Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Për një Shqipëri të drejtë e të sigurtë

Fjalime

Për një Shqipëri të drejtë e të sigurtë

19 Mar 2016    
Në qoftë se në 23 qershor, u ngritëm për ti dhënë fund degradimit të Shqipërisë, sot mbajmë një përgjegjësi shumë më të madhe se kaq.

E pavarësisht se është bërë zakon të cilësohet si historike çdo gjë që shtrojnë përpara qeveritë, kjo është vërtetë e tillë.

Nuk ka një njeri të vetëm në këtë vend që të mos presë, prej nesh më shumë se prej kujtdo tjetër, një Shqipëri më të drejtë. Më të sigurtë e më të drejtë.

Pyesni një demokrat, e do iu thotë të njëjtën. Një socilaist a një të paparti.

Pyesni një që jeton në qytet, autokton apo i ardhur, a një që jeton në fshat, i mbetur apo i rikthyer;

Një të kamur a në nevojë, në punë e në kërkim të punës;

Pyesni këdo që ka jetuar qoftë edhe pak vite në këtë vend, e do ju thotë po njëlloj:

Një vend më të drejtë, një shoqëri më të drejtë, qytete më të sigurta.

Shqipërinë ku qytetari shërbehet, nuk dhunohet.

Ku zyrtari, ai që zgjidhet e ai që emërohet, është i përulur para se të jetë arrogant e mospërfillës.

Ku thuhet edhe “më fal”, para se ti hidhesh në fyt cilitdo që mund të të kujtojë ç’nuk bën mirë.

Ku të bësh karrierë nuk ke nevojë as për para, as për taraf, e as ti bësh fresk njeriu apo të shash një tjetër.

Ku ligji respektohet jo sipas qefit, por sipas detyrimit.

Ky zyrtari, ai i vogli dhe ai më i madhi, respektojnë ligjin njëlloj, e askush, pavarësisht detyrës, fuqisë ekonomike apo të pushtetit, nuk vlen aq sa na vlen ligjit, të gjithë ne.

Ku të kërkosh një leje, një licenc, të ndërtosh a të tregëtosh, të shkollohesh a të bësh biznes, të shërohesh apo të punësohesh, nuk ke nevojë të paguash para nën dorë e as të presësh aq kohë sa të gjesh mikun a sekserin, por një shqipëri ku mund të marrësh atë që meriton, pa pasur nevojë t’ia dish për nder ndokujt.

Një shqipëri ku polici, jo ai i zhubravituri e pa bojë, nuk të dhunon derisa të dorzohesh, nga nervat e nga xhepat, por të shërben, të ndihmon, të këshillon e të ndëshkon kur je aq kokëfortë sa të mos e kuptosh se përballë ke ligjin që vlen për të gjithë njëlloj.

Një shqipëri ku dinjitetin nuk ta dhurojnë, as ta nëpërkëmbin, ku të drejtën nuk ta mbajnë peng të fortët e të korruptuarit, një shqipëri të drejtë e të sigurtë, ku po të shpresosh për veten, familjen apo për vendin, nuk quhesh ëndërrimtar.

E di që këtu ka shumë njerëz, akoma më shumë jashtë kësaj salle ndoshta, që mendojnë se përpara të gjitha këtyre, vjen ekonomia, ajo e xhepit dhe familjes, vjen puna puna dhe rroga;

Eshtë disi e vërtetë, por jo e gjitha. Sepse janë ata që kanë më pak mundësi, më pak para, më pak forcë e pushtet, që kanë më shumë nevojë për një shoqëri të drejtë e të sigurtë.

Dhe ne nuk mund ti vëmë asnjë çmim drejtësisë, asnjë çmim sigurisë. Përveçse koston e të gjithë energjive tona, e njerëzve tanë më të mirë, në çdo lagje, në çdo njësi, në çdo bashki.

Shumë nga ju mund të mendojnë se nuk kemi mbërritur ende këtu, as mes nesh e as me shqipërinë. Se këto që po them unë, nga e vërteta jashtë kësaj salle, kanë një ndryshim shumë të madh.

Eshtë e vërtetë, kemi ende shumë për të bërë. Për të fituar besimin e të gjithë atyre që kanë pasur apo kanë shtuar mosbesim e pesimizëm.

Por të gjithë ne, jemi pa asnjë diskutim përfaqësuesit politik më të angazhuar ndonjëherë për ta bërë Shqipërinë vërtetë një vend më të drejtë e më të sigurtë.

E gjithçka nuk kemi arritur të përfundojmë deri sot, nuk është sepse nuk duam, apo se ndonjë forc e errët na mban peng.

Por sepse reformat që kemi nisur duan kohë, dhe energjinë e të gjithë ju për të luftuar bashkë e për të bërë atë që askush nuk e ka bërë kurrë më parë në këtë vend.

E miqt e mi, delegatë e anëtarë të PS, ndjehuni krenarë e ballëlart, se shumë kemi bërë e shumë më shumë do bëjmë, se në shqipëri ka shpresë, shqipëtarët kanë shpresë, se ky vend mund të bëhet e do bëhet, nga ju, nga ne socialistët e progresistët e nga gjithkush tjetër që beson e lufton për më mirë.

Nuk ishte e as nuk është e lehtë të vësh rregull në këtë vend, pikërisht pse rruga më e shkurtër duket se kalon nga shkelja e ligjit, e se modeli më i mirë, është ta sfidosh ligjin.

Por jo e pamundur.

E filluam duke mbyllur e shkatërruar mbi 22.000 lojra fati, bingo, lloto e kompjutera, të gjitha të paligjshme.

Më shumë se 150 milion euro, ku pastroheshin paratë e krimit, për ti çuar në duart e gjithkujt, pa kursyer askënd.

Pyesni për një sekondë, a nuk do ishte më e lehtë të vazhdonim edhe ne të njëjtën praktikë? Aty i gjetëm, aty ti linim.

Sigurisht do ishte, por zgjodhëm rrugën më të vështirë.

Sepse kjo ishte rruga më e mirë, për të bërë drejtësi.

Të njëjtën gjë bëmë edhe me ndërtimet pa leje.

Me ata që nuk paguanin taksa, me ata që mashtronin me karburantet. Me ata që nuk respektonin rregullat dhe ligjin.

Gjetëm policinë më të shpartalluar të rajonit. Të tradhëtuar, të keqtrajtuar, të papaguar.

Më të paarsimuar, më të moshuar, më të varfër në Europë.

Dua ta them që në fillim, se ende policia nuk është aty ku duam. Ka ende shumë punë për të bërë.

Por ama, në këtë rrugë që kemi nisur, është që tani, vite dritë larg asaj që gjetëm dy vite më parë.

Me djem e vajza të reja, të veshur mirë, të sjellshëm dhe korrekt, që nuk rrijnë në rrugë për të gjetur në gabim qytetarët e për ti grabitur, por që i shërbejnë qytetarëve për sigurinë tonë të përbashkët.

Mendojeni për një cast, se gjithçka që kemi bërë në vetëm 2 vjet e gjysëm, askush tjetër nuk i ka bërë në 25 vjet.

Dhe në fakt, mund ti bënte çdo qeveri para nesh.

Por nuk ka ndodhur, jo se nuk dinin, por se nuk donin.

Aty e kishin Lazaratin, rritej nën hundën e shtetit e të policisë. Një treg kriminal që kapërcente qindra milion euro, e që shkonin në të gjitha duart.

Për të mos folur për korrupsionin. Për të mos folur për luftën kundër drogës e krimit.

Aty i kishin të gjitha. Por nuk i bënin, se nuk donin. Sepse vetëm një shqipëri të zhytur në kaos, rrëmujë e pasiguri, mund të qeverisej më kollaj nga qeveritarë të babëzitur e të papërgjegjshëm.

Ne i kemi hyrë një reformimi radikal, që kërkon ndihmën tuaj e të kujdo tjetër që mendon të rrisë fëmijët në këtë vend.

Duke u përballur me kostot e reformave.

E po kështu me baltën nga qeveria e kaluar.

Ju kujtoj se unë jam kryebanditi e kryetrafikanti i drogës në shqipëri, pas kryeministrit. kuptohet.

Sot polciia e shtetit është e tëra në detyrë, për ti shërbyer qytetarëve. Kemi ndërmarrë reforma, nga ligjet, të universiteti i sigurisë e deri te komisariati dixhital e kamerat e trupit, që na bëjnë optimist se jemi në rrugën e duhur, për të ndërtuar policinë e gjeneratës së re, e për ta bërë këtë vend më të drejtë e më të sigurtë.

Shifrat e kriminalitetit, ti krahasosh me të kaluarën, por edhe me vendet e europës, flasin qartë për mundësitë që kemi përpara për të bërë ende më shumë.

Viti 2015 është viti më i mirë në të gjithë historinë e pas viteve 90. Por ka ende shumë më shumë për të bërë.

Mbi të gjitha sepse perceptimi i sigurisë dhe drejtësisë, nuk është policia. Ose të paktën vetëm policia.

Eshtë drejtësia. Nga rregulli i përgjithshëm, te zyrtari i vogël i sportelit, deri tek gjykatat.

Kaosi sa del nga shtëpia, rrëmuja, papastërtia, frika se nuk do arrish dot të bësh atë që duhet, për pengesa artificiale nga ndonjë zyrtar a ksuhdo tjetër, meraku se duhen lekë për të zgjidhur punë, pritje pafund për shërbim, të gjitha këto të japin një gjendje alarmi në kokë, sapo vë kembën jashtë shtëpisë, sa të duket se në këtë vend e ke jetën të pasigurtë.

Jo për shkak të krimit, por për shkak të mungesës së drejtësisë për qytetarin e për shoqërinë.

Eshtë kjo arsyeja pse në shumë kryeqytete të evropës, ka më shumë krime se në Tiranë, por atje ndjehesh më i sigurtë, sepse gjithçka është në vendin e vet.

Kjo është detyra jonë më e madhe. Të bëjmë të mundur që në këtë vend të mos vuash koston e padrejtësisë e pasigurisë.

Të kesh mundësi të shpresosh, e të shohësh që realizohen gjerat që ke parashikuar, e që të ndodhin këto, nuk ke nevojë të përplasesh pafund, por të marrësh atë që meriton.

Miqt e mi, PS është forca më e madhe, shpresa më e madhe që kanë sot bashkëqytetarët tanë.

Jepini mundësinë të bashkohen me ne, jepini mundësinë të mbështesin përpjekjet tona, shikoni në fytyrë atë që ju kundështon, e gjeni mundësinë për tu bërë bashkë, sepse ne nuk na e bën të vështirë punën njëri tjetri, por ajo që duhet të jemi për shqipëtarët.

Mendoni që jashtë kësaj salle, janë shqipëtarët, të cilët edeh sot nga ky kongres, presin të dinë si do bëhemi ne më të mirë, por mbi të gjitha si do ta bëjmë shqipërinë më të mirë.

Unë përulem me respekt para çdokujt prej jush, mbi të gjitha për besimin që më keni dhënë mua dhe kolegëve të mi në parlament dhe kabinetin e ministrave, falenderoni çdo socialist në zonën tuaj, çdo njeri që nga ne sheh një mundësi për të përparuar, dhe ftojeni, ftojeni të shpresojë, të bëhet bashkë me ne, duke e siguruar se ne, secili prej nesh, PS do ta bëjë shqipërinë e drejtë që duam, shqipërinë e sigurtë që duam.

*Fjala e ministrit të Brendhshëm, Saimir Tahiri, në Kongres
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm