evis-kushi

Ligji i Vettingut i rëndësishëm, do shërbejë për të luftuar vjedhjen dhe korrupsionin në çdo fushë

 

I nderuar drejtues i seancës,

Të nderuar kolegë,

Ashtu sikurse edhe në korrik të këtij viti, kur votuam ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, akoma edhe sot jam e bindur që vëmendja dhe interesi i mbarë qytetarëve shqiptarë janë të fokusuar maksimalisht tek kjo reformë.

Ne nuk kemi patur asnjëherë as më të voglin dyshim, por sidomos tani, pas opinionit të Komisionit të Venecias, është e qartë si drita e diellit për të gjithë që ligji i Vettingut është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe i takon Gjykatës Kushtetuese që t’i hapë rrugë sa më parë zbatimit të tij.

Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se kemi mbi shpatulla një përgjegjësi shumë të madhe. Së pari, e kemi detyrim ndaj vendit tonë dhe popullit shqiptar, që e ka pritur dhe merituar plotësisht prej vitesh këtë reformë, dhe së dyti, e kemi edhe detyrim ndaj fëmijëve tanë, për t’u garantuar atyre një të ardhme dhe një Shqipëri më të drejtë, më të mirë, më të zhvilluar dhe më europiane.

Por, është pa dyshim përgjegjësi edhe përpara ndërkombëtarëve dhe aleatëve tanë strategjikë, BE dhe SHBA, të cilët janë përkushtuar dhe kanë dhënë një kontribut si asnjëherë tjetër, si për hartimin e reformës ashtu edhe për miratimin e saj; dhe që unë gjej rastin për t’i falenderuar edhe një herë dhe t’i shpreh mirënjohjen tonë të thellë jo vetëm në emrin tonë, por edhe në emër të qytetarëve shqiptarë që përfaqësojmë.

Ne të gjithë e konsideruam miratimin e kësaj reforme si një fitore të popullit shqiptar, sepse e tillë është vërtetë. Ajo rrit besimin tek institucionet e drejtësisë, ndihmon në konsolidimin e demokracisë, respekton nderin, pronën dhe lirinë e individit, të cilat fatkeqësisht në shumë raste janë nëpërkëmbur gjatë këtyre 25 viteve.

Por ne e dimë shumë mirë, që akoma më i rëndësishëm sesa miratimi është zbatimi i reformës dhe rezultatet e saj, impakti i drejtpërdrejtë mbi jetën e përditshme të qytetarëve të drejtë e të ndershëm, të cilët e kanë vuajtur më shumë se kushdo tjetër padrejtësinë, korrupsionin, vjedhjen, paaftësinë, e gjithë të këqijat që e mbysnin, sa herë që kishte halle e u drejtohej dyerve të prokurorive dhe gjykatave.

Sa shumë ligje e reforma kemi miratuar në këto 25 vite, por jo të gjitha janë zbatuar siç duhet, jo të gjitha janë respektuar nga të gjithë, e për këtë jemi të gjithë dëshmitarë. E çfarë vlere ka një ligj, nëse ai mbetet thjesht në letër?! Por këtë herë njerëzit presin shumë më tepër, dhe me të drejtë e lidhin këtë reformë jetike me të ardhmen dhe perspektivën e vendit. Nëse reforma do të jetë e suksesshme, sigurisht që do të shënojë një kthesë pozitive historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por nëse ajo dështon, askush nga ne nuk do të ishte optimist për t’i rritur fëmijët në këtë vend, as bizneset për të punuar e shpenzuar këtu, as kompanitë e huaja për të ardhur e investuar, as emigrantët për të ëndërruar që një ditë të kthehen në shtëpitë dhe atdheun e tyre.

Ndërkohë, qytetarët shqiptarë presin drejtësi jo vetëm në sistemin e drejtësisë, jo vetëm në gjykatë dhe prokurori, por ata presin drejtësi dhe profesionalizëm në të gjitha zyrat e shtetit dhe nga të gjithë punonjësit e administratës. Prandaj, unë mendoj që ne duhet të bëjmë të pamundurën që jo vetëm të pastrojmë sistemin e drejtësisë, kjo pa dyshim është prioritet, por ne duhet të luftojmë korrupsionin dhe hajdutërinë në çdo sektor.

Jo vetëm prokurorët dhe gjykatësit janë pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe të pamëshirshme. Ka për fat të keq punonjës të administratës shtetërore që nuk janë objekt i kontrollit të ILDKP, por që i kanë rrjepur xhepat e qytetarëve duke vënë pasuri marramendëse. Mund të jenë në çdo fushë, në tatime, në dogana, në hipoteka, në mjekësi, në arsim … Po me ta, çfarë do të bëhet? Do të vazhdojnë ata të blejnë vila luksoze, makina të shtrenjta, të shëndoshin llogaritë e tyre bankare?

Njoh punonjës që pagën e kanë vetëm 50 apo 60 mijë lekë të reja në muaj, por ama fëmijët i kanë me studime në universitete nga më të shtrenjtët në Europë apo Amerikë? Shumë mirë që investojnë për edukimin e fëmijëve të tyre, por ama nuk kanë asnjë justifikim për burimin e parave që shpenzojnë çdo muaj.

E pra, prandaj edhe ligji i Vettingut është veçanërisht shumë i rëndësishëm, sepse jo thjesht do të pastrojë dhe reformojë sistemin e drejtësisë në vetvete, duke nxitur përgjegjshmërinë, etikën, profesionalizmin dhe meritën në sistemin e karrierës, por do të shërbejë për të luftuar vjedhjen dhe korrupsionin në çdo fushë. Sepse pas kësaj, të korruptuarit nuk do të arrijnë dot të gjejnë shpëtim duke korruptuar prokurorët dhe gjykatësit, ata nuk do të jenë më të qetë, por do të përballen me ligjin dhe drejtësinë, duke marrë në çdo rast dënimin e merituar.

Dhe së fundi, duke qenë e lidhur ngushtë me fushën e arsimit, dua të shpreh edhe një problematikë tjetër që duhet të na shqetësojë seriozisht të gjithëve. Gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë është dëmtuar rëndë, për të mos thënë shkatërruar, morali i shoqërisë sonë dhe në përgjithësi sistemi i vlerave tek të rinjtë.

Nxënësit që në shkollë të mesme ushqehen me synimin që të studiojnë drejtësi, apo edhe degë të tjera ku fitohet lehtë, pa u lodhur, e duke siguruar përfitime të mëdha përtej pagës. Edhe gjatë studimeve në fakultet, ata hasin shumë modele negative ku vlerësimi bëhet në bazë të ndërhyrjeve apo rryshfetit, e më keq akoma në tregun e punës, ku aftësitë, puna dhe merita nuk janë gjithmonë kriteri kryesor për të fituar një vend pune apo për të bërë karrierë profesionale.

Kështu pra, ligji i Vettigut merr gjithashtu edhe një tjetër funksion shumë të rëndësishëm. Nëpërmjet tij, ne duhet të edukojmë tek brezi i ri vlerat e vërteta, ndershmërinë dhe integritetin si bazë për një shoqëri të shëndetshme.

Prandaj, dua t’ju ftoj edhe ju kolegë të opozitës që të bashkojmë të gjithë përpjekjet tona dhe në emër të qytetarëve shqiptarë t’u bëjmë thirrje gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese që të marrin sa më shpejt vendimin e tyre, vendimin e drejtë që i hap rrugë zbatimit të reformës në drejtësi dhe që na afron më shumë me Bashkimin Europian.

Dhe këtu dua të përshëndes dhe falenderoj Komisionin Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian, për mbështetjen dhe inkurajimin që i japin Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për punën e deritanishme, për reformat dhe rezultatet e tyre. Por më tej, hapja e negociatave varet vetëm nga ne, nga këmbëngulja jonë, për të vendosur interesin kombëtar dhe interesin e qytetarëve mbi çdo interes personal apo partiak, për të finalizuar zbatimin e reformës në drejtësi një orë e më parë.

Së fundi, e theksoj edhe një herë që reforma në drejtësi, dhe veçanërisht ligji i Vettingut është një shans, është një motiv për të gjithë ne shqiptarët, që të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë ta ndërtojmë pikërisht këtu, duke shpresuar dhe besuar që një ditë Shqipëria do të jetë si gjithë Europa.

Faleminderit!

* Fjala e deputetes Evis Kushi, në seancën e sotme parlamentare