Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Shqipëria i përket Europës dhe anëtarësimi i saj në Bashkimin Europian është interes jo vetëm i Shqipërisë por i të gjithë shqiptarëve!

Fjalime

Shqipëria i përket Europës dhe anëtarësimi i saj në Bashkimin Europian është interes jo vetëm i Shqipërisë por i të gjithë shqiptarëve!

29 Feb 2020    

Fjala e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në Kongresin Zgjedhor të Partisë Socialiste:

Të dashur socialistë,

Të nderuar bashkëkombas,

Kur qeveria e kryeministrit Rama e vendosi politikën e jashtme të Shqipërisë mbi parimin zero probleme me fqinjët, ajo u kritikua për qasje indiferente në raport me rajonin.

Kur qeveria e kryeministrit Rama e vendosi politikën rajonale të Shqipërisë mbi përpjekjen për të thelluar marrëdhëniet ndërshtetërore dhe integruar Ballkanin Perëndimor në përgjithësi ajo u kritikua se ka anashkaluar kombin.

Sidoqoftë e vërteta është një dhe e vetme.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka bërë më shumë se çdo qeveri tjetër për të lartësuar interesin kombëtar dhe e ka kuptuar më drejtë e më mirë se çdo qeveri tjetër marrëdhënien mes Ballkanit Perëndimor në përgjithësi me Bashkimin Europian.

Shqiptarët sot janë më të bashkuar se kurrë dhe Shqipëria më afër se kurdoherë pranë Europës.

Angazhimi për të zbatuar objektivat themelorë të procesit të Berlinit nuk është as përcaktim i çastit dhe as zgjedhje e rastit, përkundrazi ajo vjen nga përkushtimi i thellë për të jetësuar katër liritë themelore të Bashkimit Europian në rajonin tonë si parakusht për të çliruar edhe potencialet zhvillimore të Shqipërisë.

Pritjet e gjata me orë nëpër kufi dhe masat e mëdha të dokumenteve të nevojshme për të marrë qoftë një shërbim të vetëm janë ngarkesë për jetën e secilit dhe pengesë për zhvillimin e të gjithëve.

Lirimi i potencialeve të pashfrytëzuara të tregut, rritja e prodhimit, ndërtimi i urave të komunikimit, krijimi i hapësirave të ndërlidhura të transportit, qarkullimi më i madh i kapitalit material dhe nxitja e shkëmbimit të aseteve njerëzore nuk janë vetëm vlera të larta të Bashkimit Europian por edhe nevojë reale e brendshme e rajonit në veçanti.

Është tepër e rëndësishme në të njëjtën kohë që ky proces të rezultojë edhe në zhbërjen e të gjithë ndasive mes shqiptarëve që përbëjnë pothuajse gjysmën e popullsisë së Ballkanit perëndimor duke zhbërë njëherë e përgjithmonë kufirin mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Largimi i pengesave burokratike që rëndojnë lëvizjen e të mirave materiale njerëzore nuk është thjesht çështje e interesave financiare apo pragmatike të momentit. Ajo është pjesë e vizionit të qeverisë së kryeministrit Edi Rama për të ndërlidhur dy elementë tepër të rëndësishëm: idealin e lartë për Shqipërinë Europiane dhe shërbimin e përulur për qytetarët shqiptarë.

Prandaj zbatimi i katër lirive themelore të Bashkimit Europian nuk duhet parë as si lajthitje e Shqipërisë në rajon as si bashkimi i dëshpëruar i rajonit kundër Bashkimit Europian.

Të nderuar socialistë, është çështje ditësh kur Komisioni Europian do të japë edhe një herë dëshminë e tij objektive se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Këtë radhë për herë të tretë por më fuqishëm se herët e para.

Ky vendim do të jetë një bazë krejt e re për angazhimin tonë politik e diplomatik për ti bindur vendet anëtare për meritat madhore të Shqipërisë për domosdoshmërinë e çeljes së negociatave për anëtarësim.

Shqipëria nuk do të realizojë thjesht një qëllim të shumëpritur, por do të fillojë një punë institucionale afatgjatë. Një fazë krejtësisht të re në transformimin rrënjësor të vendit. Kjo nënkupton edhe një qasje dinamike me rajonin e një reformë të thelluar të hapësirës ekonomike sipas vetë parimeve të BE-së. Prandaj asnjë trajtë bashkëpunimi rajonal nuk duhet parë si zëvendësim por si zgjatim i përpjekjes së Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Përparimi i Shqipërisë në rrugëtimin europian kushtëzohet drejtëpërdrejt nga angazhimi i saj në Ballkanin Perëndimor. Si rrjedhojë e qeverisë së kryeministrit Rama Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet vend me pozicion dinjitoz në Ballkanin Perëndimor me përpjekje të pakursyera në drejtimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Shqipëria i përket Europës dhe anëtarësimi i saj në Bashkimin Europian është interes jo vetëm i Shqipërisë por i të gjithë shqiptarëve.

Faleminderit.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm