cc

Ilia Stefo, njeriu i duhur për të vazhduar në drejtimin e duhur

Përshëndetje të gjithëve!

Në radhë të parë do t’ju kërkoja që këtu sot të mbanim një minutë heshtje për mikun tonë Arben Malo, kryetari i Bashkisë që bëri një punë të admirueshme në përpjekjen e Rilindjen së Kolonjës dhe që u nda krejt papritur nga jeta.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Rrethanat e deshën që ne të rikthehemi këtu për një zgjedhje të parakohshme duke qenë të sigurt që, pasi kemi bërë një proces komunikimi dhe konsultimi, jo vetëm më partitë e koalicionit, por dhe me komunitetet në të gjithë Bashkinë e re të Kolonjës, Ilia Stefo është njeriu i duhur për të vazhduar në drejtimin e duhur dhe për të ecur sëbashku me ju drejt objektivit të transformimit rrënjësor të kësaj Bashkie duke bërë për këtë Bashki gjatë këtij mandati, që nisi me Arbenin dhe do të përfundojë me Ilian, më shumë se ç ‘është bërë në 20 e kusur vite të marra sëbashku.

Kur u takuam aty përpara se të vinim këtu në shesh, Pandi tha: “Ilia e ka filluar mirë, njësoj si ti kur u bëre kryetar Bashkie, me xhaketë të kuqe”.

Unë besoj se ne sot jemi në kushtet kur mund të vijmë dhe mund të kërkojmë me kokën lart mbështetjen e gjithë këtij komuniteti, pasi jemi të bindur që, pavarësisht vështirësive të mëdha, problemeve të mëdha që ende kërkojnë zgjidhje, halleve dhe sakrificave, ky komunitet  e ka shumë të qartë që në këto tre vite qeveria dhe kjo shumicë i ka hapur rrugë një procesi të jashtëzakonshëm, historik, transformimi të vendit, duke bërë reforma rrënjësore, të cilat të tjerë përpara nesh as nuk i menduan, jo më të merrnin kurajon dhe t’i bënin.

Reforma të mëdha për të vendosur bazën e një shteti normal dhe dinjitoz të Shqipërisë;

Reforma të mëdha që duan kohën e tyre, që nuk janë festa, nuk janë shëtitje, janë operacione të dhimbshme, shpesh shoqërohen me ilaçe të hidhura, por janë të domosdoshme për t’i dhënë të gjithë atyre që këtu janë më të rinj, fëmijëve të Kolonjës dhe fëmijëve të të gjithë Shqipërisë, një Shqipëri të gjeneratës tjetër, që të mos jetë Shqipëria që trashëguam për shkak të mungesës së reformave, për shkak të keqqeverisjes, për shkak të mungesës së shtetit.

Paralelisht, jam i bindur që edhe ky kantier që Arbeni nuk mundi ta shihte të përfunduar dhe që do të përfundojë me Ilian, nuk është se zgjidh problemet e papunësisë, apo varfërisë, por, ama, ky kantier, kjo hapësirë e madhe publike e transformuar rrënjësisht u jep të gjithëve mesazhin e qartë se një epokë e re ka filluar, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe këtu, pranë shtëpive tuaja.

Me përfundimin e kësaj hapësire të transformuar në një qendër dinjitoze për një qytet me histori dhe me tradita, për një zonë ku, padyshim mund të zhvillohet më tutje turizmi, të tjera kantiere do të shtrihen deri në fshatin më të largët.

Ky është modeli.

Këtu bëhet dhe dallimi nga modeli dëshpërues i të shkuarës, tek ky model plot shpresë i të ardhmes.

Unë nuk dua që të zgjatem, sepse, – e tha dhe Arta, e tha dhe Klajda, e tha dhe Pandi, edhe Niko dhe të gjithë me radhë, – nuk është një moment tipik fushate për entuziazëm, por është një fushatë e detyruar nga një tragjedi njerëzore që askush nga ne nuk e priste.

Për këtë arsye, unë besoj shumë që kjo është një fushatë që nuk kërkon shumë fjalë. Padyshim, kërkon shumë komunikim me të gjithë për të përfituar nga ky rast për të shpjeguar gjëra që kanë nevojë për shpjegim, për të transmetuar informacione dhe argumente që kanë nevojë të transmetohen lidhur me çfarë është bërë, çfarë po bëhet, çfarë do të bëhet më tutje në tërësi për vendin tonë dhe në veçanti për Kolonjën.

Unë besoj që  është një fushatë që, për hir, jo thjesht të detyrimit për të zgjedhur një kryetar Bashkie, por edhe të respektit për një punë të nisur, që duhet të vazhdojë, këtë herë kolonjarët nuk duhet të ndahen në: këtej dhe andej; tanët dhe tyret; majtas e djathtas, – megjithëse këtu edhe djathtas të majtë ka, – por duhet të bashkohen në një votim, ku vota në radhë të parë duhet të jetë shprehje e respektit për një punë të nisur dhe patjetër edhe e bindjes se vetëm duke kaluar stafeta brenda kësaj familjeje politike, puna e nisur mund të vazhdojë dhe mund të përfundojë.

Nuk mundet, – kjo është e vërteta, – nuk mundet dot të vazhdojë projekti ynë, as në gjithë Shqipërinë, as këtu në Kolonjë duke ndërruar dorë për një arsye shumë të thjeshtë: sepse ne jemi të ndarë, jo në të majtë e në të djathtë, ne jemi të ndarë në dy botë të ndryshme. Jemi të ndarë në dy rrugë që janë krejtësisht të ndryshme.

Se cila është bota e tyre; se cila është rruga e tyre, nuk ka nevojë të flasim ne. Ktheni kokën dhe e keni aty, 3 e 20 e vjet përpara.

Se kush është bota dhe rruga jonë s’ka nevojë ta ktheni kokën mbrapa. Mjafton të shikoni përpara jush dhe kudo ndihet era e një ndryshimi që vjen ditë pas dite, hap pas hapi, me shumë vështirësi, me sakrifica, me probleme.

Por kush është mësuar ta ndërtojë jetën në familjen e tij me punë të ndershme e di që frytet e punës së ndershme nuk vijnë sa hap e mbyll sytë.

Frytet e punës së ndershme nuk vijnë duke pritur, duke ndenjur, apo thjeshtë duke ardhur mëngjesi tjetër.

Frytet e punës së ndershme duan mund dhe duan kohë; duan sakrifica dhe duan durim.

E njëjta gjë vlen edhe për punën që ne po bëjmë për të bërë më në fund shtet në këtë vend dhe për t’iu dhënë të gjithë njerëzve mundësinë e një shprese dhe të një shansi të vërtetë.

Prandaj fjala ime e fundit është shumë e thjeshtë.

Kur të vijë dita e zgjedhjeve, 20 nëntor,  ju duhet të keni bërë punën tuaj si miq të Arbenit, si miq të Ilias, si pjesëtarë të kësaj familjeje të madhe të të majtës, si qytetarë dhe si fqinj të fqinjëve tuaj, për të çuar në kutitë e votimit që të gjithë.

Jo sa më shumë, por që të gjithë.

Që të gjithë ata që gdhihen dhe ngrysen këtu dhe që prej kaq shumë vitesh kanë pritur një ditë kur dikush dhe disa të mendojnë për fëmijët e tyre, për fëmijët e njerëzve që jetojnë këtu; Kur dikush dhe disa të mos e konsiderojnë Kolonjën thjeshtë një rezervuar votash dhe të mos shfaqen këtu vetëm kur është radha për të marrë votat, e as mos e braktisin si një xhep fallso, pasi ky vend i ka dhënë kaq shumë historisë së atdheut tonë, sa është një nga pikat e gravitetit të kësaj historie.

Pikërisht sepse sot, më në fund, ka për Kolonjën një mundësi reale, një tjetër njeri që merr një stafetë në një rrugë të ndërprerë përgjysmë dhe një skuadër njerëzish në Tiranë që duan që realisht kjo Bashki e re të bëhet vendi i shpresës dhe i mundësive për njerëzit që jetojnë këtu, të gjithë duhet të votojnë për Ilia Stefon.

Nuk është këtë herë thjesht një votë për një kandidat mes dy kandidatëve.

Është një votë për Kolonjën.

Është një votë për familjen tuaj.

Është një votë për fëmijët tuaj.

Është një votë për të marrë hak për 20 e kusur vite që këtu nuk vuri njeri një gur dhe për të çuar përpara projektet që ne kemi nisur sëbashku, rrugën që lidh Kolonjën me Korçën dhe Korçën me Kolonjën, ujësjellësin, e me radhë, të gjithë ato projekte që unë ju siguroj me kurajo, me sakrifica, me punë, me durim do t’i japin fund një herë e përgjithmonë një historie që dukej e pafundme rrënimi dhe dëshpërimi.

Shumë faleminderit!

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryeministrit Edi Rama në Kolonjë