Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Investimet në turizëm janë tregues i një politike premtuese për të ndërtuar në Shqipëri një ekonomi të re!

Fjalime

Investimet në turizëm janë tregues i një politike premtuese për të ndërtuar në Shqipëri një ekonomi të re!

29 Feb 2020    

Fjala e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në Kongresin Zgjedhor të Partisë Socialiste:

Në ditën më tragjike të gjeneratave tona, në 26 nëntor, Edi Rama i bëri thirrje industrisë së turizmit për të sistemuar dhe akomoduar të prekurit nga tërmeti. Padyshim ishte një thirrje e përgjegjshme nën përgjegjësinë e detyrës për të akomoduar mijëra qytetarë të cilët u gjendën në tragjedinë e 26 nëntorit.

Po ashtu ishte njohja e thellë e kryeministrit shqiptar, e maxhorancës sot, për një industri të tërë të krijuar në këto vite, për një fuqi të madhe ekonomike që janë hotelierët shqiptarë, turizmi shqiptar, administrata e këtyre strukturave, të cilët kuptuan në 26 nëntor se legjenda e thirri përsëri. Përsëri ajo legjendë e madhe shqiptare e cila është shkruar edhe në Kanun se shtëpia e shqiptarit i takon mikut dhe zotit, ndodhi në datën 26 nëntor. 6 mijë qytetarë shqiptarë të tmerruar nga humbja e çatisë mbi kokë dhe të trembur nën lëkundjet e tokës që vijonte të tundej, gjetën strehim në industrinë e cila sot ka gjithë nevojën për të qenë e mbështetur, e organizuar për të paraqitur në Shqipëri. një ekonomi të re që prodhon para’, punësim, mirëqënie.

Të nderuar miq,

Bashkëudhëtarë,

Shokë,

Vëllezër,

Bashkëluftëtarë për kaq shumë vite,

Kjo politikë është një politikë e qartë e ndërtuar që në ditën e parë kur Edi Rama dhe kjo mazhorancë erdhën në pushtet në vitin 2013. Orientuam qartë një politikë premtuese për të ndërtuar në Shqipëri një ekonomi të re.

Në katër vitet e mandatit të parë punuam shumë me reforma të mëdha si: reforma territoriale, reformën në energji, infrastrukturë dhe rend për të pasur mundësinë që në këtë mandat të dytë çdo ditë të flasim për turizmin. Në këtë mandat të dytë të ndërtojmë kudo në Shqipëri një destinacion me hotele të reja, investime të reja një destinacion që nuk u shkon vetëm atyre që kanë sipërmarrjet e mëdha por u shkon mijëra njerëzve të thjeshtë.

Nuk ka një qytetar të këtij vendi të mos ketë në lokalitetin e tij një investim të ri në turizëm.

Kjo është një politikë e orientuar qartë me pasion, punë të përditshme.

Kjo është një politikë e cila u drejtohet njerëzve të cilët kanë sjellë këtë fuqi ekonomike në vend.

Të nderuar miq më lejoni të thërras këtu një pjesë të hotelierëve të cilët kanë investuar nga veriu në jug dhe që sot kanë nëvojë për mbështetje.

Ata janë fytyra e kësaj ekonomie të turizmit që është ndërtuar. Po ashtu janë ata njerëzit që përfaqësojnë shqiptarin e thjeshtë dhe mikpritës.

Hotelierët kanë shumë nevojë për mbështetje. Kemi kaq shumë ëndrra të cilat, jo vetëm ky mandat por edhe mandati i tretë do të transformojë në një ekonomi të pashtershme që ta bëjë Shqipërinë një destinacion turistik europian.

Faleminderit!

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm