Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Opozita që sot ankohet për nepotizëm, harron që në 8 vjet qeveria ishte familje

Fjalime

Opozita që sot ankohet për nepotizëm, harron që në 8 vjet qeveria ishte familje

27 Mar 2014    
Zoti kryetar, do ishte e udhës që çdo deputet në këtë pjesë të seancës parlamentare, në fjalën e vetë, ti referohej tërësisht procesverbalit të seancës së shkuar plenare dhe fjalës që kanë thënë në atë seancë.

Deputeti Berisha në seancën e shkuar parlamentare, fjalët kryesore të fjalimit të tij ka pasur, “fytyrë palarë, kokëpalarë, djersë e palarë në fytyrë, zhuls, gomar, lakuriq te liqeni, ordiner” dhe të tjera fjalë si këto. Vetëm këto janë fjalët, në procesverbalin e seancës së kaluar. Në nenet 64, 65 dhe 66 të rregullores së Kuvendit, që ish spikerja e Kuvendit e ka përdorur si i ka dashur qejfi,  me këto fjalë përjashtohesh nga seanca plenare. Kështu do të ishte normalisht të fillonim seancën. Biem dakord të gjithë që,nuk ka përjashtim për askënd, qoftë ky një ish kryeministër, një ish president që të shkeli në mënyrë kaq flagrante rregulloren e kuvendit.

U përmend këtu nga ish spikerja e Kuvendit, gjuha e përdorur, po ato zhelet i harrove?  Po ato, ulu nenjun e nenjun ulët, i harrove? Si s’të vjen turp ty?! Duhet që të marrësh fjalën në Kuvendin e Shqipërisë dhe të kërkosh falje dhe të thuash:”Po, tetë vjet me radhë e kam shpërdoruar atë foltore dhe atë pozicion”. Se ta ka thënë Raporti i Progresit të Bashkimit Evropian, me emër dhe me shprehje: “Kryetarja e Kuvendit shpërdoron pozicionin e kryetarit të Kuvendit”. Për të mos thënë pjesën tjetër që vazhdon raporti kur thotë: ”Tetë vite me radhë, buxheti i Kuvendit ishte si një kuti e zezë. Kurrë nuk u kuptua sesi harxhoheshin paratë e kuvendit”.

U fol këtu për nepotizëm, kush flet për nepotizëm? Ju, flisni për nepotizëm! Po pse more kujtoni se keni pasur qeveri? Qeveria ishte familja. Xhozefina Topalli, ditën që janë miratuar listat e deputetëve të Partisë Demokratike për Shkodrën tha, “ listën nuk e bëri Partia Demokratike, e bëri Shkëlzen Berisha”. Lista e Shkodrës, e ti Xhozefinë e di mirë kur të hoqën Arencën nga lista e futën shokun Shkëlzenit.

Ti flet për nepotizëm kur ambasadat e Shqipërisë i mbushët me të gjithë familjarët, pse nuk flet ti për dhëndrin tënd? Çfarë cilësish të veçanta kishte dhëndri jot Xhozefinë që, të ishte në ambasadën tonë në Paris? Kush janë cilësitë e veçanta të vëllait tënd që të ishte konsulli i Shqipërisë në Milano? Për çfarë? A tani bërtet se u hoq Gjoni nga konsullata, u hoq sepse Gjoni bashkë me atë, vajzën e një deputeti të Partisë Demokratike tjetër, e kishin kthyer konsullatën e Shqipërisë në Milano, në një skemë hajdutërie ku vidhnin përditë qytetarët shqiptar, emigrant në Itali. Kishin krijuar një telefonat, kur doje të ankoheshe për ndonjë hall në konsullatë, merrje në telefon nga Milano por duhet të shkonte telefonata në Shkodër dhe nga aty merrje informacion, po mbas 18 minutash, pasi kishe harxhuar 170 euro, se ku duhet të merrje një vulë në konsullatë. Dhe kjo është skema për të cilën ankohen për nepotizëm!

Ankohet për nepotizëm ish kryeministri Sali Berisha. Nuk ka skemë më të turpshme në këtë vend që, tetë vite me radhë Drejtoreshe e Përgjithshme e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, ishte mbesa e bashkëshortes së zotit Berisha. Mund të ketë qenë profesionalisht shumë mirë, por ama në aspektin korruptiv nuk mbahet mend drejtoreshë më të korruptuar në sigurimet e kujdesit shëndetësor. 10 milionë dollarë zhdukeshin përditë. Sigurisht është në proces hetimi, prokuroria bën punën e vetë. Kush ankohet?

Nuk kanë punë familjarët tanë të jenë në pozicione drejtues,  asnjëri prej nesh. Ankoheni këto ditë dhe nxirrni zëdhënësen e Partisë Demokratike që identifikon punonjës të nivelit të tretë të administratës, ndoshta edhe për çështje të mospërputhjes për shkak të veprimtarive të ndryshme kriminale, sigurisht. Kur ka ndodhur ndonjëherë në qeverinë shqiptare që për çdo identifikim që vjen nga opozita, menjëherë është marrë vendimi i shkarkimit dhe t’i lihet drejtësisë të zbardhi figurën. Por harruat ju mor zotëri, e harruat ju Sefgjinin e Saliut i akuzuar për vrasje dhe ai e mbante në detyrë Drejtor të Përgjithshëm. Ai ishte pra! Kur ju ishit në qeveri Sefgjini akuzohej për vrasje ndërsa zotëria në fjalë e mbante mburojë ndaj drejtësisë, duke mos e shkarkuar nga pozicioni.

Këto janë problemet që keni pasur. Doni të flasim për nepotizëm, secili prej jush, ti që flet i pari. Ç’punë kishte kushëriri yt i parë, përgjegjës i Doganës të Morinës? Deputet në Kukës, kushëriri i parë përgjegjës në Morinë. Ajo që flet, deputete në Shkodër, nipi i bashkëshortit ishte përgjegjës i Doganës në Shkodër. Këto janë problemet që ju keni.

Për t’u rikthyer tek problemi që ka kjo pikë e rendit të ditës. Unë në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste ju kërkoi që çdo deputet në këtë seancë t’i bindet Rregullores së Kuvendit. Fjalët e përdoruar nga ish kryeministri Sali Berisha në seancë e shkuar, janë të papranueshme për foltoren e Kuvendit të Shqipërisë. Dhe si të papranueshme për foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, zotëria ka dy alternativa; o ti tërheq mbrapsht, o të zbatohet rregullorja dhe zotëria të ndëshkohet me 21 ditë për mospjesëmarrje në seancë.

Faleminderit!

*Fjala e deputetit Taulant Balla në seancën e sotme parlamentare
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm