Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Fjalimi i Shkëlqim Canit gjatë Kongresit të 18 prillit 2010

Fjalime

Fjalimi i Shkëlqim Canit gjatë Kongresit të 18 prillit 2010

18 Apr 2010    

Të nderuar delegatë, të dashur miq!
Pushteti ka kohë që rreket t’i mbushë mendjen vetes se Shqipëria po përjeton “mrekullinë ekonomike”, ku vetëm sa është “fshikur pakëz” nga kriza. Ujku po bën kërdinë (në fakt edhe hijenat), ata kërkojnë gjurmët. Kriza në ekonomi është shtruar këmbëkryq në pothuaj gjithë treguesit ekonomikë e socialë, duke depërtuar në palcë të cdo biznesi e familje shqiptare. Ajo është disa planëshe:
1.    Së pari, është krizë nga moskuptimi/mosnjohje nga autoritetet shqiptare. Gjithkush kujton refuzimin total nga autoritetet për efekte të krizës në shtator – dhjetor 2008 dhe më pas janar – gusht 2009. Paralajmërimeve tona serioze dhe këmbanave të alarmit iu kundërviheshin zyrtarë mediokër me slogane për Shqipërinë farfuritëse që marshon unikale në botën e zhytur nga kriza, duke trumbetuar nëpër konferenca e intervista para ndërkombëtarëve me pompozitet qesharak “leksione se si të përballonin me sukses krizën”.  Kjo pati ndikim negativ për biznesin e qytetarin, të cilët ku më shumë e ku më pak besuan se do t’ia hidhnin të keqes kësaj rradhe. Përkundrejt akuzave për një opozitë destruktive dhe panikndjellëse, opozita që në fillimet e krizës: dha paralajmërime të sakta lidhur me pasojat dhe ofroi ndihmë konkrete dhe rrugëzgjidhje dinjitoze për kapërcimin e situatës (të gjitha tashmë të vërtetuara në cdo tregues e detaj). Por, populli thotë “mos i fol kot atij që nuk do të të dëgjojë”. Sot konstatohet se ekspertë e analistë të pavarur dhe të Partisë Socialiste kanë qenë realiste, të përgjegjshëm dhe korrekte në vlerësimet dhe parashikimet e tyre.
 
2.    Krizë transparence dhe mashtrimi të publikut, si bashkëudhëtare e preferuar e krizës së mësipërme. Për fat të keq, tashmë përballë këtij realiteti të prekshëm (prej thuajse 2 vitesh) shqiptarët kuptojnë se kanë në krye një qeveri jo vetëm pa vizion, por edhe ilegjitime dhe të paaftë për të bërë inventarin e pasurisë së vendit.  Tashmë që tallazët janë shtuar, shohim një qeveri që ka hequr duart nga timoni, duke braktisur në det të hapur anijen-ekonomi në pritje të ndonjë ankorimi të rastit. Sot s’është vështirë të kuptohet nga gjithsecili që jemi “ngopur” me shifra fiktive, të trukuara. Shqiptarët mësuan vetëm në fund të 2009 se treni i ekonomisë kishte dalë krejtësisht nga shinat:
o    rritja ekonomike ra në pikiadë dhe për herë të parë që nga viti 1997 kemi përsëri rënie ekonomike. Pra, shqiptarëve do ju duhet, jo me një dekadë, por 3-4 dekada për të dyfishuar të ardhurat;
o    deficiti buxhetor dhe borxhi publik në 2-3 vitet e fundit u dyfishuan. Cdo shqiptari, kjo qeveri i “vari mbi kurriz” vetëm në dy vitet e fundit edhe 23 mijë lekë borxh shtesë;
o    korrupsioni ka marrë trokthin dhe “kapja e shtetit” tashmë bëhet me tender, aq sa nuk ka mbetur oborrtar i lartë pa i lëpirë buzët me të, në jo pak raste ka edhe të huaj që e kanë shijuar;
o    cmimet e ushqimeve dhe artikujve të tjerë jetikë janë rritur sa dy-trefishi i inflacionit mesatar;
o    Kreditë jepen me pikatore, 3-4 herë më pak se më parë, por janë 3-4 fishuar kreditë e këqija;
o    Eksportet kanë rënë me 20%;
o    Papunësia e varfëria kanë trokitur në derën e shumë familjeve shqiptare, jo vetëm ne fshat, por dhe në qytet etj.
A nuk është mashtrim fakti që për të fshehur shifrën e vërtetë të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, qeveria la pa paguar punime të kryera nga ndërtuesit për minimumi 11 miliardë lekë? Nëse e fshehu qeveria për qëllime të mbrapshta, ku ishte Banka e Shqipërisë dhe INSTAT, si organe të pavarura dhe të specializuara?
3.    Kriza e mosveprimit ose e veprimit të gabuar. Për ironi dëgjojmë se qeveria na mburret se falë masave të marra në kohë, ekonomia nuk doli më shumë jashtë kontrollit?!! Pra, se pari refuzon prekjen nga kriza duke e ndjekur atë thjesht me statusin e vëzhguesit, ndërsa pranon se paska marrë masa! Kësaj i thonë doktori nuk konstaton sëmundje, por i mburret pacientit se e shëroi. Nga analizat tona rezulton se ekonomia është relativisht po aq e sëmurë sa edhe e vendeve të tjera të shpallura në krize dhe po lëngon keqazi. Por mosveprimi dhe veprimet e gabuara nga zyrtarët tanë janë me pasoja në kurriz të ketij buxheti të drobitur:
·    Kosto e shtuar e buxhetit me 6 miliardë lekë nga kërkesa e sforcuar për fonde në kohën që kishte mungesë likuiditeti.
·    Humbje me afro 8 miliardë lekë nga mosulja e normës së interesit me 2%.
·    Shtrenjtimi i kostos së kredisë në po të njëjtat përmasa për bizneset dhe individët në marrëdhënie kreditimi me sistemin bankar këto dy vitet e fundit.
 
4.    Kriza në jetën reale të çdo shtetasi. Nga krizë e perceptuar tashmë ajo shndërrohet në krizë të përjetuar në qelizën e familjes: rritje të çmimeve të ushqimeve, rritje zyrtare e çmimit energjisë me 15.6% dhe shumë më tepër realisht për shkak të abuzimeve, rritje e tarifave të ujit, vizitave mjëksore, komisioneve bankare etj.; shtim të numrit të të papunëve në 20 mijë vetë sipas sindikatave, falimentime e rënie drastike të xhiros në dyqane e biznesin e vogël, ulje të dërgesave nga emigrantët, dobësim i lekut, përkeqësim në klasifikimin e vendit, më pak investime publike e private, më pak shkolla e spitale, pensione gjithnjë e më të pasigurta, por me shume veprimtari kriminale me pastrim parash edhe ne banka etj. Rezultati është i qartë: vitit 2009 na la trashëgim më shumë të papunë dhe kryefamiljarë që jetojnë me shpresën e dërgesave nga të afërmit në mërgim, më shumëe pensionistë që shtyjnë muajin me ndihmë të fëmijëve, më pak nxënës në shkolla, më shumë të sëmurë në pamundësi përfitimi shërbimi shëndetësor cilësor etj.
 
5.    Kriza e mosbesimit: Kemi arritur në atë fazë ku mosbesimi është kthyer në sindrom për qeveritarin dhe vetë popullin. Kështu, qeveritari e zyrtari nuk i beson më popullit të vet. Ai i vjedh votën, i merr pronën, pastaj e vjedh me monopole e korrupsion dhe kur s’i mjafton dhe kjo fut duart direkt në xhepat e shtetasit. I merr para për Gerdecin, i merr para për tunelin e Kalimashit, për permbytjet dhe pastaj i merr para për energjine elektrike dhe ujin ku vetë shteti është pronar. Bën sikur i rrit rrogën që pastaj ia merr prapë me çmimet e rritura, bën sikur i ul taksat, të cilat i merr dyfish me manovrime të tjera. Por dhe populli nuk i beson më zyrtarët e tij. U jep buzeqeshje fallco, bën sikur punon në administratën shtetërore, etj. Imponon riparimin e ndonjë rrugë gjatë fushatës zgjedhore, pasi e di që ma pas do të shohë vetëm shpinën e qeveritarit. Të papunët i besojnë më shumë zgjidhjes tek këmbët e tyre në marshimin disaditor të kalimit të paligjshëm të kufirit, sesa të kërkojnë punë me mendjen e burokratit në zyrat e shtetit.
 
Me këtë qeverisje kriza do të vijojë edhe përgjate vitit 2010. Do të jetë një vit i vështirë për të gjitha familjet shqiptare, në shumë drejtime. Partisë Socialiste i bie barra e imponimit për ndreqjen e ekonomisë. Ne besojme dhe jemi optimistë se janë mundësitë për të përballuar dhe risistemuar situatën tejet të rëndë ku e ka futur ekonominë dhe gjithë jetën e vendit qeveria aktuale. Kjo kërkon:
·    Transparencë të plotë dhe reale të gjendjes ku ndodhet ekonomia.
·    Rivendosjen e stabilitet makroekonomik në të gjithë treguesit.
·    Kryerjen e reformave strukturore në ekonomi dhe sidomos vendosjen në skenare realiste të buxhetit të këtij viti dhe të viteve në vazhdim.
·    Luftë monopoleve, korrupsionit, kapjes së shtetit e krimit të organizuar. Prania e tyre në çdo sektor të ekonomisë, me mbështetje nga oborri qeveritar dhe klientet e tij duhet të marrë fund përpara se sa të fundosin ekonominë.
·    Ndryshim në mjedisin e biznesit, mbrojtje reale të investitorëve dhe të pronës.
·    Dhe se fundi, ne premtojmë sjelljen shumë shpejt në skenë të mirëqeverisjes, e cila do nxjerrë jashtë skenë keqqeverisjen e deritanishme.
Ju faleminderit dhe punime të mbara! Ditët e mira paskëtaj vijnë!
 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm