Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit të PS, Gazmir Bizhga

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit të PS, Gazmir Bizhga

15 Nov 2012    

Ligji i sotëm për  “menaxhimin e integruar të burimeve ujore” do të jetë vetëm një hallkë e shtuar në zinxhirin e pafund të ligjeve që bëhen në këtë vend me qëllimin e vetëm për të standartizuar apo përafruar legjislacionin tonë me atë të BE. Edhe ky ligj, si shumë të tjerë të ngjashëm, pasi të miratohet, do qëndrojë në sirtaret e burokracisë dhe nuk do ta zbatojë askush. Vlera e tij do të mbetet thjesht në letër dhe asgjë më shumë.
Se në çfarë gjendje janë sot burimet ujore në vendin tonë, por jo vetëm ato, besoj se e di gjithësecili, që ka pranë shtëpisë një lum, një breg liqeni apo jeton në një qytet bregdetar. Barbarisë tradicionale me të cilat shfrytëzohen këto burime, këto vitet e fundit i është shtuar edhe barbaria dhe makutëria e qeveritarëve, të cilët nuk ka ligj që t’i ndëshkojë e maliq që t’i ndalë.  As edhe ky ligji i sotëm.



Po të ndalemi tek gjërat konkrete. Po përmend të paktën ato burime ujore, që përshkojnë Qarkun e Durrësit dhe që janë të njohura për gjithkënd, që ka të paktën njohuritë më minimale. Po e filloj me lumin Erzen. Të gjithë e mbajnë mend se kur erdhi në krye të punëve të këtij vendi Saliu, këtu e më shumë se shtatë vite të shkuara, premtoi se do t’i mbyllte të gjitha linjat e prodhimit të inerteve, të cilat ishin instaluar pranë këtij lumi, që nga qeverisja e tij e parë e që shfrytëzonin në mënyrë të pandalshme shtratin e lumit. Bile për këtë nxori dhe vendime qeverie e krijoi edhe task forca të veçanta. Bëri propagandë të pafund, se do ndëshkonte këdo që do vijonte shfrytëzimin e plot gjëra të këtij lloji. Po çfarë ndodhi më pas?



Impiantet e shfrytëzimit për prodhimin e inerteve në lumin Erzen, jo vetëm që nuk u mbyllën, por ato u shtuan sa me leje e sa pa leje, duke shumëfishuar shfrytëzimin e pandalshëm mbi të.  I vetmi ndryshim që pësoi rregjimi i shfrytëzimit të karrerave të këtij lumi, është se pronarët e impianteve të inerteve, të vjetër apo të rinj në aktivitet, u kthyen në klientë privatë të qeverisë, të cilët e blenë nën dorë vazhdimin me dhe pa liçencë të aktivitetit të tyre. Natyrisht këta klientë të qeverisë, çdo herë majmin nën dorë xhepat e kontrollorëve të qeverisë që ju shkojnë për çdo rast në derë.  Ndërkohë që shfrytëzimi i paskrupullt që po i bëhet tanimë lumit Erzen, ka bërë që këtij të fundit t’i dalë me kohë tabani dhe vendimeve të qeverisë për ndalimin e shfrytëzimit të shtratit të tij t’i dalë me kohë boja. Sot është kthyer në një rrezik ekzistenca e fshatrave në rrjedhën e poshtme të këtij lumi, si Rromanat, Hardhishtë, Pjezë etj. të cilat pësojnë vazhdimisht shkarje dheu dhe erozione të mëdha, sapo fillojnë rreshjet e para. Demi që vazhdon të bëhet është i pakthyeshëm jo vetëm për sot, por edhe për brezat që do vijnë më pas. Përballë fuqisë së korrupsionit edhe ky ligj do të jetë i pafuqishëm për ta ndalur barbarinë e shfrytëzimit, për aq kohë sa do të vazhdojnë të na qeverisin këta që kemi mbi krye sot.



Po vazhdojmë më tej me lumin e Ishmit. Besoj se është rast unikal, jo vetëm për Shqipërinë, mënyra sesi një burim kombëtar ujor, të papërsëritshëm në llojin e tij, indiferenca, abuzimi, korrupsioni dhe arroganca e qeverisë ta ketë kthyer në një burim kancerogjen për banorët dhe mjedisin. U desh humbja e jetës së dy të rinjve të zonës para pak kohësh, të cilët kishin dalë të mblidhin shishe e mbeturina plastike, që shoqëria jonë të mësonte  për ekzistencën e një lumi të tejndotur, i cili nuk ndodhej gjëkundi në Afrikë, por në mes të Tiranës dhe Durrësit. Kaq e vërtetë është kjo, aq sa ka vite që peshkatarët e kepit të Rodonit, i kanë lënë paisjet e tyre punës, pasi për kilometra të tëra përgjatë dy anëve të grykëderdhjes së lumit të Ishmit, nuk ka jo më peshk, po as gjallesa. Tani për të jetuar ose më saktë për të mbijetuar ata mbledhin shishe e bidona plastikë e gjithfarë mbeturinash që sjell lumi. Ky është një ritual që vazhdon ditë pas dite dhe tani pas shirave të fundit realiteti është bërë edhe më i rënduar, pasi rritja e nivelit të prurjeve të ujit, sjell edhe rritjen e nivelit të prurjeve të mbeturinave.



Asnjë projekt nuk ka miratuar qeveria, jo për rehabilitmin e këtij lumi, por të paktën për pastrimin fizik të grykëderdhjes së tij, në të cilin janë grumbulluar e vazhdojnë të mblidhen mijëra tonetalata mbeturina të ngurta duke e kthyer atë, në një plagë të hapur, e cila thith çdo ditë jetë njerëzish. Ky ligji i sotëm, nuk do t’i ndryshojë asgjë realitetit të nesërm, përkundrazi do të themi që kemi edhe një ligj për mbrojtjen e burimeve ujore.



Po vijojmë me nenet 68 dhe 85, ku flitet për mbrojtjen e vijës bregdetare nga ndërtimet me leje dhe ndëshkimi që duhet të ketë shkelësi i ligjit. Sinqerisht e them se nuk e kuptoj se përse duhet të bëjmë ligje të këtij lloji, që kthehen qesharak, kur vjen dita për t’i zbatuar. Po ku ka ligj për mbrojtjen e ujrave, të pyjeve, të tokës, të detit e ku di se çfarë ligjesh të këtij lloji, që të ndalojë babëzinë dhe korrupsionin e qeverisë për ndërtimet në bregdet. E keni parë sesi është katandisur vija bregdetare nga Plepat e deri në Golem. Shfrytëzim skrupuloz, pa asnjë kriter nga administrata e korruptuar e komunës së Rrashbullit, në sinkron të plotë me Inspektoriatin Urbanistik Ndërtimor Kombëtar.  Abuzimit vazhdon gjithnjë e me ritëm më të lartë, sa sot ndërtimet e pallateve janë thuajse në vijën e ujit e se për plazh nuk bëhet fjalë fare. Duket që këtij simboli të shfrytëzimit të bregdetit, pritet që t’i ngjajnë së afërmi edhe plazhet i gjirit të Lalëzit apo atij të Rrushkullit dhe Hamallajt, ku klientët e Qeverisë dhe të Kryeministrit janë bërë gati e po vërtiten me letra në dorë. Është për të qeshur dhe qarë sëbashku se kanë filluar që të rrethojnë për ndërtim jo më bregdetin po dhe vetë detin. Atëherë përse na duhet ky ligj, kur do të vazhdojmë që të kemi në krye këta abuzues, që shfrytëzojnë si pa të keq pasurinë kombëtare me të vetmin qëllim pasurimin e vetevetes dhe të klientëve të tyre.



Shohim më tej nenet 28 dhe 30 të ligjit, aty ku ligji flet për ndotjen që iu bëhet burimeve ujore nga përdoruesit e tyre apo ndotësit industrialë. Se cila është gjendja e kësaj ndotje po ju sjell një shembull të vetëm. Të gjitha linjat e prodhimit, të shërbimeve e të supermarketeve që janë përgjatë autostradës Tiranë-Vorë derdhen në lumin që kalon pranë tyre e që përshkon tej e tej zonën e Fushë-Krujës. Kaq intensive është kjo ndotje, sa mjafton të ndalësh mbi urën e Gjoles,  që ndodhet rrugën kombëtare, në aksin Bubq-Fushë-Krujë, që të kuptosh se cili është niveli i batërdisë mjedisore që është bërë e vazhdon mbi këtë lum. Për të ndalur gjithë këto vite, këtë abuzim nuk ka qenë i nevojshëm thjesht hartimi i një ligji, por vullneti i qeverisë për të ndalur abuzimin. Në ligj thuhet shprehimisht se “ndotësi paguan”.



E vërtetë është se ndotësi paguan, bile ka vijuar të paguajë edhe pa këtë ligj, por ndryshimi është se ka paguar për dëmin e shkaktuar, jo buxhetin e shtetit, por xhepat e taksidarëve  të Saliut që i mbërrijnë periodikisht në derë. Ndaj edhe pas miratimit të këtij ligji, nuk do të ndryshojë asgjë, vetëm se do rritet niveli i ndotjeve dhe paralelisht me të do të rritet edhe niveli i bakshishit që do të përfitojnë taksidarët, aq më tepër tani që afrojnë edhe zgjedhjet e ku e dinë që ditëve të këtij pushteti po i vjen fundi.



Neni 75 bën fjalë për ujrat e ndotura që krijohen nga mungesa e rrjetit të kanalizimeve. Përgjithësisht për zonat bregdetare, ku janë edhe ndërtimet e reja, ujërat e zeza që krijohen, derdhen në det. Besoj se të gjithë shqiptarët e kujtojnë se një nga premtimet më të bujshme të Saliut kur erdhi në vitin 2005 në qeveri, ishte se do të furnizonte 24 orë me ujë zonat bregdetare dhe se do të ndërtonte rrjetin e kanalizimeve për të mos lejuar derdhjen në det të ujrave të zeza. Sot kur kjo qeveri ka ditët e fundit, nuk besoj se bëhet fjalë që të ketë gjëkundi 24 orë furnizim me ujë as në bregdet e as kudo gjetkë, por ndërkohë ka vazhduar me të njëjtin intesitet ndotja e bregdetit, pasi nuk ka patur asnjë ndërtim të rrjetit të kanalizimeve. Ka vazhduar si gjithmonë dhënia e lejeve të reja të ndërtimit për objektet në bregdetet apo më saktë për fshatrat turistike për klientët e qeverisë pa patur jo më rrjete të kanalizimeve, por as projekte për to. Edhe i vetmi projekt zhvillimi në këtë drejtim, që përfshin zonën nga Golemi e deri te ura e Dajlanit, nuk do të përfundojë edhe pas largimit të kësaj qeverie, pasi ende punohet për ndërtimin e magjistralit, se për rrjetin shpërndarës as që bëhet fjalë. Ndërkohë lejet e miratuara së fundi nga qeveria, për fshatrat turistike në gjirin e Lalzit, por edhe ato e parashikohen që të jepen më tej janë vetëm për ndërtimin e objekteve me gropa septike. Pra nuk ka kurrfarë plani zhvillimi për rrjetin e kanalizimeve të ujrave të zeza dhe për rrjedhojë ato do të derdhen në det. Kriteri mbi të cilin po jepen këto leje është thjesht fitimi i kompanive kliente dhe jo zhvillimi serioz i turizmit. Atëherë për cfarë na shërben ky ligj, kur dihet që zbatimi i tij do të jetë fals apo thjesht për ta patur edhe në një ligj të tillë.



Një nga paradokset më të mëdha të këtij ligji është neni 69, aty ku flitet për përmbytjet, eleminimin e pasojave dhe shpërblimin e dëmeve. Ka më shumë se tre vjet, kur kjo qeveri, përmbyti në mënyrë të përsëritur Shkodrën e rrethinat e saj, si pasojë e shkarkimeve të baseneve të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit. Keqmenaxhimi i kësaj kaskadë dhe makutëria për të fituar edhe aty ku nuk lejohet, i ndëshkoi.  Ndëshkimin e kësaj makutërie nuk e paguan autorët, por banorët e Shkodrës e më gjerë, që u përmbytën me gjithçka kishin.
Doli asokohe Kryeministri e ministrat me rradhë e premtonin se do të dëmshpërblenin, cdo dëm të shkaktuar. Ngritën komisione dhe grupe verifikimi për dëmet. Miratuan edhe një vendim qeverie për dëmshpërblimin e të përmbyturve dhe në fund ju dhanë asgjë. Dhe nuk kanë për t’ju dhënë gjë deri ditën që do të ikin. Si për ironi tani bëjnë edhe ligj, se kush do të përmbytet, tani e tutje do të dëmshpërblehet. Po kush ju pengoi, që t’i dëmshpërbleni deri më tani. Askush.  Nuk keni jo vetëm para për ta bërë këtë punë, por as edhe vullnet. Atëherë përse e bëni këtë ligj, kur e dini dhe vete mjaft mirë, që nuk do ta zbatoni.



Në këtë ligj flitet edhe për informimin që duhet të përfitojë publiku për cilësinë e ujrave detare, sidomos gjatë periudhës së verës. Kjo as ka ndodhur dhe as ka për të ndodhur, për të vetmen arsye, se ata qeveritarë, që e kanë për detyrë, në kohën e verës, janë jashtë vendit për pushime dhe nuk kanë kohë që as të masin e as të publikojnë tejndotjen bakteriale, që ka bregdeti ynë. Sesa e vërtetë është kjo mjafton të shikoni pediatrinë e Durrësit gjate verës, dëshmitar i së cilës kam qenë vetë, ku nuk ka shtretër për të përballuar fluksin e fëmijëve që helmohen nga uji i ndotur detit. Dhe shteti hesht dhe nuk i paralajmëron në asnjë moment për rrezikun, që ju kanoset. Të vetmit, që e bëjnë këtë gjë, janë mediat e pavarura. Ndërkohë që ata që e kanë për detyrë e që paguhen me taksat tona, as e çojnë në mend një gjë të tillë. E njëjta praktikë do të vazhdojë edhe pas miratmit të ligjit, pasi ne nuk kemi as instrumente, as laboratorë e as njerëz për t’a bërë një gjë të tillë.



Si përfundim si ta bësh dhe si mos ta bësh këtë ligj, nuk ka asnjë vlerë. Edhe ky do të ndjekë praktikën e përsëritur në këtë vend të moszbatimit të ligjeve dhe të kulturës së mosndëshkimit të fajtorëve, për aq ditë sa do të pranojmë këtë qeveri të korruptuar skajshmërisht.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm