Antoneta Dhima

Projektligji “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA”, një tjetër premtim i mbajtur

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe po shqyrtohet sot, bazuar në nenet 32-39 të Rregullores së Kuvendit.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste vlerëson dhe mbështet pa rezerva këtë projektligj të propozuar për miratim nga qeveria. Qeveria Shqiptare vazhdimisht bën të mundur mbajtjen e premtimeve sipas programit elektoral, duke vlerësuar figurën e punonjësve të shtetit, të atyre që gjithnjë sakrifikojnë në mbrojtje të rendit kushtetues.

Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes është person juridik publik, në varësi të Ministrit të Mbrojtjes. Misioni i kësaj Agjencie është mbështetja e autoriteteve të drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura dhe Forcat e Armatosura me inteligjencë në fushën e zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë, në përmbushje të misionit të tyre kushtetues.

Gjithashtu, kjo Agjenci ushtron kompetencat e saj mbi veprimtari që lidhen me kërcënime ose rreziqe që synojnë të cenojnë ose cenojnë Forcat e Armatosura në realizimin e misionit të tyre kushtetues, mbështetur kjo në ligjin organik nr. 65/2014 “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”, miratuar në datën 26.6.2014.

Brenda buxhetit të miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, kjo Agjenci ka buxhetin e vet në dispozicion për të përballuar pagat e personelit, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe shpenzimet operative në shërbim të këtij institucioni.

Në strukturën organike të kësaj Agjencie ka jo vetëm punonjës ushtarakë, por edhe punonjës civilë. Punonjësit ushtarakë dhe civilë, si dhe punonjësit në rezervë, në lirim ose në pension, gëzojnë status të veçantë. Punonjësi ushtarak i Agjencisë trajtohet me pagë si ushtarakët e Forcave të Armatosura. Ndërsa punonjësi civil përfiton pagën sipas ligjit për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese e institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj si institucion qëndror në varësi të ministrisë së linjës. Gjithashtu, punonjësit e Agjencisë trajtohen për natyrë të veçantë pune dhe vështirësi shërbimi, të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave.

Ndryshimi i ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, u bë i nevojshëm për të siguruar përputhshmërinë e tij me nenin 50 të ligjit organik nr. 65/2014 “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”, sipas të cilit:

  1. “Punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, përveç përfitimeve që rrjedhin nga legjislacioni për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, gëzon të drejtën e përfitimeve të tjera shtesë, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në legjislacionin përkatës për sigurimet shoqërore suplementare.

2- Për efekt të përfitimit të sigurimeve shoqërore suplementare, si vjetërsi shërbimi njihet periudha nga momenti i emërimit deri në momentin e lirimit, ose shkarkimit nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.”

Gjithashtu, në nenin 35 të ligjit nr. 65/2014, në të cilin përcaktohet si vjetërsi në punë, për efekt pensioni të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet:

– Koha nga data e pranimit deri në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

– Koha e punës në struktura të tjera që përfitojnë sigurime shoqërore suplementare.

– Koha e ndërprerjes së karrierës në shërbim, për shkak të një vendimi të padrejtë, të cilësuar si të tillë nga gjykata.

Aktualisht, punonjësit ushtarakë të Agjencisë përfitojnë sigurim shoqëror suplementar, pasi kanë statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura. Lloji dhe masa e përfitimeve janë në përputhje me ligjin nr.10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, si dhe të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Punonjësit civilë të Agjencisë nuk përfitojnë sigurim shoqëror suplementar. Për të unifikuar përmbajtjen e këtyre dy ligjeve, projektligji parashikon disa ndryshime në ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, të cilat synojnë që punonjësit civilë të Agjencisë të përfitojnë sigurim shoqëror suplementar. Unifikimi është i nevojshëm për të siguruar qartësinë e ligjit dhe zbatimin e saktë të tij. Ai u siguron punonjësve civilë të Agjencisë së Inteligjencës të Sigurisë së Mbrojtjes një trajtim të barabartë me punonjësit ushtarakë të saj, ashtu siç parashikohet edhe në ligjin organik të këtij institucioni.

Numri i punonjësve civilë që parashikohet të përfitojë nga  sigurimet shoqërore suplementare është rreth 100 punonjës, të cilët përbëjnë 40 për qind të numrit të përgjithshëm të punonjësve të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Efekti në buxhet është përllogaritur rreth 33 milionë lekë efekt pozitiv, për secilin prej viteve 2017-2021. Masa e kontributit është 5 për qind e pagës referuese, ndërsa shuma e kontributit është 34 milionë lekë/vit.

Kur punonjësit nxirren në rezervë apo lirim, marrin një shpërblim të menjëhershëm në masën e dy pagave referuese mujore, dhe pas këtij fillon trajtimi financiar me pagesë kalimtare. Pagesa kalimtare llogaritet në masën 50 për qind të pagës referuese mujore dhe fillon në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim. Parashikohet që të largohen nga puna rreth 2 punonjës në vit. Trajtimi financiar me shpërblimin e menjëhershëm dhe me pagesë kalimtare, për të dyja llojet e përfitimeve së bashku, zgjat për aq muaj sa përfituesi ka vjetërsi shërbimi, por jo më shumë se 24 muaj.

 

Është përllogaritur që punonjësit e Agjencisë do të futen në skemën e pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi në vitin 2030 (14 vjetë për gratë – 12 vjet shërbim dhe 2 vjet pagesë kalimtare) dhe 2033 (17 vjet për burrat – 15 vjet shërbim dhe 2 vjet pagesë kalimtare).

 

Parashikohet që të dalin në pension pleqërie 2 punonjës në vitin 2017, 1 punonjës në vitin 2018, 3 punonjës në vitin 2019, 5 punonjës në vitin 2020 dhe 1 punonjës në vitin 2021. Masa e pensionit suplementar është 1 për qind e pagës mesatare për çdo vit kontribut.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave e shqyrtoi dhe miratoi projektligjin me të gjitha votat e deputetëve të pranishëm në mbledhje.

Në kushtet kur ky projektligj është në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe kur ky projektligj unifikon legjislacionin lidhur me trajtimin me sigurime shoqërore suplementare të punonjësve të Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Mbrojtjes, ju ftoj të nderuar kolegë deputetë dhe deputete ta votojmë atë .

 

Faleminderit!

*Fjala në emër të grupit parlamentar socialist e deputetes Antoneta Dhima