Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Pandeli Majko

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Pandeli Majko

07 Dec 2012    

Buxheti i shtetit është si financa e një familje. Sot ne kemi disa arsye që të ndihemi të shqetësuar duke diskutuar të ardhmen e financave të vendit tonë shumë më tepër se sa në vitet e mëparshme. Diskutimi im për projektbuxhetin nis me pyetjen: “Ku po shkojmë?”. Në se dikush më përgjigjet se “Jemi në drejtimin e duhur…” do ti thosha me qetësi që ky diskutim i sotëm nuk ka nevojë për nota humori apo ironie.
 
Pas vitit 1996 është hera e dytë që ekonomia shqiptare po lundron në një det të trazuar krize dhe pa destinacion të qartë drejt së ardhmes. Ndjesia që ka kapur cilindo që dëshiron të kuptojë është se për herë të dytë financa shqiptare ka kaluar “vijën e kuqe” të sigurisë. Pavarësisht se në këtë situatë po vrapohet me entuziazmin e kryeministrit aktual askush nuk ka të qartë ku po shkohet me këtë strategji borxhesh për ekonominë shqiptare.
 
I vetmi arsyetim qëndron në faktin se projektbuxheti i vitit 2013 është organizuar në funksion të fushatës zgjedhore dhe aspak në të mirë të ekonomisë së vendit. Çdokush kupton nga propaganda qeveritare se shkelja e “kufirit 60%” të borxhit nuk është ndonjë problem por veç një “liberalizim” për rritjen ekonomike të vendit. “Argumenti” në fjalë nuk duhet të harrojë se nga kjo sallë për 8 vjet është përsëritur para publikut premtimi për të ulur nivelin e borxhit. Ky ka qenë premtim elektoral. Ky ka qenë premtim politik i Partisë Demokratike. Kjo ka qenë pjesë e marrëveshjeve me institucionet financiare që kanë vëzhguar ekonominë shqiptare dhe ecurinë e saj pas viteve 90-të dhe sidomos pas rrënimit ekonomik që sollën firmat piramidale të pastrimit të parave në vitin 1997.
 
Aktualisht financat publike vazhdojnë të përkeqësohen, duke thelluar tronditjen dhe duke u shndërruar në një kërcënim për situatën ekonomike të vendit tonë. Deficiti buxhetor ka kapur nivele rekord duke nisur nga 4 mujori i parë i këtij viti. Më e keqja është e lidhur tek shndërrimi në një fenomen kronik, më e theksuar kjo në vitet 2009 dhe 2011 e cila tani është bërë një premisë e qartë me ndikim të dukshëm në thellimin e mëtejshëm të borxhit publik dhe shtimit të mundësive për krijimin në Shqipëri të një ambienti ekonomik me risk të lartë dhe me pasoja të pritshme inflacioniste.
 
Analiza e treguesve të 4 viteve të fundit, dëshmon se deficiti buxhetor, për të njëjtën periudhë në këto vite, rezulton me tejkalim të dukshëm ndaj shifrave që qeveria kishte shkruar në letra si parashikim.
 
Pyetja “Ku po shkojmë?” nuk ka përgjigje të qarta. Shqipëria nuk ka një borxh të kalkuluar qartë. Ai është i mbushur me “gropa”, siç është ai i bizneseve që ndërtuan rrugë duke marrë kredi në banka dhe që sot vijnë vërdallë në kërkim të parave të premtuara.
 
Në Shqipëri kriza ekonomike fillon me konsideratën popullore që bën ironi duke thirrur “Ka humbur leku!”… Kjo situatë në terma praktikë ka nxitur një polarizim shoqëror të paprecedent në historinë e vendit.
 
Varfëria në fshat është thelluar. Atje mbijetohet më shumë se jetohet dhe ku asfiksia ekonomike shoqërohet me një sjellje antishtet të strukturave administrative të cilat duhet të jenë zbatueset e ligjit. Drejtoritë pyjore në përgjithësi janë kthyer në grupe plaçkitësish që po krijojnë një flamë shkatërruese mbi pyjet në bashkëpunim me keqbërësit e seleksionuar që paguajnë nën dorë. Fshatrat malorë, sidomos, kanë mbetur në dorë të tyre dhe të batakçinjve të pajisur me letra pronësie që duan tu marrin fshatrave pyjet që i kanë trashëguar brez pas brezi.
 
Zyrat e kadastrës të regjistrimit të pronave, legalizimet e shtëpive dhe thuajse të gjitha marrëdhëniet e pronësisë në vend janë rrethuar nga nja administratë që nuk lëviz po nuk e pagove. Korrupsioni është kthyer në tarifë shtetërore.
 
Sot në Shqipëri për tu futur në punë si infermier të kërkojnë nga 3000 e më shumë euro, kurse për një vend pune si mësues në fshat tarifat lëvizin sipas largësisë së vendit të punës. Kjo që po ju them është një histori e dëgjuar nga unë dhe me persona konkret. Mos kujtoni se nuk kam reaguar edhe për të kryer denoncime tek organet përkatëse për këto raste. Ajo që më ka bërë të ndihem edhe më keq ishte mosbesimi i njerëzve se “denoncimi” do të ishte njëlloj si ti ankoheshe ujkut për çakallin…
 
Kjo është më shumë se krizë ekonomike. Kjo është një sëmundje të cilën sot ky projektbuxhet as që mund ti përqaset. Kjo është një ecje drejt askundit me thirrjet e dorës lart të doktor Berishës në një shoqëri pacientësh ku dëgjohet inkurajimi i të njëjtit doktor “Mos u mërzit! Do bëhesh më mirë!”…
 
Të nderuar kolegë
Unë e respektoj terapinë dhe sugjestionin në mjekësi. Por ekonomia dhe financat publike nuk duan t’ja dinë për të tilla histori edhe kur bëhen në emër të politikës së ditës. Pyetjet e ekonomisë nuk pranojnë përgjigje me gjykime morale.
 
Partia Demokratike sot duhet të japi sqarime shteruese për argumentet përse duhet të vazhdojë më tej rritja e nivelit të borxhit publik të Shqipërisë?
 
Klasifikimi i ekonomisë së vendit tonë bazohet shumë në nivelin e borxhit e për pasojë dalja e tij në tregun ndërkombëtar me këtë klasifikim në përkeqësim të ekonomisë së vendit do të rriste koston e borxhit në të ardhmen. Kjo është veç njëra anë e problemit. Borxhi i lartë ndërkaq pengon rritjen ekonomike, kufizon politikat sociale dhe do të “ngrijë” mundësitë e së ardhmes.
 
Ekspertë të ndryshëm të ekonomisë janë shprehur sakaq se në nivelin aktual ku ka arritur borxhi publik rrezikohet që borxhdhënësit të mos pranojnë të na japin më borxh. Bankat vendase tashmë po mbyllin derën se kanë kufij vlerësimi të riskut të vendit, i cili ka arritur nivele kritikë. Reagimet negative në këtë situatë nuk do të vononin edhe nga investitorët me plane afatgjata në Shqipëri.
 
Pesha e borxhit aktualisht është e rëndë dhe e vështirë për t’u përballuar nga buxheti, pasi duhet që çdo vit të heqim mënjanë mbi 3 % të buxhetit për shlyerjen e pagesave të borxhit. Në 4 vitet e mandatit të saj të dytë qeverisja aktuale e mori vendin në 2009 me 682 miliardë lekë borxhe dhe po e mbyll atë me 895 mld lekë borxhe e cila është sa 62.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo rrezikon stabilitetin financiar të vendit. Në 2013-n vetëm pagesa e borxhit (interesat), do të jetë 51 miliardë lekë.
 
Kufiri 60% i borxhit në ligjin e saposhfuqizuar nuk është një shifër konvencionale. Kjo logjikë funksionon njëlloj si për Shqipërinë, po ashtu dhe për vendet e BE-së ku ne dëshirojmë të anëtarësohemi. Për më tepër, janë të gjitha studimet serioze nga ekspertë ndërkombëtarë e vendas që argumentojnë se kufiri i pranueshëm i borxhit, për mundësitë e përballimit normal nga ekonomia jonë është jo më shumë se 45-50% dhe jo 64% e PBB-së.
 
Rritja e borxhit publik nuk do jetë pa efekt edhe në jetën e shtetasit të thjeshtë dhe të biznesit, pasi ndikon te normat e interesit të kredive. Rritja ekonomike e ngadalësuar nga borxhi i lartë përkthehet në më pak vende të reja pune. Po kështu një borxh publik i lartë sot imponon rritjen e taksave nesër.
 
Ulja e kufirit të borxhit ishte një nga zotimet bazë të qeverisë aktuale kur kërkoi votat në popull në 2009 dhe tashmë ajo po bën krejt të kundërtën. Pse po ndodh kjo? A është ky një plan “B” i qeverisë për të marrë borxhe sa të mundë, për sa më shumë vota para zgjedhjeve të qershorit të 2013-ës dhe pastaj si me skenarin grek t’ia “trashëgojë” këtë krizë ekonomike opozitës? Kush njeh doktor Berishën e di që pyetja nuk është fantazi! Aktualisht jemi vendi me nivelin më të lartë të borxhit në rajon.
 
Sot, për faj të qeverisë aktuale, por jo pak dhe të Bankës së Shqipërisë, jemi në nivele të larta të normës bazë të interesit i cili duhej të ishte 2.5% dhe jo 4% sa është aktualisht. Mesazhi i kërkesave të organizmave ndërkombëtare si FMN, Bankës Botërore, etj, ka qenë i qartë. Ai ishte që qeveria duhet të ulë dhe jo të rrisë nivelin e borxhit. Sot borxhin po e krijojmë lehtë me një ngritje dore për të votuar, por brezat e ardhshëm nuk do të na e falin lehtë këtë veprim parapolitik, meskin dhe të paargumentuar.



 
Të nderuar kolegë



Përkeqësimi i ekonomisë së Shqipërisë është i lidhur më shumë me faktorët e brendshëm të saj se sa të krizës së eurozonës e cila sigurisht vazhdon të ketë ndikimin e vet negativ. Ajo është e lidhur drejtpërdrejtë me politikat e munguara qeveritare të rritjes ekonomike dhe të punësimit.



 
Situata e krijuar kërkon marrjen e masa shtrënguese. Shqipëria ka nevojë për politika konservatore me masa afatshkurtra që lidhen me vendosjen e kontrollit mbi deficitin buxhetor dhe borxhit publik. Situata e krizës ekonomikë kërkon kryerje të atyre lloj shpenzimesh që mund të konsiderohen më të domosdoshme, duke hequr dorë nga disa projekte të cilat nuk mund të përballohen nga burime të brendshme. Gjithashtu kërkohet frenimi i nismave populiste dhe elektorale të përdorimit të shpenzimeve, për rritje hipotetike të pagave dhe pensioneve. Hapja si “vaji në lakra” me logjika për rritje pagash dhe pensionesh kur tregu të përgjigjet me rritje çmimesh ndaj politikave që qeveria aktuale ndjek, në thelb kjo është nxitëse e varfërisë reale në vend.
 
Në kushtet e një ekonomie në rënie, kërkohet më shumë për të bërë, nga administrata fiskale në luftën kundër evazionit, duke mos rënë pre e situatës politike dhe asaj paraelektorale. Kjo administratë për fat të keq është e mbushur me komisionerë për numërim votash që “evazionin fiskal” të kutive të votimit e kanë zanat të vjetër. Ekonomia dhe kutia e votimit nuk janë e njëjta gjë! Megjithatë ekonomia dhe financat shqiptare kanë hyrë në kutinë e votimit me letra të stivosura para syve të publikut dhe që flasin veç për rritje ekonomie…Rritje dhe vetëm rritje përballë një shoqërie të shastisur nga shifrat e “rritjes” dhe e tmerruar nga çmimet dhe kostoja e jetesës.



 
Ajo që tashmë po përsëritet për të katërtin vit rresht, është se realiteti jashtë “kutisë” së sukseseve kërkon edhe këtë vit ndryshimet e ligjit të buxhetit të 2012-ës, që domosdoshmërish edhe këtë vit, do të jetë në ulje. Si në një lojë prestigjatorësh publiku ka përballë buxhetin në letër të 2013 që po “ngrihet” me premtime dhe atë të realitetit të 2012 që po do të “zbresë” nga gjendja e krizës ekonomike të vendit.



 
Sot nuk pres reflektim lidhur me masat që duhen marrë në kushtet e krizë dhe emergjencës financiare në të cilën ndodhet vendi. E di se është e kotë! Pyetjen “Ku po shkojmë?” që bëra fillimisht dhe që ishte gjithëpërfshirëse duhet ta kisha bërë pak më të drejtpërdrejtë. Ajo i drejtohet qeverisë dhe është se “KU PO E CONI KETE VEND?”… Padyshim, e di përgjigjen standard që vjen natyrshëm si prodhim i politikës siç është për shembull “Po e çojmë vendin në Bashkimin Europian!”, një tjetër mund të jetë “Po e zhvillojmë Shqipërinë me buxhetin më të mirë në histori” etj etj… Në fakt, mendoj se ka se përgjigja fundore, e heshtur edhe si shpresë e fundit është : “Atë e di doktori!...” Tani, për hir së vërtetës unë mendoj se kjo përgjigje ja vlen tek fundit. Puna është se sa të sigurt jemi sot që Kryeministri Berisha e di se ku po shkon vendi. Kjo nuk është as për humor dhe as për ironi. Jemi një shtëpi e kalbur në borxhe dhe po ashtu përgjegjës përballë një shoqërie të varfëruar dhe që i ka ardhur shpirti në majë të hundës.



Që dikush nesër të mos na thotë si dikur “Pse nuk folët?”, dëshiroj të them në mënyrë të përmbledhur se ky projekt-buxhet borxhesh po shtyn vendin drejt greminës. Mos e hidhni këtë hap që do ti kushtojë vendit vite të tëra “karantine” financiare. Asnjëherë më shumë se më parë fjala “kredi” nuk është zëvendësuar si sot nga fjala e vjetruar “borxh” që cilësisht ka të bëjë me një perceptim real për gjendjen e rëndë ku ndodhet ekonomia shqiptare.



 
Unë nuk do ta votoj këtë projekt-buxhet! Më mirë pak më të varfër, se sa të ngremë “dolli” sot me djersën e atyre që nuk kanë lindur akoma nesër!
 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm