Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit të PS, Gjok Jaku

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit të PS, Gjok Jaku

09 Jul 2010    

Të nderuar kolegë .
Si gjithmonë “lumi i kohës” rrjedh dhe ja ku jemi plot një vit nga zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe është mëse e kuptueshme të realizojmë një vështrim analitik për situatën , ngjarjet dhe dukuritë që kanë ndodhur në këtë hark kohor.
Zgjedhjet e lira në vend që siç ndodh kudo në botën demokratike të përbënin momentin për zgjidhjen e çështjeve e problematikave dhe zhvillimin e vendit, krijuar “nyjen gardiane”që ende sot pas 20-vjetësh pengon gjithçka në prosperitetin dhe integrimin e Shqipërisë dhe paradoksalisht në këtë na ka futur gjithnjë i njëjti njeri; armiku më i tërbuar i lirisë dhe zgjedhjeve demokratike. I paafti , i papërgjegjshmi dhe i pandreqshmi Sali Berisha.
Zanafilla dhe burimi i të gjitha të këqijave janë zgjedhjet e manipuluara të 28 qershorit të cilat lindën në maternitetin e tyre, qeverinë e kësaj maxhorance, që ushqehet në grazhdin e votave të vjedhura të kutive të mbyllura që merr oksigjen nga korrupsioni dhe krimi dhe për tu mbajtur në këmbë çalamane siç lindi , përdor patericën Ilir Meta.
Pikërisht këtu e ka zanafillën dhe burimin situata e vështirë që përjeton Shqipëria dhe shqiptarët sot : Një krizë totale tepër e thellë.
Kriza politike dhe ajo ekonomike përbëjnë “vëllezërit siamez” në realitetin krizë të vendit, të cilat ushqejnë njëra-tjetrën. Në qoftë se urgjentisht dhe seriozisht nuk punohet për ti gjetur diagnozën dhe filluar kurimin për shërimin e tyre, pa as më të voglin dyshim rrezikohet rëndë zhvillimi i vendit dhe jetesa e popullit shqiptar.
Kriza politike ka përfshirë çdo strukturë të saj.
Së pari: manipulimi i zgjedhjeve dhe mohimi i transparencës së tyre ka çuar në krizë jetën parlamentare. Ngërçi i madh në aktivitetin e tij , qëndrimi diskriminues e mohues i maxhorancës ndaj opozitës , vendimarrja e papërgjegjshme me dhunën e kartonëve , rrëzimi i mbi 30 ligjeve nga Gjykata Kushtetuese janë treguesit më sinjifikativ të kësaj situate.
Se dyti: mos respektimi dhe shkelja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut , zgjedhjeve demokratike etj.
Por ju kujtoj se s’duhet ta harroni kurrë që shqiptarët e përmbysën diktaturën në vitet 90 , sepse për ata liritë dhe të drejtat , zgjedhjet demokratike , prona , shteti ligjor , e vërteta , drejtësia janë vlerat me të çmuara , vlerat e vetë jetës dhe ekzistencës së tyre dhe pikërisht pse besojnë kaq realisht ndaj tyre e kundërshtojnë me kaq forcë dhe këmbëngulje regjimin autoritar që kërkon të insistoje Sali Berisha me shpurën e tij.
Së treti: Mohimi i transparencës por gjithçka dhe specifikisht për zgjedhjet e 28 qershorit me justifikime groteske që nuk na lejon Kushtetuta.
Por kushdo sot e di që s’ka kushtetutë në botë që e pengon transparencën , sepse ajo është thelbi i saj. Përndryshe vaj medet çfarë vendi jemi !!!
Së katërti: Kapja e shtetit në çdo qelizë të tij, që shfaqet në uzurpimin e të gjitha institucioneve, përplasja permanente mes njëra-tjetrës, drejtësia e korruptuar dhe pothuaj inekzistente po çojnë përditë e më shumë në humbjen e kuptimit të ligjit dhe të vërtetës për qytetarin shqiptar.
Kjo sepse Sali Berisha, ky demagog klasik asnjëherë dhe aspak nuk punon për ndërtimin e shtetit ligjor por vetëm për ndërtimin e regjimit të tij autoritar dhe gjindjes që kullosin në oborrin e tij.
Ndërsa për sa i përket krizës ekonomike , ajo është e përgjithshme dhe asfiksuese.
E para: Rrënimi i prodhimit ekonomik.
Për shkak të mungesës së vizionit por edhe të strategjive e politikave zhvillimore të kësaj qeverie të papërgjegjshme dhe të paaftë, mosrealizimit të reformave të nevojshme, krijimit të “oktapodëve” të megamonopoleve e monopoleve të pushtetit që kanë zaptuar ekonominë, mungesës së rregullave të lojës dhe arbitraritetit të shtetit, prodhimi vendas në tërësi dhe ai bujqësor në veçanti (që është i harruar krejtësisht në axhendën e qeverisë) është drejt rënies së frikshme.
Biznesi dhe prodhuesit shqiptarë prej kohësh kanë vënë ulërimën për këtë situatë katastrofike.
E dyta: Arka e shtetit që realisht është “zemra e shtetit” po shkon drejt shkatërrimit. Këtë e tregon qartë mosrealizimi i të ardhurave për buxhetin e shtetit nga taksat dhe doganat, rënia drastike e investimeve publike në fondet e buxhetit të shtetit,  mbyllja dhe tkurrja e përditshme e biznesit, rritja e borxhit shtetëror , rritja e inflacionit , rënia e aftësisë paguese të shtetit (ku vetëm kompanive që kanë realizuar punimet vitin e shkuar u ka borxh të pashlyer 150 milion euro), pakësimi i investimeve të huaja etj. Për ta mbajtur në jetë atë, qeveria përdor mekanizmat e saj qorrazi duke gjobitur bizneset përmes taksave e doganave, duke privatizuar gjithçka që ka mbetur (në qoftë se ka mbetur) nga prona shtetërore duke marrë borxhe brenda dhe jashtë, nëpërmjet shpikjes Shqipëria 1 euro, apo fenomenit spektakolar si hotel “Dajti”, e megjithatë ajo mbetet në tik-takun e fundit.
E treta: Pasojat e rënda të kësaj krize në nivelin e jetesës së shqiptarëve.
Përveç zhgënjimit total të gjithë shtresave të popullsisë për rezultatet e zhvillimit ekonomik, mungesës së reformave dhe keqqeverisjes së Berishës, ata i ka zënë për fyti në një lak mbytës :
- Rritja e çmimeve të produkteve të jetesës së përditshme.
- Rritja e nivelit të papunësisë.
- Rritja e borxheve dhe inflacionit.
- Rritja e numrit të qytetarëve që jetojnë me listë borxhesh.
- Rritja e numrit të familjeve që përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike.
-Rritja e numrit të shqiptarëve që jetojnë në varfëri e mjerim, e shumë e shumë të tjera.
Por të gjitha këto kanë bërë që të shtohen e rëndohen problemet sociale si: krimi i çdo lloji, vrasjet dhe vetëvrasjet, trafikimi i qenieve njerëzore, dhuna, vjedhjet e grabitjet, droga, alkooli, divorci, lypja, puna e zezë e fëmijëve të cilët mund të ngjizen në një “bombe sociale” me pasoja të pariparueshme e të pakapërcyeshme.

Në vorbullën e kësaj krize totale është përfshirë qarku i Lezhës, njëri prej deputetëve i të cilit unë jam, padyshim që të gjithë elementet e saj që parashtrova më lart ekzistojnë në parametra edhe më të thelluara edhe në qarkun tonë.
Siç e dini megjith pozitën e favorshme gjeografike dhe potencialet e resurset e shumta të zhvillimit si: natyrorë, historikë, kulturorë, turistike që ka qarku ynë, asnjë politikë, strategji apo projekt nuk ka qeveria për shfrytëzimin e tyre duke e bërë atë në një nga qarqet më të prapambetura e më të pazhvilluara të vendit.
Mungesa e këtyre politikave veçanërisht për fshatin pengon një nga shtyllat e zhvillimit ekonomik të qarkut, por edhe të turizmit siç është agrobiznesi.
Në përrallën që tregon  Berisha për gjithë Shqipërinë, që do të “lulëzohet” nga investimet vendase dhe të huaja prej miliona e miliarda dollarësh ku përfshin edhe qarkun Lezhë, në realitet asgjë s’ka filluar e askund nuk punohet dhe nga ana tjetër ka ulur buxhetet për bashkitë e komunat.
Gjithashtu kryeministri mburret se do ti asfaltojë të gjitha rrugët që të çojnë në bregdet por po i bëj me dije së rruga e Kunës, që është arteria kryesore e plazhit të Shëngjinit, është një tmerr i vërtetë, që po qe se kalon një herë sepse nuk e ke ditur , betohesh se aty s’do të kthehesh kurrë më.
Mungesa e ujit të pijshëm, sistemimi i ujërave të zeza, mbeturinat e ngurta dhe urbane, besoj se kryeministri e di që jo vetëm e bëjnë të vështirë jetën e banorëve por dhe asfiksojnë turizmin.
Për portin e Shëngjinit si gjithmonë ka vetëm propagandë dhe fjalë dhe asgjë për ta bërë atë një burim të rëndësishëm zhvillimi për rajonin Shqipërinë.
Sali Berisha trumbeton si prioritet të qeverisë së tij zhvillimin e turizmit, nga ana tjetër dhe zonën tonë të mrekullueshme e mbjellë me kërpudhat e fabrikave të çimentove, duke rrënuar florën e faunën e helmuar jetën e gjithë rajonit.
Shqipëria e farsës së rritjes së rrogave, ku me njërën dorë qeveria i rrit dhe me të dyja duart ua grabit.
Shqipëria në të cilën ‘’kryeministër gërshëra’’ në hardallosjen e tij të përurimeve, të cilat për tu dukur shumë, me mendjen e tij malinje i shumëzon për 3 sepse i inauguron në fillim, në mes dhe në fund të punimeve duke i trumbetuar si shiritat e lumturisë. Por shqiptarët e dinë mirë se ato janë rrugë të pambaruara, pa standarte rrugë që prishen e shemben si në Kalimash, ujësjellësve që nuk sjellin ujë. Kështu pra gërshërët e kryeministrit janë bërë simbol i prerjes së “shiritave mortorë” për parat e shqiptarëve dhe gropë e varrit për zhvillimin e vendit.
Për të gjitha këto arsye mos kujtoni se shqiptarët mungesën e lirisë dhe të drejtave, manipulimin e votës, rrënimin ekonomik, korrupsionin, mungesën e drejtësisë, papunësinë, varfërinë, mos integrimin, vallë janë të dënuar ta bartin si gurin e sizifit deri në rraskapitje pa fund ?!
Jo dhe padyshim që jo!
Prandaj jemi të vendosur për të denoncuar sjelljen tuaj prej monarku të papërgjegjshëm, të ofrojmë bashkëpunim për zgjidhjen e krizës politike, ekonomike, sociale.
Është koha dhe momenti që ju kolegë të maxhorancës të hapni jo vetëm veshët për të dëgjuar e sytë për të parë këtë realitet por dhe mendjet për të menduar pozitivisht për zgjidhjen e problemeve të shumta që ka vendi ynë për të realizuar progresin qe ne meritojmë.


Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm