Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Pirro Lutaj

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Pirro Lutaj

27 Sep 2012    

 
Debati që po zhvillohet sot, lidhur me Projektligjin “Për disa ndryshime e shtesa në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë në R.SH., na ktheu vetvetiu në një moment të rëndësishëm që t’i kujtojmë kësaj mazhorance uzurpatore, faktet tronditëse që kemi evidentuar rast pas rasti, se ky pushtet okult, nëse ka ndonjë mëkat që shqiptarët do ta vuajnë shumë gjatë, ka përçudnimin e gjykatave dhe të vendimeve të tyre.
Logjika dhe praktika administrative dhe politike na mëson se, kur një pushtet deligjitimohet, atëherë ai uzurpohet nga strukturat parashtetërore, nga strukturat kriminale dhe denatyralizohet jeta institucionale.
Nuk ka si të shpjegohet ndryshe fakti, kur Ministra të kësaj Qeverie, shkruajnë e zeza mbi të bardhë mbi vendime gjykatash,të kundërtën e përmbajtjes së vendimit … se kjo nuk bëhet….



Raste të tilla janë të pafundme, po si deputet i qarkut të Fierit, në respekt të votuesve të atij qarku, të cilëve  Sali Berisha u ka vjedhur institucionin e Këshillit të Qarkut, me metoda të fëlliqura, nën dirigjimin e njerëzve që nuk kanë marrë as votat në fshatrat e tyre, mbështes fuqimisht vendimin e grupit tim parlamentar, se ne, nuk duhet të hedhim më asnjë hap që lidhet me gjykatat, pa zgjidhur më parë çështjen e moszbatimit të vendimeve të gjykatave, kudo nëpër  Shqipëri, e në veçanti për qarkun e Fierit.



Vendimet e dhëna për problematikën e Qarkut të Fierit, nga Gjykata e shkallës së Parë, Gjykata e Apelit në Vlorë dhe Gjykata e Lartë, janë injoruar totalisht, pra nuk janë zbatuar dhe nuk zbatohen, nga ish Prefekti, por dhe Prefekti aktual, me porosi direkte të kryeministrit të vendit.


Megjithëse për shkak të bëmave të TOM-SASHENKAVE  në sistemit gjyqësor shqiptar, ashtu si shumicës së qytetarëve të këtij vendi, edhe mua nuk më ka ngelur asnjë shenjë respekti për të, por, gjithsesi kam bindjen se legjislacioni për gjykatat, përfshij këtu edhe Gjykatën e Lartë, ka nevojë për ndryshime.
Por sot, nuk ka asnjë kuptim që ne të flasim për eficencë të sistemit të drejtësisë dhe të gjykatave, për sa kohë që vendimet e dhëna nga këto gjykata nuk zbatohen, vetëm e vetëm se nuk i shërbejnë pushtetit të Saliut.
E kush nuk e mori vesh në këtë botë, që vendimi i Tomës dhe Sashenkës për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 8 Majit, ishte një vendim absolutisht banal, dhe i padrejtë sepse  dhunoi vullnetin e qytetarëve të Tiranës.
Megjithatë PS  iu bind atij vendimi dhe sot qytetarët e Tiranës qeverisen nga një njeri që nuk e kanë votuar dhe nuk e kanë zgjedhur.



Le të kthehemi tek problem i Qarkut të Fierit.



Në datën 21 shtator 2011, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, është konstituar Këshilli Qarkut Fier me pjesëmarrjen e 96 anëtarëve të këshillit, janë zgjedhur organet drejtuese të tij, nga ku me 54 vota pro kundrejt 42 votave pro për kandidatin përballë, Kryetar i Këshillit të Qarkut Fier u zgjodh z.Vangjel Ndreka përfaqësues i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”.


Menjëherë pas zhvillimit të kësaj mbledhjeje, Kryeministri i cili me sa duket u këshillua me ndonjë deputet të PD për Qarkun e Fierit që nuk mundi të marrë as votat në fshatin e tij, apo të ndonjë deputeteje të cilës qytetarët e Fierit ia mësuan emrin kur kërcënoi një kolegun e vet se do ta varte tek palma e saj afër kryeministrisë, urdhëroi ish Prefektin (për të cilin nuk ja vlen të flas sot), që të mos e njohë dhe të bllokojë funksionimin normal të këtij Këshilli.



Pas këtij momenti, ish Prefekti i Fierit në shpinën e të cilit tashmë, kishin hipur edhe dy deputetët e PD që unë i konsiderova si këshilltarë të Kryeministrit për këtë marrëzi, në kundërshtim të plotë me ligjin “Për qeverisjen vendore”, nëpërmjet presioneve gjithfarëllojesh, ndryshuan rreshtimin politik të 14 anëtarëve të Këshillit të qarkut, përfaqësues të këshillave në disa njësi të qeverisjes vendore.
Vendimet e të tre shkallëve të gjykatave shqiptare, por edhe vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese, përcaktojnë qartazi që mandati i anëtarit të Këshillit të qarkut është mandat kushtetues dhe nuk mund të ndryshohet përveç rasteve të përcaktuara në ligj.
Rasti i Qarkut të Fierit nuk është thjesht një histori deformimi e votës dhe e mandatit të të zgjedhurve, por është katërçipërisht një histori tipike e mafiozimit të një pushteti vendor që manipulohet në ecurinë natyrale gjatë një procesi klasik zgjedhor.



Aktualisht, ndodhemi përpara faktit që, jo pak, por plot 11 Vendime të dhëna nga Gjykata e shkallës së Parë, Gjykata e Apelit në Vlorë dhe Gjykata e Lartë, kanë konsideruar të kundraligjshme ndryshimet e bëra lidhur me mandatin e anëtarëve këshillit të qarkut, referuar konstituimit të bërë më datën 21 Shtator 2011.
Të gjitha këto vendime të gjyqësorit shqiptar, për të cilët Saliu përbetohet se për të dhe qeverinë e tij këto vendime janë të shenjta, nuk njihen dhe nuk zbatohen, nga përfaqësuesit e tij, as në Fier e as në Tiranë.
Është fatkeqësi për votuesit e këtij qarku, që vula e këtij institucioni të respektuar, endet nëpër korridore, edhe sot pas një viti, sepse Kryetari i zgjedhur në mënyrë legjitime, qytetari i respektuar i qytetit të Fierit Vangjel Ndreko, nuk lejohet të ushtrojë detyrën e tij.



Saliu pretendon se mund të vazhdojë me manipulimin e rezultateve të zgjedhjeve në Fier, por ta harrojë, pasi ashtu siç u përpoq të manipulonte rezultatin e zgjedhjeve në këtë qark në vitin 2009 dhe nuk ia arriti dot, edhe në këtë rast nuk do të mund të vazhdojë e të mbajë të bllokuar këshillin e këtij qarku, pasi do të përballet me kundërshtimin shumë të vendosur të vet qytetarëve të Mallakastrës, Lushnjës dhe Fierit.
Po ky Sali, i cili në fakt e ka shumë të qartë se do të pësojë një humbje shumë më të madhe në zgjedhjet e ardhshme, po përpiqet që të krijojë në Fier një situatë mosbesimi dhe pasigurie. Edhe këtë ta harrojë, pasi do të jenë vetë qytetarët e qarkut të Fierit që do ta ndëshkojnë masivisht me votë.


Zoti Kryeministër!

Po jeton jashtë realitetit, por duhet të zhbllokosh sa më parë situatën në të cilën e ke futur Këshillin e qarkut Fier duke zbatuar dispozitën ligjore që parashikohet në nenin 142 , pika 3 të Kushtetutës e cila thotë :

Organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore.


Zoti Kryeministër!


Respekto Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ne jemi të gatshëm në çdo moment të diskutojmë dhe të miratojmë ligjin e Gjykatës së Lartë dhe çdo ligj tjetër që kërkon shumicë të cilësuar, të cilat i shërbejnë integrimit europian të vendit, kjo jo për ty dhe qeverisjen tënde të korruptuar (sepse ju nuk e meritoni), por në interes të integrimit europian të Shqipërisë.

Vetëm për këtë arsye kemi dhënë dhe do të japim gjithmonë kontributin tonë.
Zoti Kryeministër, Kujdes!

Mandati i anëtarëve, por edhe ai Kryetarit të Këshillit të Qarkut Fier, janë votë e besimit të popullit të Fierit dhe nuk janë as si tenderi i rrugës Rrëshen-Kalimash i Lulëzim Bashës, as si tenderat e Ministrave të tu të babëzitur, as si rregullorja e parlamento-Jozefinës, as si skrapi i Azotikut, dhe as si pakti detar me Greqinë.



 
Të dashur bashkëqytetarë të Fierit !



Është momenti që të na besoni se ne bashkarish do t’u tregojmë vendin këtyre mostrave që nuk e duan shtetin ligjor, nuk e duan gjithashtu as bashkëpunimin dhe as integrimin.
Juve edhe më 8 Maj 2011, ashtu si gjithmonë e shprehet vullnetin tuaj në përkrahje të PS dhe aleatëve të saj, e ne u jemi mirënjohës për këtë.


Ne do ta mbrojmë me çdo sakrificë votën tuaj.
 
 
Nga Pirro Lutaj

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm