Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Gazmir Bizhga

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Gazmir Bizhga

28 Feb 2013    
Ky ligji i sotëm si dhe të gjithë të tjerët pararendës që janë shkruar nga kjo qeveri për mbrojtjen mjedisore do të përfundojë si një dokument më shumë në raftet e kuvendit dhe të qeverisë dhe që nuk do të zbatohet kurrë, për aq ditë sa do te jetë në këmbë kjo qeveri dhe për sa kohë që aferat e saj po shkatërrojnë pa fund në mënyrë të parikthyeshme mjedisin. Nuk do të ndalem shumë në detajet e ligjit, por do të sjell në vëmendje disa prej shumë çështjeve mjedisore që ka qarku i Durrësit dhe që nuk ka vlerësim strategjik mjedisor që t’i rikthejë apo riaftësojë në kushte të pranueshme. E gjitha kjo për një arsye të thjeshtë se dëmi i shkaktuar, nuk ka lidhje vetëm me papërgjegjshmërinë e atyre që duhet ta ruajnë mjedisin sipas ligjit, por me makutërine e kësaj qeverie që ka lëshuar licenca e leje, të cilat po e gërryejnë në mënyrë të pakthyeshme mjedisin dhe pasuritë tona natyrore.

•        Po ndalem së pari te fabrikat e çimentove që janë licencuar përgjatë këtyre viteve nga kjo qeveri. Janë gjashtë licenca të tilla që nga Nikla e deri në Thumanë. Janë dhënë leje për të ndërtuar gjashte çimenteri në një hapësirë jo më shume se 20-25 km vijë ajrore. Është një katastrofe mjedisore e deklaruar me ligj. Jo të gjitha fabrikat, e licencuara e kanë filluar punën, pasi për nja tre prej tyre klientët e qeverisë, që i përfituan lejet nuk kanë gjetur ende kompanitë, të cilave mund t’jua shesin, por edhe në ato tre që ka filluar puna rezultati i katastrofës mjedisore është evident brenda një kohe të shkurtër. Nuk ka nevojë të shkosh në vend për t’a parë një gjë të tillë, se duken me sy të lirë nga rruga kombëtare, sesi po fshihen nga faqja e dheut kodrat e gjelbërta që dikur kishin ullinj e që rrethonin qytetin e Krujës e si po krijohen zgafella të mëdha në malin e Krujës, duke e kthyer atë zonë në një tokë të braktisur e pa perspektivë mjedisore. Shfrytëzimi është barbar dhe katastrofik, i shfrenuar, cili vazhdon ditë-natë me një ritëm të pandalur. Askush nuk guxon ta përmendë këtë gjë nga njerëzit që duhet ta ruajnë mjedisin e jo më të kërkojë llogari se çfarë po ngjet, pasi e dinë që pas çdo licence të lëshuar është një klient i Kryeministrit. Me këtë ritëm dëmi i bërë deri më tani do vazhdojë të thellohet, ashtu siç thellohen edhe gropat e pafund që hapen përgjatë rrugës që të çon në Krujë. Pa folur më pastaj për gropat e furrat që djegin gëlqere me goma makinash, të cila me tymin e zi të karbonit që lëshojnë,  sëbashku me pluhurin që emetojnë çimenteritë e kanë kthyer në një mjedis të pabanueshëm Fushë-Krujë e Krujën. Do të ishte qesharake nëse ndokush do ta mendonte atë zonë si një mjedis atraktiv për turizmin historik apo kulturor, pasi aty as që mund të bëhet fjalë për një gjë të tillë. Çfarëdo ligji për vlerësim strategjik mjedisor të bëhet këtu, dora që po shkatërron këtë mjedis nuk do të ndalet, përkundrazi do të vijë duke u përkeqësuar nëse do të bëhen aktive edhe tre fabrikat e reja të çimentove për të cilat qeveria ka dhënë licencat. Jam interesuar jo vetëm si përfaqësues i zgjedhur i qarkut të Durrësit, por edhe si qytetar, ne agjencinë rajonale të mjedisit, nëse ekziston qoftë edhe një projekt për rehabilitim sadopak të këtyre zonave, të cilat po shkatërrohen nga ana e operatoreve të çimenterive dhe nuk ka patur as gjatë miratimit të lejeve, por as edhe tani më pas.

•        Problemi i madh i dytë mjedisor qe ka qarku i Durrësit është rrjedha e poshtme e lumit Erzen. Jam ndalur gjatë për këtë problem para disa kohësh, pasi po vazhdohen të gërryhen makutërisht në dimër e verë, jo vetëm brigjet e skapatat e lumit, por edhe tabani i tij. Janë shtuar sa me leje e sa pa leje zyrtare, operatorët që po e shfrytëzojnë. Impiantet e prodhimit të inerteve nuk kanë të ndalur ashtu siç nuk ka të ndalur as vithisja që po pësojnë kodrat e fshatrat përreth që nga Ndroqi, Rromanati e deri në Pjezë e Jube. Nuk e mendon askush se kjo gjë mund të ndalet. Pas çdo impianti dhe eskavatori qëndron një klient i qeverisë, të cilët për të thënë të vërtetën fillojnë e shtohen tani që afrojnë ditët e fushatës. Pasi e kanë mbaruar tani thuajse të gjithë zhavorrin e lumit, i janë turrur tokave të fshatareve përgjatë të dy brigjeve për t’i shfrytëzuar inertet e akumuluara e për t’i shndërruar e lënë më pas në gropa. Në krye të gjithë kësaj historie korrupsioni dhe shfrytëzimi qëndrojnë kryekomunarët e Rrashbullit, Gjepalajt e Xhafzotajt, të gjithë të zgjedhur të PD. Jo më larg se dje më takuan një grup banorësh të fshatrave Rromanat e Memje, të cilëve kryekomunari ju bënte presion për t’i detyruar që t’ju shisnin tokën anës lumit Erzen kompanive të shfrytëzimit të lumit, për prodhimin e inerteve. Kjo është një e vërtetë e hidhur, të cilën nuk ka ligj që mund ta ndalë, sa kohë është kjo qeveri, e cila çdo pasuri tonën natyrore e mban si pasuri të vetes e të klientëve të saj.

•        Gjiri i Lalzit është objekti i tretë i një katastrofe mjedisore që sapo ka filluar të kryhet me leje të dhëna nga qeveria. Janë miratuar ndërtimi edhe i tre fshatrave të rinj turistike për dy klientë të tjerë të qeverisë, të cilët sapo kanë filluar masakrën pyjore mbi kurorën e pishave duke dëmtuar me dhjetëra hektarë pyje shumëvjeçare. Pa folur këtu për ndërtimet aktuale e të reja të kësaj zone, të cilat përfshijnë vilat e qeveritarëve të vendit dhe kupolës së pushtetit, të cilat tanimë i kanë bërë dëmet e para. Sistemi i ri i ndërtimeve të të ashtuquajturave fshatra turistike, do vazhdojë të jetë me gropa septike si dhe deri më tani duke vazhduar që krahas dëmit mbi pyjet do vazhdojë ndotja e ujerave detare të zonës si dhe deri më sot. Këto leje të zbardhura janë vetëm për atë pjesë të plazhit, që përfshihet në territorin e komunës së Ishmit, se përsa i përket plazhit që përfshin territorin e zonës Hamallaj-Hidrovor, të bashkisë së Sukthit, atje ku shteti dërgoi policët për të nxjerrë me dhunë banorët para dy vitesh e që iku me bisht ndër shale, ka filluar rrethimi i dhjetëra hektarë pyje me gardhë nga investitorë misteriozë. Dhe tani që po flasim vazhdon intesivisht puna edhe të dielën për të kryer këtë rrethim dhe se ka filluar shpyllëzimi i kësaj zone. Nuk është shumë e vështirë që ta kuptosh, thonë banorët e zonës, se pas kësaj historie te re korrupsioni është një klient i madh i kryeministrit. Ai që po blen çdo gjë në këtë vend, nga pronat e patundshme e deri tek ligjvënia e këtij kuvendi. Nuk besoj se duhet ndonjë ligj si ky i sotmi, për ta ndalur masakrën e nisur në gjirin e Lalzit, por thjesht vullnet. Po ju nuk e bëni dot, se jeni të kapur fund e krye nga këta klientë që po zhbëjnë pasuritë e këtij vendi.

•        Plazhi Plepa-Golem është modeli më domethënës i barbarisë së pushtetit mbi mjedisin. Se çfarë është në gjendje që t’i bëjë ky pushtet mjedisit, pyjeve, ujërave e plazheve të këtij vendi e tregojnë këto 10 km vijë bregdetare e kësaj zone. Dhe sot që po flasim vazhdon intesivisht hapja e gropave me leje ndërtimi për pallate thuajse buzë vijës së ujit dhe askush nuk ka kurajon që ta ndalë dorën e kryekomunarit të Rrashbullit, për arsyen e thjeshtë se ai është financues dhe mbështetës i kësaj qeverie. Tanimë kjo zonë është e pamundur të rehabilitohet më dhe nuk ka vlerësim strategjik mjedisor që t’i bëjë derman as sot dhe as mot. Dendësia demografike që pëson kjo zone gjate periudhës së verës e ka bërë jo vetëm të pashfrytëzueshëm bregdetin e kësaj zone gjatë verës, por edhe të dëmshëm për shëndetin e njerëzve.

•        Se çfarë mund t’i bëjnë mjedisit këta qeveritare që na qeverisin sot e tregoi më së miri afera për lejen për ndërtimin të një TEC-i që do punonte me qymyr në Porto-Romano, vetëm 7 km nga qendra e qytetit të Durrësit. Fat i banorëve dhe i vendit, që nuk u akaparua dot afera e shitjes së tokës së Fazlliçit dhe lejes së ndërtimit që do merrte një biznesmen pakistanez nëpërmjet zyrës avokatore të vajzës së Kryeministrit, ku i kërkuan tre milionë euro për t’ja akaparuar letrat e lejes, se sot Durrësi do të ishte ndoshta qyteti më i ndotur jo vetëm i Shqipërisë dhe rajonit, por i të gjithë Europes. Dhe se cili do të ishte vlerësimi strategjik mjedisor për këtë ngjarje, e cila ende qëndron si një re e zezë mbi kokat e durrsakëve, e kanë thënë mjaft mirë shkencëtarët e mjedisit në vend. Durrësi do të kthehej në një vend të pabanueshëm për një sipërfaqe territori me rreze 25 km nga vendi ku do të ndërtohej TEC-i. Tani kush është në gjendje të më thotë se me çfarë ligji do të ndalej kjo katastrofe, përveçse me rastësinë e fatit që biznesmeni pakistanez u larguar i terrorizuar nga gjoba nën dorë që ju kërkua për t’i bërë letrat e lejes e për t’i shitur token e sekserit Fazlliç.

Tani së fundi sa bëni ligje të këtij lloji që nuk do të shërbejnë sa të jetë kjo qeveri që nuk pyet për ligj, por vetëm për maliqin kryeministër do kishit bërë mirë që t’i bënit vetëm dy ndere Durrësit dhe qytetarëve të tij.

•        Së pari të kishit ndërtuar në këto tetë vite një landfill për trajtimin e mbetjeve urbane të të gjithë qarkut, po sidomos të qytetit, i cili trefishohet gjatë periudhës së verës. Sot e kësaj dite qyteti i Durrësit është i vetmi qytet i madh që nuk ka një landfill për trajtimin e mbeturinave, por vetëm një shesh, i cili gjatë dimrit kthehet në kënetë dhe gjate verës në burim gazrash toksike e tymi që helmojnë mjedisin e qytetin. Pa folur këtu pastaj për njësite e tjera vendore si bashkia e Krujës etj. Që i flakin mbeturinat ku munden e si munden përgjatë rrugëve duke ndotur gjithçka për një kohë shumë të gjatë e në një dëm të pariparueshëm.

•        Së dyti sa harxhoni para për reklama, koncerte e ahengje qeveritare të miratonit një fond minimal për të pastruar grykëderdhjen e lumit të Ishmit, i cili ka tonelata mbeturina të ngurta, të cilat janë bërë mal dhe që kane kthyer zonën në një mjedis kancerogjen. Nuk do të kishte nevoje për ndonjë strategji mjedisore pastrimi i lumit të Ishmit. Do mjaftonin vetëm dy ekskavatorë dhe pesë kamionë për ta pastruar. Po ju nuk doni që ta bëni, se jeni më shumë të zënë me aferat e lejeve për çimenteri, fshatra turistike, leje për pallate në bregdet apo leje për TEC-e me qymyr. Për këtë qeveri mjedisi është gjëja më e parëndësishme, se për këta janë të parëndësishëm jetët njerëzore e jo më pyjet, lumenjtë, ajri, toka e deti. Ndaj si ta bëni, si mos ta bëni këtë ligj edhe ky ne kosh si të tjerët do të përfundojë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm