbërë korrupsionin si “mënyrë jetese”, punësimi për dike, marrje shërbimi-në arsim, shëndetësi, prona, tatime, për dikë tjetër, e duke ndërtuar një sistem të tërë që zgjidh hallet duke shërbyer e jo duke të rrëmbyer; Duke i dhënë fund kulturës së “kopilit t’modh”, në këtë vend tejet e përhapur aq sa, “kopil t’modh” thërrasin Kryeministrin, Ministrin, zëvendësministrin, drejtorin e përgjithshëm, kryekomisionerin e tenderëve, taksidarin, kryepolicin e policin dhe që nënkupton gjithnjë “të zotin për të bërë para”, pa djersë, pa punë por me favor e përmes ryshfetit.

Ka një nevojë kombëtare për t’a shembur këtë republikë të korruptuar dhe ne do t’i përgjigjemi! Ka një ulërimë popullore që kërkon “Ndëshkim” dhe ne do t’i përgjigjemi. “Ndëshkim” e “Modernizim”-këtu nis A-ja e ndryshimit.

Së dyti, “Ekonominë për vete” që u vendos!! Ekonominë ku përdorën por denatyruan totalisht natyrën e privatizimit, si një nga elementët e ristrukturimit të ekonomisë, përshtatjes së saj me lirinë e tregut dhe konkurrencën, në:

- Transferim të monopoleve natyrore-shtetërore, (CEZ, ARMO, Albpetrol, Albtelecom, Porti i Durrësit, miniera e kromit e bakrit etj)

- Transferim i të drejtave ekskluzive/sovrane të shtetit e më pas, të të drejtave mbi “zhvillimin” (në fakt ishte shfrytëzimin) e burimeve të pasurisë natyrore kombëtare, pa shpërblim (6 marrëveshje për naftë e gaz, 190 leje minerare në krom, bakër, ar, argjend, zink, 100 kontrata për shfrytëzimin e burimeve ujore për energji, dhjetëra kontrata për shfrytëzim pyjesh e kullotash-këtu edhe me qëllimin ekskluziv të përdorimit për fabrika çimentoje, shërbimet e detyruara me ligj për qytetaret e bizneset, Lotaria Kombëtare).

-Mungesë thuajse totale të garave, procedurave me konkurrencë reale për “shitjen”, “kalimin e të drejtave”, “koncesionimin” e pasurisë kombëtare, të cilat u dhanë si me emërim.

- Privatizimin e fitimeve dhe shtetëzim e humbjeve (ARMO, Albpetrol, 4 HC, CEZ, Porti i Durrësit etj).

Pas privatizimi shërbeu vetëm për të konsoliduar pozitën monopol dhe rritur faturën për ju qytetarët dhe përfitimet prej tyre për ata, pushtetarët. Ndodhi:

- Ruajtja e pozitave të forta monopol ne treg (CEZ, ARMO, Albpetrol, SGS, Albtelekom, TIA, Rrjeti Kombëtar i Fibrave Optike etj)

- Refuzimi i çdo rekomandimi të Autoritetit të Konkurrencës për masa konkrete për të lejuar konkurrencën në tregjet ku ata administrojnë monopolet e ulur çmimet për ju qytetarët (CEZ, Albtelekom, ARMO etj)

-Mosrespektim i kontratave të zhvillimit si pjesë e kontratave të “shitjes” dhe “koncesionimit” (CEZ, ARMO, BANKERS, STREAM, VISOKA, ACR, koncesionarët e HC, koncesionarët e minierave etj)

- Përkeqësim i shërbimit të marrë në administrim dhe ruajtje të nivelit të korrupsionit e abuzimit, pra, si fitim morën dhe pjesën e korrupsionit në shërbimin që trashëguan (CEZ, SGS, ARMO etj)

Kostot i paguat ju, qytetarët e Shqipërisë, fitimet i morën ata, pushtetarët e Shqipërisë. Ja se si:

- Rritje të kostove të shërbimit - çmime e tarifa, për qytetarin;

- Shkurtim të vendeve të punës (CEZ, ARMO, ALBPETROL, STREAM, ACR etj);

- Pengimin e zhvillimit të burimeve të pasurive natyrore kombëtare dhe pengim të punësimit për ju qytetarët (kontratat e HC-ve, ARMO, lejet minerare, ACR, STREAM, BANKERS etj);

- Ulje të të ardhurave për Buxhetin e Shtetit apo dështim në rritjen e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit (CEZ, ARMO, 2 kompanitë e Kasave, SICPA, BANKERS, STREAM, ACR etj).

“Ekonomia për vete” pasuroi pakicën, ka përqendruar tek pakica të mira materiale e financiare të mëdha, por dhe ka përjashtuar shumicën nga pjesëmarrja në burimet e ekonomisë kombëtare. E detyroi atë të paguajë shtrenjtë çdo shërbim, duke e varfëruar ditë pas dite. Edhe kjo nuk është liberale apo e djathtë, kjo është thjesht e korruptuar.

Ka një nevojë kombëtare për çlirim të ekonomisë nga ekskluzivitetet në aksesin mbi burimet natyrore, rritjen e pjesëmarrjes në ekonomi e tregje dhe ne do t’i përgjigjemi.

Liri, mundësi e barabartë ligjore, garë e konkurrencë, do të jenë parimet mbi të cilat do të ndërtojmë “ekonominë e re”, si mundësi për të gjithë.

Së treti, “Shërbimet e monopolizuara” që u ligjëruan!! Shërbimet ku:

- Çmimi i kontrollit teknik të automjetit, nga 6 mijë lekë arriti në 19600 lekë e për këtë shkak, për 10 vitet që vijnë, shqiptarët do të paguajnë deri në 15 milion euro çdo vit/150 milion në total;

- Pajisja me pasaportë e dokument identiteti nga 1 janari i 2015 (kanë marrë vendime edhe për ne), do të kushtojnë me shtrenjtë, 90 mijë lekë së bashku e për këtë shkak, për 10 vitet që vijnë, shqiptarët do të paguajnë 40 milion euro çdo vit/400 milion në total;

- Ngjyrosja e gjurmimi i karburanteve për efekt administrimi, si monopol privat, do t’i bëjë shqiptarët të paguajnë 20-30 milion euro çdo vit/200-300 milion euro në total (për shkak të rritjes së prodhimit por edhe rritjes së konsumit);

- Skanimi i kontejnerëve, makina të transportit etj, në një devijim skandaloz nga qëllimi, do t’i detyrojë shqiptarët të paguajnë  39 euro për çdo deklaratë doganore, ku reflektohet mall me vlerë mbi 1000 euro, 15-17 milion euro çdo vit/ 225-255 milion euro në total (për shkak të rritjes së volumit tregtar);

- Pullat fiskale për mallrat e akcizës dhe ilaçet, me një rritje nga 5-13% për çdo 1000 pulla, do t’iu kushtojnë shqiptarëve 14-16 milion euro në vit/ 140-160 milion euro ne total/.

Pra, vetëm për këto shërbime të monopolizuara, të ligjëruara si të detyrueshme nga Qeveria, shqiptarëve do t’u merren për 10-15 vitet e ardhshme 1miliard e 115 milionë -1 miliard e 265 milionë euro!!!

Po dëgjoni te flitet nga Qeveria e Mundur për Faturë. Ja, kjo është Superfatura që këta vendosën të paguani ju. Është sot në fuqi! Edhe kjo, për të tretën herë, nuk është liberale apo e djathtë, thjeshtë e korruptuar.

Ka një nevojë kombëtare për të zhbërë monopolet në shërbime të konsideruara publike, prishur çmimet e tyre të shtrenjta e abuzive dhe ne do t’i përgjigjemi.

Së katërti, “Ekonominë e zezë” që zgjeruan!! Në fakt është ekonomia në të zezë, ajo që punon pa fatura ose me dy palë fatura, me dy palë regjistra vlerash e sasish, çmimesh, me dy bordero, në fund- me dy bilance, e stimuluar dhe mbrojtur fort nga marrëdhënia klienteliste dhe e korruptuar Qeveri-familjare-miq, e që u rrit duke marrë shumë nga njerëzit, paguar asfare deri pak për shtetin, përfituar në maksimum për vete. 100 kompani të mëdha funksionojnë kështu dhe bilancet e tyre kishin garancinë e një firme, firmës së “ekspertes kontabile” të Familjes.

Ka një nevojë kombëtare për ligjshmëri në ekonomi, mundësi të barabarta që rrjedhin nga ligji, as nga kryeministri, ministri, zëvendësministri, drejtori, të qenit klient tek ta, dhe ne do t’i përgjigjemi.

Së pesti, “Krimin e organizuar” që këta e rriten brenda ekonomisë!! Krimin që:

- Ka hyrë në ekonomi, në një marrëdhënie të fortë të pastrimit të parave të pista (ardhur nga aktivitete kriminale jashtë apo brenda vendit) në sektorë kyç të saj dhe përfitimit të më shumë se kaq, disa herë më shumë se paratë e pastruara, prej ekonomisë;

- Industria e mineraleve të ngurta; naftës-si vjedhje, përpunim në kioska rafineri dhe tregtim; ndërtimit të veprave energjitike, të vogla e të mesme dhe sistemeve të lidhura me to; ndërtimit, duke nisur nga inertet, çimentoja, betoni, pjesa tërësisht private e saj në infrastruktura banimi apo turistike, por edhe pjesa e kontratave qeveritare është nën agresion dhe thuajse e kriminalizuar;

- Segmente të arsimit privat janë nën agresion dhe thuajse të kriminalizuara duke rrezikuar gjithë strukturën administrative të shtetit;

Krimi po nxiton, kërkon me ngulm vendime ekonomike në favor te tij. Pagoi me çdo çmim të hyje në ekonomi e po rritet, tani po kërkon të ulë dhe kostot e paguara për çdo vendim të pushtetit politik dhe ekzekutiv, po vjen të diktojë vendimmarrjen edhe këtu në Kuvend!!

Ka një nevojë kombëtare për çliruar ekonominë nga krimi i organizuar dhe ne do t’i përgjigjemi me çdo kosto, pa bërë dallim në të majtë e të djathtë, në politikanë apo biznesmenë sepse dhe caku që dallon ka rënë tashmë.

Kryeministër!

Ju keni një aleat të madh- popullin, por keni dhe kundërshtarë të forte- Mafia-n. Nëse duhet që ju dhe ne bashkë të zgjedhim, atëherë: Më mirë kosto nga prishja e kontratave të tyre, se sa ekonomia kombëtare të bjerë tërësisht në dorë të Mafia-s.

Kjo është Shqipëria që jemi dhe jemi shumë keq! Në dy muaj, Qeveria e Mundur e teproi edhe me shumë. Njëri dha miratimin për rishitje të kompanisë unike të rafinimit të naftës në vend, pas dështimit spektakolar, duke garantuar trashëgimin e detyrimeve ligjore apo borxheve financiare nga një dorë në tjetrën, pa u përmbushur kurrë gjatë 5 viteve. Më pas, shtyn përpara 9 marrëveshje që i japin fund Albpetrol si ndërmarrje prodhimi e duke çuar mijëra punëtorë në shtëpi. Tjetri, lëshon për kompensim terminalin e vetëm të kontejnerëve në portin e Durrësit, kontratë të cilën kompania e nxjerr në shitje menjëherë për 100 milion euro. Më pas, lëshon edhe terminalin e trageteve, të fundit, të sapondërtuar me një borxh të shtrenjtë që do e paguani ju, madje duke i dhënë fund portit të Durrësit si ndërmarrje publike e duke e kthyer në kompani rentiere.

Janë 100 vendime të tilla në dy muaj, nisin me Qendrën Kombëtare të Traumës ku kati i parë është shërbim publik, kati i dytë shërbim privat dhe rinovohet kontrata edhe për 10 vite të tjerë, kati i tretë është shërbim publik, deri tek trualli i lakmueshëm i Gardës së Republikës.

Unë po ndaj me ju dhe dy.

Zoti ministër i Bujqësisë! Paraardhësi juaj ka dhënë së fundi me qira 141 ha tokë bujqësore mu në mes të Myzeqesë, në sektorin Ferras të komunës Grabian, ndërkohë që aty jetojnë të tjere bujq që ende nuk janë pajisur me tokë. Një batërdi e tere ka ndodhur me tokën publike 6 muajt e fundit dhe kjo meriton një hetim të plotë.

Zoti ministër i Industrisë dhe zoti ministër i Financave! Kjo që kam në dorë është një praktikë e plotë, mbërriti deri në Qeveri, aty është, gati mbi tavolinat tuaja, përmes së cilës kërkohet zerimi i efekteve të rentës minerare për kompaninë e dytë të naftës në vend. Zerim për të, por edhe për pjesën e shtetit nga fitimi i saj. Dikush, politikan, zyrtar apo përfitues privat i lidhur me ta, pret amnisti! Amnisti nuk duhet të ketë. Vendi është mundur nga korrupsioni aq sa ligjet kundër korrupsionit nuk kanë më kuptim.

Gjithë sa ju dëshmova tregojnë se janë para e pasuri që mungojnë tek ju sepse janë përfitime që shkojnë tek ata, ish-pushtetarët e Shqipërisë, jo sipas ligjit, jo sipas rregullave, prej korrupsionit. Ekonomia është mundur nga korrupsioni dhe varfëria po rritet dyfish. Tani e thotë edhe INSTAT i çliruar.

Ky është raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror për ekonominë tonë dhe ne jemi në rënie dramatike. Jemi më keq në renditje se Greqia, kemi humbur katër vende kur Greqia ka fituar shtatë. Shkaqet:

Korrupsioni i pari me 25.5 pikë përqindje. Aksesi në financim i dyti. Inefiçenca e administratës e treta. Rregullat fiskale e katërta. Krimi dhe vjedhjet e pesta.

Ka edhe më. Për të drejtat e pronësisë, pagesat e parregullta dhe ryshfetin, pavarësinë e gjyqësorit, krimin e organizuar, renditemi nga vendi i 108 në të 137-tin nga 148 gjithsej.

Kur arrin këtu, nuk duhet të përbëjë asfare shqetësim fati i akteve klienteliste dhe të korruptuara, as fati i zyrtarëve që kanë firmosur në to! Nuk ka as mllef e as hakmarrje këtu. Më intereson vetëm fati i sipërmarrjeve të ndershme në fund të vitit, fati i familjeve të lidhura me to, me ekonominë, muaj për muaj.

 

Ka zhgënjim të madh në pakicën e kësaj salle. Ajo që ju thanë për dy muaj me radhë nuk ndodhi. Ne nuk ju gënjyem! Ju thamë në fushate se:

- Do të heqim taksën vendore mbi biznesin e vogël dhe është detyrim këtu;

- Do të përgjysmojmë tatimin mbi të ardhurat nga biznesi i vogël dhe është detyrim këtu;

- Do të heqim akcizën dhe taksën e qarkullimit për mekanikën bujqësore e peshkimin dhe është detyrim këtu;

- Do të përjashtojmë inputet bujqësore nga TVSH dhe është detyrim këtu;

- Do të përjashtojmë shëndetësinë e ilaçet nga TVSH dhe është detyrim këtu;

- Shërbimi Kombëtar Shëndetësor do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët dhe është detyrim këtu;

- Legalizimet e banesave pa leje do të mbyllen brenda këtij mandati e pa pagesë dhe është detyrim këtu.

Çdo premtim, një më një është kthyer në detyrim këtu, në këtë program. Vetëm njëri prej premtimeve të fushatës është i riformuluar në këtë Program, ai i TVSH 6% për faturën e energjisë për të gjithë, por është bërë mirë që është riformuluar. Ishte e padrejtë që unë që marr një rrogë 1.5 milion lekë të paguaj TVSH për energjinë njësoj sa një familje që jeton me “ndihmë ekonomike”.

Po dëgjoj se ka një shqetësim: Sa kushton secili prej tyre?!

Ka një llogari për çdonjërin. Mua më intereson që ata që më zgjodhën të dëgjojnë tre:

I pari. Përjashtimi nga TVSH i inputeve bujqësore, plehrave, farërave, fidanëve etj. Ju e sollët në Kuvend në 1 Prill, e kam në dorë, 1 muaj më pas e anuluat. Edhe sipas jush kushton 1 miliard e 300 milionë lekë ose 13 milion dollarë.

I dyti. Heqja e akcizës dhe taksës së qarkullimit për gjithë mekanikën bujqësore dhe peshkimin. Ua kemi llogaritur dhe ua kemi thënë sa herë e kemi propozuar se kushton 820 milionë lekë ose 8.2 milionë dollarë.

I treti. Heqja e TVSH për shëndetësinë dhe ilaçet. Ua kemi llogaritur dhe ua kemi thënë kur ju e vendosët dhe ne e refuzuam: 1 miliard e 500 milionë ose 15 milionë dollarë.

Të tria bashkë bëjnë rreth 36 milion dollarë! Paratë janë aty. Janë më pak se gjysma e parave që ne i marrin nga nafta e ndarë në prodhim por që vidhen pa lënë gjurmë. Ne do ta ndalim atë vjedhje dhe paratë do shkojnë në këto tre zëra.

Zoti Kryeministër!

Olsi Kacabumi ishte një student nga Kryekuqi i komunës Remas. U zgjua në mëngjes me dhimbje bajamesh, u detyrua të vizitohet në Lushnje, e transferuan në Tiranë dhe këtu u shua brenda 4 orëve. Një sëmundje gjaku e pa ditur dhe e pa ekzaminuar e mundi. Mbi 60 mijë banorë të Myzeqesë, nga Gradishta, Remasi, Divjaka, Tërbufi, Grabiani kanë mes tyre këtë rrezik për jetën. Por edhe pse kështu, për ta nuk ka një poliklinikë, multifunksionale por edhe të dedikuar për sëmundjet e gjakut që trashëgohen nga njeri brez tek tjetri. Janë kthyer 70 vjet pas dhe humbin jetën!

Fitim Malko është një djalë i ri nga Zharneci, peshkatar në profesion siç burrat e 500 familjeve të tjera nga Bedati, Karavastaja, Muciasi, Remasi, Kryekuqi, Kamenica, Zharneci, Miza, Xengu, Divjaka, të gjithë të ndaluar të punojnë nga një kontratë menaxhimi e korruptuar që ua ka marrë atyre kënetën dhe ja ka dhënë një njeriu të vetëm.

Agim Sina, Nikolla Kosari, Kadri Shuka, Avni Merzheku, Ali Buzi e Novrus Xheka, janë bujq nga Çerma, Karavastaja, Grabiani. Një pjesë e tyre më herët kanë pasur përgjegjësinë e administrimit të rrjetit dhe stacioneve të pompimit për vaditjen e kullimin. I kanë kanalet dhe lumin mu aty, por nuk vaditin më, i pengojnë të paaftët politike të ish-pushtetit por edhe zotërit e lumit, që i kanë bërë të tillë lejet qeveritare për të marrë zhavore.

Saimir Biti është një tjetër djalë i ri, ka ngritur sipërmarrjen më të madhe në bujqësi, me cikël të mbyllur-nga fidanët tek eksporti, mban e rregullon tregun, mbron në çmime çdo ekonomi familjare në Divjakë, Remas e Tërbuf, vetë, pa asnjë ndihmë nga shteti, kur shteti duhet ta njohë, mbështesë, favorizojë me status, këtë zonë në Myzeqe, si njësinë më të madhe ekonomike bujqësore në vend.

Koli Sako është emri i shkollës që këtë të hënë, shënon 100-vjetorin e shkollës së parë shqipe në Divjakë. Por më lejoni të them se ky 100-vjetor është në kontrast dramatik me faktin se 80% e shkollave nga Çerma e Sipërme në Adriatik janë në gjendje të mjerë. Imagjinoni, pa banja për fëmijë e mësues!! Kam qenë vetë në secilën dhe është e tmerrshme. Apo me faktin tjetër se në gjithë këtë hapësirë të madhe të ekonomisë bujqësore, blegtorale, të peshkimit dhe turizmit, nuk ka një shkollë të mesme profesionale.

Zoti Kryeministër!

Kjo është Shqipëria që jemi. Këtë po marrim nën administrim. Fatet personale të secilit prej këtyre burrave që përmenda, përfaqësojnë fatin e komuniteteve ku ata jetojnë! Duan vetëm një gjë: Mundësi! Ajo ju ka munguar e u është mohuar prej 8 vitesh nga qeveria që mundën. Na zgjodhën ne! T’u japim atë që u takon për të ndryshuar jetën e tyre. Shqipëria që duam të ndërtojmë nis nga jeta e tyre. Ky është nderi ynë dhe na jepet vetëm një herë në jetë!!

Fjala në Kuvend e deputetit Erjon Braçe.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm