Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Gazmir Bizha

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Gazmir Bizha

04 Oct 2012    

Era e rëndë e korrupsionit që vjen nga aferat e ministrisë së mbrojtjes, ka kohë që ka marrë dhenë. Çdo ditë e më shumë shqiptarët po mësojnë nëpërmjet dokumenteve zyrtare se sa e pafund është vjedhja, abuzimi, përvetësimi dhe shpërdorimi që i bëhet djersës së tyre, nga një kupolë e lartë e ministrisë së mbrojtjes, në krye të së cilës rri si Ali Baba, vetë ministri i mbrojtjes.



Aq i thellë e i pamat është llumi i korrupsionit që ka mbuluar gjithë veprimtarinë e ministrisë së mbrojtjes, sa prej muajsh të tërë nuk lejohen deputetët e opozitës që të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese, për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit.



Aq i madh është abuzimi sa sot ministri e ka kthyer ministrinë e mbrojtjes së shqiptarëve, në ministrinë e mbrojtjes së interesave të pushtetit të Saliut, të klanit të Familjes dhe të tijat personalisht.



Në krye të gjithë kësaj maskarade qëndron SHIU, të cilin e ka kthyer në hijen e dikurshme të sigurimit të shtetit, që përgjon PS-në, deputetët e saj, median e lirë, shoqërinë civile, analistët dhe në fund edhe vetë trupin diplomatik. Këtë shërbim të keqpërdorur, ministri pasi e pajis me përgjues të gjithfarë llojshëm, e armatos me armë speciale në kundërshtim me ligjin, e kthen si dikur në armën famëkeqe  të SHIK-ut në qeverisjen e Saliut të parë.
Justifikimi zyrtar i ministrit është se nuk mund t’i dërgojë agjentët, të pa armatosur në teatrin e luftimit jashtë vendit. Po mirë o ministri ynë i mbrojtjes bleve pushkë e pistoleta pa zhurmë për këta që venë në teatrin e luftimit, po pajisja e përgjimit që bleve me 1 milion e gjysmë euro, për cilin teatër luftimi brenda vendit e do ?!!!
Apo ajo të duhet për teatrin e luftës që po bën opozita me këtë bandë hajdutësh që është qeveria e Saliut apo për teatrin e luftës për të vjedhur votat për zgjedhjet e ardhshme.



Zullumet e ministrisë së mbrojtjes nuk kanë fund. Dallaveret me shitblerjet e armatimeve janë tej çdo arsyetimi.  Kjo është arsyeja përse nuk lejohet opozita që të mbikëqyrë. Dhe të gjitha këto dallavere kanë si strumbullar sekserë serbë, të deklaruar botërisht si antishqiptarë, por mbi të gjitha, të shkruar në listat e zeza të Kombeve të Bashkuara si antinjerëzorë.



Ky është takëmi i partnerëve tregtarë të ministrisë tonë të mbrojtjes. Në krye të tyre është Sllobodan Tesiç, njeriu që financoi fushatën e radikalit serb, antishqiptarit Nikoliç. Një arsye më shumë që kemi sot një më antishqiptar në krye të fqinjëve tanë, janë edhe aferat e ministrisë së mbrojtjes.



Me duart e tyre armët tona përfunduan për regjimin gjakatar  të Gadafit apo për regjimin satrap  të Saliut të Jemenit, që shtypi me dhunë popullin e tij. Ndërkohë që ministri ynë i mbrojtjes lan duart duke bërë të paditurin e bile edhe të mërziturin, të cilin opozita e ka bezdisur kaq shumë, duke i nxjerrë “sekretet shtetërore”  të aferave të tij e të Saliut tonë.



Aq shumë të ka mërzitur e vërteta që po të thotë opozita o ministër, sa nuk lë pa nxjerrë zëdhënës e zyrtarë të ministrisë që kërcënojnë gjithë ditën  deputetët e PS sa me burg e sa me gjoba, se të paskan prishur terezinë e “sekretit shtetëror”
Të pyetëm o ministër se çfarë të lidh ty me Damir Fazlliçin, nipin e Ivica Stanishiçit, shefit të shërbimit sekret të Sllobodan Millosheviçit ?!!!



Atij shërbimi që vrau, burgosi e dhunoi dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës e diasporës, varret e një pjese të të cilëve nuk gjenden ende.



Çfarë të lidh ty me Fazlliçin me të cilin shëtit krah për krah rrugëve të Tiranës e na the se ‘është miku im personal’. Nuk kemi asnjë dyshimi se Fazlliçi, Tesiçi apo dhe vetë Nikoliçi janë miqtë e tu e të Saliut tënd, por ti je ulur, ndonëse padrejtësisht në karrigen e  ministrit  të mbrojtjes e shqiptarëve dhe jo tjetërkund.
Mos harro se në atë detyre ku je, je edhe pasardhës i Mehmet Pashë Derrallës. Po ku ishte ai burrë i lartë shteti e ku je ti me gjithë ata vulëhumbur që ke pas. Ku janë idealet e rilindësve dhe dëshmorëve që ranë për atdhe e për Shqipëri e ku janë interesat e hajdutëve të kësaj qeverie që vodhën e shitën Shqipërinë.
Interesat e tua e të Saliut nuk janë ato të Shqipërisë, por të Fazlliçit e të gjithë sorollopit të tij që janë sa në Beograd e sa në qarqet më antishqiptare.



Ti ke vetëm një rrugë o ministri ynë i mbrojtjes jep dorëheqjen një orë e më parë, jo të shpëtosh veten se tanimë edhe ti nuk ndryshon nga çeta e hajdutëve që qeveris vendin, por të paktën të mos zhytesh më thellë e të kesh të drejtën morale që të thuash ika atëherë kur më zunë me presh në duar e jo kur më përzunë bashkë me gjithë Saliun.



Ik më mirë të shpëtosh ndërgjegjen se ligjit nuk i shpëton dot, se janë të shkruara të gjitha aferat dhe herët apo vonë do t’i përgjigjesh drejtësisë.



Jep dorëheqjen tani se nesër do të heqin bashkë me gjithë ustain tënd votat e shqiptarëve, urrejtjen e të cilëve nuk e keni parë mirë ende sa kohë fshiheni pas dyerve të qeverisë e rojeve të gardës.
Nuk është e largët dita e gjykimit për gjithçka i keni bërë këtij vendi.   

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm