Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Reforma në Drejtësi, Kodheli: Ecje përpara nga udhëkryqi çerek shekullor

Fjalime

Reforma në Drejtësi, Kodheli: Ecje përpara nga udhëkryqi çerek shekullor

06 Oct 2016    
Të nderuar kolegë deputetë,

Jemi akoma në kohë për të nisur një ndryshim të madh në përditshmërinë e vendit tonë. Sot votohet jo vetëm paketa e ligjeve për implementimin e ligjeve të Reformës në Drejtësi, votohet një moment i rëndësishëm i të ardhmes tonë, një ecje përpara nga udhëkryqi i tranzicionit çerek shekulli. Si ministre e Mbrojtjes, që nga dita e parë e punës jam përballur me  problematika të shumta  që vinin si pasojë e një administrate dhe një sistemi të mefshtë dhe të korruptuar e cila ndihej e qetë përballë drejtësisë që nuk vepronte, drejtësisë që përfitonte nga korrupsioni, drejtësisë që si kartmonedhat e lekut i ofrohej prurësit me të parën. Dhe nuk bëhej fjalë thjesht për një perceptim tragjikisht të lartë të korrupsionit në drejtësi, por dhe për një fakt të konstatuar dhe provuar si nga ne ashtu edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Nuk kemi asnjë të drejtë të mbajmë peng të ardhmen e fëmijëve tanë. Se dikush në këtë sallë ashtu edhe shumë të tjerë jashtë saj vjedhin dhe masakrojnë në emër të Republikës, në emër të popullit. Fëmijët e shumëkujt këtu prezent në sallën e Parlamentit, ashtu si im bir, u lindën në tranzicion, mësuan, u shkolluan në tranzicion, u rritën dhe u diplomuan në universitet dhe po përsëri e shikojnë Shqipërinë në tranzicion. Me të njëjtat personazhe që e batërdisën këtë vend për shumë vite duke u marrë padrejtësisht, padenjësisht më politikë.

Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për BE, nuk ka më asnjë justifikim,  qoftë edhe një të vetëm për të qëndruar në baltovinën e korrupsionit, keqfunksionimit, mungesës së transparencës dhe papërgjegjshmërisë sidomos të sistemit të drejtësisë. Në të gjitha angazhimet kombëtare dhe ndërkombëtare, sfida jonë  kryesore ka qenë  kthimi i besimit tek e drejta, si për punonjësit tanë, veçanërisht për burrat dhe gratë me uniform, por dhe për të gjithë aleatët dhe partnerët tanë strategjik. Një reputacion tmerrësisht negativ, një mungesë e madhe motivimi për të punuar dhe kontribuar, një mosbesim evident tek gjithë partnerët thjesht dhe vetëm pak vite më parë sepse trasparenca, llogaridhënia dhe përgjegjshmëria e sistemit, jo vetëm që ekziston por edhe përqesheshin ndonjëherë. Në këto 25 vite të gjithë përpjekjet e bëra për reformim të sistemit të drejtësisë kanë qenë thjeshtë përpjekje të pjesshme estetike, si nga aspekti legjislativ ashtu dhe nga ai operacional por në asnjë moment nuk ka pasur një vëmendje dhe perkushtim si ky i tanishmi për të ngritur në baza thellësisht të shëndosha ngrehinën e kalbur të drejtësisë. është e frikshme të mendosh sesa pak shpresë kanë shqiptarët tek drejtësia. Është dëshpëruese të shohësh viktimat që gjejnë padrejtësinë e radhës në dyert e prokurorisë dhe gjykatave. Dhe e ekzagjeruar por e vërtetë këto viktima shpesh herë janë edhe vet institucionet, të cilat e gjejnë veten shumë herë të pafuqishëm përballë murit korruptiv të sistemit të drejtësisë.

Strehë kjo komode e çdo pagatori në fakt. Është e dhimbshme të vazhdosh të jetosh në një shoqëri ku mungesa e pavarësisë, profesionalizmit dhe integritetit admirohen nga bataku i korrupsionit. Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm dhe shpresoj shumë edhe të përgjegjshëm se duhet ti shkulim të këqijat nga jeta dhe vendi ynë. Sot është një ditë e rëndësishme, e theksoj se pas fillimit të këtij procesi tashmë jo të ri, nuk do na tregojnë me gisht si një nga vendet me sistemin më të korruptuar në botë. Unë përshëndes absolutisht të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, të cilët në mënyrë të vazhdueshme, konsistente dhe pa asnjë interes kanë ushtruar presion mbi ne shqiptarët që ti japim vetes tonë një drejtësi më të mirë, për një të ardhme më të mirë. Një drejtësi më të mirë për ata që e vodhën, e vranë, e masakruan si gjatë diktaturës më të egër në Europë, ashtu edhe gjatë tranzicionit më të gjatë midis gjithë tranzicioneve të Europës Lindore. Një drejtësi më të mirë për të gjithë ne, bashkë me kolegët e opozitës, si për çdo Shqiptarë. Dhe e fundit,  por jo më pak e rëndësishme kam besim se Gjykata Kushtetuese do t’i japë rrugë Vettingut. Fillimi i mirë për të shpëlarë të gjithë pisllëkun që pengon në ecjen tonë drejt prosperitetit dhe mbrojtjes së vlerave perëndimore.

Ju faleminderit.

*Fjala e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në seancën e sotme parlamentare
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm