Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjalimi i Ermelinda Meksit në Kongresin e 18 Prillit 2010

Fjalime

Fjalimi i Ermelinda Meksit në Kongresin e 18 Prillit 2010

18 Apr 2010    

Tashmë është e qartë për këdo kostoja që po i shkaktohet popullit  si pasojë e keqqeverisjes së një pushteti të rrjedhur nga vota e grabitura.
Në këtë situate Partia Socialiste rritjen e mbështetjes publike dhe politike të saj duhet ta bazojë në avantazhet të saj. Është koha të drejtojmë kapacitetet tona intelektuale dhe politike në  oponencën ndaj qeverisjes .
Disa nga avantazhet tona në betejën politike, të cilat na vendosin në pozicion superior ndaj mazhorancës dhe mbi të cilat duhet të mbeshtetet veprimi ynë opozitar janë:



Argumenti, institucionalizmi ,dialogu, debati si dhe uniteti në diversitet.
Nuk po ndalem në realizimin e tyre brenda partisë sonë, por në realizimin e tyre në raport me mazhorancën.
Kujtoj me këtë rast, qe së bashku me Shkëlqim Canin, si ekspert i ekonomisë, apo Arben Malaj si deputet dhe ekspert njëkohësisht, por dhe kolegë të tjerë,  kemi shpalosur alternativën tonë të ndryshme nga ajo e maxhorancës, për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj efekteve të krizës finaciare globale në ekonominë tonë që në vitin 2008. Më vonë në Kongresin paraelektoral u shpalos qartë alternativa jonë; se me ardhjen në pushtet do të rishikonim buxhetin dhe do të zbatonim paketën antikrizë dhe do përpunonim strategjinë për një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm.



Ne me kohë konsideruam të gabuar euforinë qeveritare se Shqipëria nuk preket nga kriza dhe kritikuam në vazhdimësi gjatë 2009, si të pamundur dhe jorealist entuziazmin qeveritar për rritje ekonomike 6.5 %. Po ashtu parashtruam argumentat tona për buxhetin jo realist po elektoral të 2009. Në këto kushte paralajmëruam se kjo rritje ekonomike programohej djallëzisht që të kamuflonte rritjen e shpenzimeve në një vit elektoral, të gjitha këto në kurriz të ekulibrave makroekonomike të një ekonomie të brishtë si kjo e jona. Rritja e deficitit buxhetor dhe e borxheve që vijnë si rrjedhojë e një politike të tillë të gabuar janë fenomene që sjellin dhe po sjellin pasoja negative në ekonomi. Për këtë ne kritikuam praktikën qeveritare mbi transparencën ekonomike qysh në tremujorin e parë të 2009, kur me të dhëna pjesore Qeveria reklamonte rritjen e të ardhurave dhe nuk shihte në të njëjtën kohë shenjat e efekteve të krizës në Shqipëri, që u shfaqën me rënien e depozitave, rënien e kreditimit për biznesin, etj.



Kur analizonim faktorët dhe paralajmëronim se rritja e të ardhurave të tremujorit të parë ishte jo realiste dhe do të vinte në rënie duke i kërkuar qeverisë të tregohej e matur me shpenzimet  elektorale që do rëndonin ekonominë më shumë, maxhoranca na anatemoi se po ngjyenim realitetin me bojë të zezë dhe e zhvendosi debatin në opinionin publik mbi faktin nëse ishim prekur apo jo nga kriza duke vazhduar të trumbetonte me entuziazëm grotesk, se ne ishim një vend i veçantë nga të gjithë vendet e tjera, një yll ndricues jo vetëm në Europë. Euforia qeveritare vazhdonte e vazhdon, megjithë rënien e rritjes së të ardhurave buxhetore, nga 13 % në tremujorin e parë në 8%, në 6mujorin e dytë që shpuri deri në rënien e ndjeshme në -5%  në tremujorin e fundit (si ne e patëm paralajmëruar). Ndërkaq, tregues të tjerë  paralajmëronin këtë rënie si: rënia e nivelit të kredidhënies të biznesit, rënien e vëllimit të tregtisë me pakicë, apo investimet publike. Këto do sillnin siç sollën së fundi dhe pranimin e detyruar zyrtar të rënies së rritjes ekonomike. Ne mendojmë se kjo situatë është pasojë e faktit se për qëllime elektorale shpenzimet dhe investimet publike ndoqën një cikël politik, gjë që nuk ndodh në asnjë vend të zhvilluar. Ato u realizuan në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, sa 166% të atyre të vitit paraardhës, ndërsa në tremujorin e fundit u realizuan vetëm 56 %.


I ashtuquajturi argument qeveritar për stimul ekonomik, përgënjeshtrohet nga zvogelimi drastik i tyre në 6 mujorin e dytë dhe sidomos tremujorin e fundit. Përvoja ndërkombëtare e stimulit ekonomik çoi në daljen e tyre nga kriza dhe ruajtje të punësimit, kurse rasti i ekonomisë sonë vërteton të kundërtën. Këtë e tregon qartazi fakti se pas rënies së investimeve në 56% në tremujorin e fundit vërehet rënia e të ardhurave dhe rënia ekonomike që evidente. Prandaj me kohë qysh në asamblenë e 16 dhjetorit parashikuam rënia e PPB në tremujorin e fundit dhe ngritëm nevojën e programit antikrizë duke bërë dhe rekomandimet përkatëse për buxhetin e 2010 në mënyrë që të mos binim në recesion  më pas. Maxhoranca jo vetëm nuk reflektoi, por të nesërmen e këtij aktiviteti, në parlament anatemoi egërsisht qëndrimin tonë antikrizë. Ajo duke përdorur avantazhet e pushtetit, duke kufizuar lirinë e medias, nuk mungoi të gjejë fajtorin te opozita që sipas saj nxin realitetin. Megjthëse tashmë disa përfaqësues të saj  flasin  për krizën si diçka normale në kapitalizëm etj. Këtë fenomen ne e pohuam me kohë, atëherë kur qeveria as pranonte të përmendej fjala krizë, por në dallim me ta ne mendonim se pasojat e efekteve të krizes zvogëlohen kur parashikohen në kohë dhe si duhen nga qeveria. Kjo gjë nuk ndodhi në Shqiperi sikurse në vendet rreth nesh, ku u morën masat përkatëse të sugjeruara dhe nga Institucionet ndërkombëtare financiare.



Tashmë është e qartë  se argumenti ynë ka fituar mbi demagogjinë qeveritare. Nuk ka dyshim se rënia e ekonomisë në vendin tonë erdhi më shumë se nga efektet e krizës globale, nga keqqeverisja e mazhorancës. Shantazhi i mazhorancës dhe sulmi i personalizuar ndaj kujtdo, i cili nuk pajtohet me keqqeverisjen, pushimet nga puna për efekte politike, denigrimet ndaj kolegëve tanë është bërë metoda kryesore e maxhorancës dhe kryeministrit. Ne mendojmë se zgjidhja nuk është shantazhi ndaj opozitës, por reflektimi. Në rast të kundërt, ky qëndrim arrogant do thellojë rënien. Por ndërsa kostoja e qeverisjes po bëhet gjithnjë e më evidente, mazhoranca po e shton egërsinë e reagimeve të saj dhe ngushton mundësitë për informacion. Bllokimi i informacionit ekonomik edhe për tremujorin e parë të 2010, si filozofi e kësaj maxhorance është forma më brutale për manipulim, duke tentuar të propagandojë dështimet si sukses. Kjo sepse edhe të dhënat për muajit janar e shkurt të këtij viti flasin për të njëjtën situatë në rënie të ekonomisë që do të detyronte qeverinë të pranonte recesionin e mohuar deri më sot me kokëfortësi. Kjo është arsyeja që Qeveria nuk publikon informacionin. Ironikisht Kryetarja e Parlamentit na sugjeroi të kërkojmë informacion, megjithëse gjatë debatit tonë politik publik në parlament, këtë kemi kërkuar.



Po le të shohim konkretisht ku shprehet kosto e keqqeverisjes që po paguajnë sot shqiptarët.
Pretendohet se janë realizuar investime të mëdha, rritje pagash e pensionesh. Por ndërsa të ardhurat buxhetore ne 2009 nuk u rritën 36 miliard sa u parashikuan me eufori në buxhetin fillestar, por 5 herë me pak ose 7 miliard lekë, shërbimi i borxhit u rrit 6 miliard leke dhe parashikohet të arrije mbi 10 miliard sivjet, për të arritur shifra të frikshme në vitin 2012. Në këtë situatë, ne socialistët me shqetësim pyesim se: me këtë nivel të ardhurash sa do jemi në gjendje të shlyejmë borxhet dhe në këtë llogjike ku do gjenden paratë e tjera për të financuar rritjen e pagave aq të nevojshme për të kompesuar të paktën inflacionin dhe me se do financohen  investimet për të garantuar rritjen ekonomike? Nga analiza për 2009 rezulton se të ardhurat buxhetore neto janë rritur vetëm 1 miliard lekë. Pra financimi i shtesës se shpenzimeve 27 miliard leke me të cilat mburret qeveria, u realizua nëpërmjet parave nga privatizimi i nxituar dhe marrja e borxhit të ri shtesë nga qeveria. 
Por çfarë rezulton nga dy privatizimet e nxituara të OSSH-së dhe të ARMO? Shitja e tyre e shpejtë në kohë krize  i përngjan, atij djalit plangprishes që për tu zbavitur në pub, shet orenditë e shtëpisë. Rezultati? Asnjëri prej privatizimeve nuk mund të vlerësohet sot i sukseshëm.



I pari ai i privatizimit të OSSH, u shoqërua me rritje të çmimit të energjisë elektrike. Dhe kjo kur viti 2009 dhe fillimi i vitit 2010 ka patur një nivel të tillë rreshjesh që jo vetem nuk impononte rritjen e çmimit, por mund të sillte uljen e tij. Por abuzimi me pozitën monopol në sektorin  e energjisë elektrike, çoi në përmbytje të vazhdueshme që nuk rezultuan njëherë në 100 vjet, por 3 herë në tre muaj.
Pra privatizimi i reklamuar si i suksesshëm i OSSH u shndërrua në barrë për popullin dhe në përfitime të pamerituara nga qeveria dhe monopolet në sektorin energjitik.



I dyti ARMO është shoqëruar me rritjen e papunësisë, zvarritje e mosdhënie të pagesave  të premtuara të prekurve nga reforma apo vonesa të tjera në pagesa punëtorëve si dhe vështiresitë financiare për Albpetrolin.
Po kështu për të mbuluar rrritjen e shpenzimeve të tjera u mor borxh i ri me interesa të larta që do të paguhen në vitin 2010, 2011, 2012. Ndërkaq të tjera borxhe të reja do të merren për të mbuluar mosrealizimet në të ardhurat buxhetore në disa qindra milion euro, për të cilat qeveria hesht, ndërsa PS kërkon përgjegjësitë të keqqeverisja në vend të mburrjeve të saj. Opozita ka theksuar se borxhet përtej normave gërryejnë ekonominë dhe depozitat bankare, të cilat në vend që të shkojnë në rritje të kredive për ekonominë, janë ulur jo pak, sepse po financojnë borxhin publik nëpërmjet bonove të thesarit, interesat e të cilave mbajnë të larta dhe interesat e kredive. Kjo situatë është reflektuar në zhvlerësimin e lekut, që solli një rritje  të lartë çmimesh të të gjithë produkteve; veçanërisht  rritje të lartë të produkteve ushqimore, në një kohë kur në botë ka patur ulje të çmimeve të këtyre produkteve, krahas rritjes së çmimit të ujit, të energjisë, pa përmendur faturat aforfe të cilat duhet të hiqeshin vite më parë, Kjo rritje çmimesh pasojë e borxheve nga keqqeverisja është një barrë të rëndë e të drejtpërdrejtë te qytetarët, që ka sjellë rënien e fuqisë së tyre blerëse. PS për këtë arsye kërkon  indeksimin e pagës së tyre nga këto efekte jo si bamirësi të qeverisë, por detyrim për të mos cënuar nivelin e jetesës së qytetarëve tanë.



Prandaj alternativa jonë e ravijëzuar në rezolutën e aprovuar të Asamblesë tonë të 16 dhjetorit është me publike se kurrë, më i qartë dhe i drejtë për vendin si dhe parakusht i fitores sonë elektorale.
Ja pse solidariteti ynë,  argumenti dhe lufta e mënçur politike përkundrejt demagogjisë, hipokrizisë, por dhe protestat, i shërbejnë sensibilizimit për situatën e krijuar nga papërgjegjshmëria  dhe zgjidhjet që ofrojmë ne si opozitë.



Ne nuk kemi luksin të harxhojmë energji të vyera duke u përpjekur të arrijmë perfekten, dhe të humbim shansin për të bërë të domosdoshmen. E domosdoshme për ne dhe për Shqipërinë në këtë moment është ndalimi i keqqeverisjes së vendit nga maxhoranca aktuale.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm