Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e deputetit Xhemal Qefalia

Fjalime

Fjala në Kuvend e deputetit Xhemal Qefalia

04 Oct 2012    

Të nderuar kolegë!



Këto ditë shqiptarët kanë kuptuar më së miri se cila është arsyeja e refuzimit të  kontrollit në Ministrinë e Mbrojtjes , të atij kontrolli që komisioni i sigurisë mori vendim në mënyrë unanime të ushtronte në bazë të Rregullores së Parlamentit dhe Kushtetutës së Shqipëri së, por ministri e refuzoj.



Ne deputetët e PS (anëtar të komisionit të sigurisë) kemi parë se si u alarmua administrata e parlamentit për të fshehur të gjithë praktikën e nisur të këtij dikasteri.
 
Të nderuar kolegë!



Problemet që po bëhen prezent nga dita në ditë në këtë dikaster janë të shumta që fillojnë me abuzime të fondeve për reklama  e koncerte deri të tregtia armëve dhe municioneve për të cilën kolegët e mi deputet i kanë bërë prezent përpara publikut në mënyrë profesionale me shifra dhe fakte.
Por  do të ndalem vetëm në disa prej tyre që janë shumë shqetësuese që cënojnë drejtpërdrejtë  sigurinë kombëtare dhe ulin imazhin e  Ushtrisë Shqiptare si vend anëtar i NATO- s.



1-    Armatosja e SHIU-t me automatikë dhe snajpera është në kundërshtim me ligjin, është një shkelje tepër e rëndë në këtë dikaster.
“ Mirë që harxhuat miliona lekë” për të blerë aparatura përgjimi sepse ju duhet të mbanit në kontroll opozitën dhe të dinit se çfarë mendojnë diplomat, ambasadorët e huaj dhe gazetarët për ju, po  armatosjen e këtij shërbimi për çfarë e deshët?
Po snajperat me silenciatorë për çfarë ju hyjnë në punë?! A thua për  të zëvendësuar pushkët me zë të Gardës që të vrisni pa zhurmë, të mos kuptohet se nga të vjen plumbi?!
Po ju zoti Imami nuk keni pajisur me armatime të tilla speciale ushtarët që kryejnë misione jashtë vendit e vriten në fushë beteje. Ju paskeni “luksin” të armatosni deri në “dhëmbë” Shërbimin Informativ të Ushtrisë i cili ka për detyrë funksionale të subvencionojë, të mbledhë dhe të japë informacion( jo vetëm për opozitën, por dhe për tregtinë e jashtëligjshme të armatimit) dhe në asnjë rast nuk ka për detyrë operacionale që të hyjë në luftime dhe të asgjësojë me snajpera pa zhurmë.
Kjo është absurde !!
E gjithë kjo ka ndodhur nga makthi që kishte kryeministri që nuk kishte në kontroll Shërbimin informativ dhe ka përdorur SHIU-n si një shërbim paralel në varësi të tij, gati-gati si shërbim privat, por ç’ti bëj letrave, urdhrat që janë aty dhe sado që mundohen ti rregullojnë nuk i zhdukin dot.



2-    Së dyti, kemi një histori abuzimesh me atë që Imami vetë e quan shitje të mbeturinave të komunizmit në ushtri. Shqipëria është një vend në të cilin dyshimet se trafiku i armëve vijon të kryhet janë të forta, ky është qëndrimi i nxjerrë në pah nga raporti i radhës i OSBE-së, u bë publik në Vjenë.



Duke analizuar procesin e çmilitarizimit, raporti jo vetëm bën kritika mbi mënyrën si po organizohet ai, por thekson se nëse armët e lehta dhe të vogla nuk çmilitarizohen, atëherë rreziku për kontrabandë është real, pra e thotë OSBE ja jo opozita. Ndërsa Ministri i  trajton armët si plehra të komunizmit.
 
Z. Ministër, para se ti shohësh si plehra, ato duhet t’i trajtosh si pasuri publike që pavarësisht rrethanave historike janë mundi dhe puna e papaguar e brezave të shqiptarëve. Nëse shpërdorohet ky armatim, nëse vidhen të ardhurat që arkëtohen nga shitja e këtyre armëve atëherë personat përgjegjës nuk besoj se mund të justifikohen me faktin se i quajnë plehra të komunizmit. Atëherë nuk  është normale të konsiderohen plehra që siç është deklaruar dhe të shiten në shtetet fqinj siç është Mali i Zi!!!
A thua se NE qenkemi më të aftët dhe më të zotët që u shesim të tjerëve plehra?! Në fakt ndodh e kundërta, qeveria jonë e ka vendosur me ligj që ne të importojmë plehrat e botës. Këtu bëhet fjalë për afera të pista dhe trafikim armësh dhe këtë e dëshmon dhe fakti se janë dy kompani serbe që merren me këtë punë dhe që kanë lidhje shumë të forta me Damir Fazlliçin i cili në drekë drekon me ministra të qeverise dhe në darkë ftohet nga kryeministri  në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar.



Është një spekulant tipik mbarëballkanik serbo- boshnjak, që i del emri sa herë ngrihen pikëpyetje për mafien në Ballkan.



 
Z.Ministër!
Problemet që deri tani ju kanë prishur vetëm gjumin, me këto fakte e veprime të bëra prezent ditët e fundit do t’ju lënë pa gjumë, ndaj më mirë dilni nga bunkeri i kontrollit, jepni dorëheqjen dhe vihuni përballë drejtësisë që të provoni.
     
 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm