Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjala në Kuvend e Kryetarit të Grupit të PS, Gramoz Ruçi

Fjalime

Fjala në Kuvend e Kryetarit të Grupit të PS, Gramoz Ruçi

01 Jul 2010    

U bë traditë tani që kryeministri vjen vetëm për pesëminutësh dhe mirë e bën. Sot e nisi me ngritjen e një përmendoreje, atyre që bën atë vepër që të gjithë shqiptarët tashmë e dinë në 2 korrik. Zoti kryeministër ka një dallim të madh midis asaj që pretendoni ju dhe asaj që pretenduan ata djem dhe vajza mbi 5 mijë veta në Shqipëri. Ju mendoni se e përmbushni misionin tuaj  si qeveritar duke ju ngritur një përmendore, por ata u ngritën mbi një përmendore tjetër. Ata u ngritën për të shembur një përmendore.

Ata u ngritën për të shembur pushtetin që merrej me pushkë dhe mbahej me pushkë. U ngritën kundër këtij pushteti që pushteti të merrej me votë e të mbahej me punë. E pra, zoti Kryeministër ajo që duhet t’ju thuash atyre kokë ulur është kjo: E ke marrë apo se ke marrë pushtetin me votë?  Dhe e mban me punë pushtetin apo jo? Kjo është përgjigja që duhet t’i japësh këtyre njerëzve, kjo është përmendorja që duhet t’ju ngresh atyre njerëzve. Për fat të keq përgjigja është negative, zoti Kryeministër. Pushtetin nuk e ke marrë me votë. Opozita shqiptare dhe më shumë se gjysma e popullit shqiptar  të akuzojnë drejtpërdrejtë ty se ke trukuar zgjedhjet në Shqipëri, se ke vjedhur votat në Shqipëri, është koha që të bësh transparencën për votat e vjedhura. Sot e kësaj dite juve kërkoni të bindni veten, se shqiptarët, tashmë , janë të bindur se ju jeni në pushtet me vota të vjedhura.

Së dyti, ata u ngritën që pushteti të mbahet me punë dhe u ngritën për një mirëqenie tjetër. Ata vërtet ikën për të thyer këtë përmendore, por ikën për një mirëqenie më të mirë. Si është mirëqenia e këtij vendi? 5 mijë ikën, 1 milionë i kemi jashtë sot pas 20 vjetësh. Ja pse sot t’i dhe unë bashkë me ty dhe të gjithë ne që jemi këtu, duhet të mbajmë kokën poshtë ndaj atyre emigrantëve e qindra mijë që janë në të gjithë botën, që ne nuk ju kemi siguruar dot jetesën këtu në vendin e tyre. Po bredhin dhe bëjnë punë të rëndomta  megjithëse janë me diploma e të arsimuar nga vendi i tyre. Po vendi i tyre nuk ju siguron kushte dhe standard jetese.

Zoti Kryeministër përditë flisni për mirëqenie, për standarde, për zhvillim ekonomik ,për vend të bekuar në Evropë, por nuk është opozita që ju thotë të kundërtën e saj. Por, është EUROSTAT i cili thotë se shqiptari të ardhurat në vit i ka 27% më të ulëtat në Ballkan, më të ulëtat në vendet e Lindjes. 8 % më të ulëta se Maqedonia zoti kryeministër. 14 % më të ulëta se Serbia, 6 % më të ulëta të ardhurat për frymë sesa Mali i ZI, 37 % më të ulëta se Kroacia, 34 % më të ulëta se Polonia, 18 % të ardhurat për frymë nga EUROSTAT më të ulëta se Rumania, 14 % më të ulëta se Bullgaria. 242 euro është paga mesatare e shqiptarëve , 488 e ka Maqedonia. 470 e ka Serbia,  1051 e ka Kroacia- pesë herë më shumë. 717 e ka Polonia e kështu me radhë, dy herë më shumë Rumania etj.

E pra, kjo është përmendorja që ju keni ngritur djemve dhe vajzave të Shqipërisë. Që u ngritën 5 mijë dhe u futën në ambasada për të shembur atë pushtet të Saliut dhe timit. Prandaj zoti Berisha bën mirë që të mos hedhësh tullumbace të tilla edhe të krijosh pseudo festa të tilla. Këto ditë duhet të jenë gjyqi që duhet të zhvillohet para popullit, para elektoratit, para këtyre 5 mijë djemve dhe vajzave.

Opozita shqiptare zoti Berisha, është këtu t’jua thotë të vërtetën në sy. Opozita shqiptare është t’ju thotë se:

Jeni përgjegjësi i drejtpërdrejtë për këtë krizë politike. Jeni përgjegjësi i drejtpërdrejtë për mungesën e transparencës së zgjedhjeve. Jeni përgjegjësi i drejtpërdrejtë për uzurpimin e organeve të drejtësisë nëpërmjet fshirjes së votimit të fshehtë dhe votimit të atyre njerëzve që t’i mendon se do t’i shërbejnë implikimit të korrupsionit të familjes tënde politike. Apo dhe ligje të tjera që kërkon direkt ose indirekt të uzurposh, të kontrollosh e të sundosh KLD, pushtetin lokal, SHISH, Prokurorinë, OJF-të. Të gjitha ato që këta njerëz u ngritën që të kishte jo pushtet mbi shtetin, po shtet mbi pushtetin. Jo shtet të pushtetarëve, por shtet i qytetarëve.

Prandaj dallimi midis pozitës dhe opozitës është pikërisht ky zoti Berisha: Ju flisni për një Shqipëri të shtetarëve, opozita flet në emër të një Shqipërie të qytetarëve, jo të pushtetarëve. Prandaj opozita është e vendosur. Prandaj nëse e doni bashkëpunimin e opozitës uluni me opozitën, zgjidhni krizën politike, bëni transparencën e zgjedhjeve. Bëni një reformë tamam për të patur shtet të së drejtës dhe pavarësi të organeve të drejtësisë. Të ketë një funksionalitet  të të gjitha organeve dhe organizmave që krijojnë fizionominë e një shteti demokratik, një shtet të së drejtës. Ne jemi të vendosur zoti Berisha dhe jemi këtu në parlament, do na kesh përball në të gjitha sfidat. Këtu në parlament dhe jashtë parlamentit, nëse ju mendoni me të gjitha, nëse ju mendoni se ne do të tërhiqemi, harrojeni! Në qoftë se ju mendoni se ne do të lodhemi, harrojeni!

Prandaj ne përsëri ju bëjmë apel dhe apeli është ky:

Ulu zgjidh krizën. O në një dialog real, të vërtetë për ta bërë demokracinë shqiptare funksionale. Vërtet që parlamenti të jetë funksional dhe jo imagjinar. Ne nuk do jemi as kukulla e pushtetit tuaj e as garnitura e pushteti tuaj. Por do të jemi zëvendës , inspirues shumë të vendosur dhe këmbëngulës për gjithë ato liri dhe të drejtat që duhet të gëzojnë qytetarët shqiptar dhe jo pushtetarët shqiptar. 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm