Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit të PS, Asllan Dogjani

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit të PS, Asllan Dogjani

08 Apr 2010    

Të nderuar Kolegë


Çdo ditë që kalon shqiptarët, ndërkombëtarët dëgjojnë dhe shohin   se sa e përgatitur dhe e gatshme është kjo mazhoranca për dialog dhe për zgjidhjen e kësaj krize politiko-institucionale.


Ne po vazhdojmë të vijmë në parlament  me shpresën që të dëgjojmë dicka të re  konstruktive, që mund t’u jetë sugjeruar nga  lidershipi  juaj për kapërcimin dhe zgjidhjen e këtij problemi.


Por, fatkeqësisht përpara se ne të themi qoftë edhe një fjalë ne shohim  dhe dëgjojmë se qëndrimi i mazhorancës  është negativ, i mbyllur dhe kokëfortë për nxjerrjen e vendit nga kjo krizë e gjithanëshme që ka përfshirë Shqipërinë dhe po rëndon mbi qytetarët shqiptarë.


Gjithashtu më vjen keq nga ky qendrim, më vjen keq që kjo mazhorancë nuk e kupton, nuk e ka aftësinë, as vullnetin për zgjidhjen e krizës pa e ditur që me veprimet dhe sjelljet e saja  po e dëmton imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.


Po vazhdoni të sulmoni me pa të drejtë opozitën, të mos e dëgjoni atë, të dëgjoni vetëm njëri tjetrin, i keni mbyllur veshët dhe mendjen për një mendim,  apo alternativë të ndryshme nga ajo që ju keni.


Po vazhdoni të flisni vetë të duartrokisni për ato që thoni pa menduar që me sjelljen tuaj negative, duke mos dëgjuar kërkesën e ligjshme të  opozitës për trasparencën e plotë të zgjedhjeve apo opsioinet e saj për daljen nga kriza po e dëmton rëndë vendin.


Disa nga ju po vazhdojnë të ndjehen krenar me sjelljet  e tyre të padenja, duke sharë dhe shpifur pa gjë të keq ndaj opozitës apo duke treguar dhe dhunën  ndaj tyre sikur qytetarët  t’u kenë  votuar për të treguar se kush është më i “fortë” apo kush shan më shumë dhe jo për të bërë ligje në funksion të përmisimit të jetesës së  tyre.


Po keqpërdoren dhe manipulohen deklaratat e vazhdueshme  të ndërkombëtarëve megjithëse të drejtpërdrejta, të hapura që mbështesin kërkesën e opozitës për trasparencën e zgjedhjeve, se gjoja ata janë kundër saj, por mos të harrojmë që Europa është sot demokratike dhe në këtë stad zhvillimi si rezultat i trasparencës, dialogut, dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.


Ju nuk duhet të keni frikë nga trasparenca sepse më mirë një fund i       turpshëm se sa një turp pa fund, hetimi i plotë i zgjedhjeve  do të nxjerr në dritë të diellit se cfarë është bërë jo vetëm në zgjedhjet e 28 Qershorit, por në të gjitha zgjedhjet që janë realizuar deri sot.


Trasparenca do të tregoj se çdo katër vjet, është cënuar vullneti i zgjedhësve,  është  manipuluar vota e tyre, dhe  sot qytetarët përballen me manipulimin dhe mashtrimin që është bërë pjesë e gjithë sistemit


Kriza ekonomike ka mbërthyer sot vendin, ndërsa nuk pranohet nga mazhoranca dhe flitet për rritje të ndjeshme të ekonomisë, rritje të ardhurave dhe që instat reklamon  se shifra e papunësisë është rreth 13 % dhe që më datën 1 Maji ditën e punëtorëve Tirana do të përfshihet nga një entuziazëm që nuk e ka njohur kurrë më parë.


Ndërsa nga ana tjetër qytetarët shqiptarë përballen me një papunësi në shifra të tmerrshme që sipas shërbimeve intelegjente Amerikane  arrin në masën 33 % pa marrë parasysh që në disa rrethe të Shqipërisë si në rrethet Kukës, Has, Tropojë papunësia arrin mbi 50%.


Kryeministri  premton se më datën 1 Maji do të festojë ditën e punëtorëve, por ne pyesim cfare ka bërë qeveria për punëtorët  që po feston, apo e quan sukses uljen e numërit të vendeve të punës, rritjen e çmimeve, mosplotësimin e kërkesave të tyre si korrigjimin e moshës së pensionit për profesionet e vështira, largimet  nga puna, apo premtimin e pambajtur për shtimin e numërit të vendeve të punës në rreth 200 mijë.


Kjo të kujton kohën e kaluar ku në gjithë botën siç bëhet edhe sot në ditën e 1 MAJIT  protestohet për të drejtat e punëtorëve, kundër papunësisë, varfërisë ndërsa vetëm tek ne qeveria u imponohet punëtorëve që të dalin dhe të festojnë si dje në kohën e komunizmit.


Kriza është komplekse dhe qeveria vazhdon të shpenzoj për mitingje sikur shpenzoj gjatë fushatës elektorale. Unë kam një thirrje për qytetarët shqiptare që të shikojnë dhe vëzhgojnë se sa do të shkojë fatura e shpenzimeve për organizimin e gjoja ditës së punëtorëve duke përfshirë reklamat, autobuzët, koncertet etj siç u bë dhe në mitingun e organizuar më 8 dhjetor ku fatura e shpenzimeve ishte miliona euro.


Ashtu sic ju drejtova qytetarëve po ju drejtohem dhe ju z. Kryeministër ato para që keni menduar ti shpenzoni për organizimin e këtij mitingu do të ishte  mirë t’ua dërgoni të paktën atyre të varfërve që edhe bukën e marrin me borxh.


Pa le të flasim se sa janë në gjendje qytetarët të përballojnë faturën e cmimit të energjisë lektrike.


Një familje me të ardhura mestare 15 mijë lekë a mund ta përballojë jetesën ku vetëm fatura e energjisë elektrike pas rritjes së çmimit  ju shkon rreth 80 mijë lekë pa përmendur cmimin e ujit, artikujt ushqimor, apo ato familje që jetojnë me ndihmë ekonomike.


Rritja ekonomike që propogandohet nuk është e vërtetë mjafton të pyeten konsumatorët, shumica e familjeve shqiptare se sa konsumojnë dhe sa shpenzojnë për të njëjtën sasi mallrash të krahasuar me një vit më parë dhe sa janë rritur të ardhurat, ku cmimet janë rritur 20-40%


Atëherë rritja ekonomike që pretendohet nuk është gjë tjetër vetëm rritja e shpenzimeve për arsye të rritjes cmimeve dhe uljes sasisë mallrave që konsumojnë familjet shqiptare.


Kësaj i thonë të ngopesh me lugë bosh.


Kriza vjen duke u thelluar ndërsa vendi ynë është përfshirë në listën e vendeve më të korruptuara dhe që kontrolli i lartë i shtetit në raportin e tij të përvitshëm ka konstatuar se nga administrata publike janë përvetësuar dhe shpërdorur 74 miljon dollarë  vetëm për vitin 2009 dhe që qytetarët përballen cdo ditë, në cdo vend me korrupsionin galopant që ka përfshirë sistemin.


Mazhoranca nuk e pranon krizën ekonomike, thotë që nuk kemi krizë, sigurisht që kriza nuk ndjehet në një qeveri apo familje që është e përfshirë nga korrupsioni por krizën e ndjejnë shumica e familjeve shqiptare që nuk janë në gjendje të sigurojnë bukën e përditshme, apo  të  kenë qoftë dhe  një vend pune.


Kriza nuk ka përfshirë vetëm familjet e thjeshta shqiptare, por dhe ato të mesme, biznesin e vogël dhe të madh që po përballen, me konkurencën e pandershme, kontrabandën dhe monopolet që e karkterizojnë këtë qeveri.


Për të gjitha këto e shumë të tjera që nuk mund t’i përmbledhim në një fjalë e bëjnë të domosdoshme hapjen e kutive të votimit për të zbardhur të vërtetën dhe provuar se si u tjetërsua vullneti i zgjedhësve


Ne përsërisim kërkesën tonë të ligjshme për trasparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit, hapjen e kutive të votimit  kudo që ju të dëshironi, çfarwdo lloj kutie  edhe atje ku ju pretendoni se gjoja opozita ju paska manipuluar votat dhe ju bëjmë thirrje që të veproni me maturi, me vullnet, me mendje të hapur të krijojmë një dialog pa shpifje, sharje sepse në këtë mënyrë ne do të garantojmë zgjedhjet e ardhshme nga manipulimi dhe vendi do të dalë nga kriza e gjithanshme politiko-institucionale- ekonomike ku është futur.


 


 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm