Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Taulant Balla

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Taulant Balla

04 Mar 2013    
E kemi thënë shpesh herë në këtë Parlament, se kjo qeveri po sillet si një ushtri pushtuese.

Kjo seancë parlamentare dhe vendimmarrja e sotme e këtij Kuvendi është tërësisht klienteliste dhe e korruptuar. Si ka mundësi që thirret një seancë e posaçme për të shitur hidrocentrale dhe licensa?

Me variantin që pas tij u bëftë hataja, Sali Berisha sot po kryen aktet e fundit të turpit të vet.

Po ikën Sali Berisha, po ikën me turp ama. Po ikën si një hajdut.

Dua ta them me zë të lartë se ne nuk jemi kundër privatizimeve, por këto prona publike që sot po kalojnë nga shteti tek kompanitë private, po falen. Me çmime shumë nën vlerën reale. Nuk ka Qeveri në botë, që tre muaj para zgjedhjeve të shesë prona shtetërore. Vetëm Qeveria në ikje e Sali Berishës mund të bëjë këto pisllëqe të turpshme me pronat e shqiptarëve.

Sot Sali Berisha po mbyll edhe pazarin e Lotarisë Kombëtare. Dua të them që në fillim se Lotaria Kombëtare nuk mund të shitet në kushtet e sotme të Shqipërisë sonë. Ajo është në shumë vende të zhvilluara një instrument publik për financimin e sporteve dhe programeve sociale. Si ka mundësi që kompania që po e blen është një kompani licencash monopol shtetërore në Austri, ndërsa Shqipëria e shet!

Si ka mundësi Sali Berisha që ti nuk mendove për asnjë moment as për sportin shqiptar, as për jetimoret, as për azilet, as për qendrat e rehabilitimit të invalidëve! Si ka mundësi që në këtë moshë azili, ti Sali, vazhdon të jesh kaq i kapur dhe kaq i pashpirt!

Zonja dhe zotërinj,

Ka vetëm një mundësi të rilindë sporti në Shqipëri, vetëm nëse ai do të mbështetet financiarisht mjaftueshëm. Eksperienca e vendeve me sport elitar, ka patur dhe ka në themelin e vet financimin nga lotaritë kombëtare.

Shkëlqimi i skuadrës britanike në Olimpiadën e fundit kishte në bazë financimin vetëm nga Lotaria Kombëtare. Prandaj ne ju themi sot se edhe në Shqipëri pas 23 qershorit ne do ta vendosim Lotarinë Kombëtare në dispozicion të Sportit e Rinisë, ne do ta rilindim sportin shqiptar. Pse kjo kontratë është një kontratë korruptive!

Ky është një pazar i mbyllur shumë kohë më parë sesa të fillonin procedurat për shitjen e kësaj licence. Shpallja fitues e “Austrian Lottery” ishte paralajmëruar që para se të zhvillohej tenderi.  Po kush janë shkeljet dhe abuzimet e kryera posaçërisht për avantazhimin e kompanisë së pazarit të fundit të Saliut?

Kriteret që Sali Berisha përdori në tenderin e dhënies së kësaj licence ishin përjashtuese dhe çuan drejt një rezultati të paracaktuar. Qeveria shqiptare ka vendosur si kriter të detyrueshëm në tender disponimin nga kompanitë pjesëmarrëse në tender të dy certifikatave.

E para ishte certifikata e lotarisë së përgjegjshme e nivelit të katërt dhe e dyta është certifikata e standardit të kontrollit të sigurisë. Të dy këto certifikata lëshohen nga Shoqata Botërore e Lotarive vetëm për Lotaritë Kombëtare. Këto certifikata disponohen kryesisht nga lotaritë kombëtare, të cilat janë kompani ose plotësisht publike ose në një pjesë të caktuar kontrollohet nga shteti. Për rrjedhojë ky kriter përjashtoi automatikisht nga tenderi të gjitha kompanitë private më të mëdha në botë me eksperiencë në fushën e lotarive.

E dyta, për shkak se kanë natyrë publike lotaritë kombëtare që disponojnë këto licenca marrin shumë rrallë pjesë në tenderë ndërkombëtare. Kjo kufizoi në mënyrë të ndjeshme pjesëmarrjen në tender.

Po ashtu, si pjesë e pazarit Qeveria Shqiptare nuk vendosi çmimin si një nga kriteret konkurruese në tender, por e përcaktoi atë të fiksuar. Keni dëgjuar ndonjëherë të bëhet një tender ku çmimi është i fiksuar, vetëm 3.5 milionë euro. Krahasimet nxjerrin se Shqipëria ka ofruar çmimin më të ulët në botë të shitjes së licencës. Në Irlandë një shtet me 4.4 milionë banorë çmimi i shitjes së licencës do të jetë nga 400 deri në 600 milionë euro. Në Shqipëri, 3.5 milionë euro.

Qeveria greke po ashtu e shiti licencën për dhjetë vjet me një çmim prej 400 milionë eurosh, ndërsa në Turqi kompania fituese e pagoi licencën 2 miliardë euro. Për Maltën, një vend me rreth 400 mijë banorë, shifra me të cilën u shit e drejta e lotarisë tashmë është e njohur për publikun, rreth 39 milionë euro. Ndërsa në Shqipëri një vend me 2.8 milionë banorë sipas censusit të fundit, qeveria po e shet licencën me çmimin simbolik 3.5 milionë euro.

Pretendimet e kësaj qeverise të korruptuar se çmimin e ulët më të cilin po e shet lotarinë kombëtare, do ta kompensojë përmes taksave të larta mbi kompaninë fituese janë mashtrime të turpshme nëse krahasohen me barrën fiskale mbi lojërat e fatit në vendet e tjera. Qeveria thotë se përveç taksave të zakonshme kompania që do fitojë Lotarinë Kombëtare do të paguajë dhe një tatim shtesë mbi xhiron prej vetëm 10%.

Por si taksohet ky aktivitet në vendet e tjera? Qeveria e Irlandës ka vendosur paraprakisht se fituesi do të paguajë në shtet 30%. Tre herë më shumë se në Shqipëri. Në Afrikën e Jugut kompania që ka licencën e Lotarisë Kombëtare paguan 35%. Ndërsa në Austri (vendi nga ku vjen kompania fituese) shifra është 15% dhe madje licenca është monopol shtetëror i dhënë tek privati vetëm për administrim. Në Maltë që është një nga vendet, ku licenca sapo u tenderua, fituesi paguan në shtet 20%.

Qeveria e Sali Berishës justifikoi procedurën e korruptuar të tenderit me dy argument; Së pari, që kështu do të ndalte hyrjen e kapitaleve të dyshimta në vend duke u dhënë mundësi të garonin vetëm kompanive serioze, pa probleme me drejtësinë. Por ky argument u lëkund kur pak kohë më parë “Austrian Lottery”, kompania fituese, u vu zyrtarisht në hetim nga Parlamenti austriak për qarkullim kapitalesh të dyshimta në politikë dhe blerje të politikanëve për të mbajtur monopolin në treg.

Argumenti i dytë i qeverisë ishte se çmimi i ulët i shitjes do të kompensohej përmes taksave, sipas saj të larta mbi kompaninë fituese. Por edhe ky pretendim rrëzohet kur taksat e vendosura mbi kompaninë në Shqipëri krahasohen me ato të vendeve të tjera.

Sipas krahasimeve, kompania austriake që tani do të ketë monopolin e pjesës dërrmuese të tregut të kumarit në Shqipëri do të paguajë taksa në buxhet dy herë më pak se sa paguan në vendin e saj, Austri.

Lotaria Kombëtare e Austrisë, kompania që po merr licencën në Shqipëri, e mbylli vitin e kaluar me një xhiro prej rreth 2.9 miliardë euro. Qeveria austriake ka vendosur dy taksa të posaçme mbi Lotarinë Kombëtare, njëra quhet ‘tarifa e licencës’, ndërsa tjetra ‘tarifa e basteve’.

Vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare nga vetë bilanci i saj (Annual Report 2011), Lotaria Austriake pagoi vetëm për këto dy taksa 447 milionë euro ose 15.4 për qind të xhiros totale.

Veç këtyre taksave, qeveria austriake i ka vendosur detyrim kompanisë të paguajë vit për vit 3 % të xhiros bruto, si mbështetje për sportin. Kështu, vitin e kaluar për këtë zë Lotaria Kombëtare e Austrisë pagoi edhe 80 milionë euro të tjera.

Në total të dy detyrimet ishin sipas të dhënave të vetë kompanisë 527 milionë euro ose 18.2 për qind të xhiros.

Këto janë vetëm taksat e posaçme që lidhen me Lotarinë, pa përfshirë taksat e tjera qe ajo paguan si çdo biznes tjetër si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi mbi Fitimin apo kontributet për punonjësit. Por si do të taksohej e njëjta kompani me të njëjtën xhiro në Shqipëri sipas taksave që ka vendosur qeveria dhe për të cilat pretendon se janë të larta.

Së pari, kompania fituese në Shqipëri nuk do ketë asnjë detyrim për të financuar sportin apo kulturën. Detyrimet e vetme që ajo do paguajë janë dy taksa të lidhura me aktivitetin e lotarisë, ajo prej 10 % si tatim mbi xhiron bruto dhe 0.5 % si pagesë për mbikëqyrjen.

Në total me këto dy taksa, nëse do të realizonte në Shqipëri të njëjtën xhiro si në Austri, pra 2.9 miliardë euro, kompania do të paguante këtu vetëm 304 milionë, që përbën 10.5 % të xhiros ose gati dy herë më pak se sa në Austri.

Ky krahasim i bazuar në të dhënat zyrtare e rrëzon pretendimin e qeverisë se kompania që do fitojë Lotarinë do të taksohet fortë. Përkundrazi, përveçse po ja shet licencën me çmimin simbolik prej vetëm 3.5 milionë euro, qeveria i ka bërë edhe favor tek taksat kompanisë që do fitojë licencën e lotos, në një nga tenderët më të debatueshëm dhe të përfolur në Shqipëri. Dhe këto llogari janë bërë pa përfshirë fitimet që shpërndahen si çmime për lojtarët.

Në Austri kompania ndan 70% të xhiros si fitim dhe nëse i shtohen dhe taksat apo shpenzimet e tjera, fitimi i saj mbetet vetëm 1.3%. Ndërsa në Shqipëri, veç taksave të ulëta dhe licencës gati falas, ajo gjithashtu nuk do të ketë as edhe një detyrim për pjesën që duhet t’i kthejë lojtarëve përmes çmimeve.

Zonja dhe zotërinj,

Akti i shitjes së kësaj licence më një çmim qesharak dhe me detyrime fiskale favorizuese për kompaninë private dhe dëmtuese për buxhetin e shtetit është një akt korruptiv. Prandaj ne si Grup Parlamentar deklarojmë sot me përgjegjësi, se në këtë kontratë ka shkelje të mjaftueshme për ta anuluar këtë kontratë.

Në këtë kontratë ka abuzime të dukshme për një hetim të plotë dhe vënien para përgjegjësisë të personave të korruptuar, qofshin këta Sali Berisha, Ridvan Bode apo edhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë tender. Kjo kontratë është një shpërdorim i hapur.

Ne do t’ia kthejmë Lotarinë Kombëtare publikut shqiptar. Ne do t’ia kthejmë këtë lotari sportit shqiptar. Ne do t’ia kthejmë këtë lotari invalidëve. Ne do t’ia kthejmë këtë lotari fëmijëve jetimë por edhe moshave të treta që jetojnë në azile.

 

 

 

 

 

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm