Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Më shumë vite jetës, më shumë shëndet viteve!

Fjalime

Më shumë vite jetës, më shumë shëndet viteve!

15 Mar 2016    
Motra dhe vëllezër,

Duke e ndjerë veten të privilegjuar që t’i drejtohem këtij Forumi të nderuar, me lejoni ta filloj fjalën time duke i uruar punime të mbara këtij kongresi.

Ne socialistët vijmë në këtë Forum të lartë të forcës tonë politike, me një bilanc që na jep të drejtën të jemi krenarë ta shohim njëri-tjetrin në sy me vetëbesim dhe vetëdijen e plotë për atë që përfaqëson sot qeverisja jonë.

Stanishev tha sot se kongreset janë moment i së vërtetës.

Nuk më takon sot të flas për dje, sepse të gjithë e dimë çfarë trashëguam. Edhe pse kishim dhe kemi ende një betejë me të shkuarën dhe me trashëgiminë e rëndë të Saliut në shëndetësi.

Mjafton të kujtoj këtu 40 milionë dollarë borxhe të trashëguara. I shlyem dhe ofrojmë sot më shumë shërbime pa krijuar asnjë qindarkë borxh të ri.

Fituam disa beteja, po kemi ende beteja të tjera, dhe sigurisht që do t’ja dalim!

Aleatët tanë janë vendosmëria dhe përkushtimi. Nuk ka asnjë grimë dyshimi që ky është drejtimi i duhur!

Sot, bashkëqytetarëve tanë u shërbejmë më shumë, më pranë e më mirë. Ata shpenzojnë për shëndetin më pak nga buxheti familjar, ndërsa buxheti i shtetit financon më shumë.

Të nderuar socialsitë,

Në 2013 guxuam dhe u angazhuam për Mbulim Universal, apo ndryshe, Shëndetësinë Falas, dhe sot unë jam më se i bindur se kemi bërë zgjedhjen e duhur!

Guxuam në 2013 dhe u angazhuam se do ta heqim taksën e sëmundjes, TVSH-në 10%. E hoqëm. Madje, shkuam edhe më tej. Hoqëm TVSH-në 20% mbi pajisjet mjekësore të implantueshme.

U angazhuam se barnat nuk do të jenë më të shtrenjta se në vendet e origjinës. Dhe sot, ky është realitet. Ju kursejmë çdo vit 70 milionë dollarë shqiptarëve për barnat. Që nga shtatori 2013, i kemi kursyer shoqërisë 150 milionë dollarë.

Ulja e çmimit të barnave ka sjellë më shumë rimbursim. Janë shtuar 85 barna, nga të cilat kanë përfituar për herë të parë 150 mijë persona.

U angazhuam për një program parandalues për çdo shqiptar në moshën 40–65 vjeç. Pavarësisht se çfarë të ardhurash personale kanë. Çdo muaj më shumë se 30 mijë vetë kanë kryer kontrollin shëndetësor falas.

Pas një viti zbatim, me çfarë është zbuluar, parandaluar apo diagnostikuar hershëm, sot e them me gojën plot se kemi bërë zgjedhjen e duhur!

Deri vjet, 1 në 5 shqiptarë duhet të paguanin 10 mijë lekë për çdo vizitë te mjeku i familjes. Prej 7 javësh ofrojmë vizitën falas te mjeku i familjes. Përfitim i ri falas për 600 mijë vetë.

Për herë të parë ne ia dolëm që më shumë se gjysma e shpenzimeve të shqiptarëve për shëndetësinë të financohen nga paratë publike.

Më lejoni të flas për nesër, për gjithë çfarë do të bëjmë për të ofruar shëndet për të gjithë.

Motoja jonë është: Më shumë vite jetës, më shumë shëndet viteve!

Do të ofrojmë një sistem shëndetësor që kujdeset për të sëmurët, por që jep dhe siguri për të shëndoshët.

Në rradhë të parë, siguri financiare. Nuk do të duhet të paguajnë në rast sëmundje, por do të kenë shërbim falas.

Së dyti, siguri që shërbimi do të jetë sa më pranë vendbanimit.

Më tej siguri për cilësinë e shërbimit.

Siguri që kur të jetë nevoja për pajisje, ato do të jenë bashkëkohore dhe funksionale.

Siguri që kur të jetë nevoja për personel shëndetësor, ai do të jetë i aftë dhe i përkushtuar.

Siguri që kur të jetë nevoja për institucione shëndetësore ato të kenë infrastrukturë dinjitoze.

Siguri për çdo moshë e gjini, duke u përshtatur me prirjet demografike të popullsisë.

Siguri që kur të ketë nevojë për urgjence mjekësore, autoambulanca të arrijë në kohë optimale.

Siguri për pirndët, që do të ketë kujdes për fëmijët e tyre.

Siguri për të rriturit, që kur të plaken do të kenë edhe më shumë rehabilitim, edhe shërbim geriartik.

Do të rimbursojmë pajisjet mjekësore për funksionet jetike për të miturit dhe të moshuarit.

Do të zgjerojmë bashkëpunimin me të gjithë ofruesit e kujdesit shëndetësor.

Do të financojmë shëndetësinë nga kontributi i përbashkët nëpërmjet paguesit të vetëm.

Thelbësore është efektiviteti i përdorimit të parave publike, ofruesit mbeten mjet i realizimit të qëllimit.

Jemi të vendsour zgjerojmë mbështetjen për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm.

Sepse pa lënë mënjanë kujdesin për sëmundjen duhet të kthejmë vëmendjen tek shëndeti.

Ruatje e shëndetit, promovim i jetës së shëndetshme.

Më shumë sport, më pak obezitet, më pak alkohol, më pak duhan.

Prandaj ne kemi filluar të investojmë për sportin dhe do t’i shtojmë investimet për sportin. Çdo lek i shpenzuar për sportin është tre lekë kursim në shëndetësi.

Prandaj shtuam orët e edukimit fizik në shkolla dhe mësuesit e edukimit fizik. Shtuam 50 terrene sportive.

Në 2 vjet e gjysëm kemi shpenzuar 23 milionë dollarë. Më shumë se në 25 vitet e kaluara marrë së bashku.

Motra e vëllezër,

Ne jemi shtëpia e lirisë. Kemi qenë dhe jemi të tillë, sepse PS është parti demokratike që në themel të funksionimit të saj ka lirinë e shprehjes.

Eshtë parti socialiste sepse politikat e saj të majta përcaktojnë natyrën dhe vizionin e saj. Jam i bindur se ky kongres do të vazhdojë të konsolidojë këtë vizion.

I uroj këtij Kongresi suksese!

Faleminderit!



*Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, në Kongresin e Partisë Socialiste
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm