Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit të PS, Ilir Beqja

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit të PS, Ilir Beqja

08 Jul 2010    

Kolege dhe kolegë deputetë,
Prej 8 ditësh, kryeministri, ministrat, deputetë të mazhorancës, media që i bien avazit të kryeministrit vazhdojnë të tallen publikisht me ju.

Sigurisht, si gjithmonë, i pari e nisi talljen Sali Berisha.
 
Nuk është rastësi që ky njeri vazhdon të tallet. Kjo, jo thjesht sepse e bën qysh se merret me politikë. Tani e ka më të përligjur. Para 1 viti, ju vodhi votat. Pas kësaj nuk ndjen asnjë grimë në ndërgjegjen e tij, për çdo mashtrim që mund të bëjë me shqiptarët. Madje kësaj here gënjen edhe në emër të integrimit meqë drejton koalicionin e integrimit.
Por, prej 8 ditësh pensionistët, invalidët dhe personat me aftësi të kufizuar po e provojnë vetë se kryeministri ju ka gënjyer.
 
Ju ka gënjyer, kur ju tha se po bën rritjen më të madhe të pensioneve në 10 vjet.
Shtesa e pensioneve në qytet me 4 apo 6 %, është shtesa më e ulët në 10 vitet e fundit në Shqipëri. Ky është rezultati i 1 viti qeverisje në emër të integrimit. Integrim nuk ka, por varfërim ka me bollëk.
 
Ju ka gënjyer që prej 5 vjetësh kur deklaroi se nuk do të ketë pension nën 100 dollarë. Pas 5 vjetësh pensioni i plotë nuk është më shumë se 95 dollarë, ndërsa pensionet e pjesshme janë më pak se 80 dollarë. Këto janë pensionet e qytetit, ndërsa në fshat pensionet nuk e kalojnë 70 dollarë. Edhe ky është rezultati i një viti qeverisje në emër të integrimit. Integrim nuk ka, bollëk nuk ka, por ka vetëm fukarallëk.
 
Ju gënjeu, kur ju tha se po bën rritje ngaqë ka mbledhur më shumë taksa në dogana e tatime. As në tatime e dogana nuk ka mbledhur më shumë, madje pas 1 viti koalicioni i integrimit është shndërruar në bandë që vjedh, trafikon e mitmerr nën petkun e integrimit.
 
Në të vërtetë nuk ka asnjë lek rritje pensionesh. Lekët që merrni si shtesa janë ose lekë që i paguani si taksa nga shtrenjtimi dy shifror i zërave bazë të jetesës mujore apo lekë që janë si depozitat tuaja në bankat e vendit ku Sali Berisha është sot borxhliu më i madh.
Por me lekët që morët si shtesa, të gjithë ju blini më pak se sa blinit një vit më parë.
Përtej talljes, kryeministri po e trash edhe më shumë zullumin e tij. Nga ky zullum nuk e shpëton dot sulmi që rreket të bëjë për opozitën.
Madje, përtej talljes Sali Berisha po shpërdoron detyrën. Ka një vendim të qeverisë të datës 1 shkurt 2006 (si për ironi të fatit firmosur nga vetë Sali Berisha i dytë) që detyron çdo kryeministër të indeksojë pensionet në datën 1 maj të çdo viti. Mos zbatimi i vendimit të qeverisë është shpërdorim detyre, vjedhja e pensioneve për muajt maj e qershor është kriminale.

Vendimi që përmenda më sipër, përcakton edhe se si llogaritet inflacioni për pensionistët. Edhe këtë detyrim Sali Berisha nuk e zbaton.
Ky vendim thotë se ushqimet zënë 62 % të shpenzimeve mujore të pensionistëve dhe jo 37 % sa ç’thotë INSTAT-i i Sali Berishës.
Ky vendim thotë se energjia zë 10.7 % të shpenzimeve mujore të pensionistëve dhe jo 4.3 % sa ç’thotë INSTAT-i i Sali Berishës.
Në kushtet kur zyrtarisht pranohet që :
-              Energjia elektrike është shtrenjtuar 12 %;
-              Uji i pijshëm është shtrenjtuar 26 %
-              Ushqimet janë shtrenjtuar 6- 8 %
çdo nxënës maturant mund të llogarisë se inflacioni është më i madh se 5 %.
Të shtosh pensionet më pak se inflacioni i llogaritur është shpërdorim detyre. T’u vjedhësh pensionistëve, qoftë edhe një qindarkë në korrik e në muajt që do të pasojnë është kriminale.
Të gjitha sa më sipër janë llogaritje që bëhen në zyra. Në të vërtetë, në të gjithë Shqipërinë, pensionistët kanë provuar se shtesa mujore e faturave të energjisë elektrike dhe të ujit është 5 herë më e madhe se shtesa e pensionit.
 
Ka të tjerë grupe sociale që ende nuk kanë marrë asnjë shtesë, apo Sali Berisha nuk u jep as çfarë ua ka dhënë ligji.
Më shumë 60 mijë personat që marrin përfitim për paaftësi të kufizuar duhen të kenë një përfitim jo më të vogël se pensioni bazë në qytet. Ata edhe sot marrin 8,700 lekë në muaj. T’u japësh më pak se detyrimi ligjor është shpërdorim detyre. T’u vjedhësh 2 mijë lekë në muaj është kriminale.
90 mijë familje që jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike marrin vetëm 4 mijë lekë në muaj. Për këto familje qeveria e integrimit jep para vetëm energji elektrike, ujë të pijshëm dhe vetëm gjysmë buke në ditë.
 
Lista e shpërdorimeve të detyrës dhe e veprimeve kriminale të qeverisë së sotme është shumë e gjatë.
Kësaj liste i shtohen edhe grabitjet e pronës publike, korrupsioni në dogana e në tatime, monopolet që kanë kapur ekonominë, koncesionet për klientë të familjes së kryeministrit.
Nëse nuk do të jenë këto grabitje janë të gjitha mundësitë financiare që pensionistët, invalidët, të papunët, personat me aftësi të kufizuar të kenë rritje reale të përfitimeve që të kenë një jetesë më të mirë e më dinjitoze në vendin e tyre.

Këto janë arsyet pse kjo qeveri duhet të ikë. Nuk solli integrimin dhe po varfëron shqiptarët. Për ne nuk është vetëm angazhim politik të luftojmë për të larguar këtë qeveri. Për ne, është më së pari, mision atdhetar.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm