Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Partia Socialiste ka sot më shumë se kurrë një mision historik: qeverisjen me besnikëri ndaj njerëzve të zakonshëm

Fjalime

Partia Socialiste ka sot më shumë se kurrë një mision historik: qeverisjen me besnikëri ndaj njerëzve të zakonshëm

29 Feb 2020    

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla në Kongresin Zgjedhor 2020:

Të dashur delegate e delegatë,

Tre muaj më parë Shqipëria u godit nga një tërmet shkatërrimtar.

Ju ftojë të mbajmë një minutë heshtje në kujtim të jetëve të humbura nga Tërmeti i 26 Nëntorit.

U prehshin në paqe!

26 Nëntori ishte momenti më i vështirë për gjeneratën tonë.

51 të vdekur, thuajse 1000 të plagosur, më shumë se 14 mijë familje, që në më pak se një minutë humbën çatinë mbi krye.

Bashkë me forcat e para të strukturave të shtetit, i pari që mbërriti në Durrës ishte vetë Edi Rama, e menjëherë pas pak çasteve filloi misioni i kërkim-shpëtimit nën rrënoja.

Në emrin tuaj dua t’i shpreh mirënjohje çdo anëtari të forcave të kërkim-shpëtimit, shqiptarë e të huaj, të ushtrisë, të policisë, të zjarrfikësve, të kërkim-shpëtimit të minierave, si dhe të mjekëve e infermierëve që kuruan mijëra plagë të mëdha e të vogla në trupat e qindra e qindra të plagosurve.

Mirënjohje për solidaritetin fqinjëve e kujtdo vendi tjetër mik, që na u gjend qoftë në orët e para pas tërmetit, e qoftë për atë mbështetje të paimagjinueshme në Konferencën e Donatorëve.

Më shumë se 100 vende e organizma financiarë ofruan 1.15 milardë Euro në dizpozicion të rindërtimit të Shqipërisë!

Ne socialistët duhet të ndihemi krenarë, që i kemi dhënë vendit një Kryeministër që arriti të bindë personalisht çdo lider të Europës dhe Lindjes së Mesme, që jo vetem duhet ndihmuar Shqipëria, por që ata të jenë bashkë në një konferencë të vetme donatorësh, në Bruksel, prej ku shqiptarët morën mesazhin e dyfishtë të ndihmës masive financiare dhe të vëmendjes së madhe ndërkombëtare.

Motra e vëllezër,

Tashmë që kemi mundësi të shohim pas me qetësi, duket ende e pamundur se si u arrit t’i jepet strehë e ushqim të ngrohtë dhe perspektivë të qartë në kohë rekord mijëra familjeve.

Duket e paimagjinueshme se si u sistemuan mijëra njerëz në hotele me kushte optimale, me kujdes të posaçëm mjekësor për të sëmurët e shërbim të dedikuar arsimor për fëmijët;

 Se si mijëra të tjerë u sistemuan në kohë rekord në shtëpi me qira, se si mijëra të tjerëve shtabi i emergjencës, iu siguroi çadrat dimërore, brenda oborreve të shtëpive të tyre të pabanueshme në fshat.

 

Ne i thamë çdo familje e çdo shqiptari e shqiptareje të prekur nga tërmeti #TiNukDoJeshKurrëVetëm,dhe e përballuam me dinjitet, përgjegjësi, edhe pse duhet ta themi se kurrë më parë Shqipëria nuk ishte gjendur e përballur me një situatë të tillë apokaliptike.

Do t’i mbajmë mend gjatë ato ditë, si rrallë herë më parë, shqiptarët u bënë bashkë.

Ato ditë ishin ditë që rrëzuan për pak momente edhe fjalët Fishtës së madh “Ma zor mblidhen dy shqyptarë, sesa mblidhet nji thes me pleshta”.

Edhe pse solidariteti i ndonjë hiene në krahun tjetër të politikës nuk zgjati gjatë.

Shumë shpejt na u desh të përballemi me kujën e paskrupullt të hienave, që tentuan të ngjallin mosbesim, zi dhe humbje shprese, e që kulmoi në një shpërthim të çartur klithmash fill pas suksesit të konferencës së donatorëve.

Politikanë të pashpresë, ushtarë të dëshpëruar të së keqes, njerëz të trembur deri në palcë nga Reforma në Drejtësi.

Të gatshëm të përdorin edhe një epidemi botërore, si koronavirusi, për të shpërndarë panik, nxitur ankth, kërkuar rrëmujë.

Ne, Partia Socialiste kemi sot më shumë se kurrë një mision historik.

Ne kemi një kontribut konseguent, qoftë kur shqiptarët na kanë besuar të qeverisim vendin tonë, qoftë në 13 vite në opozitë në zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Partia Socialiste mbetet e vetmja forcë politike me vokacion të qartë:

  1. për një Shqipëri me shtet;
  2. një Shqipëri me drejtësi, sundim të ligjit, ku i pushtetshmi i nënshtrohet rregullave të bashkëjetesës shoqërore njësoj si njeriu i zakonshëm;
  3. një Shqipëri me rend ligjor ekonomik, ku të gjithë kontribuojnë sipas fitimit dhe askush nuk cënohet në të drejtën e tij për të fituar; e ku ai që fiton më shumë taksohet më shumë, e ai që fiton më pak taksohet më pak ose aspak.
  4. një Shqipëri që sot renditet e pesta në renditjen globale për barazinë gjinore në qeverisje;
  5. një Shqipëri me miq e me partnerë ndërkombëtarë, që bashkëpunon me dinjitet në çdo plan dhe di të respektojë të tjerët duke respektuar vetveten.

 

Partia Socialiste ka natyrisht përgjegjësinë dhe meritën kryesore në gjithë këtë përpjekje dhe reformim të thellë e të gjithanshëm.

 

Sot Shqipëria është gati të fillojë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Sot Shqipëria është Partner strategjik dhe aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkura të Amerikës.

Sot Kryeministri Edi Rama drejton sot Organizatën më të madhe në botë për Sigurinë dhe bashkëpunimin, e që bën sëbashku më shumë se 57 shtete e mbi 1 miliard banorë.

Hapa këto që shtatë vite më parë dukeshin shumë vite larg.

Kontributi i socialistëve ka spikatur edhe në momente të vështira e delikate, që ka kaluar vendi ynë në ngjarje me ngarkesë të madhe politike, si refuzimi i tentativës për uzurpimin e demokracisë nga Presidenti famëkeq me projekt-kushtetutën e vitit 1994, zgjedhjet e 26 Majit 1996, kriza e piramidave në 1997, miratimi i Kushtetutës në 1998, kontributi i pazëvendësueshëm i socialistëve në Qeveri në luftën e Kosovës përpara, gjatë dhe pas vitit 1999, beteja për transparencën e zgjedhjeve 2010-2011.

 Prej korrikut 2016 në Shqipëri rreshtimi i krahëve në politikën shqiptare nuk është vetëm në nocionet bazë e majtë - e djathtë, shumicë - pakicë apo pozitë - opozitë.

 Prej atij momenti në Shqipëri u krijua një aleancë e pështirë kundër Reformës në Drejtësi, me Sali Berishën në ballë, Ilir Metën pas shpine, Lulzim Bashën në krah dhe Monika Kryemadhin në çizme!

Reforma në Drejtësi ishte dhe është angazhimi ynë themelor prej kur e propozuam për herë të parë në vitin 2008 nevojën e një reforme të tillë dhe jetësimin e të cilës e filluam sapo morëm besimin e shqiptarëve.

 Prej vitit 2016, kur ne zhvilluam edhe Kongresin tonë të fundit zgjedhor, Partia Socialiste ka fituar edhe dy beteja të tjera të rëndësishme elektorale.

Në zgjedhjet e 25 Qershorit 2017 ne morëm numrin më të madh të votave, duke i dhënë Partisë Socialiste më shumë mandate se asnjëherë tjetër në Kuvendin e Shqipërisë.

Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ishin po ashtu një shprehje kuptimplotë e demokracisë, siç konkludoi Raporti i Misionit Vëzhgues për Zgjedhjet, duke u garantuar e drejta kushtetuese e çdo shqiptari për të votuar.

Shqiptarët votuan të qetë, duke shprehur me votë vullnetin e tyre.

Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 treguan edhe se molotovi, dhuna, zjarri dhe sulmet ndaj institucioneve ishin kryekëput të organizuara dhe drejtuara nga opozita e rrugës.

Sa herë ata urdhëronin dhune, kishte molotov.

Kur tërhiqeshin nga dhuna, kishte qetësi.

Shqiptarët e kundërshtuan dhunën dhe molotovin.

Pavarësisht kërcënimeve disa mujore të Lulit, Saliut, Monës dhe Ilirit, pjesëmarrja në zgjedhje dhe rezultatet ri-konfirmuan fitoren e padiskutueshme të Partisë Socialiste në vitin 2017.

Mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore lidhet me pa-aftësinë e tyre për të na konkuruar.

 Por dobësia e thellë e kundërshtarit nuk duhet të na vetëkënaqë duke lënë pas dore për asnjë moment organizmin/përmirësimin e strukturës së Partisë sonë.

Të dashur delegate e delegatë,

Ne s’mund të jemi të vetëkënaqur se shqiptarët na shohin si e keqja më e vogël dhe ne nuk mund të jetojmë për zgjedhjet e radhës.

Ka disa që na kritikojnë sot për koalicionin me LSI gjatë mandatit të parë ose shumë na thonë tani edhe pse zgjodhëm Ilir Metën President.

Këtyre kritikëve ju them se ne nuk jetuam për zgjedhjet e radhës në mandatin tonë të parë, nuk shitëm qëllimet dhe nuk bëmë kurrë Pazar për objektivat në mandatin e parë.

Ne bëmë punë të mira në atë kualicion dhe Ilir Metës i dhamë thjesht hakun, si pjesë e kualicionit (pasi Presidentin me vetëm votat tona se zgjidhnim dot), por edhe si më i miri President nga radhët e opozitës realisht.

Ne nuk mund ta parashikonim dot, askush se dinte, që Ilir Meta do të katandisej si Veri, që u nxjerr gjuhën njerëzve tek udhëkryqi i “21 Dhjetorit”!

Por mos e harroni që ne patëm gjithë gatishmërinë edhe të dalim nga qeveria e koalicionit me LSI për shkak të Reformës në Drejtësi, sepse Reforma në Drejtësi ishte më e rëndësishme sesa pushteti ynë dhe fituam zgjedhjet të vetëm më pas, sepse njerëzit atje poshtë, prej ku jeni zgjedhur delegatë, janë shumë më të mençur se sa duken zyrat apo studiot televizive të Tiranës.

Socialistët shqiptarë nuk pajtohen për asnjë moment me një mënyrë qeverisuri që kënaqet më pak.

Socialistët shqiptarë janë progresistë, nuk janë konservatorë, jo për definicion, por se i dallon me të tjerët reagimi instiktiv, i përditshëm, refuzimi, dhe përpjekja për të shëruar mekanizmat e korruptuar dhe që duhet të vazhdojmë të reformojmë.

Prandaj qasja jonë në qeverisje ka në themel shpirtin e protestës ndaj problemeve me të cilat përballen realisht shqiptarja e shqiptari i thjeshtë çdo ditë, në çdo zyrë shteti, në çdo bashki, në çdo shërbim publik, etj.

E këtu dua të kujtoj se protesta e studentëve në dhjetor 2018, ishte një mundësi e mirëseardhur në formën e një reagimi shumë kuptimplotë në emër të një jete më të mirë universitare, por mos harrojmë që ajo protestë erdhi njëkohësisht, edhe në emër të besimit tek Edi Rama dhe tek ne socialistët shqiptarë, si shpresa të vetme për ndryshim në këtë vend.

Reagimi ynë përmes Paktit për Universitetin ishte reagimi i duhur, edhe pse me vonesë.

Kundërshtarët tanë në qeverisje janë të gjitha ata zyrtarë në çdo nivel që ia nxijnë jetën njerëzve çdo ditë.

Nuk mund të mjaftohemi me sinjalizimet që vijnë nga portali Shqipëriaqëduam.al për të ndrequr apo identifikuar zyrat ku kemi problem.

Na duhet të jemi realistë dhe duhet të jemi kritikë me veten kur bëhet fjalë për shërbimet ndaj qytetarëve.

Me dixhitalizimin e shërbimeve publike duhet të ecim me shpejtësi edhe pse e pranoj që në gjendjen që i gjetëm, ku jemi sot ndryshimi është si nata me ditën.

Kemi përcaktuar se viti 2020, duhet të shënohet si viti i një kthese historike në shërbimet për qytetarët.

Dy muaj u mbyllën sot dhe 10 muaj na mbeten për t’i dhënë fund brenda vitit 2020, historisë e aplikimeve me dosjen sa një mal, që sot e tridhjetë vjet i kërkohet qytetarit për një shërbim të vetëm.

Kështu do të shpëtojnë nga shumë telashe e pamundësi objektive, edhe të gjithë qytetarët shqiptarë jashtë vendit, të cilët këtu në Kongresin tonë kanë sot përfaqësuesit e tyre delegatë.

Llogaridhënia publike e Qeverisë për herë pë parë në vitin 2018 ishte konfirmim i angazhimit tonë se në këtë mandat aleati ynë i vetëm janë vetëm njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi dhe se gjithë vëmëndja jonë është për ata.  

Llogaridhënia publike është boshti i Bashkëqeverisjes.

Ne jemi të angazhuar të qeverisim me besnikëri të madhe ndaj atyre që na votuan po edhe ndaj atyre që nuk na votuan, njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Ne kemi bërë shumë, por jo të gjithë shqiptarët i dinë.

Fakti është që sot, puna në Shqipëri taksohet mesatarisht 5.5%.

Në 2013, puna në Shqipëri taksohej dy herë më shumë sesa sot, me 10%.

Sot, të gjithë ata që marrin një rrogë në shtet, ose në privat, deri në 1.5 milionë lekë paguajnë më pak taksa mbi pagën, se ç’paguanin në 2013.

Prej 1 janar 2020, 11 mijë biznese paguajnë 3 herë më pak tatim- fitimi, ndërsa tavani i biznesit të vogël ka shkuar nga 80 në 140 mijë dollarë në qarkullim vjetor.

Më parë paguanin 10%. Deri vjet paguanin 15%. Nga 1 janari 2020 paguajnë 5%.

Jemi e vetmja ekonomi në rajon, ku 91% e atyre që merren me biznes paguajnë vetëm 5% taksë. E vetmja ekonomi në rajon.

Në 1 janar 2020 nuk ka më taksë mbi Vlerën e Shtuar për të gjitha inputet bujqësore.

Të gjithë fermerët në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë kanë kostot më të ulëta që kanë pasur ndonjëherë të prodhimit.

Kursi i këmbimit sot, leku s’ka qenë asnjëherë më i fortë sesa sot, në këto 5 vite të fundit dhe jemi në situatën kur konsumi, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vazhdon rritet dhe nuk mund të thotë më askush, që rritet nga kanabisi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, jo sipas nesh, të ardhurat nga vizitorët e huaj në Shqipëri në 9 muajt e parë të 2019 janë rritur me 158 milionë euro, krahasuar me 2018.

Në 5 vite, të ardhurat nga vizitorët e huaj në ekonominë tonë janë rritur me 55%, sipas Bankës së Shqipërisë.

Në Shqipëri janë të regjistruar si të punësuar 1 233 000 vetë. 262 mijë vetë më shumë të punësuar se në 3-mujorin e parë të vitit 2014.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ankohet se bizneset po mbyllen, se bizneset janë nën presionin, i mbyti qeveria.

Po si more Lulzim bizneset po mbyllen apo janë nën presion?!

Mjafton të shohësh bizneset e tua familjare, të kunatit apo vëllait, dhe provohet tërësisht e kundërta.

Rritje me disa herë e xhiros vjetore.

Kjo është për ata që thonë, “ku i keni 300 mijë vendet e punës?”.

Por vendet e punës as kanë gojë të flasin dhe as bëjnë lajm për të dalë në televizor.

Edhe tregtia me pakicë, sipas Bankës së Shqipërisë, është rritur vit pas viti.

Zonja dhe zotërinj,

kolegë,

miq e të ftuar,

Kuvendi i Shqipërisë miraton këtë javë aktin normativ “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit të sigurisë publike” dhe projektligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”.

Prej disa javësh po vendosen përpara lupës së ligjit të çdo pasurie që buron nga krimi e nga trafiqet e çdo lloji, të shoqëruar me një goditje të pandërprerë operacionesh policore e çështjesh gjyqësore, me "të fortët" që i bëjnë karshillëk komunitetit dhe shoqërisë.

Sot, ne jemi këtu të gjithë sëbashku për ta mbështetur njësinë më të re operacionale të policisë së shtetit, OFL-në dhe për ta nxitur që të ketë sukses në një mision që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë dhe për shoqërinë tonë.

Po ashtu brenda kësaj jave ne miratojmë në Kuvend ligjin "Për proceset kalimtare të pronësisë", i cili do të shoqërohet me të gjithë hapat e nevojshëm që do të mundësojnë zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronës për dhjetëra mijëra familje në fshat, nga Veriu në Jug, të cilat nuk e gëzojnë ende titullin e pronësisë mbi tokën si pasojë e moszbatimit të ligjit 7501, në kushtet kur ato janë kthyer në kufijtë e vjetër pa asnjë konflikt me fqinjët rreth tyre.

Kanë 30 vjet që presin në tokën e stërgjyshërve dhe as e shesin dot, as aplikojnë dot për financime nga shteti.

Të dashur delegatë e delegate,

Viti 2020 nisi me një qasje të re të disa prej partive të opozitës ndaj institucioneve demokratike legjitime në vend.

Edhe pse i vonuar, me shumë muaj e shumë energji të humbura kot, ndryshimi 180 gradë i qasjes së opozitës duke u rikthyer në tryezën e dialogut, ishte një reflektim pozitiv.

Shqipëria ka nevojë që opozita ta ketë kuptuar përfundimisht se kursi i dhunës dhe moskompromisit nuk janë zgjidhja e duhur, por e gabuar.

Kuvendi me votën e shumicës dhe opozitës parlamentare ia ka krijuar prej muajsh mundësinë opozitës jashtë parlamentare që të ketë një vend në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore.

Falë reflektimit, opozita jashtëparlamentare vijon komunikimin në një tryezë me bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar të Reformës.

Draftet e dakordësuara në këtë nivel deri më 15 mars do të kalojnë detyrimisht sipas Rregullores dhe Kushtetutës, më tej rrugën institucionale parlamentare përmes Komisionit Parlamentar dhe Seancës plenare.

Të dashur delegate dhe delegatë,

Ky kongres është një moment i rëndësishëm për vazhdimin e rrugës së re që kemi nisur të ndërtojmë së bashku për Shqipërinë dhe sfidat e saj.

Kongresi i socialistëve shqiptarë ka një rëndësi të veçantë edhe për vetë familjen tonë politike, në planin organizativ, në thellimin e barazisë gjinore, si dhe në vendosjen e piketave tona organizative për zgjedhjet e qershorit 2021 ku ne duhet të marrim domosdoshmërisht besimin për mandatin tonë të tretë me Edi Ramën Kryeministër.

Konkluzioni i gjithçka thashë më lart për qeverisjen tonë, është: ne duhet të qeverisim me besnikëri të madhe ndaj atyre që na votuan, por edhe ndaj atyre që nuk na votuan, njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Dhe kur them duhet të qeverisim, nuk kam parasysh vetëm e thjeshtë qeverinë, po grupin parlamentar dhe Partinë Socialiste në territory, si boshti i koalicionit të madh qeverisës me njerëzit e zakonshëm. Ky proces ka sukses vetëm nëse të treja pjesët bashkëjetojnë në harmoni më njera-tjetrën dhe në funksion të njëra-tjetrës.

Kam parasysh gjithashtu përfaqësuesit tanë në qeverisjen vendore, qofshin kryetarët e bashkive, qofshin këshilltarët vendorë.

Padyshim partia është baza e këtij procesi, ura lidhëse e grupit dhe e Qeverisë me njerëzit e zakonshëm në çdo komunitet, garancia e mos-harresës për asnjë ditë prej nesh këtu lart, të atyre atje poshtë, në hartën e Shqipërisë reale të halleve, problemeve, shpresave e pritshmërive të shqiptarëve.

Prandaj duke e nisur këtë mbledhje të parë të këtij viti të ri sfidash qeverisëse me gjendjen oraganizative të partisë, dua ta them qysh në fillim:

Kemi zhvilluar prej disa muajsh një proces ripërtëritës, ri-organizimi, por ende nuk jemi aty ku duhet; dhe mos harroni krahasimin e bëjmë me veten. Madje jemi larg pozicionit ku duhet të gjendemi në çdo qark pa përjashtim.

Natyrisht kohën e kemi përpara, por nëse “dielli duket që në mëngjes” atëherë miq, për të thelluar diferencën me kundërshtarët, beteja për mandatin tonë të tretë qeverisës varet vetëm angazhimi ynë në të gjithë territorin.

Më 31 dhjetor 2019, Partia Socialiste numëron në radhët e saj 112.498 anëtarë, nga të cilët 106.358 janë në 61 bashkitë e vendit dhe 6140 anëtarë në strukturat tona jashtë Shqipërisë.

Aktualisht efektivi i partisë në shkallë vendi numëron 28.372 anëtare partie shoqe që përbëjnë 26.7 për qind të anëtarësisë gjithsej nga 24.3 për qind që përbënin dy vite më parë dhe 26.2 për qind vitin e kaluar.

Sikurse edhe vitin e kaluar, raporti anëtar partie/zgjedhës është 1 me 33. 

Ky raport në vitin 2015 ka qënë 1 me 39 dhe synimi ynë është ta çojmë 1 me 26.

Megjithë vështirësitë e fillimit, fakti që nga 574 kryetarë të Organizatave Socialiste, që dolën në zgjedhjet e kaluara në parti, deri tani janë 2526 shoqe kryetare të OS, pra një katërfishim e gjysëm i tyre, flet për ndryshime të ndjeshme në përbërjen e drejtuesve të OS, për rritjen e peshës së grave e të vajzave në drejtimin e strukturës bazë të Partisë Socialiste.

Dhe procesi ende nuk ka përfunduar.

Vetëm në 17 bashki të gjitha organizatat janë me bashkëkryetarë, ndër të cilat 13 janë në qarqet: Elbasan, Berat, Fier dhe Lezhë, ku e kanë kryer këtë detyrë shumica e bashkive të tyre dhe të tjerat janë në përfundim të mbledhjeve.

Në 23 bashki ky proces është kryer pjesërisht, ndërsa janë edhe 21 bashki që ende nuk e kanë filluar zhvillimin e mbledhjeve të dyta për zgjedhjen e bashkëkryetareve shoqe, 16 prej të cilave janë në qarqet: Shkodër, Kukës, Dibër, Durrës dhe Tiranë

Në këto zgjedhje kemi edhe përmirësim të treguesve moshorë të kryetarëve të OS. Nga 921 kryetarë që ishin deri 30 vjeç në zgjedhjet e para dy viteve, në këto zgjedhje, deri tani të kësaj moshe janë 1505 kryetarë, sigurisht shoqe e shokë, me rritje jo vetëm në numër, por edhe në peshën që kanë në përqindje.

Përmirësim ka edhe në treguesit arsimorë.

Në seancën e dytë do të ndalemi tërësisht në një analizë të plotë të gjendjes së partisë sonë dhe të planeve tona organizative.

Punë të mbarë Kongresit!

Kam nderin ti jap fjalën Presidentit të Partive Socialiste Europiane, Sergei Stanishev.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm