Blerina Gjylameti lajm PS

Presidenti akt në kundërshtim me ligjin

Partia Socialiste pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës mbi “Caktimin e datës 11 shtator 2016, për zhvillimin e zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Peshkopi, Qarku Dibër” gjykon se ky akt individual i Presidentit të Republikës ka dalë në mënyrë krejt të papritur dhe në kundërshtim me përcaktimet e kodit zgjedhor për caktimin e e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore. Publiku është njohur me vendimin nëpërmjet njoftimit për media që Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dje mbi ankimin e Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Peshkopi, z. Shukri Xhelili. Sipas njoftimit për median ku Gjykata Kushtetuese, në seancë ka vendosur “Rrëzimin e kërkesës”.

Në dijeninë tonë, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbardhur ende dhe nuk është dërguar për botim në Fletoren Zyrtare. Në bazë të nenit 132, pika 2, të Kushtetutës, “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare.” Duke qenë se ky vendim ende nuk është publikuar, ai, megjithëse i është bërë i njohur publikut përmes vetë Gjykatës dhe mediave, konsiderohet formalisht në respekt të Kushtetutës ende i paqenë. Sikundër edhe ligjet apo aktet e tjera normative, edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk sjellin pasoja dhe nuk prodhojnë efekte pa hyrë në fuqi. Ato nuk mund të referohen si bazë për marrjen e një vendimi të ligjshëm, pasi në kuptim të ligjit ato nuk ende ekzistojnë.

Në rastet kur drejtuesi i njësisë qeverisëse vendore është shkarkuar nga Këshilli i Ministrave, siç është edhe rasti i z.Xhelili, neni 115 i Kushtetutës ngarkon Presidentin e Republikës me detyrën të shpallë datën e zgjedhjeve në bashkinë përkatëse vetëm pasi Gjykata Kushtetuese vendos lënien në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 10, pika 3, e “Kodit Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, “Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, … zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga … data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, …. Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit.”

Konkretisht vendimi për shkarkimin nga Këshilli i Ministrave për z. Xhelili është lënë në fuqi dje nga Gjykata Kushtetuese por ende ky vendim nuk ka hyrë në fuqi.

Pra, vetëm pasi njoftohet për ekzistencën formale, hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka lënë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave, vetëm atëherë Presidenti i Republikës bëhet kompetent të shpallë datën e zgjedhjeve dhe jo kur këtë e merr vesh përmes një njoftimi paraprak, i cili ka vetëm vlerë mediatike, por jo juridike.

Duke vepruar në kundërshtim me procedurën e parashikuar nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, vlerësojmë se akti administrativ individual Dekreti Nr.9716, datë 02.08.2016, i Presidentit të Republikës në kuptim të nenit 108 të “Kodit të Procedurave Administrative” është haptazi në kundërshtim me ligjin e për pasojë absolutisht i pavlefshëm,

Partia Socialiste konsideron të rëndësishme zhvillimin sa më parë të zgjedhjeve që garantojnë përfaqësimin sa më dinjitoz të qytetarëve të Dibrës në pushtetin lokal duke ju mundësuar njëherazi të gjithë hapësirën dhe kohën e nevojshme për të zgjedhur kryetarin e tyre.

Procesi zgjedhor duhet të zhvillohet me një klimë besimi për të gjitha palët, duke lënë qytetarët të vendosin për përfaqësimin e tyre, por mbi të gjitha duke zbatuar përcaktimet e legjislacionit zgjedhor për caktimin e datës dhe organizimin e zgjedhjeve.

Partia Socialiste si palë drejtpërdrejt e interesuar, në bazë të nenit 111 të “Kodit të Procedurave Administrative”, i kërkon Presidentit të Republikës të konstatojë pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ sa më shpejt, në mënyrë që të mos shkaktohen pasoja të padëshiruara nga ligji.

*Deklaratë për media e deputetes së Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti