Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Shqipëria sot ka parametra të sigurisë të krahasueshëm me vendet europiane

Fjalime

Shqipëria sot ka parametra të sigurisë të krahasueshëm me vendet europiane

29 Feb 2020    

Fjala e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në Kongresin e Partisë Socialiste:

Mirëdita të gjithëve, 


Shqipëria sot është një vend më i sigurt nga sa ishte në vitin 2013. Operacionet policore kanë goditur fort dhe masivisht shumicën e grupeve kriminale të krimit të organizuan në vend. 

OFL-ja ka filluar me forcë të çmontojë logjistikën kriminale të akumulur përgjatë këtyre viteve. 

Të gjithë treguesit e kriminalitetit janë në minimumet historike të regjistruara në vend prej tre dekadash. 45% më pak vrasje ka në Shqipëri krahasuar me 2013, 21% më pak aksidente rrugore. Ne kemi zhbërë tashmë edhe historinë e kanabisit në vendin tonë. 

Bashkëpunimi ndërkombëtar i Policisë së Shtetit me Policitë ndërkombëtare ka arritur në nivel të panjohura më parë në vendin tonë. Ajo gëzon sot reputacion të gjerë, të madh dhe besim të padiskutueshëm mes shumë agjencive homologe perëndimore.

Së bashku kemi arritur t'i pastrojmë rrugë e vendit tonë nga 'murtaja' e basteve dhe spekutantët e bizneseve të fatit, të cilët çuan shumë qytetarë në zgrip të ekzistencës dhe fatin e tyre e të famijeve të tyre. 

Ndaj Shqipëria sot ka parametra të krahasueshëm të sigurisë me mesataret europiane në këtë fushë. 

Për këto arsye në vitin 2019 në Shqipëri erdhën 82% më shumë turistë sesa erdhën në vitin 2013. Por me këtë nuk dua të them se kemi mbërritur aty ku duam apo aty ku duhet. Nuk dua të them se jemi mirë, por dua të them se me këto tregues ne kemi provuar se mund të shkojmë atje ku duam dhe do të mbërrijmë atje ku duhet. 

Ne do t'i thellojmë më tej sukseset në të gjitha fushat e rendit dhe sigurisë publike.    

Lufta ndaj krimit të organizuar ka hyrë tashmë  në një fazë të re dhe historike. Ne do t'i shkatërrojmë burimet financiare dhe logjistike të krimit të organizuar. 

Ne do ta zhbëjmë modelin e biznesit të ngritur mbi krimin. Biznesi i ndërtuar mbi krim dekurajon biznesin e ndershëm dhe investimet e huaja. Të dyja nuk mund të bashkëjetojnë, ndaj ne do të shkatërrojmë të parin për t'i hapur rrugë të dytit që është biznes i ndershëm dhe i ligjshëm duke shkatërruar modelin e biznesit kriminal të ndërtuar mbi krim, ne largojmë një virus të rrezikshëm, që josh të rinjtë në rrugën e gabuar duke kërcënuar të ardhmen e tyre dhe të vetë shoqërisë tonë. 

OFL-ja është një tjetër dëshmi që ne jemi serioz dhe të vendosur për një Shqipëri më të lirë dhe më të drejtë. 

Përkrahja e gjerë publike ndaj këtij operacioni (OFL) është inkurajim për thellimin e mëtejshëm të tij. Ky operacion në fakt është receta unike për një Shqipëri më të mirë dhe të lirë nga krimi. 

Tre sfidat e tjera ndjekin dhe do t'i përballojmë në të ardhmen e afërt:

E para, rrugë më të sigurta dhe siguri më të lartë rrugore për qytetarët tanë; 

E dyta, prandalim dhe goditje e fortë ndaj dhunës në familje, e cila është kthyer në një problem që meriton seriozitet dhe angazhim të madh;

Së treti, afrimi i Policisë Shqiptare me Komunitetin. Ajo përveçse Policia e Shtetit po bëhet përditë dhe më shumë, Policia e Komunitetit. 

Dhe ne do ta vazhdojmë punën për ta modernizuar Policinë e Shtetit, për të modernizuar Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, në funksion të një Shqipërie moderne. 

Siguria nuk është gjithçka, por pa sigurinë gjithçka është e pamundur. 

Ne dimë sesi ajo ndërtohet, duam ta ndërtojmë atë dhe ne do ta bëjmë atë për Shqipërinë që duam.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm