Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Nje parti ekziston jo per vete, jo me vete, por per shoqerine dhe me shoqerine

Fjalime

Nje parti ekziston jo per vete, jo me vete, por per shoqerine dhe me shoqerine

03 Apr 2007    
Një parti ekziston jo për vete, jo më vete, por për shoqërinë dhe me shoqërinë. Ky është problemi më madhor që kanë sot partitë politike shqiptare, që ka sot klasa politike shqiptare, që ka sot poltika e vjetër shqiptare; Shkëputja e të gjithë strukturës organizative nga shoqëria, shkëputja e politikanëve dhe e përfaqësuesve të zgjedhur në çfarëdolloj niveli nga ata që i zgjedhin, shkëputja e fjalëve nga veprat.

Së dyti, që fjalët tona, të cilat duhet të jenë të pandara nga veprat, të jenë fjalë që u thonë njerëzve, të vërtetat e tyre. Që u tregojnë njerëzve rrugën e shpresës dhe që u japin njerëzve mundësitë, që së bashku me ne, të ecim në këtë rrugë. Për këtë arsye duhet të funksionojë mirë një organizatë politike. Pra, për këtë arsye duhet të funksionojë mirë Partia Socialiste. Për këtë arsye duhet të funksionojnë mirë të gjitha strukturat tona. Për t'i dhënë kuptim politikës. Për t'i dhënë kuptim arsyes së organizimit tonë politik dhe të bashkimit tonë në një hapësirë politike, duke ju folur qytetarëve, duke folur për qytetarët, duke folur me qytetarët, duke qenë pjesë e jetës së përditshme, të qyteteve dhe qytetarëve tanë, e jo duke lejuar që ata të na shohin si diçka më vete, si dicka jashtë tyre, si dicka që na përket ne, por nuk u përket atyre. Në fund të fundit, të gjitha ato ç'ka themi dhe bëjmë janë në funksion të jetës, janë në funksion të njerëzve, janë në funksion të vendit. Për të patur një ndikim real dhe konkret mbi to duhet që një parti të jetë në qeveri dhe fitorja e zgjedhjeve demokratike, është e vetmja mënyrë që një parti demokratike, në një sistem demokratik, të qeverisë. Por, fitorja e zgjedhjeve nuk është një qëllim në vetvete, fitorja e zgjedhjeve nuk na duhet për të zbritur nga kali i pushtetit ndaj të cilit jemi opozitë dhe për të kalëruar, për të kalëruar pushtetin, por na duhet për të ndryshuar Shqipërinë. Na duhet për të ndryshuar jetën e njerëzve, për të ndryshuar perspektivën e tyre. Na duhet për të ndryshuar këndvështrimin e të gjithave moshave, e grupeve shoqërore, në raport me të ardhmen e tyre, duke i dhënë më shumë mundësi të tashmes.

I them të gjitha këto, sepse është shumë e rëndësishme, që ne t'i japim fund, të jetuarit më vete dhe për vete. Është shumë e rëndësishme që çdo degë e PSSH-së, që ju drejtoni të jetojë me shoqërinë, të jetojë për shoqërinë, të jetojë me njerëzit dhe për njerëzit, të jetë pjesë e jetës së tyre të përditshme dhe të perceptohet prej tyre si e tillë, duke mos i mbyllur në organizata, që nuk komunikojnë me shoqërinë, në organizata që nuk përfaqësojnë denjësisht vlerat dhe parimet që ne mbrojmë si socialistë dhe progresistë, në organizata që nuk u thonë njerëzve asgjë dhe që për më tepër nganjëherë, nuk ekzistojnë në sytë e njerëzve, por ekzistojnë në regjistrat tanë, ekzistojnë në mëndjen e mbyllur të një vrojtari, apo në duart e një grupi nepotik, që e ka kthyer PSSH në një nipt, për të marrë përfitime që burojnë, qoftë nga pushteti i socialistëve dhe i progresistëve, nga vota e qytetarëve, qoftë nga pazaret vulagare dhe të neveritshme me përfaqësuesit e palës tjetër, në një pushtet vendor apo një tjetër.

Ky është një fenomen që sigurisht nuk i takon vetëm organizatave apo grupeve të caktuara të Partisë Socialiste, i takon të gjithave partive politike shqiptare, sot të mbyllura në guackën mjerane, të ambicies për një pushtet përfitimesh personale, klanore. Në fund të fundit, të çfarëdolloj qofshin, përfitime që nuk kanë të bëjnë me arsyen pse ne jemi së bashku, nuk kanë të bëjnë me arsyen pse ekziston Partia Socialiste, nuk kanë të bënë me arsyen pse ne synojmë të qeverisim vendin dhe as me arsyen pse ata që na votojnë, na zgjedhin në të gjitha nivelet. Është shumë themelore të kuptohet, se fitorja na duhet për të ndryshuar Shqipërinë dhe jetën e njerëzve, dhe ndryshimin e tyre, nuk mund ta sjellim me propagandë, nuk mund ta sjellim as sepse jemi një e keqe më e vogël, sesa e keqja e madhe, që sundon sot Shqipërinë. Nuk mund ta sjellim as sepse kemi dëshirë ta sjellim. Por, mund ta sjellim vetëm duke punuar, natë e ditë, për një program të vërtetë, për një program real, konkret, të prekshëm, për një program që nesër të jetë një instrument për të realizuar ndryshimin. Programi të jetë i tillë, duhet, ashtu si reforma jonë, ashtu si puna jonë në rritje sasiore, por dhe cilësore. Gjatë gjithë kësaj periudhe të jetë shkëputja drastike e një filli të një tradite 17 vjeçare programesh të shkruara për të fituar zgjedhjet, por jo për të qeverisur Shqipërinë. Për t'u marrë votën njerëzve, por jo për t'u përgjigjur para tyre. Për të realizuar premtimet, për të folur bukur përpara tyre, por jo për të lidhur fjalën e bukur me veprën konkrete. Për këtë arsye ndër të tjera, qeveria e Shqipërisë dhe qeverisjet e tranzicionit, kanë krijuar jo kushte për të thënë se ne sot jetojmë në Europë, se ne sot i çojmë të porsalindurit në çerdhe të standardeve europiane, se e ne i çojmë vogëlushët në kopshte të standarteve europiane, se ne i çojmë fëmijët në shkolla të standarteve europiane, se ne i çojmë të rinjtë dhe të rejat në universitete të standarteve europiane. Apo se ne kemi një mjedis të konkurrencës së lirë dhe të ndershme të standardeve europiane, e një sipërmarrje që funksionon në një sistem të së drejtës europiane, dhe se ne u krijojmë të moshuarve një solidaritet europian. Asgjë nga këto nuk mund të themi, pikërisht, sepse asgjë nga këto nuk kemi dhe të krahasuarit me të keqen, apo të krahasuarit me ç'ka ishte një herë e një kohë. Sot, jo vetëm nuk mjafton, por është i barabartë me mbylljen e horizontit të shpresës. Ndërkohë, që ne jemi këtu për ta zgjeruar horizontion e shpresës që kemi hapur. Atëherë për të ndryshuar duke këputur në mënyrë drastike fillin e një tradite dështimesh në qeverisjen e vendit prej 17 vjetësh dhe për të mbushur boshllëkun, ku të gjitha qeveritë, kush më shumë e kush më pak, janë detyruar të bien brenda mungesës së një programi konkret dhe të instrumentave për të qeverisur. Ne kemi nisur një proçes, që përbën një risi në jetën politike shqiptare, që përbën një shprehje të vullnetit, për t'u ndarë nga e shkuara e tranzicionit, nga politika e vjetër e të shkuarës, që është “Dialogu me Shqipërinë.

Puna me njerëzit për programin e ri për Shqipërinë, për jetësimin e rrugës së re të Partisë Socialiste, për hapjen e prespektivave të reja për të gjithë. Në fund të fundit, politika e re, është politika e jetës dhe jo politika e kutisë së televizorit, është politika e njerëzve dhe jo politika e telespektatorit, është politika e kontratës dhe jo politika e telefushatës, është politika që prodhon një program dhe një qeverisje për të shëruar plagët e vendit, me receta të mirëmenduara dhe të bazuara në një diagnostikim të thellë të sëmundjeve të tij dhe jo politika e teleqeverisjes, për të kompensuar vuajtjet dhe përpëlitjet, lëngatën e shoqërisë me karamele lajmesh që jepen nga mikrofoni i kryetarit të qeverisë. Ne po e nxjerrim politikën nga kutia e televizorit. Ajo, ç'ka prej këtij dialogu, pasqyrohet në ekranin e televizorit, është politika në mes të njerëzve. Politika si një mundësi e pakufishme diskutimi, debati dhe vendimarrjeje së bashku me njerëzit. Politika si katalizator i reformave që nuk mund të bëhen jashtë realitetit të njerëzve. Por, në rast se flasim për një politikë të tillë, në rast se kërkojmë që kësaj politike t'i japim cilësinë e lartë që të mund ta kthejmë në një fuqi të madhe të ndryshimit të vërtetë, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm, se instrumenti që kemi në dispozicion është patjetër Partia Socialiste. Instrumenti që njerëzit kanë dhe duhet të kenë për ditë e më shumë në dispozicion, është PSSH. Këtu ne duhet të jemi shumë të qartë, që ky instrument, ose partia, është hapësirë diskutimesh, debatesh, përpunimi i mendimeve dhe ideve. Është një takim elektoral për t'i përcjellë të gjitha idetë e përpunuara te çdokush dhe për ta kthyer programin e shkruar, mbi bazën e diskutimit me njerëzit, në një platformë kontraktuale me qytetarët. Te partia, si makinë elektorale, do të ndalet sot pjesa më e madhe e diskutimit tonë. Unë do të ndalem te partia si hapësirë e lirë, e pakufijshme mikëpritëse dhe gjithëpërfshirëse në radhë të parë sepse pa të, makina elektorale, qoftë dhe ajo më e përsosura, nuk na çon aty ku duhet. Mbi të gjitha mos e harrojmë, makina elektorale ndalet në momentin e realizimit të fitores, ndërkohë që qeveria dhe qeverisja fillon të nesërmen.

Ne na duhet një program i ditës së nesërme. Ne duhet të jemi përpara gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, forca e ditës së nesërme dhe gjithkush ndër ne, që do të ngarkohet për të administruar një pjesë të vogël të pushtetit të majtë, me votën e shqiptarëve, duhet të ketë në dorë instrumentin për të filluar punën qysh ditën e nesërme. Një instrumet që nuk e ka patur asnjëherë askush nga ata që kanë qeverisur dhe që qeverisin për arsye se asnjëherë një forcë politike shqiptare nuk ka pasur një program real, konkret, të prekshëm, jo për të fituar zgjedhjet, por për ta kthyer fitoren në mundësi ndryshimi, pra një program instrument

Kjo hapësirë, krijimi i saj për të gjitha moshat, kërkon që ne sot dhe në vazhdimësi t'i themi vetes në radhë të parë dhe pastaj të tjerëve, se sfida jonë, sfida e Shqipërisë së sotme, sfida e gjeneratave që sot jetojnë Shqipërinë e rraskapitur prej dështimeve të tranzicionit, është përtej të majtës dhe të djathtës. Sfida jonë është sfida e krijimit të kushteve për t'i dhënë jetë një bashkimi të ri, për t'i dhënë jetë një aleance që shkon përtej kufijve të PS, përtej kufijve të partive të opozitës të sotme. Përtej kufijve të të gjitha atyre që janë të organizuar në partitë tona politike dhe përtej barrikadës të ngritur artificialisht, mes shqiptarëve, nga një politikë që i ka ndarë ata, në të majtë dhe të djathtë, por që nga ana e saj ka prodhuar pushtete, që nuk kanë qënë, pushtete të dështuar, sepse kanë qënë të majtë ose të djathtë, por sepse kanë qënë pushtete të shkëputur, tërësisht nga zgjedhëset dhe zgjedhësit. Pushtete të shkëputura tërësisht nga të gjitha detyrimet kontraktuale të një fitoreje elektorale. Pushtete të lidhur në mënyrë sistematike me interesa, që nuk kanë patur asgjë të përbashkët me interesa të atdheut tonë, të njerëzve tanë. Pushtete që edhe kur kanë dashur, apo dhe kur duan, nuk kanë ditur. E për shkak se nuk kanë ditur, kanë rënë në kurthin e improvizimeve.

Unë nuk po bëj këtu analizën historike të 17 vjetëve. Nuk është detyra ime. Nuk është detyra jonë. Detyra jonë, detyra e një partie poltike është t'ju tregojë njerëzve se çfarë është në gjendje të bëjë për t'i çuar ata përpara dhe njerëzit duhet të shkojnë përpara, shoqëria kërkon të shkojë përpara, vendi kërkon të shkojë përpara. Historianët merren me çfarë ka mbetur prapa. Por, ajo që është themelore për ne, është të kuptojmë se në rast se Shqipëria europiane është vokacioni i brendshëm i të gjithë popullit shqiptar, atëherë kjo Shqipëri europiane, të cilën duhet ta ndërtojmë këtu, në shtëpitë tona, në qyetetet dhe fshatrat tonë, në rrugët që lidhin qytetet dhe fshatrat tanë, në hapësirën tonë territoriale, sot na mungon sepse një politikë e vjetër e së shkuarës nuk na e ka bërë të mundur.

Shqiptareve dhe shqiptarëve duhet ti bëhet e qartë, se problemet tona janë të përbashkëta. Janë të përbashkëta për qytetarin demokrat dhe për qytetarin socialist. Janë të përbashkëta për gruan, nënën e fëmijve, që gjëndet në kampin e djathtë dhe për fqinjen e saj, gruan dhe nënën e fëmijës, që gjendet në kampin e majtë. Janë të përbashkëta për të rejat dhe të rinjtë, që tundin flamurin rozë apo flamurin blu. Këto probleme të përbashkëta duhet dhe do t'i zgjidhim duke shembur barrikadën që ndan qytetaret dhe qytetarët e ndershëm, që njësoj vuajnë keqqeverisjen, që njësoj vuajnë abuzimin, paaftësinë dhe gënjeshtrat e kësaj qeverie, njësoj vuajnë dështimet 17 vjeçare.

Në një rrugë historike ku Shqipëria nuk është ajo e përpara 17 vjetëve, ka ndryshuar për mirë në plot aspekte dhe për keq në plot aspekte të tjera. Por që në fund të fundit është një Shqipëri që nuk është Shqipëria që meritojnë ato gra e burra të thinjur, që u përpoqën një jetë të tërë. Që u munduan dhe u sakrifikuan dhe sot janë në moshën e tretë të braktisur dhe jo vetëm të braktisur, por në radhë të parë të fyer, sepse më shumë sesa pensioni i ulët për ta është i dhimbshëm raporti fyes, denigrues, anashkalues, që politika e vjetër e së shkuarës ka vendosur me ta. Dhe që kjo qeveri si karikatura më qesharake dhe më e rrezikshme e politikës të së shkuarës ka sot me ta. Padyshim kjo nuk është Shqipëria, që meritojnë të gjithë ata shqiptarë, gra e burra të ndershëm që jetojnë me punë të ndershme dhe që nuk arrijnë dot të blejnë dhuratën e ditëlindjes së fëmijve të tyre. Nuk është as Shqipëria që meritojnë ata të tjerë që janë të gatshëm për një punë të ndershme, por që nuk e gjejnë. Nuk është Shqipëria që meritojnë të rejat dhe të rinjtë tanë, të cilët i shoh çdo ditë në të katër anët e Shqipërisë, jashtë rrugëve të zhvillimit dhe të integrimit social, që gdhihen me kafe e duhan, në moshën 17-18 vjeçare, që largohen nga një shkollë që nuk u thotë asgjë. Që janë tërësisht të zhytur në një dëshpërim të cilin sot nuk janë në gjendje ta artikulojnë. E për të cilin sot ne tregojmë se jemi të paaftë t'i kuptojmë, por që nesër mund të jetë fermenti i një rebelimi gjeneracional shumë të pafrytshëm dhe të padobishëm. Nuk është Shqipëria që meritojnë fëmijët e vegjël, ata që sot lindin e rriten në periferitë urbane dhe të fshatrave të Shqipërisë në radhë të parë. Por dhe ata që lindin në qendër të Kryeqytetit. Kjo është një Shqipëri e cila u vlen vetëm një grupi të vogël njerëzish, një pakice gjithmonë e më të vogël, që pasurohet përditë e më shumë. Kjo është një Shqipëri, që u shërben vetëm atyre që përmes mardhënies klienteliste me pushtetin, përmes mardhënies nepotike me pushtetin, përmes shtigjeve të paligjshme të një mjedisi ku nuk ka konkurencë të ndershme arrijnë të bëjnë fitime me të cilat do të mund të mbahej fryma e kushedi sesa mijra njerëzve.

Kjo nuk është as Shqipëria e sipërmarrsve dhe e sipërmarrjes. PS, ne si socialistë dhe progresistë, jo vetëm që nuk kemi asgjë, por përkundrazi, jemi tërësisht të vendosur që të krijomë një aleancë të re. Përmes një politike të re me sipërmarrje dhe me sipërmarrësit, sepse ne sot jemi thellësisht të kthjellët lidhur me faktin se problemi ynë nuk është pasuria. Problemi ynë është varfëria. Problemi ynë nuk është suksesi i sipërmarrësve të cilët politika e vjetër e së shkuarës i ika trajtuar 17 vjet si kulak dhe të cilëve u ka shkuar nga pas. Sipërmarrje të cilën ne dëshirojmë ta shohim si partnere, se pa një partneritet me sipërmarrjen dhe sipërmarrësit nuk mund të ketë një luftë të efektshme kundër varfërisë, kundër papunësisë. Nuk mund të ketë një shoqëri më të drejtë. Në fund të fundit një shoqëri e drejtë është ajo, që arrin të rishpërndajë pasurinë, por një rishpërndarje e drejtë dhe me efekt mbi ekuilibrat socialë mund të realizohet kur ne jemi në gjendje të nxisim rritjen e pasurisë, por jo të pasurisë së paligjshme, pasurisë së fshehtë përmes lidhjeve të fshehta. Por pasurisë së ligjshme përmes konkurencës së lirë dhe të ndershme. Për këtë na duhen ne organizatat socialiste, për këtë na duhen ne strukturat e PS. Nuk na duhen për të bërë mbledhje dhe për të folur me njëri tjetrin, por për mbarvajtjen e punës sonë, për krijimin e kësaj hapësire. Dhe jo për mbarvajtjen e punëve tona të përveçme. Ne nuk jemi as ndërrmarrje ku administrojmë interesa të pjesshme dhe përfaqësojmë një interes të pjesshëm të shoqërisë shqiptare. Nuk jemi as çetë e organizuar për të marrë pushtet dhe për të abuzuar me një pushtet të cilin në demokraci nuk e kanë ata të cilët e administrojnë, por e kanë ata që zgjedhin administaratorët e tyre, pra zgjedhëset dhe zgjedhësit. Kjo do të thotë që duhet t'i japim fund para gjykimeve miqtë e mi, duhet t'i japim fund paragjykimeve dhe mënyrës të së parit të njerëzve rrotull nesh. Mënyrës të së parit të fqinjëve në lagjen ku jetojmë, mënyrës të së parit të miqve të fëmijve tanë, mënyrës të së parit të miqve të prindërve tanë, të mënyrës të së pari të të gjithëvë. Ata janë arsyeja pse ekzistojmë si PSSH. Ne nuk mund të ekzistojmë jashtë tyre dhe në veten tonë. Kjo do të thotë që ne duhet t'i japim fund përcaktimit të marrdhënieve me njerëzit në bazë të shijeve apo në bazë të njohjes mbi përkatësinë e tyre.

“Dialogu me Shqipërinë ndërtohet në nivelin e dytë mbas debatit publik me tryeza. Unë jam shumë i keqardhur, që në disa tryeza të organizuara në disa njësi vendore të vendit për arsimin janë ftuar vetëm ata që i përkasin kampit të anëtarve dhe mbështetësve tanë. Ndërkohë, që jam i lumtur që në shumicën e tryezave janë ftuar, jo vetëm, të tjerë, njerëz të pavarur, mendje të pavarura qytetare dhe qytetarë, që kanë dhënë për arsimin e qytetit, që kanë dhënë për edukimin e brezave, që japin sot e gjithë ditën, ose që janë të larguar nga puna. Sepse ne nuk po ndërtojmë programin e PS për mënyrën tonë të organizimit, por po ndëtojmë programin për të ndryshuar Shqipërinë. Këtë do ta ndërtojmë me të gjithë. Ndërkohë duhet të bëjmë të mundur, që të gjithë të kuptojnë se për ne barrikada që ndan socialistët dhe demokratët në qytetin dhe në fshatin tonë apo të tjerët, është artificiale. Është vendosur nga një politikë që është tallur me shqiptarët 17 vjet dhe është në fund të fundit kurthi për t'i kthyer shqiptarët në tifozë, aty në mes të fshatit ku duke parë tv sesi përleshen përfaqësuesit e popullit në Parlament.

Pra, për t'i bërë shqiptarët jo zotër të fateve të tyre, por viktima të telenovelës që vazhdon. Ky është kurthi, dhe këtë kurth ne po ua tregojmë të gjithëve. Por, jo t'ua tregojmë me fajlë, por t'ua tregojmë me vepra. Duke u thënë që për ne kjo barrikadë nuk ekziston. Unë kam marrë letra nga mësues demokratë, të cilët më kanë thënë hapur, që janë të interesuar të kontribojnë me idetë e tyre për programin tonë. E pra këta mësues demokratë përpara se të jenë demokratë janë mësues të një qyteti periferik, janë edukatorë që vuajnë njësoj si të tjerët kushtet e pamundura për të shkolluar fëmijët dhe këta mësues njësoj si të tjerët kërkojnë kushte më të mira. Kanë të drejt t'i kenë këto kushte më të mira, të cilat janë probleme konkrete dhe kërkojnë zgjidhje konkrete dhe kërkojnë një bashkim me njerëzit për zgjidhjen e tyre.

Është e pafalshme dhe nuk është sjellje prej socialistësh të shekulit të ri, që t'i ndajmë bashkëqytetaret dhe bashkëqytetarët tanë: në tanët dhe të atyret. Jo! Bashkëqytetarët tanë janë tanët, dhe pastaj se për kë do votojnë do ta tregojë aftësia e secilës pale. Hapësira jonë duhet të jetë një hapësirë e të gjithëve. Nuk është hapësira e anëtarsisë së partisë vetëm sepse ka 70 e dis a mijë socialistë shqiptarë, por ka 1 milion shqiptarë socialistë dhe progresistë dhe të tjerë që kërkojnë ndryshim, këkojnë progres, një rrugë të re. Rruga jonë e re nuk është një rrugë ideologjike. Rruga jonë është një rrugë e të vërtetës sonë të thjeshtë, që duhet të ndahemi nga politika e vjetër e së shkuarës. Duhet të bëjmë një politikë të jetës, një politikë të njerëzve, me njerëzit, për njerëzit.

Organizimi që do të trajtohet gjërë e gjatë nga bashkëpunëtorët e mi të nderuar është thjesht ndërtimi i një makine për të bërë të mundur funksionimin e kësaj hapësire për të cilën fola dhe për të bërë të mundur që gjithçka të përpunohet në këtë hapësirë dhe që konsiderohet si ide e vlefshme për të gjithë vendin dhe t'i përcillet vendit në mënyrë të efektshme. T'i shkojë çdo shqiptari dhe shqiptare. Duke realziuar kështu një ballafaqim të gjërë për të nënshkruar një kontratë.E sigurisht, për të garantuar nënshkrimin e kontratës me fitoren e zgjedhjeve. Ky është organizimi. Nuk është një organizim si ai i dikurshmi, i para 17 vjetëve, për veten, më vete, ku shoqëria ishte një pjesë, partia ishte një pjesët tjetër. Për fat të keq këtë perceptim dhe këtë raport e kanë ruajtur dhe e ruajnë të gjitha partitë politike shqiptare sot. Duke filluar që nga PD, që sot drejtohet normalisht nga një kryetar, një ish sekretar i asaj partie para 17 vjetëve, që mezi e drejtoi atë dhe nuk mund të drejtojë dot ndryshe. Çështja është se ne nuk e kuptojmë reformën dhe as ndryshimin për më shumë politikën e re si një politikë që ka të bëjë me moshën, si një politikë që ka të bëjë me biografinë, përveçse me ideale dhe ide. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet që dhe reforma jonë e ndryshimit është një reformë për të krijuar kushtet e një pakti gjeneratash, që sot duhet të jetë i pranishëm, i prekshëm i efektshëm në PS. Nesër do të jetë i prekshëm, i efektshëm në raportet e qeverisë sonë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Në fund të fundit jemi PSSH dhe kemi detyrimin kontraktual mbi bazën e vlerave dhe parimeve që të mbrojmë paktin e gjeneratave. Por nga ana tjetër ne kuptojmë shumë mirë që nuk janë 1,2, 3, 5, por të gjithë njerëzit. Problemi kur një sistem nuk funksionon, duhet të ndryshojë sistemi. Ne ndryshuam sistemin e funksionimit të partisë duke marrë në konsideratë të gjitha ato që vëmë re. Një nga gjërat që bëmë, hoqëm byrotë. Byrotë e rretheve, që kishin uzurpuar pushtetin e njerëzve, pushtetin e qytetarëve, e anëtarëve të partisë, të cilët njësoj si të gjithë qytetarët nuk i shihnin më me sy byrotë. Por, kjo nuk do të thotë që të gjithë ata që ishin pjesë e këtyre kryesive të rretheve duhet të largoheshin. Kjo do të thotë që riorganizuam të gjithë mënyrën e funksionimit dhe gjithsecili në këtë sistem të ri organizimi gjen vendin e tij, por jo më, sepse njeh apo ka lidhje me Edi Ramën, me Gramoz Ruçin apo me këdo qoftë, ose se Edi Rama, Gramoz Ruçi e dëshiron që ai të jetë anërtarë byroje. Por, sepse anëtarët e partisë e votojnë dhe ju sot këtu jeni shprehje e asaj vote. Për t'u kordinuar me të tjerët kemi strukturën e sekretariatit, e kryesisë, e asamblesë kombëtare e kështu me radhë dhe zyrën e organizimit. Dua ta theksoj fort këtë gjë, dua që të gjithë të mobilizohen që zgjedhjet në organizatat socialiste të jenë zgjedhje në funksion të gjithë asaj çka thash, të krijimit të hapësirës në çdo qytet dhe fshat për të gjithë dhe jo thjesht dhe vetëm kryetari i fshatit, kunati, burri i motrës, vëllai i kunatit. Kjo nuk është një organizatë fshati. Kjo është familja e riorganizuar.

Kam dëgjuar herë pas herë diskutimet opozitë e fortë, opozitë e dobët. Duhet ta kuptojmë mirë. Opozita nuk është vetëm pasqyra ku njerëzit duhet të shikojnë deformimet e qeverisë. Opozita është dritarja ku njerëzit duhet të shikojnë të ardhmen e tyre. Pra drita ska, ujë ska, rrugë ska, punë ska, mbështetje sociale s'ka, viza s'ka, e s'ka e s'ka, dhe këta me të cilët flasin me qytetarë, që këto s'ka e kanë çdo ditë nga mëngjesi në mëngjesin tjetër, në tavolinën e bukës në shtëpinë e tyre, në librat e fëmijëve të tyre, në pensionin e më të moshuarve të tyre, por përveç kësaj skaje, çfarë ka?

Ka një opozitë që hap një dritare dhe tregon sesi mund të jenë librat e fëmijës, dritat, uji rrugët, etj. Kjo nuk është një opozitë e dobët. Kjo është një opozitë e fortë.

Një opozitë e dobët është ajo që leh, pas karvanit të qeverisë,dhe shkon andej nga shkon qeveria dhe i qëllon nga mbrapa me gurë apo me të sharë. Por opozita e fortë është ajo që ka axhendën e saj, e cila nuk varet nga axhenda e qeverisë. Axhendën tonë ne e bëjmë me shqiptaret dhe shqiptarët. Nuk na e bën mazhoranca. Në axhendën tonë një nga detyrat është të demaskojmë çdo akt abuziv që konstatojmë, duke u bazuar tek mendimi i ekspertëve dhe duke kërkuar zbardhjen e të vërtetës në organet e drejtësisë.

Tek kryetari i PS njerëzit duhet të shohin njeriun që i jep shpresë, që u jep solidaritet, që u jep mbështetje, njeriun që i gjëndet, pavarsisht se janë socialistë, demokratë apo çfarëdo qofshin. Kjo është politika e re. Këta jemi ne dhe këtë do t'u themi njerëzve. Këtë duhet të bëjmë për njerëzit dhe do ta bëjmë si shprehje të besimit tonë, dhe të vetëdijes sonë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm