Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Ilir Beqja, diskutimi i mbajtur në Kongres

Fjalime

Ilir Beqja, diskutimi i mbajtur në Kongres

19 Apr 2010    

Të dashur shoqe dhe shokë socialistë,

Të respektuar miq e të ftuar,

Të nderuar qyetare dhe qytetarë të Shqipërisë,

Vendi po kalon një situatë shumë të rëndë ekonomike. E ndjejnë buxhetet e familjeve shqiptare. E ndjejnë sipërmarrjet. E ndjejnë eksportuesit. E ndjen biznesi i vogël. E ndjejnë fermerët. Dhe më shumë se kushdo e ndjejnë familjet shqiptare.

Nëse Shqipëria duhet të dalë sa më shpejt nga kriza më e rëndë ekonomike që prej vitit 1991, e ka të domosdoshme të masë progresin që bën në përpjekjet për daljen nga kriza, të përcaktojë disa objektiva konkretë që duhen përmbushur.

Në kohë krize ndodh shpesh që treguesit e ecurisë së ekonomisë nuk i pëlqejnë qeverive. Në Shqipëri po tentohet të errësohen të dhënat më të rëndësishme e të mbulohen me një lumë treguesish periferikë dhe pjesorë, jo rrallë herë të parëndësishëm. Qeverisë i duket, sot, sikur ka të drejtë të përdorë vetëm ato të dhëna që asaj i pëlqejnë. Qeveria nuk po përballet dot me problemin dhe është duke fabrikuar një realitet virtual, jo real.

Një sistem demokratik ka nevojë që politikanët të përgjigjen për aktivitetin  e tyre përballë qytetarëve në bazë të objektivave që pranohen nga të gjithë.
A kanë kontribuar në shtimin e pasurisë kombëtare të vendit të tyre? A kanë përmirësuar mirëqënien e qytetarëve të vendit të tyre?

Para rreth 2 vjetësh jeta jonë e përditshme ishte e pushtuar nga informacioni zyrtar për mrekullinë ekonomike shqiptare. Dukej sikur shqiptarët po arrinin parajsën. Në krye të fushatës tallavitëse ishte vetë kryeministri vendit. Ai deklaroi i pari rritjen ekonomike dy shifrore. Por, me gjithë përpjekjet e tij, me gjithë përfshirjen poshtëruese të Institutit të Statistikave në manipulimin e të dhënave të realitetit ekonomik në Shqipëri, mrekullia ekonomike u venit, u fashit dhe përfundoi në ngricë vetëm për 15 muaj. Në shtator 2008 rritja ekonomike ishte 9.9 %, në dhjetor 2008 ishte 8.6 %, në mars 2009 ishte 6 %, në qershor 2009 ishte 5.2 %, në shtator 2009 ishte 4.3 %, në dhjetor përfundoi -0.8 %. Pikiatë e vërtetë. Këto që thashë janë shifrat zyrtare të INSTAT.
Shifra të përgatitura nga i njëjti institucion që na thotë se hotelet dhe restorantet në nëntor e dhjetor 2009 kanë punuar më shumë se në korrik e në gusht 2009. Po çfarë paskan bërë miliona vizitorët e ardhur në shtëpi verën e kaluar? Të paktën sipas qeverisë. Sipas INSTAT, turistët e huaj verën e kaluar paskan ardhur në Shqipëri me bukë me vehte dhe paskan fjetur në qiell të hapur.
Para 6 ditësh, të hënën, INSTAT na tha se rritja ekonomike për vitin 2009 është 3.3 %. Kolegë të ndryshëm në partinë socialiste, përfshirë edhe unë vetë, prej muajsh kemi analizuar dhe sjellë në dritën e diellit fakte të ndryshme që provojnë se në vitin 2009 nuk ka rritje ekonomike në Shqipëri. Para 4 ditësh, të mërkurën, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë na dha të dhëna të mjaftueshme që provojnë se rritja ekonomike në vitin 2009 është zero. Banka e Shqipërisë deklaroi sa është defiçiti buxhetor në vitin 2009 dhe peshën e këtij deficiti në Produktin e Brendshëm Bruto. Kaq mjafton që kushdo të llogarisë se Produkti i Brendshëm Bruto në vitin 2009 është 1,112 miliardë lekë. Krahasuar me 1,087 miliardë lekë të vitit 2008, rezulton se rritja nominale është 2.3 %. Po aq sa shifra zyrtare e inflacionit për vitin 2009. Pra, inflacioni e ka “ngrënë” rritjen nominale dhe ka zeruar rritjen reale të ekonomisë.

Rritjen ekonomike e zeroi inflacioni zyrtar i INSTAT. Në llogaritjen e inflacionit, INSTAT na thotë se ushqimet zënë 37 % të shpenzimeve mujore. Por a është kjo e vërtetë? Pa dyshim që jo. Këtë thonë të paktën 90 % e familjeve shqiptare. Por e thotë edhe INSTAT në dokumente të tjerë. Në anketën e vitit 2008 për Matjen e Standartit të Jetesës, INSTAT thotë që ushqimet zënë 55 % të shpenzimeve mujore. Në anketën e Buxheteve familjare të vitit 2007, INSTAT thotë që ushqimet zënë 47 % të shpenzimeve mujore.
INSTAT na thotë se telekomunikacioni është 20 % më i lirë. Para dy javësh, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare raportoi në Kuvend se të ardhurat e operatorëve të telekomunikacionit janë të njëtja. Nëse familjet shqiptare shpenzojnë njësoj për telefoninë, ku djallin e gjen INSTAT uljen e telekomunikacionit.
INSTAT na thotë se energjia elektrike është shtrenjtuar 8 – 9 %. Por, në dhjetor 2009 Enti Rregullator i Energjisë deklaroi se energjia elektrike u shtrenjtuar 13 %.
Nëse INSTAT do të përmbushte misionin e tij, nëse INSTAT nuk do të manipulonte të vërtetën, inflacioni i muajit të kaluar do të ishte 6 % dhe jo 3.9 %. Që inflacioni është më i lartë se 3.9 % ju të dashur shqiptare e shqiptarë e ndjeni për ditë. Ju na keni thënë se me më shumë lekë ju sot bleni më pak. Para 6 ditësh, një bukëpjekës në Pukë më tregoi se njerëzit sot po martohen me veresie dhe se po varrosin të afërmit e tyre me veresie.

Martohen me veresie e varrosin të afërmit me veresie sepse nuk kanë punë. INSTAT na thotë se papunësia është 12.7 %. Por INSTAT na thotë se të punësuarit në qytet e në fshat nuk janë më shumë se 970 mijë. INSTAT na thotë se parashkollorët janë 230 mijë, nxënësit janë 730 mijë e studentët janë e pensionistët janë 530 mijë. Pra, në tabela të ndryshme të INSTAT rezulton se janë 740 mijë të papunë, ndërsa tek shifra e papunësisë raportohen 142 mijë. INSTAT-i i Sali Berishës i ka në librat e tij 600 mijë shqiptarë në moshë pune që nuk kanë punë, por nuk arrin të përfshijë në numrin e të papunëve.


Sot jemi 18 prill 2010, por INSTAT i ka bërë të njohur publikut situatën e punësimit vetëm deri në shtator 2009. Zyrtarisht, në 9 muajt e parë të vitit 2009 punësimi është pakësuar me 1,300 vetë. Sindikatat na dëshmuan se në vitin 2009 kanë humbur vendin e punës 20 mijë vetë.
Por edhe në muajt e afërm nuk pritet të ketë vende të reja pune. Dhe kjo sepse kanë rënë importet e makinerive dhe pajisjeve. Pas shumë muajsh memecëri, Sali Berisha u ngjall para disa ditësh duke na u mburrur për eksportet shqiptare. Përsëri, në përpjekje për të tollovitur mendjet e shqiptarëve, kryeministri i vendit na tha se jemi të dytët në botë. Por kryeministri i vendit përpiqet të përdorë si patericë për të treguar gjallërimin e ekonomisë së vendit, vetëm nënçmimin e lekut. Leku është nënçmuar në vitin 2009 me 7.6 % ndaj euros. Në muajt e parë të këtij viti ky nënçmim ka arritur në 12 %. Nënçmimi i lekut mund të sjellë në dukje rritje të volumit tregtar, por ne bëjmë 60 % të tregtisë me Bashkimin Europian dhe është më shumë se normale, madje profesionale që vlerësimet t’i bëjmë në euro. Importi i makinerive e pajisjeve në euro është pakësuar me ¼, prandaj në muajt që vijnë nuk priten linja të reja prodhimi ku të punësohen të papunët apo të rinjtë që hyjnë në tregun  e punës.

E kam thënë edhe në disa raste të tjera kohët e fundit se po provohet se mazhoranca e Partisë Demokratike në Shqipëri vjedh në shtëpinë e vet. Këtë bëri në Ruzhdije, këtë bëri para 4 javësh edhe në sallën e Kuvendit. Më e keqja është se sot kjo qeveri po vjedh qytetarët e vendit të vet.

Ne socialistët kemi sot misionin atdhetar të shkurtojnë njëherë e mirë këtë dorë hajdute.
Në 30 prill fillojmë betejën pa kthim.

Mirëardhshi dhe Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm