Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Taulant Balla

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Taulant Balla

14 Feb 2013    

Statistikat janë termometri i një shteti, i një shoqërie, i një ekonomie.



Ashtu si në mjekësi po gënjeve për temperaturën, nuk di edhe çfarë ilaçi të marrësh.



Sot në Shqipëri INSTAT është larg të qenurit një institucion i besueshëm.



Sot INSTAT nuk boton statistika të vërteta.



Kryeministri i vendit prej vitesh i ka zënë grykën INSTAT-it, prej të cilit dalin dokumenta qesharak.



Po ju marr një shembull:



Materiali statistikor më i rëndësishëm për një vend është censusi, i cili kryhet një herë në dhjetë vjet dhe ka një spektër shumë të gjerë dhe të thellë studimor.



Nuk po ndalem tek shifra shumë të debatueshme për numrin e popullsisë rezidente, përkatësinë fetare etj. Por sot dua të akuzoj publikisht INSTAT për fshehjen e dy të dhënave shumë të rëndësishme, përllogaritja e të cilave ka përfunduar, por me urdhër të Sali Berishës mbahen fshehur.



E para është: niveli i papunësisë.



INSTAT disa javë më parë nuk e publikoi këtë të dhënë. Por brenda këtij institucioni konfirmojnë shifrën e 1 milionë të papunëve në Shqipëri. INSTAT disponon të përpunuar edhe popullsinë rezidente sipas qarqeve. Por edhe kjo e dhënë u bllokua me urdhër nga Sali Berisha, sepse nxirrte zbuluar pisllëqet e Flamurit të partisë, me rritjen fiktive të popullsisë në fshatra të braktisura, me qëllim keq-shpërndarjen e mandateve parlamentare.
Mjaftojnë këto dy elementë të rëndësishëm për të kuptuar se sa i varur dhe i keqpërdorur është institucioni zyrtar i statistikave.



Prandaj është e rëndësishme që kur behën rregullime ligjore të kurohen edhe sëmundjet e këtij institucioni. Në përgatitje të diskutimeve për këtë projektligj iu drejtova zyrtarisht EUROSTAT, institucionit zyrtar të statistikave në Bashkimin Europian.



EUROSTAT zyrtarisht m’u përgjigj se çdo vend anëtar i BE duhet të garantojë pavarësinë institucionale dhe profesionale, objektivitetin dhe besueshmërinë e materialeve zyrtare statistikore. Dhe pavarësia garantohet që nga mënyra e zgjedhjes së drejtuesit, por edhe të anëtarëve të Këshillit të Statistikave.
Si mund të garantohet pavarësia kur qoftë titullari, qoftë anëtarët e Këshillit të Statistikave përzgjidhen nga Kryeministri. Edhe në rast se doni që titullarin ta zgjedhë Kryeministri, të paktën anëtarët e Këshillit të përzgjidhen nga Kuvendi, si mbajtës i një pushteti të ndryshëm nga ai ekzekutiv i Kryeministrit.
 
Zonja dhe zotërinj deputetë,


Që sipërmarrja të jetë e suksesshme, i nevojitet edhe informacion ekonomik i bollshëm, i saktë dhe transparent për vendimmarrjen.


Aktualisht informacioni statistikor zyrtar është i mangët, i vonuar dhe i manipuluar. Operatorët ekonomikë dhe publiku i gjerë kanë humbur plotësisht besimin tek Instituti i Statistikave, i cili është kthyer në një instrument në dispozicion të propagandimit të gënjeshtrave të pushtetit.



Ne e konsiderojmë informacionin statistikor një të mirë publike në shërbim të qytetarëve dhe faktorëve ekonomikë.



Do të kthejmë seriozitetin dhe pavarësinë e Institutit të Statistikave, duke e vënë drejtimin e tij nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë dhe kjo masë do të jetë pjesë e planit tonë të 100 ditëve të para.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm