Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Partia Socialiste, fuqia e shembullit për ndërtimin të ardhmes në realitetin e njerëzve

Fjalime

Partia Socialiste, fuqia e shembullit për ndërtimin të ardhmes në realitetin e njerëzve

19 Feb 2016    
Përshëndetje të gjithëve!

 

Është një kënaqësi dhe një krenari e veçantë, që në një takim që i kushtohet anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste të ketë kaq shumë njerëz të pranishëm dhe për fat të keq, thuajse po kaq shumë jashtë kësaj salle, duke vazhduar kështu deri në ditëlindjen e Partisë Socialiste ku do dyfishohemi dhe takimin tjetër do e bëjmë në stadium.

 

Unë jam i bindur që nuk ka asnjë çudi dhe asnjë surprizë në këtë prurje të madhe. Faktikisht, prurja më e madhe që unë kam parë në Partinë Socialiste, qysh se e drejtoj këtë parti, në të gjitha fazat dhe fushatat për anëtarësime të reja. Ajo që Partia Socialiste po bën  prej dy vitesh e gjysmë në drejtimin e qeverisjes së vendit është një motiv shumë i fortë për shumë qytetare dhe qytetarë të këtij vendi, pavarësisht moshave, gjinisë, krahinës, që t’i bashkohen Partisë Socialiste. Sepse në këto dy vite e gjysmë, ne padyshim nuk kemi bërë gjithçka, por kemi bërë aq sa mjafton për çdo njeri të arsyeshëm dhe që e do këtë vend, për të kuptuar se ne jemi e vetmja fuqi që mund ta ndryshojë dhe ta çojë Shqipërinë në drejtimin e duhur.

 

Korça është një nga ato zona të Shqipërisë ku Partia Socialiste mund të dëshmojë me fuqinë e shembullit, aftësinë e vet për të projektuar një vizion dhe për të realizuar hap pas hapi, ndërtimin e atij vizioni në realitetin e përditshëm të njerëzve.

 

Sot, Korça është bërë një destinacion për shumë shqiptarë, nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe jo vetëm më për festën e birrës, por thuajse për çdo fundjavë. Unë jam i bindur që me mbështetjen që ne do të vazhdojmë t’i japim Bashkisë së re të Korçës, dhe të gjitha bashkive të tjera të këtij qarku, ndryshimi që do të përjetoni në vitin që jemi, në vitin që vjen dhe në vitet e tjera të qeverisjes së Partisë Socialiste, do të jetë edhe më i madh sesa ndryshimi i këtyre dy viteve e gjysmë. Ashtu sikundër nuk ka asnjë dyshim, sepse e thonë shifrat, në këto dy vite e gjysmë me Partinë Socialiste në qeveri, për Korçën është investuar nga Tirana, më shumë se në 20 vjet, të marra së bashku.

 

Brenda pak javësh, ne do të fillojmë programin më të madh të ujitjes dhe kullimit në këto 20 e kusur vite, nga i cili do të përfitojnë drejtpërdrejt të gjithë fermerët e Bashkisë së Korçës, e Bashkisë së Maliqit dhe e bashkive të tjera.

 

Ajo që është e pashmangshme sot, është të mendojmë, po sikur të gjithë këto reforma që ne kemi ndërmarrë, të ishin ndërmarrë 20, 15 apo 10 vjet përpara, sa më ndryshe do ishte Korça dhe sa më ndryshe do ishte e gjithë Shqipëria. Po sikur reforma që më në fund, pas shumë vitesh krijoi bashkinë e madhe të Korçës, krijoi bashkinë e re të Maliqit,  krijoi bashkinë e re të Devollit e kështu me radhë, të ishte ndërmarrë 20, 10 apo qoftë dhe 5 vjet më parë, sa shumë gjëra do ishin ndryshe në këto bashki dhe në të gjitha bashkitë e Shqipërisë! Sa më tepër banorët e këtyre njësive do kishin përfituar dhe sa më shumë efekt të drejtpërdrejt në jetën e tyre do kishin pasur investimet!

 

Po sikur reforma e pensioneve, të cilën e ndërmorëm ne 2 vjet më parë, të ishte ndërmarrë 20 apo 10 vjet përpara, sa më shumë do të ishin pensionistët, të cilët nuk do të gjendeshin të strukur nën tavanin 240 mijë lekë pension? U desh që të vinte Partia Socialiste në qeveri dhe u desh që  të ndërmerrnim rrugën e guximshme të reformave dhe të programit për Rilindjen Shqiptare, që mijëra e mijëra pensionistë të marrin shumë më tepër, sesa pensioni tavan i 20 viteve, 240 mijë lekë. Çdo vit janë mijëra e mijëra të tjerë që përfitojnë nga kjo reformë, drejtpërdrejt, sepse është një reformë që nuk u thotë atyre që dalin në pension se pavarësisht sa keni punuar, sa keni sakrifikuar e jeni rropatur, keni vetëm 240 mijë lekë, por përkundrazi është një reformë që ju mundëson që aq sa kanë punuar, aq edhe të kompensohen nga pensioni i tyre.

 

Po sikur reforma në arsim, - reforma që çliroi fëmijët tanë nga afro 600 tekste të mbushura me marrëzi dhe me paqartësi; reforma që futi për herë të parë në arsimin parauniversitar, tekstet e Oxford-it, të Cambridge dhe të Pearsons, tekstet e tre prej prodhuesve më të njohur dhe më të vlerësuar ndërkombëtarë të librave në Bashkimin Europian, - të ishte ndërmarrë 20 vjet përpara, sa më shumë fëmijë, të reja dhe të rinj, sot do të kishin marrë drejtpërdrejt nga këto tekste dhe me të njëjtë metodë që mësojnë bashkëmoshatarët e tyre në Britaninë e Madhe apo në vende të tjera të Bashkimit Europian, dijet e nevojshme për të qenë të reja dhe të rinj njësoj të ditur dhe njësoj të përgatitur si ata në Bashkimin Europian! U desh të vinte Partia Socialiste, u desh të krijohej qeveria që solli vota masive për programin e Rilindjes Shqiptare, që edhe për fëmijët tanë në shkollat e të gjithë Shqipërisë të fillojë një epokë e re. Epoka e re e të mësuarit me tekste të cilësisë më të lartë të vendeve më të përparuar të Bashkimit Europian.

 

Po sikur kontrolli bazë falas të ishte bërë 20, 15 vjet përpara, sa mijëra, dhjetëra e qindra mijëra njerëz do të kishin mësuar se çfarë e kërcënon organizmin e  tyre dhe sa shumë para do të ishin kursyer nga shpenzimet që vijnë për shkak të paditurisë lidhur me gjendjen shëndetësore dhe për shkak të mungesës së plotë të çdo politike parandaluese.

 

U desh të vinte Partia Socialiste me programin e saj për Rilindjen Shqiptare dhe me votën masive të shqiptarëve, që për herë të parë pas 20 e kusur vitesh të fillonte të ndërtohej një regjistër për të dhënat shëndetësore të qytetarëve dhe qytetarët e këtij vendi nga 40 deri 65 vjeç ta përfitojnë kontrollin mjekësor bazë falas, pra, pa asnjë pagesë dhe të parandalojnë sëmundjet në trupin e tyre, duke i kursyer vetes, familjes, por edhe shoqërisë.

E pra, ky është një ndryshim tjetër shumë i madh, siç është një ndryshim shumë i madh fakti që sot, falë qeverisjes së Partisë Socialiste, mjeku i familjes nuk është më me pagesë, por është falas. Çdokush që shkon tek mjeku i familjes, jo vetëm nuk paguan më, por, përkundrazi, i mjafton rekomandimi i mjekut të familjes që pastaj, në çdo spital të Shqipërisë t’i marrë shërbimet, në rast se është i pasiguruar, 7-8-fish më pak sesa i merrte një vit më parë.

Po sikur 20 vjet më parë, shqiptarëve, qeveria t’u thoshte dritat nuk vidhen dhe energjia është një mall që duhet ta paguajnë të gjithë, ne do të kishim mundur të kishim plotësuar deri sot, të gjitha nevojat për shkolla, spitale, qendra shëndetësore, kopshte e çerdhe nga Tropoja deri në Sarandë, në vend se çdo vit të paguanim nga taksat e atyre që paguajnë rregullisht, për të mbuluar gropën e vjedhjes, që çdo vit u bë më e thellë e më thellë nga energjia elektrike.

U desh që të vinte Partia Socialiste në qeveri, me votën për programin e Rilindjes Shqiptare, që për herë të parë mbas 20 e kusur vitesh, nga xhepi juaj të mos shkojë asnjë kokërr leku për të mbuluar vjedhjet, pra, 150 milionë euro t’i kursehen këtij vendi për qëllime të tjera dhe ndërkohë të fillojnë investimet në rrjetin e shpërndarjes, për të sjellë kudo një shërbim më cilësor me energji dhe për të bërë të mundur që malli, të cilin secili tanimë është mësuar ta paguajë, shërbehet me dinjitet dhe me cilësinë më të mirë.

Po sikur Policinë e Shtetit të mos e kishin lënë me vite të tëra të katandisej në policinë me moshën më të lartë, policia më e plakur e Europës dhe e Ballkanit, të katandisej në policinë me nivelin më të ulët arsimor, policia më e paarsimuar e Europës dhe e Ballkanit dhe të katandisej në policinë më të keqtrajtuar nga pikëpamja e rrogave dhe e infrastrukturës, sa shumë jetë njerëzish do të ishin kursyer, sa shumë kohë dhe mundësi do ju ishin shkurtuar kriminelëve.

E pra, u desh të vinte Partia Socialiste në qeveri, me programin e saj për të rilindur Shqipërinë, që të rilindte pas shumë e shumë vitesh Policia e Shtetit, rrogat e së cilës u rritën si asnjëherë më parë, për të cilën filluan trajnimet si asnjëherë më parë, në mbështetje të së cilës u hap Akademia e Sigurisë.

Sot, në vetëm dy vjet e gjysmë, të gjithë e bëjnë diferencën. Edhe pse çka sapo thashë për policinë, shëndetësinë, arsimin, pensionet dhe gjitha të tjerat që fola, jam i vetëdijshëm dhe jemi të vetëdijshëm se nuk është fundi, nuk është mbërritja, por është vetëm një pjesë e parë e rrugës sonë drejt objektivit që ta bëjmë Shqipërinë një vend me shtet dhe ta bëjmë Shqipërinë, një vend ku shteti jo vetëm u shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë, por është një arsye për të besuar tek ky vend dhe për të mos pasur drojën që t’i rrisim fëmijët dhe t’u themi mos ikni kurrë më nga ky vend.

Ne sot jemi krenarë për faktin që jo vetëm kemi vënë në jetë, që ditën e parë në qeverisje, një aspekt themelor të programit tonë: kush fiton më shumë , duhet të paguajë më shumë dhe kush fiton më pak, duhet të paguajë më pak. E që në fillim kemi ulur taksat për 97% të shqiptarëve, praktikisht, për të gjithë shqiptarët që marrin më pak se 1 milionë lekë (të vjetra) në muaj, duke i kursyer mesatarisht çdonjërit prej tyre, 250 dollarë në vit. Por falë reformave dhe falë mbështetjes që kemi gjetur nga reformat dhe për reformat, ne kemi mundur të arrimë më parë, sesa e kishim parashikuar, tek lehtësimi maksimal i biznesit të vogël.

U desh të vinte Partia Socialiste, me programin e saj për të rilindur Shqipërinë dhe me bindjen e saj se kush fiton më pak, duhet të paguajë më pak, që biznesi i vogël në këtë vend të shohë ditën kur taksën e ka zero. E nuk janë pak, por 83 500 familje që jetojnë me biznes të vogël në këtë vend dhe që nga 1 janari paguajnë zero taksa. Ato lekë që deri dje i shkonin shtetit, i mbeten familjeve dhe fëmijëve të tyre.

 

Është jeta reale e çdo njeriu që jeton me një punë, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat, që flet vetë për ndryshimin që ka filluar të ndodhë. Një ndryshim që nuk është një arsye që ne të rrahim gjoksin, por është një arsye e fortë që njerëzit të na besojnë dhe një arsye e fortë që pse kaq shumë njerëz duan të bëhen pjesë e Partisë Socialiste. Sepse kanë kuptuar jo nga fjalët, por nga faktet që, pavarësisht se nuk ka asgjë të përsosur dhe Partia Socialiste nuk është  e përsosur, është e vetmja derë ku mund të hyhet dhe e vetmja hapësirë ku bashkë me të tjerë mund të kontribuohet për të bërë Shqipërinë që duam dhe për ta bërë më në fund, me shtetin që shqiptarët meritojnë.

 

Ne e dimë të gjithë që papunësia është një armik serioz i shoqërisë sonë dhe i të gjithë shoqërive në rajon apo në Europë. Ne e dimë shumë mirë, ndërkohë që Shqipëria dhe ekonomia jonë nuk është e izoluar nga konteksti rajonal dhe europian, u desh të vinte Partia Socialiste në pushtet, u desh që të merrte në dorë drejtimin e vendit dhe që shqiptarët të votonin programin e Rilindjes, që kompanitë, të cilave pushteti i mëparshëm u kishte marrë dhe mbajtur forcërisht 720 milionë dollarë, të merrnin mbrapsht paratë e tyre dhe kështu të rifillonte puna që kishte mbetur në vend nga të katër anët, qoftë për infrastrukturën, qoftë për shërbimet.

 

U desh që të vinte Partia Socialiste, që ekonomia të rritej dhe të kapte 2.7 % vitin e shkuar dhe të arrijë në mbi 3 % këtë vit.

 

U desh të vinte Partia Socialiste, që libri i llogarive të shtetit, libri i të punësuarve në këtë vend, në sektorin shtetëror apo në sektorin privat, që 2 vjet  e gjysmë më parë kishte të regjistruar mbi 470 mijë njerëz, sot të ketë të regjistruar mbi 630 mijë njerëz. E kjo është një diferencë e madhe!

 

Gjynahqarët që na sulmojnë përditë dhe që gjejnë në çdo gjë, në çdo përpjekje, në çdo nisëm, në çdo vendim e në çdo punë, arsye për të na përbaltur, rrudhin buzët dhe përpiqen të thonë se në Shqipëri ka më shumë të papunë sesa kishte 2 vjet e  gjysmë më parë. Por fakti është që në Shqipëri ka 630 e ca mijë njerëz që punojnë jo në të zezë, që marrin rroga dhe që paguajnë taksa. Ka një fjalë të bukur që thotë “Jam i lumtur që paguaj taksa, sepse do të thotë që jam i punësuar”.

 

Ndërkohë që është po kështu, fakt i pakundërshtueshëm që me reformën në arsim dhe me rilindjen e arsimit profesional, ne kemi hapur një rrugë që do të kërkojë vitet e veta, por që vit pas viti do t’i japë gjithmonë e më shumë të rinjve, mundësinë që të jetojnë me punë të ndershme përmes zanatit e tyre dhe të mos enden rrugëve dhe kafeneve, me një diplomë juristi, që s’u hyn në punë.

 

Jam i bindur që edhe këtë vit, ne do të vazhdojmë të rrisim punësimin real. Atyre që përpiqen t’i zvogëlojnë këto arritje, apo t’i asgjësojnë duke thënë “s’keni bërë asgjë, se thjesht dhe vetëm janë disa njerëz që punojnë në të zezë dhe sot kanë dalë nga ekonomia informale”, ne ju themi se jemi shumë krenarë që kemi nxjerrë jo nga puna në të zezë, por nga skllavëria, nëna e motra, vëllezër e baballarë, burra e gra, që deri dje merrnin një rrogë për të mbajtur frymën gjallë dhe nuk e kishin emrin askund, nuk kishin sigurime shoqërore e mund të flakeshin nga puna në sekondë dhe askush nuk donte t’ia dinte për ta. Ne i kemi kthyer ata, në taksapagues të rregullt të këtij shteti, që ndërkohë janë të siguruar nga ana shëndetësore dhe kanë të siguruar pensionin e tyre.

 

Dikush mund të thotë se me gjithë këto që po thua, mos t’ju duket vetja se keni bërë ndonjë çudi. Absolutisht jo! Nuk kemi bërë asnjë çudi, por kemi bërë diçka që të tjerët nuk e bënë 20 e kusur vite me radhë. Nëse dikujt unë i dukem i kënaqur për ato që them, dua ta siguroj se për sa kohë unë do të jem në këtë detyrë, do të ketë njerëz që do të jenë të palumtur, do të jenë të papunë, do të kenë halle dhe për sa kohë do të ketë të tillë, unë asnjëherë nuk do të jem i kënaqur nga detyra ime dhe nga detyra e qeverisë sonë. Ne jemi në këtë detyrë me bindjen e thellë se pushteti që kemi është i njerëzve dhe pavarësisht të metave, gabimeve, vonesave, këtu apo atje, ne asnjëherë nuk do t’i tradhtojmë njerëzit. Kështu që, meqë disa u mërzitën që unë e shkrova, tani po e them edhe me zë: “Qentë le të lehin, karvani do të eci përpara!” Saliu tha se këtë e ka thënë Enver Hoxha. Në fakt, këtë e ka thënë populli. Enver Hoxha e mësoi nga populli. Saliu e mësoi nga Enver Hoxha. Unë e kam dëgjuar nga populli.

 

Dua t’i shpreh falënderimin dhe mirënjohjen kryetarit të Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filos, duke ju pohuar të gjithëve se kur e morëm Niko Peleshin në Tiranë, kisha shumë merak se mos na mbetej Korça mbrapa. Por kryetari i ri, me vepra e tregoi që vizionin transformues të një kryetari bashkie si Niko Peleshi, që do të mbetet në  historinë e Korçës, sepse ishte njeriu që i ktheu korçarëve, Korçën, po vazhdon ta zbatojë me shumë angazhim dhe me shumë përpikëri.

Shumë shpejt do të fillojmë këtu në Korçë, projektin e parë të një programi të ri të qeverisë për komunitetet. Ky është programi i qyteteve të fëmijëve. Do të ndërtojmë qytetin e parë të fëmijëve, duke filluar nga ky vit. Fëmijët e Korçës do të jenë të parët që do të kenë mundësinë të kenë qytetin e tyre brenda qytetit të madh të prindërve dhe të gjyshërve. Kështu, kush është prind që ka fëmijë, përgatituni se fëmijët do t’ju sjellin shumë miq të tyre nëpër shtëpi, për të vizituar e shijuar qytetin e fëmijëve, që është projekti i parë i kryetarit të bashkisë.

Po ashtu do të mbarojmë këtë vit teatrin e Korçës. Ka shumë njerëz që thonë se ne s’kemi bukë, ju bëni teatër. Por unë nuk kam parë asnjë vend në botë që të mos ketë teatër, muze, parqe e bukuri dhe të ketë bukë. Nuk ndodh! Kështu që saç e sjell buka, forcën për të punuar, aq e sjell bukuria, fuqinë për të prodhuar!

Brenda pak muajsh do të inaugurojmë Muzeun e Artit Mesjetar, çka do të jetë një tjetër arsye shumë e fortë për njerëzit që të vijnë në Korçë.

Korça është bërë vërtet një pikë tërheqëse. Para një jave, qeveria ka miratuar edhe një financim 3.2 milionë dollarë. Ndërkohë që 3.2 milionë dollarë në kohën kur Niko Peleshi ishte kryetar bashkie, qeveria i jepte për tetë vjet bashkë. Me 3.2 milionë dollarë do të bëjmë shpronësimin e gjithë pjesëve private të zonës tek stadiumi, ku do të ndërtohet qyteti i fëmijëve dhe pastaj do të vazhdojmë projektin e parkut të madh sportiv, rekreativ dhe olimpik të Korçës.

Po këtë vit, pasi i kemi dhënë Maliqit dhe njerëzit të tij, njerëz shumë punëtorë që gdhihen e ngrysen nëpër ara, një mbështetje që është mbështetja më e madhe që kanë marrë në 20 vjet për ujitjen dhe kullimin, do të fillojmë këtë vit, edhe projektin e madh të transformimit të Voskopojës. Do ta bëjmë Voskopojën të shkëlqejë, siç po shkëlqen pazari i vjetër.

*Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në takimin me anëtarësinë në Korçë, për procesin e hapjes dhe riorganizimit të partisë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm