Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Mes rrënimit dhe Rilindjes ka vetëm një adresë, Partia Socialiste, numër 29

Fjalime

Mes rrënimit dhe Rilindjes ka vetëm një adresë, Partia Socialiste, numër 29

13 Jun 2013    
Nuk kam fjalë! Nuk kam fjalë! Nuk kam fjalë!

Mirënjohje dhe njëmijë herë faleminderit!

Me lejen tuaj unë do të doja që këtë pamje të jashtëzakonshme, nga këtu ta ndanim edhe me pjesën tjetër të skuadrës sonë për Rilindjen në qarkun e Fierit, që nuk duhet të rrinë atje poshtë, Armando, Iliriani, Ervini, Antoneta, Adelina, Majlinda, Andueli, Xheviti.

Kjo është e jashtëzakonshme!

E jashtëzakonshme, si energjia pozitive e këtij qyteti dhe gjithë kësaj treve njerëzish punëtorë, fisnikë, kokë ulur, por që kur ngrenë kokë dinë të ngrenë kokën më bindshëm dhe me më këmbëngulje se askush tjetër.

Është e kotë t’ju them se këtu në Lushnje, gjithmonë, kam parë mikpritje, kam gjetur mbështetje e kam marrë besim, por mikpritje, mbështetje dhe besim si ky që po marr sot, që po marrim të gjithë sot, asnjëherë më parë nuk kam ndjerë në këtë masë dhe me këtë forcë.

Jam i bindur që kjo ndodh për një shkak të thjeshtë. Ju e keni kuptuar se në 23 Qershor nuk është një zgjedhje midis dikujt dhe dikujt tjetër, nuk është as një zgjedhje mes një partie dhe një tjetre, por është një zgjedhje mes dy botësh të ndryshme. Mes botës rrënuese të Saliut dhe të partisë së tij familjare dhe botës së rilindur të skuadrës sonë kombëtare, të programit tonë për Rilindjen, të vullnetit tonë që së bashku t’i japim Shqipërisë një rrugë të re. Një rrugë të re që do ta ndajë Shqipërinë dhe shqiptarët nga papunësia që rritet përditë; nga taksa e sheshtë që po i merr frymën të gjithë atyre që jetojnë ndershmërisht me biznes; nga braktisja e fshatit ku më shumë dhe më mirë se kushdo ju fermerët e Lushnjes e dini se jeni në mëshirë të fatit; nga shërbimet sipas xhepit ku është e pamundur të gjesh një derë hapur dhe çdo derë në këtë shtet hapet vetëm me para.

E pra, ju keni ardhur këtu, sepse ju doni një Shqipëri të re, një rrugë të re, një qeveri të re, për punësimin real, për taksimin e ndershëm, për rilindjen e fshatit, për ushqimin e garantuar për të gjithë, për ujë në çdo familje dhe në çdo parcelë, për shërbimet sipas nevojës, për arsimimin cilësor të të rinjve, për shëndetësinë falas për të gjithë. Për një Shqipëri të pastër të bukur e të begatë, jo një Shqipëri të ndotur nga katër anët, që lëngon mes plehrash dhe që importon plehra edhe nga jashtë.

Është e qartë për çfarë keni ardhur por, ju siguroj se edhe ne e dimë pse kemi ardhur! Jo për t’ju treguar përralla, jo për t’u bërë të mendoni se kemi ndonjë shkop magjik, jo për t’u premtuar parajsën, por për t’u thënë se jemi të bindur që së bashku, ne në katër vjet do të bëjmë të mundura gjëra që në 20 vjet këtij populli i janë bërë padrejtësisht të pamundura.

Kam një pyetje, sa të papunë ka këtu?

Kush është pa punë të ngrejë dorën!

E pra, ajo që ne të gjithë, ajo që unë vet ju zotohem, është se pas 23 Qershorit do të punojmë ditë-natë deri kur të mos ketë asnjë dorë të papuni që të ngrihet në këtë shesh mes të rejave dhe të rinjve, këtij qyteti, këtij qarku, të këtij vendi.

Sot, kam një amanet për ju, një amanet për ta thënë këtu, nga një miku im i vjetër, veteran i luftës, i cili më mori në telefon dhe më tha kur të shkosh në Lushnje, kur të shkosh në çdo shesh, thuaju kujtoni 44-tën dhe votoni 29-tën.

E pra, motra dhe vëllezër, ju e dini, e dini mirë se mes rrënimit dhe Rilindjes ka vetëm një adresë, Partia Socialiste e Shqipërisë numër 29;

Mes papunësisë dhe punësimit ka vetëm një adresë Partia Socialiste e Shqipërisë numër 29; mes Lushnjes së rilindur e fshatit të rilindur rrethe e rrotull;

Myzeqesë së rikthyer e tëra në punë, me ujë, kosto të ulur prodhimi, me rrjet për të nxjerr prodhimin në treg dhe të tashmes ka vetëm 10 ditë.

10 ditë deri nga dita kur, ju lutem mos shkoni vetëm tek kutia e votimit, por merrni me vete një tjetër, një pjesëtar familjeje, një mik, një shoqe, një farefis, një të njohur, në shkollë, në lagje, kudo, që nuk ka votuar herën e fundit dhe që vazhdon të lëkundet. Nuk ka lëkundje mes rrënimit dhe Rilindjes;

Nuk ka lëkundje mes papunësisë dhe punësimit;

Nuk ka lëkundje mes taksës së sheshtë dhe taksimit të ndershëm;

Nuk ka lëkundje mes dy botëve, njëra që imponon se kush fiton më shumë të paguajë më pak dhe kush fiton më pak paguan gjithmonë më shumë dhe tjera që lëviz me një parimin; kush fiton më shumë paguan më shumë dhe të gjithë që fitojnë më pak do paguajnë më paguan më pak.

Prandaj, nuk ka lëkundje mes uljes së taksave për 95% të shqiptarëve dhe marrjes së frymës së 95% të shqiptarëve.

Rroftë populli i Lushnjes!

Rrofshin gratë dhe vajzat e mrekullueshme të Lushnjes!

Rrofshin djemtë dhe burrat fisnikë dhe punëtorë të Lushnjes!

Rroftë Shqipëria!

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

Rilindje! Rilindje! Rilindje!

Fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama në mitingun në Lushnje. 

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm