Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Pjesë nga fjala e Arta Dades në kuvendin e 29 Prillit

Fjalime

Pjesë nga fjala e Arta Dades në kuvendin e 29 Prillit

30 Apr 2010    

Berisha nuk ka më kohë të korrigjojë dëmet që i ka sjellë demokracisë dhe vendit dhe tashmë këtë shqiptarët e dinë mirë dhe prandaj kanë mbushur sheshet në çdo qytet e në çdo lagje për të kërkuar largimin e tij duke denoncuar të gjitha aktet korruptive që zënë fill në procesin zgjedhor të Ruzhdies, për të vazhduar te grabitja e tokës dhe e pronës me ligj kudo në Shqipëri, dhe për të përfunduar te grabitja e identitetit të fëmijëve në edukimin parashkollor, si rasti i kopshtit në Gjirokastër.

Sigurisht përfaqësuesit e kësaj qeverie në nivelet lokale janë shëmbëlltyrat e qeverisë qendrore që sipas Raport Progresit të 2009 ka kthyer në sistem kulturën e pandëshkueshmërisë.

Rastet rekord të shkeljes flagrante të Kushtetutës nga kjo maxhorancë (qeveri dhe parlament) janë dëshmi e pakontestueshme e mentalitetit autoritarist, sipas së cilit ekzekutivi duhet të uzurpojë të gjithë segmentet e shtetit për ta vënë atë në shërbim të interesave vetjake.

Këtë e dinë mirë dhe vëzhgues të vëmendshëm të huaj, të cilët herë në mënyrë të nënkuptuar dhe herë në mënyrë të drejtëpërdrejtë kanë konstatuar se zgjedhjet parlamentare pa standarde, dobësia e institucioneve, sidomos të Gjyqësorit, korrupsioni i përhapur dhe liria e mangët e medias për shkak të presionit të qeverisë, janë problemet kryesore që vonojnë integrimin e vendit dhe se demokracia në Shqipëri vazhdon të mbetet difektoze dhe regjimi hibrid.

Berisha dështoi në arritjen e standardeve për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që kërkohen nga një vend anëtar i NATO-s. Si OSBE-ja ashtu edhe BE-ja kanë shprehur shqetësim rreth çështjeve serioze të zgjedhjeve dhe politizimin e procesit të numërimit të votave.

Lufta politike e opozitës në mbrojtje të demokracisë, parimi themelor - zgjedhjet e lira dhe të ndershme - po vazhdon të shtojë çdo ditë mbështetësit për transparencën e procesit zgjedhor, përfshirë dhe hapjen e kutive sipas opsionit tonë përmes komisionit hetimor parlamentar me objekt të pakufizuar.

Ky është thelbi i letrës së Kryetarit të Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Jashtëm të Kongresit të SHBA-së, zotit Bill Delahunt, drejtuar Berishës.

Gjithashtu, në vizitën e tij të sotme në Tiranë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zoti Rasmusen, në përgjigje të pyetjes lidhur me krizën politike i bëri thirrje maxhorancës qeverisëse që të përmbushë detyrimet që ka një vend anëtar i NATO-s dhe padyshim transparenca e procesit zgjedhor është një nga këto detyrime dhe parime, mbi të cilat vetë kjo familje e vlerave të mëdha të demokracisë është ngritur.

Dhuna ndaj medias, dhuna ndaj mbështetësve të opozitës, dhuna verbale në Parlament ndaj deputetëve, presionet e gjithanshme deri në kufizimin e të drejtave ekonomike, varfërimi i skajshëm i shqiptarëve në qytet e në fshat, papunësia në rritje (vetëm tre muajt e fundit mbi 70 000 mijë qytetarë kanë humbur vendin e punës), braktisja e njerëzve në nevojë, siguria e jetës e kërcënuar, diskriminimi për motive tërësisht politike, papërgjegjshmëria, paaftësia, korrupsioni dhe mashtrimi, fshehja e të dhënave reale për situatën ekonomike dhe sociale, madje dhe mungesa e transparencës për aktet dhe marrëveshjet në dëm të interesave të vendit, janë disa nga tiparet e kësaj qeverisjeje.

Shqiptarëve nuk mund tua çbëjë dinjitetin një kastë që pasi u grabiti votën e pronën, kërkon t’u grabisë dhe të ardhmen.

Shqiptarët e emancipuar dhe progresistë nuk do të lejojnë që kjo të ndodhë.

Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë. Ne do të jemi bashkë me ta dhe ju do të na keni përballë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm