Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Hapësira të reja bashkëpunimi me Gjermaninë në kulturë dhe arsim

Fjalime

Hapësira të reja bashkëpunimi me Gjermaninë në kulturë dhe arsim

18 Feb 2016    
Të nderuar kolegë dhe kolege,

Kur votuesit na besuan të qeverisim vendit, na besuan për programin e zhvillimit ekonomik, kulturor, arsimor dhe një vend që të forcojë marrëdhëniet me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë.
Shumë reforma po zbatohen, shumica të vonuara, me kosto për momentin, por të domosdoshme për të dalë nga rrethi vicioz i varfërisë dhe zhvillimit të pakët. Ato kanë filluar të japin efektet e tyre.
Zhvillimi i ekonomisë, hapja e vendeve të punës, kthimi i vendit tonë në një vend atraktiv për të huajt, ka nevojë për investime të huaja; investimet e huaja kanë nevojë, jo vetëm për ligje dhe politika të favorshme, por edhe për promovim të Shqipërisë; promovimin e vendit mund të bëjnë me bukuritë, vlerat kombëtare dhe njerëzore që kemi.
Marrëveshja që diskutohet sot ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin kulturor dhe shtojca e kësaj marrëveshjeje synon të forcojë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës.
Gjatë këtyre viteve të tranzicionit, me zhvillimet positive dhe problematikën e madhe që na ka shoqëruar, është hedhur dhe vazhdon të hidhet baltë për vendin. Sikur të mos mjaftojnë problemet e madha në fushën e arsimit, të ruajtjes dhe të promovimit të kulturës, shkencës të mbartuara, dhe probleme të tjera janë krijuar në vite, diskutimet në parlament dhe mosdiskutimi i problemeve në fushë dhe dhënia e alternativave të zgjidhjes së këtij problemi dëmton zhvillimin e vendit dhe tërheqjen e investimeve të huaja
Shqipëria nuk është ajo që shpesh të tjerët, që nuk na njohin, dëgjojnë ditëve të enjte në parlament.
Vendi ynë ka nevojë të promovohet dhe të zhvillohet, ka nevojë për programe, aktivitete dhe politika të përbashkëta në fusha me interes të drejtpërdrejtë, të tilla si: kultura, arsimi, shkenca, arsimi akademik dhe profesional.
Pikërisht, kjo marrëveshje mundëson shkëmbimet në fusha me ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin e vendit, do të nxisë më tej njohjen më mirë të vlerave që mbart secili vend si dhe të kulturës, jetës shpirtërore dhe mënyrës së jetesës së njeri-tjetrit.
Në fushën e artit dhe kulturës, në këto dy vite të qeverisjes u arrit të bëhet inventarizmi i monumenteve të kulturës dhe një sërë restaturime të objekteve me vlera kombëtare, të lëna nën meshirën e fatit, të kafshuara, të rënuara, bazuar në politikën grabit kush të mundë dhe sa të mundë. Vendi ynë ka të rinj dhe të reja, artistë që, pavarësisht trajtimit financiar aspak dinjitoz dhe mungesës së hapësirave të krijuara ndër vite, promovojnë vlerat artistike, kulturore dhe shkencore të vendit, brenda dhe jashtë tij.
Në programin elektoral dhe më pas qeverisës premtuam dhe po zbatojmë politika që promovojnë artin kulturën dhe turizmin kulturor. Sot, me politikat e ndërmarra, ka mundësi më të mëdha që vlerat kombëtare dhe kulturore të mbrohen dhe të promovohen edhe jashtë vendit, duke ndikuar, jo vetëm në njohjen e pjesës së bukur të vendit, por edhe promovimin e turizmit, rritjen ekononomike, krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin e rajoneve të lëna në harresë. Turizmi kulturor është një mundësi e madh për familjet dhe bisnesin në përgjithësi dhe ata të përfshirë konkretisht në këtë fushë.
Pikërisht, kjo marrëveshje parashikon shkëmbimin e njohurive mbi artin, letërsinë, gjuhën, kulturën gjeografinë dhe historinë e vendit e të fushave të përafërta, nëpërmjet organizimit të turneve të artistëve dhe ansambleve artistikë, organizimit të koncerteve, shfaqjeve teatrore dhe shfaqjeve të tjera artistike, zhvillimit të ekspozitave në gjini të ndryshme të artit pamor, brenda të cilave mund të përfshihen ekspoze apo shkëmbime të biznesit e turizmit, si një vlerë e shtuar e këtyre eventeve, dhe nxitjen e kontakteve mes shtëpive botuese, bibliotekave, arkivave dhe muzeve, të përkthimeve të letërsisë artistike, literaturës shkencore dhe asaj të specializuar.
Shqipëria është vendi i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare; pakicat kombëtare janë një vlerë e shtuar. Nga ana tjetër, shumë familje kanë emigruar në vendet perëndimore, përfshirë dhe në Gjermani. Kemi detyrimit të mundësojmë rruajtjen e gjuhës amtare në fëmijëve që jetojnë jashtë trojeve shqiptare dhe promovimit të vlerave.
Kjo marrëveshje mundëson shkëmbimet kulturore me pakicat kombëtare, mësimin e gjuhës së vendit tjetër, mes këmbimit të mësimdhënësve, lektorëve, këshilltarëve e ekspertëve të ndryshëm të fushës së arsimit; vënien në dispozicion të librave e materialeve didaktike, pjesëmarrjen e mësuesve dhe studentëve në kurse formimi e kualifikimi, shfrytëzimit të mundësive që ofron radioja dhe media televizive në secilin vend, për të përhapur gjuhën e palës tjetër.
Kjo marrëveshje do të rrisë shkëmbimet mes universiteteve, pedagogëve dhe studentëve, do të ndikojë në rritjen e kualifikimit të tyre. Në kuadër të ligjit për arsimin e lartë, të miratuar së fundmi në parlament, mundësitë e zhvillimit dhe zbatimit të projekteve të tilla rriten më shumë. Por, pa marrëveshje të tilla, mundësitë e krijuara nga ligji mbetet të bukura, por të parealizueshme.
Në këto 25 vite kemi trashëguar një sistem arsimor dhe një infrastrukturë të varfër. Ju kujtohet vite më parë, sesi pronat publike u zaptuan, jo për parqe dhe lulishte, streha për të pastrehët, por per të ndërtuar bisnese familjare për të mbajtur familje që nuk kishin mundësi të tjera jetese, por edhe vende ku pihej dhe luhesh bixhoz . Sikurse “mbinë” kioska vend e pavend, kështu mbinë shkolla dhe universitete private, duke gllabëruar nga xhepat e shqiptarëve kursimet dhe shpesh bukën e gojës, me qëllim që të shkollonin fëmijët, pa ditur që do të merrni një diploma, por jo dije, se do të shtonin më shumicë studentë që kanë disa kartone, por nuk kanë dije dhe profesione për të cilat ka nevojë tregu i punës.Une i perkas asaj kategorie te profesoreve qe mendoj se nje pjese e studenteve ne keto shkolla kane qene shume te mire, por shume prej tyre nuk kane marre dije, por vetem nje kartone.
Mbyllja e skemës së piramidave arsimore mashtruese që si qëllim të vetëm kishin pasurimin dhe lehtësimin e barrës së qeverisë së kohës për punësim, pavarësisht se krijonte një dëm social dhe ekonomik të madh me pasoja afatgjatë për ta dhe gjithë shqiptarët, është një reformë që kjo mazhorancë pati kurajon ta ndërmarrte, megjithë kundërshtitë dhe problemet që mund të krijohen nëse nuk zbatohet ligji me kujdes, nëse nuk invesitohet dhe rriten buxhetet për të rritur cilësinë e arsimimit dhe lidhjen e tij me nevojat e tregut, por jo me standardet e tregut shqiptar, por atij europian.
Reforma në arsimin e lartë e ndërmarrë nga kjo qeveri mund të jetë e suksesshme, atëhere kur ata që ofrojnë arsim do të kenë të gjitha mundësitë dhe mbështetjen e duhur në procesin e kualifikimit dhe kërkimit shkencor; të kenë mundësi të bëjnë kërkime shkencore në institucionet më të mira gjermane.
Një hap tjetër po aq me rëndësi është rritja e cilësisë së arsimit të mesëm dhe të lartë dhe kualifikimeve shkencore me qëllim që shkolla shqiptare të ofrojë formim sipas kërkesave të tregut europianj të punës.
Marrëveshja synon bashkëpunimin në të gjithë sektorët e arsimit, duke shkëmbyer informacion, përvojë, por edhe delegacione e individë ndërmjet institucioneve përkatëse, ndër të tjera edhe të bibliotekave dhe arkivave, shkëmbimin e shkencëtarëve, mësuesve, arsimtarëve, doktorantëve, studiuesve dhe personelit administrativ të shkollave të larta e institucioneve të tjera shkencore, duke nxitur pjesëmarrjen në konferenca shkencore dhe duke ofruar bursa, me qëllim formimin, kualifikimin e kërkimin shkencor.
Kjo marrëveshje lehtëson procedurat e lëshimit të lejeve të qëndrimit dhe të punës për personat që shkëmbejnë pervoja.
Një mundësi e madhe që krijohet është shqyrtimi i kushteve të njohjes reciproke të diplomave dhe titujve akademikë, për qëllime akademike, si dhe mundësite për të lidhur një marrëveshje të veçantë në këtë fushë.

Pra, të gjithë ju qytetarë të vendit, që keni investuar për shkollimin e fëmijëve në shkolla dhe universitetet gjermane, keni një mundësi që ky investim të këtë një vlerë edhe më të madhe, por edhe ne si qytetarë të vendit mund të përfitojmë nga investimet e duhura.

Reforma territoriale-administrative dhe miratimi i ligjit “Për vetqeverisjen” mundësojnë një zhvillim më të mirë dhe të qëndrushëm të rajoneve.

Nga kjo marrëveshje mund të përfitojnë institucione kulturore institutet e kulturës, shkollat e larta, organizatat shkencore, institucionet kërkimore, shkollat e formimit të përgjithshëm dhe atij profesional, të formimit profesional të fushës së turizmit, institucionet e formimit dhe kualifikimit të mësuesve, të arsimimit të të rriturve, bibliotekat dhe sallat e leximit.

Kolegë dhe kolege deputete,

Ratifikimi i një marrëveshje mundëson hapësirat për bashkëpunim më fusha të rëndësishme. Por kjo nuk mjafton.
Rëndësi ka identifikimi i nevojave dhe mundësi të barabarta për për të gjithë zonat dhe individët që plotësojnë kriteret e parashikuara në programet e zhvillimit.
Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, parashikohet ngritja e një komisioni të përbërë nga përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, për të përpunuar rekomandime dhe programe për bashkëpunimin e ardhshëm, si dhe për të bërë një bilanc të shkëmbimit të realizuar në kuadër të marrëveshjes.
Do të vlerësoja shumë që qeveria të sjellë marrëveshje të tjera të dobishme në fusha me rëndësi përfshirë edhe shëndetësinë, me vende që kanë përvojë dhe ku kemi nevojë të promovojmë dhe të mbështesin shtetasit shqiptarë- emigrantë.
Do të kërkoja që ky komision të japë mbështetje dhe frymëmarrje zonave “të harruara” dhe të lënë në harresë gjatë këtyre viteve me qëllim që qytetarët shqiptare të jetojnë me dinjiet në çdo zonë të vendit ku kanë lindur ose kanë zgjedhur të banojnë.

Faleminderit!

*Fjala e deputetes Vasilika Hysi në seancën parlamentare të datës 18 Shkurt 2016
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm