Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Ne socialistët dimë të bëjmë shtet dhe të sjellim progres

Fjalime

Ne socialistët dimë të bëjmë shtet dhe të sjellim progres

29 Feb 2020    

Fjala e ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në Kongresin Zgjedhor të Partisë Socialiste:

I nderuar kryetar!

 

Të nderuar dhe të dashur delegatë!

 

Motra dhe vëllezër!

Kam hyrë për herë të parë në këtë sallë në 2007-ën. Më është dashur shpesh herë të punoj për organizmin e Kongresit, por është nder i madh të gjendesh dhe të flasësh para jush. Shumë gjëra ndryshojnë, asnjë Kongres nuk i ngjan tjetrit, e vetmja gjë që ngelet është shpirti socialist në këtë sallë dhe ai trëndafili që na ndjek kudo dhe është kaq i dukshëm sot.

Viti 2019, padyshim ishte vit i vështirë për të gjithë, një sprovë për të gjithë, për të mëdhenjtë dhe të vegjlit. Tre herë gjatë këtij viti të ashpër u përballëm me tërmetin, por nuk u gjunjëzuam. Përveç dëmeve materiale të konsiderueshme humbëm jetë, humbëm një pjesë të shpirtit tonë, por kurrë forcën dhe dëshirën për të qëndruar në këmbë, kurrë optimizmin, që ne shqiptarët na karakterizon se jemi rritur e brumosur në vështirësi.

Ne kemi treguar ndër vite se vështirësitë na bëjnë më të fortë, na motivojnë për të ecur përpara. Ne gjetëm arsyen për të vazhduar dhe u mbështetëm tek njëri-tjetri pasi askush nuk është vetëm. Askush nuk do të mbetet pas.

Sot, kur sapo kemi kaluar pragun e kësaj dekade të re, Qeveria Shqiptare më e vendosur se kurrë po punon jo vetëm për rindërtimin, por edhe për realizmin e të gjitha premtimeve, pjesë e programit qeverisës, pasi tashmë projektet strategjike kanë filluar të marrin formë e jetë.

Pas suksesit të reformës energjetike dhe kthimit të ligjshmërisë nuk kemi reshtur përpjekjet për përmirësimin e furnizimit me energji të çdo abonenti kudo në Shqipëri. Në 2013-ën humbjet e energjisë elektrike në rrjet ishin 45% dhe ndërkohë arkëtohej më pak se gjysma e energjisë së shpërndarë. Ndërkohë sot, arkëtimet janë rritur me një nivel prej 67.82 milionë lekësh krahasuar me 38.58 të vitit 2013. Kemi punuar për reduktimin e këtyre humbjeve dhe punojmë çdo vit. Ne kemi sfidë me veten tonë, jo me vitin 2013, i cili nuk ka asnjë krahasim me asgjë që ne socialistët dimë të bëjmë. Kemi arritur sot, që ta ulim nivelin e humbjeve në 23.95%, krahasuar me 45 përqindshin e 2013-ës.

Investimet në energji janë rritur ndjeshëm. Aq ndjeshëm sa krahasoni sot 76.5 milionë euro investime me ato të vitit 2013 që ishin vetëm  490 mijë euro investime. Nga 1103 orë shkëputje, stakime që kishim në vitin 2013, në vitin 2018 arritëm në 620 ndërkohë që në vitin 2019 në 526. Sfidën e kemi me veten, me askënd tjetër.

 

Por Qeveria Shqiptare nuk harron dhe e ka shumë të rëndësishme, se përmbushja e kërkesave të BE-së në të gjitha fushat është shumë e domosdoshme.  Ashtu edhe në atë energjetike.  Ndaj ne kemi kompletuar legjislacionin e sistemit në përputhje të plotë me direktivat e Komunitetit Europian të Energjisë, duke hartuar një model të ri, për një treg që synon liberalizimin e tij të plotë, konkurrencën e pastër dhe pse jo uljen e çmimeve për abonentët.

Gjatë vitit 2019 ne krijuar Bursën e parë Shqiptare të Energjisë, plotësuam kuadrin ligjor për funksionimin e autoprodhuesve dhe gjithashtu realizuam më në fund procesin e ndarjes së OSHEE-së në tre nënkompani, të cilat do të krijojnë tregun e lirë, atë të konkurrencës, atë me çmime më të ulëta, që njihet si procesi Unbundling.

Sot Shqipëria në saj të demokracisë së qëndrueshme dhe transparencës, e cila është prioritet i ynë në çdo procedurë, është bërë atraktive për investitorët e huaj.  Ankandi i parkut fotovoltaik më të madh në vend, ai i Karavastasë është një procedurë model, që siguron transparencë dhe konkurrencë të fortë, duke aksesuar nga 26 kompani ndërkombëtare dhe duke na krijuar bindjen e plotë se shumë shpejt në vendin tonë do kemi një investim në energji në shumën 100 milionë euro.

Ndërkohë dy nga kompanitë më të fuqishme në botë përsa i përket naftës dhe gazit, SHELL dhe ENI, operojnë sot në fushën e kërkim-shfrytëzimit të naftës. Gjatë vitit 2019 rishikuam marrëveshjen hidrokarbure me kompaninë SHELL, duke amenduar termat dhe kushtet, në mënyrë që shteti shqiptar të gjenerojë të ardhura, që me prodhimin e fuçisë së parë.

Nënshkruam kontratën për aktivitetet e kërkim-prodhimit në bllokun e Dumresë me kompaninë italiane ENI, marrëveshja hidorkarbure më fitimprurëse për shtetin shqiptar, e cila shënon vendosjen e një standardi të ri të cilësisë në këtë sektor, si në aspektin teknik ashtu dhe në aspektin financiar.

Po aq jetik sa furnizimi i pandërprerë me energji elektrike është dhe furnizimi me ujë. E kemi gjetur Shqipërinë, që nuk kishte ujë të pijshëm për orë të tëra. E kemi gjetur Shqipërinë, kur njerëzit shkonin për të marrë ujë me kilometra larg  ndërkohë ne synojmë çdo ditë dhe punojmë çdo ditë, përmes rritjes së investimeve, të cilat sot kanë arritur 72 milionë euro, që t’ju ofrojmë qytetarëve tanë ujë të pijshëm 24 orë. Strategjia e ujit është një nga 5 strategjitë e Qeverisë Shqiptare, e cila padyshim do të realizohet ashtu siç kemi bërë me të gjithë të tjerat.

Ne, jo vetëm për të nxitur zhvillimin e sektorit të turizmit, por dhe me qëllim krijimin e kushteve të konkurencës në transportin ajror, shpallëm procedurën e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Një projekt shumë i rëndësishëm për strategjinë dhe vizionin e Qeverisë Shqiptare, për zhvillimin e turizmit dhe të transportit në vend. Ne synojmë ta kthejmë këtë aeroport në portën kryesore të Ballkanit, synojmë të lidhim Shqipërinë me linjë direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë, aty ku diaspora jonë e nderuar jeton.

Ne synojmë të lidhim Kosovën me jugun e vendit, të shumë dashur për ta, ndaj nënshkruam marrëveshjen dhe ka nisur puna për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Kukësit, duke hapur një udhë për një ëndërr shumëvjeçare, për një aeroport rajonal në verilindje të vendit.

Krijuam “Air Albania”, kompaninë që mban flamurin tonë krenarisht dhe që çdo ditë shton flotën e saj dhe destiancionet ku shqiptarët mund të shkojnë.

 

Qeveria Shqiptare është gjithashtu e vetëdijshme për rëndësinë e transformimit dixhital si dhe rëndësinë e të qenit pjesë aktive e këtij procesi.  Në kuadër të ndërlidhjes dixhitale nënshkruam marrëveshjen për Roaming Ballkanik dhe duke filluar nga 1 Korriku i 2021-it çdo lëvizje në Ballkan do të ketë kosto zero për qytetarët shqiptarë. Jemi në procesin e dixhitalizimit masiv të shërbimeve tona dhe do të sigurohemi që brenda këtij viti të arrijmë në 95% online të këtyre shërbimeve.

Nëse ka akoma skeptikë dhe dyshues, të vërtetë dhe jo demagogë politikë, të cilët besojnë se Edi Rama, të cilët besojnë se socialistët, të cilët besojnë se Shqipëria, apo Qeveria Shqiptare nuk janë ata që po e çojnë vendin tonë drejt realizimit të ëndrrës së shumë dëshiruar prej shekujsh, le të hedhin sytë dhe të shikojnë veprat që po ndërtohen në jug e veri.

Të shikojnë rrugët. Të shikojnë urat e “Rrugës së Arbrit”, që ngrihen nga humnerat për të bashkuar malet. Të shikojnë kilometrat e rrugëve, që shtojmë çdo ditë me parametrat europianë ashtu siç Shqipëria e meriton. Të shikojnë numrin e vizitorëve që shtohen. Të shikojnë numrin e shqiptarëve, që ndihen krenarë për vendin e tyre.

Nëse ka akoma dyshues për uraganin socialist, nëse ka akoma dyshues për vizionin e Edi Ramës mjafton të shohin projektet, që së shpejti do shpallim. Të shohin tunelin e Llogarasë, që do të lidhë veriun me jugun. Të shikojnë segmentin më të gjatë të autostradës Adriatiko-Joniane, që do të fillojë nga Miloti për të përfunduar në Fier e për t’u bashkuar me rrugët, që tashmë i kemi, atë të bypass-it të Fierit apo të Vlorës. Të shikojnë sesi do të ngremë atë ëndërr, hidrocentralin e Skavicës, të dizenjuar ndoshta më shumë se para një gjysmë shekulli, por që tashmë do bëhet realitet. Do bëhet realitet, jo vetëm se është një hidrocentral, që do t’i shtohet kaskadës, por sepse do të optimizojë atë kaskadë, duke na dhënë kështu mundësi, që të rrisim prodhimin vendas, duke na dhënë më tepër pavarësi energjetike dhe siguri energjetike.

Le t’i shohin të gjitha këto dhe më pas, me fakte e me prova, të na japin hakun. Thjesht të pranojnë se ne socialistët dimë të bëjmë shtet. Ne socialistët dimë të sjellim progres.

Ju falënderoj shumë dhe ju uroj punime të mbara sot.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm