Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Fatmir Toçi

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Fatmir Toçi

04 Mar 2013    
Historia mbi 4 - vjeçare e diskutimit dhe miratimit të këtij ligji u duk se do të ishte një përjashtim nga rregulli. Do të ishte një nga ligjet e vetme që do të miratohej me konsensus, edhe si kërkesë e Këshillit të Evropës, Komisionit Europian dhe rekomandimeve të OSBE-së. Por kjo shumicë iu drejtua sërish vesit dhe zakonit: vesit të saj të uzurpimit të të gjitha institucioneve; dhe zakonit – përdorimit të arrogancës tipike si të një shteti në diktaturë. Në të vërtetë është bërë një punë intensive  në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik për debatimin e çdo neni të këtij ligji.

Fryma konsensuale e kërkuar nga ekspertët e institucioneve ndërkombëtare, thithja e mendimit të grupeve të interesit dhe nga shoqëria civile, si dhe ekspertët shqiptarë, të pranishëm në të gjitha seancat e punës në komision, kanë ndikuar  në përmirësimin e ndjeshëm të këtij ligji. Dhe, padyshim, deputetët e opozitës në këtë komision kanë kontributin e tyre të madh në përmirësimin e draftit të ligjit të paraqitur dhe frymën konsensuale, por që natyrisht nuk u respektua gjer në fund nga maxhoranca.

Dy nenet e vetme që iu shmangën konsensusit ishin ato që përcaktojnë strukturën e Këshillit Kombëtar të Radiove dhe Televizioneve (KKRT-së)  dhe Këshillit Drejtues të RTSH-së. Opozita në komision, edhe pse do të jetë maxhoranca e pas 23 qershorit, nisur nga interesat kombëtare e jo partiake, për shkak se realisht investohet për demokracinë, ka mbështetur propozimin që drejtuesit e këtyre institucioneve të zgjidhen me konsensus, e kur ai nuk arrihet, të zgjidhen me short.

Një zgjidhje e tillë është propozuar me synimin që ky organ të jetë vërtet i pavarur, pavarësisht maxhorancave që krijohen sipas zgjedhjeve. Po përse kjo prishje e konsensusit për këto dy nene?! Sepse ato zgjedhin drejtuesit e institucioneve me shumicë votash, çka na thotë se në filozofinë e kësaj maxhorance edhe nesër do të kemi një KKRT - kamxhik të mediave opozitare, dhe një TVSH - altoparlant banal dhe mediokër i gojës së Saliut. Taktikë e kotë dhe vetëm një lugë supe në litrin e benzinës sepse Saliu, të cilin po e zë poshtë barra e gjynaheve që i ka bërë këtij populli dhe këtij vendi, po mbath patkonjtë për të ikur nga zyra që ka uzurpuar prej vitesh.

Të gjithë jemi dëshmitarë se si e kanë ushtruar veprimtarinë e tyre dy institucionet më të përfolura e më të anatemuara që veprojnë në fushën mediatike, KKRT e RTSH, si rrjedhojë e diktatit të maxhorancës në zgjedhjen e drejtuesve të tyre. Hapat prapa drejt një filozofie drejtimi e administrimi monist e monopartiak në rregullimin e veprimtarisë radio-televizive në Republikën e Shqipërisë e kanë zanafillën pikërisht në këto nene që përcaktojnë këtë mënyrë zgjedhjeje të shërbëtorëve të përunjur mediatikë të pushtetit.

Qartazi të njëanshme dhe diskriminuese në lidhje me trajtimin e operatorëve, në respektimin e detyrimeve ligjore dhe zbatimin e kushteve të licencimit, në politikat editoriale apo ndarjen e vënien në dispozicion të kohës së transmetimit, të dy këto institucione – zgjatim i shtyllës vertebrale të pushtetit - janë vënë në zbatim të urdhrave politike të maxhorancës së sotme, si dhe në mbrojtjen e paligjshme, abuzive klienteliste të grupeve të interesit të lidhur ngushtë me këtë maxhorancë. Çfarë është e rëndësishme në gjithë këtë diskutim dhe çfarë na trishton më shumë në peizazhin e mediave audiovizive dhe atë të shkruar në Shqipëri?

E vërteta është se ato janë në krizë. Krushqia e panatyrshme që ato kanë bërë me pushtetin tani po shkon drejt divorcit, sepse vetë pushteti është në krizë, siç është në krizë ekonomia e vendit, siç është ky Kuvend në krizë, siç është në krizë, gjyqësori, arti, kultura; siç është në krizë gjithë shoqëria shqiptare. Ekrane që i mbajnë ndezur 24 orë, që shtrihen në çdo skaj të vendit, por që nuk i sheh njeri; lajme pa fund, kryesisht me Sali që thotë si i thonë, e që nuk i beson as vetë Saliu. Një Shqipëri virtuale e ndërtuar sipas modelit nazist gëbelsian, që rreket t’i mbushë mendjen të uriturit se është i ngopur, t’i mbushë mendjen të papunit se po punon e po fiton; të bindë pensionistin se qindarkat që merr si lëmoshë i dalin për bukë, ilaçe, drita e ujë. T’u mbushë mendjen atyre  që vuajnë në dhunën e krimit urban të organizuar se janë të qetë dhe të sigurt; t’i mbushë mendjen personave me asistencë se duhet t’i thurin hosana’ qeverisë për lëmoshat aq u jep. Por vetë qeveria është në krizë. Ajo nuk ka më para’ për të paguar shërbimet e tellallëve të saj.

Biznesi në krizë nuk ka më se ç’reklamon. Edhe mediat qeveritare janë në krizë. Mediat opozitare kështu kanë qenë gjatë tetë viteve të fundit të kësaj qeverisjeje. Ka disa rrugë për të mbërritur tek e vërteta. Por e vërteta është vetëm një në këtë rast. Atë e gjeni të fshehur në median tjetër që po rritet në Shqipëri, median on line; atje ku demokracia dhe teknologjia i jep kujtdo, qoftë edhe fshehur pas anonimatit të thotë se çfarë mendon. Dhe në shumicën dërrmuese këta qytetarë – gazetarë shprehin jo vetëm përbuzje, por dhe neveri, jo vetëm mospranim, por edhe urrejtje për këtë qeveri. Këta janë votuesit e nesërm, të cilëve, edhe me këtë ligj qeveria po ju thotë:

-       “Unë kjo jam e nuk ndryshoj”,

-       “aq di dhe kaq bëj”,

-       “kam një votë më shumë dhe sillem si partia e djeshme – shtet”.

Dhe ky është lajm i keq për shqiptarët.

Por ka edhe një lajm të mirë: kësaj gamileje tashmë iu sos uji. Mbas këtij dimri kjo qeveri do të kalojë dimrin e saj në opozitë e në përbuzje. Ajo që ne socialistët do ta bëjmë mirë nesër në pushtet është krijimi i një raporti krejt tjetër me median. Një raport lirie dhe standardi të njëjtë për të gjithë. Për ta thënë thjesht, duke e nxjerrë vendin nga kriza dhe për të rilindur shpresën edhe media do të dalë nga kriza. Ne do t’i rikthejmë ekranin publik - publikut dhe do të vendosim në rolin e arbitrit të drejtë e të ndershëm KKRT-në.  Ju sot mund të votoni siç ju ka urdhëruar dirigjenti juaj. Por në fakt ju po votoni për krizën tuaj. Në fakt ju po kërkoni të votoni një ligj që pas 23 qershorit juve do t’ju penalizojë dhe do t’ju kthehet në të kundërt.

Më rëndë është ai i sëmurë, i cili nuk kupton se nga ç’sëmundje vuan. Dhe shumë nga ju jeni në këtë gjendje. Por shumë të tjerë e dinë e nuk kanë guximin të veprojnë duke lënë peng dinjitetin dhe  personalitetin e tyre. Morët të qeverisni një Shqipëri normale në vitin 2005 dhe po lini pas një tokë të djegur, siç e kanë lënë zakonisht pushtuesit. Ritheksojmë qëndrimin tonë për një reformim rrënjësor të institucioneve publike, kthimin e tyre realisht në të pavarura, një rilindje të tyre, siç përcaktohet dhe në programin tonë të Rilindjes, vënia në jetë e të cilit do të zbatohet menjëherë pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit.

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm