Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në kuvend e deputetit Gazmir Bizhga

Fjalime

Fjala në kuvend e deputetit Gazmir Bizhga

04 Mar 2013    
Të nderuar kolegë,

Ky akt i sotëm normativ,  lidhur me legalizimet e objekteve të ndërtuara jashtë kondicioneve të lejeve të ndërtimit të lëshuara pas vitit 2006 e deri më sot, është kryekëput një akt elektoral, populist dhe mbi të gjitha i pazbatueshëm të terrenin konkret. Koha do ta tregoj më së miri këtë gjë. Arsyeja e vetme për të cilin sillet sot për miratim, është thjesht një dokument që qeveria do ta përdori si pankartë zgjedhore, për t’i hedhur hi syve qytetarëve të interesuar për të përfituar nga procesi i legalizimit, por që kështu si është shkruar ky ligj  nuk do të përfitojnë asgjë. Përkundrazi do të shtohen konfliktet që edhe deri më tani nuk kanë qenë të pakta, por mbi të gjitha do të rritet shuma e korrupsionit që e ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj kohë procesin e legalizimeve të objekteve të ndërtuara pa leje apo në kundërshtim me lejen. Ne do ta votojmë këtë akt për të mos ju dhënë mundësi që të thoni në propagandën tuaj bajate se ne jemi kundër procesit të legalizimeve, por të bindur se ky akt nuk do të prodhojë asgjë, përveçse konflikte dhe korrupsion.

Por meqenëse po flasim për procesin e legalizimeve, dua që të sjell në vëmendjen e publikut realitetin e të shumë debatuar të legalizimeve tek ne dhe abuzimin që ka shoqëruar këtë proces përgjatë gjithë këtyre viteve që ju qeverisni vendin.

Gjithkush besoj se e kujton  përrallën e madhe të kryeministrit asokohe në krye të opozitës, kur ju thoshte shqiptarëve anë e kënd vendit, sa lart-poshtë, se brenda gjashtë muajve të parë të qeverisjes së tij do t’i legalizonte të gjitha ndërtimet pa leje me vetëm 300 mijë lekë të vjetra. Këtë kartë e tundi si jo më mirë, ashtu siç di vetëm ai të tund gënjeshtrat për të vërteta. Sot pasi kanë kaluar jo më gjashtë muaj e as gjashtë vite, por plot tetë vite, procesi i legalizimeve është në një udhëkryq të madh, ku vetëm 5% e ndërtimeve informale nga 235 mijë të tilla të evidentuara janë legalizuar dhe se pjesa tjetër megjithë nxitimin tuaj elektoral për të shpërndarë sa më shumë tapi është në një kaos të plotë. I gjithë ky proces që nga fillimi i tij e deri më tani është i mbuluar nga një korrupsion masiv që vjen duke u rritur progresivisht me kahje nga zyrat lokale të Aluiznit, drejt zyrave rajonale dhe më pas drejt selisë qendrore e në qeveri.

Nuk dua që të ndalem gjatë se cila është cilësia e zyrave të Aluiznit, sepse rezultatet qesharake nëpër të cilin vërtitet ky proces e parathonë më së miri këtë gjë, por dua të them se zyrat e Aluiznit janë kthyer në minishtabe elektorale të PD, kudo ku ato janë të ngritura si kërpudha dhe se militantët e punësuar vijnë vërdallë me të vetmin qëllim, atë të sigurimit të pushtetit të Saliut. Pa folur pas kësaj për mbufatjen që përftojnë zyrat e Aluiznit disa muaj para fushatave zgjedhore me personel me kontratat provizore, të cilat thithin si këpusha paratë e shqiptarëve dhe që shërbejnë si kaçatorra fushate. Ky është i gjithë misioni që kanë këto zyra, të cilat deri më sot kanë prodhuar vetëm korrupsion, saqë ende nuk arrij ta kuptoj, se përse organet ligjzbatuese kanë bërë sehir, kur i gjithë ky aktivitet është zhvilluar thuajse haptazi.

Po sjell vetëm një shifër shumë domethënëse lidhur me legalizimet e ndërtimeve informale. Deri në nëntor të vitit 2006, atëherë kur qeveria i mori vetë në administrim zyrat lokale  të Aluiznit, pranë Bashkisë së Durrësit numëroheshin 22 000 aplikime për legalizim, nga të cilat janë legalizuar sot vetëm 1500 aplikime, pra diku më pak se 6%. Kuptohet që në këte shifër nuk përfshihen ato objekte të tjera të cilat janë ndërtuar pas vitit 2006 e deri më sot dhe që janë thuajse dyfishi i objekteve të ndërtuara deri në vitin 2006. Pas nëntorit të vitit 2006, i gjithë procesi i legalizimeve është hermetizuar për informacion publik, sa sot askush ndër ne nuk di të thotë sesa është saktësisht numri i objekteve informale të evidentuara, sa është numri i aplikimeve për legalizim dhe sa është numri i qytetarëve që kanë përfituar nga ky proces. Asgjë nuk dihet nga këto, por dihet se sot na sjellin një akt për ta bërë ligj e për ta mbivendosur mbi ligjin aktual.

Pa folur këtu për zbatimin me dy standarde të ligjit për legalizimin, sipas dëshirës dhe interesat të “maliqit” tonë Kryeministër. Po sjell një fakt të jetuar në qarkun e Durrësit, por që natyrisht nuk është i vetmi. Për të gjitha ato ndërtime informale që janë ndërtuar në zonën e Hamallajt e të Hidrovorit në pjesën bregdetare të Bashkisë së Sukthit, nuk ka asnjë veprim konkret nga zyrat e Aluznit. Bile as aplikimet nuk jua kanë pranuar banorëve, pasi dihet që aty së shpejti një nga klientët e kryeministrit pritet të realizojë një aferë të radhës. Këtyre banorëve,  persona të afërt me klientin jua thonë troç, se ju nuk do të legalizoheni kurrë, pasi ne nuk do t’ju lëmë. Të vetmen mundësi që keni është të pranoni të largoheni me dëshirë nga vendet, në të cilat kanë njëzet vite që janë vendosur. Çdo përpjekje e këtyre komuniteteve për të kërkuar, se përse ligji për legalizimin për t’a përdorët në mënyrë selektive, zyrtarisht nuk i jep kush përgjigje. Nuk denjojnë tanimë as t’i presin, megjithëse për hir të së vërtetës ata prej njëzet vitesh janë votues konstante të PD dhe të Saliut. Duket që interesi për klientin e tejkalon detyrimin që qeveria ka për ta.

Ky akti i sotëm është vetë si një ndërtim pa leje i qeverisë, të cilin na e sillni për ta bërë ne të ligjshëm. Është bërë e udhës, që për çdo gjë të paligjshme e të korruptuar në këtë vend, të bëhet një ligj për ta legalizuar dhe kështu vazhdon gjithnjë. E paligjshmja bëhet e ligjshme dhe të korruptuarit kthehen në të ndershëm.

Ky akti përpiqet që të legalizojë shtesat anësore apo ato mbikate që janë jashtë lejeve të lëshuara zyrtarisht. Po përpara se të vijmë deri tek ky akt, do të kishte qenë shumë më mirë që të kishim një panoramë të saktë së cila është sasia e këtyre objekteve të kësaj kategorie të ndërtuara deri më sot dhe si është shpërndarja e tyre ndër qytetet tona?  Cila është përgjegjësia ligjore dhe penale e inspektorateve ndërtimore kombëtare lidhur me situatën e krijuar deri më tani? Kush na garanton që edhe pas miratimit të këtij akti, ky proces ndërtimi abuziv do të ndalet? Kush na garanton që banorët që kanë blerë apartamentet nuk do të ngelen peng i ndërtuesve që shkelin kondicionet e ligjit dhe peng i inspektorateve të ndërtimit që fryjnë xhepat nga abuzimet?

Askush, aq më tepër me këtë qeveri, e cila korrupsionin e ka mënyrë të qeverisuri dhe se inspektorët e INUK, janë çetë taksidarësh partiak, të cilët sa gdhihet e deri sa ngryset vërtiten lart e poshtë në kërkim të gjahut për të zhvatur “kafenë” e radhës për vete e për shefin. Të vetmen gjë që dinë që të bëjnë mire kjo kategori është bllokimi që ju bëjnë investimeve publike në bashkitë e majta, kur ju jepet komanda nga Saliu. Tre muaj e mbajtën peng ndërtimin për rivitalizimin e sheshit qendror të qytetit të Durrësit, kur ishin zgjedhjet vendore, por asnjë ditë nuk e ndaluan dorën e abuzimit në ndërtimet e objekteve informale në bregdet e kudo gjetke. Këtë gjë nuk mund ta bënin se domosdo ju duhej që të nxirrnin ndonjë lek nën dorë.

Po të vijmë më konkretisht tek akti. Me aq sa lexoj dhe shoh, mirë që për situatën e krijuar nuk mban përgjegjësi kërkush dhe  ata që kanë abuzuar me ligjin do të pajisen me leje, por për dëmin e krijuar për të tjerët, të cilët nuk do të munden, që ta zhvillojnë pronën e tyre për shkak të zënies së paligjshme, nuk ka të parashikuar kurrfarë lloj dëmshpërblimi. Duket që edhe në këtë rast vlera e dëmshpërblimit do të përfundojë në xhepat e të njëjtëve taksidare, ndërsa ata që dëmtohen realisht nuk do të përfitojnë asgjë. Dhe së fundi që do të thoja se në asnjë vend serioz demokratik projektligje të tilla, të cilat përbëjnë çështje të mëdha shoqërore dhe që duan një vullnet të plotë e të gjithanshëm për t’u zgjidhur nuk mund të miratohen në  një Kuvend, që ka edhe dy muaj jete. Po siç thashë edhe në krye të fjalës e gjitha çfarë shkruhet në këtë akt është një propagandë elektorale dhe asgjë më shumë. Lodheni më kot, se për gjëra të tilla Saliut e kësaj qeverie ka kohë që i ka dalë boja e kallaji dhe nuk ka akt që ta shpëtojë nga gremisja që do t’i japë populli më 23 qershor.

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm