Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Projektligji për bankat përmirëson imazhin e Bankës së Shqipërisë dhe siguron mbështetjen e investitorëve

Fjalime

Projektligji për bankat përmirëson imazhin e Bankës së Shqipërisë dhe siguron mbështetjen e investitorëve

22 Dec 2016    
I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Në cilësinë e Relatorit të Komisionit të Ekonomisë, ju paraqes projektligjin “PËR RIMËKËMBJEN DHE NDËRHYRJEN E JASHTËZAKONSHME NË BANKA NË RSH”.

Të gjithë e dimë se tranzicioni drejt ekonomisë së tregut në Shqipëri, ka kërkuar një ndryshim të konsiderueshëm të rolit të sektorit financiar. Sfida kryesore për politikëbërësit në këtë fushë ka qenë kapërcimi i defekteve të së kaluarës dhe në të njëjtën kohë dizenjimi dhe zhvillimi i një sistemi eficient të tregjeve dhe të institucioneve financiare.

Kriza financiare e shfaqur qartësisht pas vitit 2008, tregoi se instrumentet ekzistuese ishin të pamjaftueshme për të trajtuar në mënyrë të efektshme bankat, të cilat nuk janë në pozita të shëndosha financiare, ose që janë në kolaps. Gjatë krizës, shumë vende për t’i shpëtuar bankat nga likuidimi,  përdorën paratë e taksapaguesve, nëpërmjet mbështetjes me likuiditet të tyre nga bankat qëndrore ose me dorëzani nga shteti. Ky proces paraqet një ngarkesë të madhe monetare për buxhetet e shteteve dhe krijon një barrë jo të vogël financiare për tatimpaguesit.

Megjithatë, edhe pse cilësia e aseteve dhe ecuria financiare e bankave shqiptare është përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, sektori bankar i vendit po përballet me një numër problemesh dhe sfidash aktuale e potenciale.

Ky projektligj është draftuar me asistencë të specializuar nga ekspertë të angazhuar nga Banka Botërore; ka vlerësimin pozitiv të departamentit ligjor të FMN dhe është diskutuar gjerësisht dhe me sektorin bankar në Shqipëri.

Së pari, ky projektligj shmang sa më shumë nevojën për përdorimin e fondeve të taksapaguesve. Ai synon të vendosë në dispozicion të Bankës së Shqipërisë (Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme) një tërësi instrumentesh ligjore për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshmërisht e hershme dhe e shpejtë, në mënyrë që të sigurohet vijueshmëria e funksioneve financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës, duke minimizuar efektin që ka kolapsi i saj tek ekonomia dhe sistemi financiar.

Së dyti, këto instrumente sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë, të jenë aksionarët dhe pas tyre kreditorët, me kusht që asnjë kreditor të mos mbartë humbje më të mëdha se humbjet që do të pësonte, nëse banka do të ishte likuiduar sipas procedurës së zakonshme të likuidimit të detyruar, në zbatim të ligjit “Për bankat në RSH”.

Së treti, këto instrumente do t’i japin mundësi autoritetit për të ruajtur mundësinë e pandërprerë për pranim të depozitave dhe për të kryer transaksione pagesash, duke shitur pjesët rentabël të bankës kur është e nevojshme, dhe për të mbuluar humbjet në mënyrë  të atillë që të shmangin destabilizimin e tregut financiar dhe minimizimin e kostove e taksapaguesve.

Si parim, është normale që një bankë e falimentuar të likuidohet në bazë të procedurës normale të likuidimit, mirëpo likuidimi mund të vendosë në rrezik stabilitetin financiar, të ndërpresë sigurimin e funksioneve me rëndësi kritike dhe të cënojë mbrojtjen e depozituesve. Në një rast të tillë ka interes publik për vënien e bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe zbatimin e instrumenteve përkatëse sipas parashikimeve në projektligj dhe jo për përdorimin e procedurës normale të likuidimit.

Projektligji është hartuar me asistencë të specializuar nga ekspertë të angazhuar nga Banka Botërore, ka vlerësimin pozitiv të departamentit ligjor të FMN-së dhe është diskutuar gjerësisht dhe me sektorin bankar në Shqipëri.

 

Po cilat janë subjektet e këtij ligji?

Subjekte të ligjit do të jenë bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë dhe që ushtrojnë veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë ushtrimit të kompetencave dhe zbatimit të instrumenteve të përcaktuara në projektligj, duhen marrë në konsideratë:

- natyra e aktivitetit

- struktura aksionare

- forma ligjore

- profili i rrezikut

- madhësia

- statusi ligjor

- ndërlidhja me institucionet e tjera dhe me sistemin financiar në Shqipëri

- qëllimi dhe kompleksiteti i veprimtarisë së tyre

- pjesëmarrja e tyre në skema mbrojtëse ose ndonjë sistem tjetër i përbashkët

 

Legjislacioni bankar aktual përmban disa instrumente tipike të administrimit të krizave në sektorin bankar, por nuk mund të thuhet se këto koncepte përbëjnë një regjim të plotë të administrimit të situatave të vështirësive në sektorin financiar.

Disa prej çështjeve më kryesore të projekt-ligjit:

(i) Projektligji parashikon ngritjen pranë Bankës së Shqipërisë të  Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

(ii) Projekt-ligji trajton përcaktimin e momentit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

(iii)  Në projektligj janë parashikuar edhe disa dispozita të veçanta mbi mundësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të ndryshme, me qëllim dhënien e ndihmës financiare nga Këshilli i Ministrave (të njohura në Direktivë me termin “Government financial stabilization tools”).

 

(iv) Një ndër përcaktimet më të rëndësishme të projektligjit është edhe krijimi i Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, i cili do të duhet të sigurojë zbatimin efektiv të instrumenteve dhe të kompetencave të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Ky fond do të përdoret vetëm në rastet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, duke përjashtuar përdorimin e tij për raste të tjera.

Në shumë vende të Bashkimit Europian, Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme është krijuar brenda bankës qëndrore, duke marrë në konsideratë ekspertizën që gëzon banka qëndrore, si dhe për të shmangur kostot dhe vështirësitë e krijimit të një institucioni të ri.

ASPEKTET LIGJORE:

Aspekti kushtetues:

E drejta e pronësisë gëzon mbrojtje kushtetuese nëpërmjet neneve 17 dhe 41 të Kushtetutës. Këto dy nene caktojnë tre kritere, të cilat duhet të respektohen në rastet e kufizimit të të drejtave në përgjithësi dhe të së drejtës së pronësisë në veçanti.

Këto tre kritere janë:

  1. a) mbrojtja e interesit publik;

  2. b) shpërblimi i drejtë

  3. c) kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.


Ndërhyrja e jashtëzakonshme është një procedurë e cila fillon mbi bazën e kritereve të qarta në projektligj, si:

  1. a) banka nuk përmbush, ose ekziston mundësia që shumë shpejt të mos përmbushë detyrimet e saj;

  2. b) nuk ekziston një perspektivë e arsyeshme që një masë tjetër e marrë nga banka, grupi bankar ose aksionarët e bankës? apo një masë mbikëqyrëse ose masë e ndërhyrjes së hershme, e marrë nga Autoriteti Mbikëqyrës;

  3. c) ndërhyrja e jashtëzakonshme ndaj bankës është e nevojshme për interesin publik.


Mbrojtja e interesit publik:

Në nenin 41, pika 3, të Kushtetutës, përcaktohet se: “Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publike”. Zbatimi i kompetencave dhe instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, gjithmonë kryhet për mbrojtjen e interesit publik. Interesi publik kryesor i cili synohet të mbrohet, është:

  1. i) ruajtja e stabilitetiti financiar; dhe ii) vazhdimësia e veprimtarive bankare thelbësore.


 

 

Stabiliteti financiar është një e mirë publike, nga e cila përfiton ekonomia dhe shoqëria në përgjithësi, ndërsa interesat e aksionarëve dhe kreditorëve janë një e mirë private. Aksionarët vullnetarisht ndërmarrin investime me rrezik (si p.sh. investimi në kapitalin e një shoqërie tregtare), duke qenë të vetëdijshëm për pozicionin e tyre në radhën e shlyerjes së detyrimeve, në rast falimentimi të një shoqërie tregtare ose likuidimit të një banke. Për rrjedhojë, aksionarët duhet të jenë të parët që të mbartin humbjet, me qëllim mbrojtjen e financave publike.

Shpërblimi i drejtë :

Gjithashtu, projektligji përputhet plotësisht edhe me pikën 4 të nenit 41 të Kushtetutës, e cila parashikon shprehimisht se: “Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë”. Ky projektligj parashikon masa mbrojtëse për aksionarët dhe kreditorët e bankës.

Pra, masat e ndërhyrjes së jashtëzakonshme nuk duhet të rëndojnë aksionarët dhe kreditorët në mënyrë të pakufizuar dhe subjektive. Humbjet e aksionarëve në procesin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, duhet të vlerësohen në raport me humbjet që mund të pësonin në rast se banka do të likuidohej sipas ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.

Kufizimi të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar:

Në nenin 17 të Kushtetutës përcaktohet se: “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë , mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.”. Kufizimet që do të merren ndaj kreditorëve nuk janë masa të përhershme, por të cilat do të zbatohen në një situatë të caktuar. P.sh. kur gjendja financiare e bankës është e tillë që banka rrezikon të shkojë drejt likuidimit. Për rrjedhojë, më qëllim parandalimin e likuidimit të një banke, kufizohen të drejtat e aksionarëve dhe kreditorëve të bankës nëpërmjet instrumenteve të përcaktuara në projektligj.

SI PËRFUNDIM, ky projektligj përmirëson imazhin e Bankës së Shqipërisë përpara publikut dhe siguron mbështetjen e investitorëve për shkak të qartësimit të rolit dhe përgjegjësive të BSH. Përgjegjësia është thelbësore,  pasi reagimi i publikut shpesh mund t’i përkeqësojë gjërat para se të përmirësohen. Kjo na kujton se psikologjia e tregut shpesh mund të jetë më e rëndësishme se themelet pozitive. Nëse nuk bëhet asgjë për të rifituar konfidencën e publikut, paniku bankar mund të shfaqet pa paralajmëruar.

*Fjala në seancën e sotme parlamentare e deputetit Ervin Bushati

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm