Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në kuvend e deputetit të PS, Damian Gjiknuri

Fjalime

Fjala në kuvend e deputetit të PS, Damian Gjiknuri

30 Apr 2010    

Të nderuar deputet

Sot mbushen 6 javë nga ajo natë e turpshme e parlamentit shqiptar, ku të drejtat e opozitës u hodhën në koshin e absurdit dhe ku iniciativa e saj për hetimin e zgjedhjeve u uzurpua e më pas u katandis në një farsë.

Ideatorët dhe zbatuesit e kësaj farse parlamentare menduan dhe shpresuan se me të do t’i jepnin fund krizës, shkaktarë të së cilës janë vetë , e më pas t’i hidhnin hi syve opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar se kriza u zgjidh dhe hetimi i shumë kërkuar filloi.

Për fatin e trishtë të arkitektëve dhe shkaktarëve të krizës, që në themel ka deformimin e zgjedhjeve,  kriza nuk u zgjidh, por po thellohet edhe më shumë.

Një gjë e tillë konfirmohet nga  deklaratat e personaliteteve ndërkombëtare të cilat përditë e më shumë po kërkojnë përgjegjshmëri politike, nga ana e mazhorancës,  për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme që në themel kanë transparencën e zgjedhjeve.

Nuk kanë munguar as ofertat dhe as mundësitë për kompromis, disa nga ato të deklaruara edhe këtu në kuvend,  të cilat garantojnë stabilitetin e mazhorancës por sigurojnë edhe hetimin e zgjedhjeve, por fatkeqësisht  ato janë hedhur poshtë me arrogancë duke shtyrë  agoninë dhe krizën në kufij të absurdit dhe duke harruar se  në realitetin politik të sotëm , nuk mund të këtë zgjidhje të krizës politike me anë të forcës së kartonit apo vullnetit të verbër politik, për të mbyllur gojën apo shuar zërin e opozitës.

 Nuk mund të ketë zgjidhje të krizës së zgjedhjeve të lira, duke ofruar alibi futuriste- teknologjike pa nxjerrë në dritën  të vërtetës  krimin e zgjedhjeve që kaluam.

Nuk mund të ketë zgjidhje të krizës së zgjedhjeve të lira, duke ngushtuar apo tkurrur hapësirat parlamentare të opozitës për të kryer misionin e saj kushtetues,  apo duke linçuar deputet e saj, vetëm sepse ata thonë të vërtetat e hidhura që përjetojnë për ditë shqiptarët dhe që janë të shkaktuara vetëm nga qeveritarët.

Një parlament që vërtet kërkon të jetë pluralist dhe të respektojë të drejtën e opozitës për t’i thënë gjerat ashtu siç janë, nuk mund të sillet me opozitën në mënyrën që u soll drejtuesja e seancës disa javë më parë , sikur të ishte një kamxhik që synon të mbajë  zap opozitën,  për të mos thënë të vërtetat e hidhura  që mund mos i pëlqejnë asaj apo shefit  të saj.

Por mos harroni, të vërtet e hidhura nuk mund të fshihen por edhe sikur të shtypen përkohësisht ato kurrë nuk vdesin,  pasi janë zëri i së vërtetës,  dhe për aq kohë sa në këtë vend do të ketë njerëz që vuajnë nga keq-qeverisja,  ky zë do të dëgjohet,  herët ose vonë,  me force ose jo, në parlament apo në rrugë.

Sepse zëri kritik,   vërtet mund  të mos ju pëlqejë,  por është i nevojshëm, ashtu siç është e nevojshme dhe dhimbja në trupin e njeriut për të kuptuar që gjerat nuk shkojnë mirë me të.

Por juve as edhe ato të vërteta të shëndetshme nuk doni t’i dëgjoni,  pasi jeni dehur nga avujt e pushtetit duke prodhuar vetëm arrogancë dhe shpërfillje ndaj të vërtetave të hidhura që kanë zënë për gryke pjesën më të madhe te popullit shqiptar.

Por ka edhe një arsye të fortë që ju nuk doni t’i dëgjoni ata, pasi nuk i dëgjuat as kur ata votuam, duke i tjetërsuar apo përdhunuar votën sipas interesit tuaj, për të mbajtur në këmbë këtë klikë politiko-ekonomike që votën ta merr “po hallin s’ta qan”, pasi për këtë qeveri populli jeton i lumtur në rritjen ekonomike virtuale,  pjellë e fantazisë së shfrenuar që i bën të kruajnë kokën me habi shumë personalitete të huaja, që jo pa ironi, edhe në sy të disa kolegeve të pranishëm të mazhorancës, thonë se “me këto shifra ekonomike është për të ardhur e jetuar në Shqipëri.”

E pra ky është realiteti virtual që ju ofroni, që e bën këdo t’i duket vetja si “Eliza ne botën e çudirave”,  por pasi mbyll televizorin,  përballet me realitetin e shëmtuar të  betejës të faturave të kripura së përditshme me faturat e  shtrenjta të ujit, energjisë, çmimet e ushqimeve, mungesën e punës , mungesën e infrastrukturës minimale, kostot e korrupsionit në çdo hallkë e në çdo zyrë, për tu cfilitur deri në atë pikë sa edhe pikatorja më e vogël e gënjeshtrës,  i jep pak shpresë,

Dhe së fundi,  meqenëse një koleg i imi u ndëshkua për thënien e disa realiteteve të hidhura korruptive, po i jap edhe unë mundësi vetes të citoj ca të hidhura të tjera,  që të gjithë në qeveri i dinë por asnjë nuk do t’i dëgjojë.

Dhe nuk bëhet më fjalë për  një mijë apo dy euro,  por për “llokma” të vërteta korrupsioni që ushqejnë klikën në pushtet dhe që qëndrojnë në themel të problemeve me zgjedhjet dhe demokracinë në vend;

Për të fituar një tender publik duhet të paguash 15% të vlerës së kontratës paradhënie e më pas disa bakshishe të tjera për të marrë paratë e tua,  pasi para nuk ka për të gjithë ;

Për të njohur e marrë pronën tënde duhet të japësh 25 % të saj tek sekseri i pushtetit;

Për të marrë një koncesion duhet të japësh 10% të vlerës së investimit e më pas të bredhësh me licencën në xhep për tja shitur ndonjë investitori të huaj.

Për të ndryshuar vlerësimin abuziv tatimor nga kontrollet tatimore,  duhet të japësh 10 % të vlerës së vlerësuar abuzivisht.

Dhe lista e gjatë e abuzimit dhe korrupsionit është e pafund dhe në çdo nivel të kësaj qeverisje,  duke e bërë këtë shëmbëlltyrën e vërtetë të saj,  por edhe motivin e vërtetë përse kjo qeveri nuk do t’i nënshtrohet llogaridhënies si në parlament ashtu edhe me votë.

Dhe kur një qeveri nuk do të dëgjojë , nuk do të shikojë realitetin, nuk do të votohet dhe ç’është më e keqja  pretendon  përjetësi,  është simptoma më qartë e tiranisë që na kanoset tek dera.

Jo më kot një shprehje e mençur thotë “se frika nga vdekja është aleatja më e madhe e tiranisë.”  Siç duket frika e fundit të qeverisjes së kësaj klike,  qëndron në themel të sjelljes suaj tiranike, e cila herët apo vonë do të pësoj të njëjtin fat që pësojnë tiranitë korruptive, në të kaluarën apo të tashmen,  tek ne apo në botë,  duke na kujtuar gjithmonë se lufta për liri, demokraci dhe drejtësi  mbetet akoma  një çështje e hapur për  ne shqiptarët.  

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm