Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Marrëveshja me FMN-në garanton rritje ekonomike, jo masa shtrënguese

Fjalime

Marrëveshja me FMN-në garanton rritje ekonomike, jo masa shtrënguese

03 Apr 2014    
Mendoja që për këtë vit ishte thënë gjëja më absurde që qeveria ju kundërvihet amatorëve të duhanit, por kam gabuar, sepse sapo dëgjova një gjë edhe më absurde, që qeveria është fajtore, sepse nuk po rriten çmimet.

Megjithatë, ky është një sesion i rëndësishëm për të folur me shqiptarët dhe për t’ju përcjellë disa mesazhe të qarta lidhur me këtë marrëveshje që sot merr miratimin e parlamentit, pas një procesi shumë intensiv negocimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pas vendosjes së një sërë objektivash për të cilët ne jemi të sigurt se jo vetëm do t’i arrijmë, por edhe se do të përbëjnë një kapërcim shumë të rëndësishëm strukturor në ekonominë dhe jetën e vendit, në tërësi.

Nga ana tjetër e kam thënë dhe e përsëris që ne jemi krenarë për marrëveshjen që kemi nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ne jemi krenar për faktin që FMN-në e thirrëm ne dhe nuk ka na e solli në derë, humnera përpara të cilës ishim. E thirrëm me vetëdijen e plotë se ishte koha për t’i kthyer vendit tonë, dinjitetin e rrënuar dhe për t’i kthyer financave tona ekuilibrin e shkatërruar thuajse plotësisht.

Dhe është pak, por e sigurt, se kjo marrëveshje që ne kemi arritur me FMN-në është një marrëveshje që garanton rritje ekonomike, është një marrëveshje që nuk bazohet në masa shtrënguese, është një marrëveshje për të cilën kemi marrë jo vetëm mbështetjen e plotë të Bordit, por edhe përgëzimet e të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë.

“Marrëveshje e fshehtë”- ky është një term shumë interesant, kur bëhet fjalë për një marrëveshje me një institucion kaq të madh dhe prestigjioz ndërkombëtar siç është FMN. E, sesi mund të bëjë FMN marrëveshje të fshehta me një qeveri, këtë mund ta thonë vetëm ata që marrëveshjet financiare i bëjnë me Suden dhe Vehbiun.

Nga ana tjetër të mos harrojmë asnjëherë se ku u nisëm dhe se çfarë e bëri jetike marrëveshjen, në buzë të humnerës ku e morëm drejtimin e vendit; Një mal me borxhe, të fshehura e të paregjistruara askund, plot 720 milionë dollarë, në formën e një pasigurie të plotë, të mbjellë në të gjitha marrëdhëniet e qeverisë dhe të shtetit me të tretët. Një borxh i cili praktikisht e kishte futur gjithë ekonominë në një lak që shtrëngohej dita-ditës, duke bërë që nga njëra anë, gjithë projektet e mëdha apo të vogla të qeverisë së mëparshme të mbeteshin rrugëve, rrugët të parat, duke bërë nga ana tjetër që kompanitë e angazhuara nga qeveria, me kontrata mashtruese, në mungesë të parave për t’i paguar, të lëngonin në pamundësinë për të mbajtur veten në këmbë, duke bërë që bankat të alarmoheshin përpara rritjes eksponenciale të kredive të këqija dhe të ndalonin së kredituari ekonominë dhe duke bërë që në tërësi, besimi ndaj ekonomisë dhe ndaj vetë vendit të ishte në kuotat më të ulëta.

Një borxh i fshehur. Njësoj si një borxh i fshehur në një shtëpi, ku i zoti i shtëpisë luan kumar, në vend që të paguajë borxhet që shtëpia i ka të tretëve dhe ku papritur e pakujtuar, shtëpia merr vesh se jo vetëm ka borxhet që i di, por ka edhe shumë borxhe që nuk i di.

Ajo që bëmë ne është që me përgjegjshmëri dhe me dinjitetin që duhet të ketë qeveria e zgjedhur demokratikisht e një vendi, i njohëm borxhet, i regjistruam borxhet dhe morëm përsipër t’i paguajmë borxhet, duke, në fakt, i legalizuar njësoj siç legalizohet një ndërtim pa leje dhe duke marrë përsipër që të vendosim në themelin e marrëdhënies së qeverisë me sipërmarrjen dhe me gjithë të tretët, parimin që një qeveri që nuk paguan borxhet e veta, nuk ka fytyrë t’i kërkojë të tjerëve të paguajnë borxhet e tyre.

Borxhe nga të katër anët.

Sot, falë kësaj marrëveshjeje, ne kemi hyrë në një fazë të re për ekonominë tonë, të shlyerjes së borxheve. Ashtu sikundër, falë kësaj marrëveshjeje, ekonomia jonë do të fillojë të ringrihet. Këtë vit, ne do të kemi rritje ekonomike, pasi e morëm vendin, pas një periudhe të fundit,(minus) -2.7% në tremujor e fundit përpara sesa ne të fillonim drejtimin e vendit dhe pasi trashëguam një katrahurë të plotë financiare dhe një rrëmujë të pashembullt në llogaritë e shtetit.

Tani, dua po ashtu, ta vë theksin në një pikë që jo vetëm marrëveshja nuk ka qenë e fshehtë, por gjithçka thuhet për taksa të reja, për ulje rrogash e pensionesh, për gjithfarë ndodhish katastrofike që shqiptarët do t’i kenë rrugës është tërësisht pjellë e një fantazie që lidhet me pamundësinë e kuptimit të votës së 23 qershorit dhe me pamundësinë për të gjetur rrugën dhe për t’u ulur në tokë dhe për të parë realitetin, për të kuptuar vetveten dhe për të kontribuar për vendin.

E vërteta është se ne mund të ishim gjendur në kushtet kur të ulnin rrogat pensionet, nëse nuk do të ishim angazhuar për të bërë ato reforma, që nuk janë bërë 20 vjet në këtë vend. Nëse nuk do të kishim negociuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ashtu siç e thashë që në fillim, me qartësi dhe dinjitet të plotë. Qartësisht kundër që në fillin, një marrëveshjeje të mbështetur tek masat  shtrënguese. Qartësisht që në fillim, për një marrëveshje fleksibël rritjeje ekonomike.

Fakti që është që ne, nga njëra anë, qysh në momentin e parë, qysh në vendimin e parë të rëndësishëm të qeverisë, megjithëse në kushte aq të vështira të ekonomisë dhe me atë mal borxhesh zbuluar përpara nesh, mbajtëm zotimin tonë më themelor, uljen e taksave për 95% të shqiptarëve. 97% u bë shifra e saktë, duke llogaritur të gjithë shqiptarët që përfituan nga ulja e taksave. Dhe jo vetëm kaq, por ulja e taksave që ne bëmë për 97% të shqiptarëve është e barabartë me rritjen më të madhe të rrogës, për të gjithë ata që janë në pjesën e poshtme të tabelës, krahasuar me tetë vitet e qeverisjes së mëparshme.

Nga ana tjetër është pak, por e sigurt, çka ne shohim sot, në rezultatet më të para të një administrimi të ri fiskal, bën që Fondi Monetar Ndërkombëtar, me të cilin ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, jo vetëm të mos ketë asnjë shenjë pesimizmi, por, përkundrazi, të ndjehet dhe të shprehet jashtëzakonisht i inkurajuar nga rezultatet e para. Kemi pasur një debat intensiv, që e ka penguar përfundimin e marrëveshjes për disa ditë dhe që lidhej me objektivat e vendosur për taksat, për tatimet dhe për doganat. Megjithatë e kemi pranuar sfidën dhe ja ku jemi sot, pas tre muajve të parë të një viti të ri, që ka filluar me ritmin e ri të rimëkëmbjes ekonomike.

Sot jemi në kushtet kur në tre muajt e parë të vitit, dogana ka realizuar objektivin me mbi 100% çdo muaj. Saktësisht 103% në muaj, duke mbledhur gjatë kësaj periudhe 955 milionë lekë më shumë sesa plani shumë ambicioz, i vendosur bashkërisht me FMN-në, ose ndryshe në total 320 milionë dollarë dhe nga ana tjetër, në mars 2014 janë mbledhur as më shumë e as më pak, por 22 milion dollarë më shumë sesa i njëjti muaj i një viti parë. E po ashtu, në tremujor janë arkëtuar gati 3.5 miliardë lekë ose ndryshe 35 milionë dollarë më shumë.

Kujtoni pak këtu, kur na thoshin do ta shikoni janarin, do ta shikoni shkurtin, sesi do shkoni në pikiatë, sepse u bënë ato zhdoganimet në dhjetor për t’i ikur taksave të rritura dhe kujtoni pak se si na thoshin, se me këtë rritje të taksës për biznesin, ne do të kishim rënie të të ardhurave, tkurrje të ekonomisë, rënie të eksporteve, rënie të importeve. Me një fjalë do kishim po atë katastrofë të parashikuar, por të pa ndodhur, si me rritjen e taksës së karbonit me 10 lekë, që do të bllokonte hyrjen e anijeve, lëvizjen e makinave dhe çdo lloj mjeti tjetër të motorizuar në Shqipëri dhe sot, Shqipëria do të ishte një vend këmbësorësh, në mungesë të plotë jo vetëm të mjeteve të lëvizjes, por edhe të energjisë elektrike.

Tatimet kanë mbledhur mbi 900 milionë lekë më shumë se plani, në tremujorin e parë. Që të kenë njerëzit të qartë se cili është krahasimi i këtyre tre muajve të parë të 2014-s me tre muajve e parë të një vit më parë, 45 milionë dollarë më shumë. 45 milionë dollarë më shumë!  Dhe të mos harrojmë një gjë, që 10% e të ardhurave fiskale të periudhës së mëparshme ishin gjoba pa asnjë kriter dhe karar, që ishin bërë për muaj të tërë zëri i tretë i të ardhurave, çdo muaj. Gjobat nuk aplikohen më si metodë për të shtuar të ardhurat. Nuk ekziston më! Dhe jo vetëm kaq, por ky Parlament miratoi edhe vendimin për anulimin e të gjitha gjobave të vendosura nën ethet e garës së humbur elektorale.

Nga ana tjetër besoj se është me shumë rëndësi që të theksohet një shifër që vlen. Në 6 muaj qeverisje të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” janë 150 milionë dollarë më shumë sesa në të njëjtët muaj të një viti më parë, pra, tetor-mars. 150 milionë dollarë më shumë!

Ndërsa, thjesht për të krijuar një ide se jo vetëm nuk ka pasur rënie, por ka pasur rritje qoftë të importeve, qoftë të eksporteve dhe rritja e importeve dhe eksporteve, bashkë me rritjen e konsumit për shtresën e mesme dhe më të ulët, nënkupto në nivelin e pagave, janë tregues i qartë se politika jonë ka funksionuar, janë tregues i qartë se ekonomia ka filluar të rivihet në lëvizje, janë tregues i qartë se kjo lëvizje nuk ka lidhje akoma, me injeksionin në ekonomi të gjithë volumit të parave që ne do të përdorim për të shlyer borxhet. Edhe se deri tani kemi paguar as më shumë dhe as më pak, po 120 milionë dollarë borxhe të fshehura dhe të prapambetura, që deri dje, siç e thashë, e kishin marr Shqipërinë peng dhe ekonominë në një lak që shtrëngohej dita-ditës për kompanitë, për bankat, për vetë qytetarët.

Më tutje, për të mos humbur shumë kohë, dua të vë theksin tek një element tjetër, tek energjia. Ka një propagandë shumë të madhe se këtu do të ketë një rritje të faturës së energjisë për familjarët. Ne këtu do jemi, siç jemi këtu pas atyre rritjeve katastrofike që nuk ndodhën dhe do të diskutojmë, besoj, në vjeshtën e ardhshme, për buxhetin e ri dhe do të bëjmë edhe një analizë për vitin. Aty pastaj le t’i ballafaqojmë faturat e energjisë. Këtu do jemi.

Ndryshimi midis nesh dhe atyre që deri dje ishin këtu ku jemi ne sot është se ne mbajmë përgjegjësi për ato që themi dhe në rast se në ndonjë rast nuk arrijmë dot të jemi aty ku themi, nuk  e kemi aspak të vështirë ta pranojmë. Ndërkohë që s’ka asnjë lloj mbajtjeje përgjegjësie për të gjitha llojet e broçkullave që thuhen këtu, sa herë që mblidhet ky Parlament dhe sa herë që përdoret ky mikrofon, nga ata që deri dje ishin këtu ku jemi ne sot.

Po ashtu nuk do të ketë taksa të reja dhe nuk do të ketë rrije taksash, se s’ka arsye të ketë as taksa të reja dhe as rritje taksash, në një vit ku kemi tërësisht nën kontroll të ardhurat dhe praktikisht kemi të ardhura, deri më sot, mbi planin, qoftë në tatime, qoftë në dogana. Në një vit ku ekonomia do të fillojë të performojë, sidomos në pjesën e dytë të vitit, si një ekonomi që rifillon të rritet duke ikur nga faza e tkurret së vazhdueshme dhe në një vit ku ne do t’i bëjmë ato reforma  për të cilat jemi angazhuar. Edhe reformën e pensioneve padyshim do ta bëjmë, sepse është një reformë e munguar prej 20 e kusur vitesh dhe është një reformë që ne nuk mundemi dot të bëjmë sikur mund të presë dhe t’ia lëmë pastaj, në kurriz, gjeneratave të tjera, barrën e tmerrshme të një deficiti që sot është i papërmbajtshëm, por që në 10 vitet e ardhshme mund të bëhet vrastar për ekonominë dhe për shoqërinë tonë.

Do ta bëjmë reformën, por nuk do ta bëjmë ashtu siç kujtoni ju, ashtu siç propagandoni ju dhe fatkeqësisht, ashtu siç edhe mendoni ju, që, megjithëse keni qenë tetë vjet në pushtet, e vetmja gjë që dini me pensionet është që po të bësh reformë, patjetër duhet të rrisësh moshën, aty për aty, për të gjithë ata që po dalin në pension. Kjo nuk do të ndodhë. Ashtu siç kemi vepruar në sektorë të tjerë, edhe tek pensionet, ne do të zbatojmë parimin tonë të progresivitetit dhe ata që janë sot në prag të pensionit nuk do të ndjejnë asnjë lloj peshe. Ndërkohë që peshën do ta mbajmë duke shkuar drejt moshave më të reja të cilat duhet të përgatiten për të punuar më shumë dhe për të jetuar më pak në pension. Tendencë e të gjitha vendeve të tjera, ndërkohë që jemi vendi i fundit në Europë në këtë aspekt dhe nuk kemi luksin që të jemi vendi i fundit në Europë në këtë aspekt, në gjendjen ekonomike dhe financiare që kemi.

Ashtu sikundër është për të ardhur keq, që rrugët të cilat ishin edhe mantra e tetë viteve kanë mbetur rrugëve dhe aty, realisht, problemi i madh është se në ndërkohë që është financiarisht e pamundur për t’i mbyllur të gjitha punimet, sepse kemi marrë dhe një angazhim tjetër ne, që nuk i ngarkojmë më borxhe kompanive, pra, nuk mundet më qeveria t’u thotë bëjini me lekët e juaja,  kur t’i kemi ne do t’ua japim, pra, duhet që t’i bëjmë me lekët që kemi. Ashtu sikundër nuk mund të bëjmë më tendera si tenderat e unazës së Tiranës apo të shumë rrugëve të tjera që për vlera milionëshe në euro hapej tenderi me 10 milionë lekë të vjetra, 5 milionë lekë të vjetra dhe i thuhej kompanisë “ik, merr ti kredi në bankë, se ti kemi ne ty”. Që do të thotë se këtu kemi një problem real për të trajtuar dhe për të zgjidhur,  pasi në ndërkohë, edhe për shkak se cilësia e punimeve është ajo që është, e ndikuar nga makthet elektorale dhe nga ethet e shiritave e gërshërëve, degradimi i tyre, në mungesë të përfundimit, shton koston.

Nga ana tjetër, ne kemi marrë përsipër një sfidë që nuk na e ka kërkuar askush, nuk na e ka kërkuar Bashkimi Europian, nuk është tek kushtet e procesit të integrimit në këtë fazë, që është futja në Shqipëri e Kodit të ri Doganor të Bashkimit Europian, i cili ka hyrë në fuqi të plotë në BE në vitin 2013. S’na e kërkon njeri, është një sfidë shumë e madhe pasi është një Kod tërësisht demokratik dhe shumë ndryshe nga Kodi në fuqi i joni që është i ’92-it dhe kërkon një administratë doganore shumë herë më të aftë dhe shumë herë më të gatshme, për t’i garantuar të ardhurat profesionalisht dhe jo me dhunë ndaj biznesit. Është një Kod që, me një fjalë të vetme, jo më doganieri, por sipërmarrësi është arsyeja që ka doganë.

Në 1 janar të vitit 2015, regjistrojeni dhe këtë se do ta diskutojmë prapë, ne do të fusin në fuqi, Kodin e ri Doganor dhe Shqipëria do të jetë si asnjë vend tjetër para anëtarësimit, me Kodin Doganor të BE-së të unifikuar, pikë për pikë dhe gjithë importuesit dhe eksportuesit shqiptarë apo të huaj që do të kalojnë, do kenë punë me doganën shqiptare do të kenë të njëjtat rregulla, siç i kanë në çdo pikë të BE-së.

Nga ana tjetër, ne do ta transformojmë me themel gjithë procesin e doganimeve dhe zhdoganimeve, duke krijuar dritaren unike. Sot janë 19 dritare ku duhen të shkojnë importuesit dhe eksportuesit, sipas rasteve. Do të kemi një dritare të vetme dhe ky është një projekt i iri i BE-së ka filluar të implementohet dhe është në punë vetëm në disa vende të BE-së. Të tjerat janë duke e realizuar. Do ta realizojmë edhe ne.

Nuk e themeluam ne, Akademinë Fiskale. Akademinë Fiskale e kemi gjetur të themeluar, por është vërtet për të ardhur keq, si për çdo gjë tjetër që kemi gjetur në fakt, me thënë të drejtën, që ajo Akademi ishte një fantazmë, që kishte kryer formalisht vetëm një trajnim dhe për një grup shumë të kufizuar njerëzish. Ndërkohë që ne kemi filluar një proces trajnimi të standardeve evropiane, për të gjithë administratën doganore, tatimore dhe gjithë pjesën tjetër që ka të bëjë me sipërmarrjen. Brenda muajit qershor, ne jemi të bindur se do të kemi të dhëna shumë të qartë mbi nivelin e kapitalit njerëzor që kemi në këtë sistem dhe hendekun që duhet të mbushim në raport me të njëjtin sistem në vendet e BE-së.

Sigurisht që ka ende shumë për të bërë, por ne jemi pikë për pikë brenda planit tonë. Këtë e them me vërtetësinë më të plotë. Nuk  ka asgjë që të jetë jashtë planit tonë të veprimit, të ditës së parë kur jemi ulur në tryezë e qeverisë, nuk ka asnjë reformë që të jetë jashtë kalendarit tonë të paracaktuar, nuk ka asnjë nga pjesët e programit që të jetë e vonuar, apo që të jetë e harruar. Përkundrazi, siç kemi filluar ta realizojmë pjesë-pjesë, do ta realizojmë gjithë programin tonë në katër vitet e ardhshme dhe siç filluam procesin e legalizimeve falas, do ta bëjmë realitet, në katër vitet e ardhshme.

Dhe këtu dua ta rimarr, sigurisht që falas. Falas, sepse flasim për legalizim dhe legalizim do të thotë kalimi nga një situatë, që shtëpia që t’i e ke ndërtuar nuk quhet e jotja, se s’ke asnjë dokument që ta provosh që ti e ke ndërtuar, në një situatë që ti ke dokumentin hipotekor që provon që shtëpia është  jotja. Dhe këtë dokument hipotekor që provon që shtëpia është jotja dhe këtë shpi si kapital të qarkullueshëm do ta ketë secili, pavarësisht atyre që e kanë në tokën e tyre dhe që padyshim nuk kanë çfarë të paguajnë fare dhe të atyre që janë në tokë të shtetit apo të dikujt tjetër.  Ne nuk do të ndalojmë askënd në proces, duke kërkuar medoemos paratë përpara se të bëhet legalizimi, sepse procesin e legalizimit që, fatkeqësisht, njerëzit e kanë identifikuar me ju, e kemi ideuar, e kemi konceptuar dhe e kemi filluar ne, socialistët, që kemi qenë të parë që kemi folur për legalizimin.

I gëzofshi shtëpitë tuaja, nuk është platformë. Është një thirrje e të parëve, në drejtim të të dytëve. Ndërkohë që legalizim do të thotë dokument hipotekor, domethënë, titull pronësie.

Këtu do të jemi prapë dhe do e shikojmë pas katër vjetësh. Do e shikoni ju, se ata që kanë nevojë për legalizim, po e shikojnë dhe ne po e shikojmë. Si asnjëherë më parë janë të interesuar dhe janë në radhë, në të gjitha zonat, në pritje për të pasur jo derën e hapur të ALUIZNI-t, por për të pasur tek dera punonjësit që do të bëjnë gjithë procedurën falas.

Megjithatë, ky është një projekt që do të vijë në parlament në javët në vijim dhe do e diskutojmë konkretisht. Gjëja që unë do shpresoja, por është një shpresë, e pranoj, tërësisht e vobektë, do ishte që me ata që kanë qenë tetë vet në qeveri të kishim mundësi të kishim një debat serioz, të kishim një debat real, të kishim një debat të bazuar tek çështjet, tek problemet dhe tek alternativat. Sigurisht, ne jemi alternativë krejt tjetër dhe as nuk pretendojmë dhe as nuk presim që ju të vini tek alternativa jonë. Por një gjë është e sigurt dhe kjo nuk është pak, por është plotësisht e sigurt, kursejani publikut dhe kursejani Flamurit të Partisë Demokratike, atë shprehjen “ne nuk e dimë se çfarë ka ndodh në 23 qershor, se ne nuk e kemi lexuar votën e 23 qershorit dhe ne se kemi kuptuar se për çfarë kanë votuar shqiptarët në 23 qershor”. Kjo është pjesa më kuptimplotë e një gjendjeje totalisht jashtë realitetit në të cilën ju ndodheni.

Ne ju presim në realitetin tonë shumë të vështirë dhe të trashëguar nga ju, ku hap pas hapi do të bëjmë realitet, një për një, të gjitha zotimet tona. Padyshim, edhe shëndetësinë falas, sepse jam i bindur, me moshë, gjithë do kemi nevojë.

Faleminderit

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm