Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Socialistët nuk gjejnë justifikime por gjejnë arsye pse gjëja bëhet

Fjalime

Socialistët nuk gjejnë justifikime por gjejnë arsye pse gjëja bëhet

29 Feb 2020    

Fjala e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në Kongresin e Partisë Socialiste:

Kur kryeministri mori atë ditë dhe tha, disa nga përgjegjësitë e Paktit me Universitetin do i ndajmë bashkë, kishte të drejtë në fakt, sepse 9 nga 10 studentë jetojnë në Tiranë, qëndrojnë, punësohen, krijojnë familje, celebrohen, bëhen me fëmijë në Tiranë, shkojnë në çerdhe, kopshte shkolla dhe hapin vende pune në kryeqytet. Në një statistikë e cila nuk ka ndryshuar në 30 vitet e fundit. Dhe për sa kohë që 9 nga 10 studentë pasi mbarojnë diplomën e tyre, pasi hedhin kapelen e tyre të diplomimit, qëndrojnë në Tiranë, atëherë është edhe përgjegjësi e Tiranës.

Në fillim fare ishte shqetësuese, sepse pjesa e lidershipit të Universiteteve kërkonte shumë pavarësi dhe më kujtonte studimet e mia, si ato vendet Afrikane që donin shumë pavarësi nga Franca dhe Anglia dhe sapo iku Franca dhe Anglia, filluan të plaçkitnin territorin e tyre për të cilin kërkonin pavarësi. Ishte habi se si shumë prej rektorëve apo dekanëve, sapo morën pavarësinë nga qeveria dhe kaluan nga Universitete shtetërore në të pavarura, autonome, gjëja e parë që bënë është tender për zyrat, për makinat, nëpër fakultete ku nuk punonte galixhandi, printeri, ku harxhohej letra higjenike.

Ndaj edhe besoj që ishte e rëndësishme që ne si socialist të mos gjejmë justifikime pse të tjerët nuk i bëjnë punët, por për një punë të pabërë nga dikush tjetër ne të marrim përgjegjësinë dhe ta çojmë deri në fund. Kjo është arsyeja pse në punë ditësh ne arritëm të prodhonim Kartën e Studentit, një kompetencë që i ishte dhënë universiteteve. Unë në Universitetin që kam bërë jashtë, i kam marrë në të dyja shkollat nga Universiteti im, jo nga Bashkia, por thashë, socialistët nuk gjejnë justifikime pse gjëja nuk bëhet, por gjejnë arsye pse gjëja bëhet. Sot mbi 32 mijë studentë kanë kartën e studentit, nga të cilat 87 shërbime, janë shërbime publike dhe mbi 150 të tjera janë shërbime private. Ndaj edhe dua të falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata privatë që u bashkuan, për të kuptuar që misioni i një studenti të suksesshëm nuk është vetëm misioni i PS dhe qeverisë tonë, por misioni i çdo njeriu që e sheh suksesin e studentëve si suksesin e qytetit tonë dhe të gjithë Shqipërisë.

Jam krenar sot që gjithë ata studentë me 9-a dhe 10-a janë bërë pjesë e strukturave tona të punës. Sot një pjesë të tyre që protestonin në Dhjetor, pasi morën bursën nga kryeministri dhe qeveria jonë, sot i quaj kolegë në Bashkinë e Tiranës. Kemi pasur mbi 1700 të tillë. Mesi pres që teksa vazhdojnë rekrutimet, kush janë më të mirët, më të aftët, të përqafohen jo vetëm nga Bashkia e Tiranës por nga të 61 bashkitë e vendit dhe nga çdo dikaster të institucioneve, ku me vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit Rama është hapur dera për çdo djalë dhe vajzë që pavarësisht se si e ka mbiemrin, se si quhet mami dhe babi, pavarësisht si quhet tesera e partisë që ka, është i mirëpritur t’i shërbejë shtetit shqiptar, logos së Bashkisë dhe qeverisë tonë.

Në finale, ne kemi një ambicie të jashtëzakonshme për Kampusin Universitar. Unë jam rritur te Qyteti Studenti dhe mbaj në vitet ‘88, ‘89, ’90. Studentët mirë që vinin nga rrethet, por iu jepej mistria në dorë që ta ndërtonin vetë, ashtu siç u bënë në fakt me shumë prej pallateve që u dëmtuan në Tiranë prej punësh vullnetare. Dikush vinte të studionte muzikë dhe kishte dhomën 3, dikush që vinte studionte histori duhet të bënte vetë dhomën 5 c. Si fëmijë atëherë fasinohesha si mund të  vijë dikush të studiojë dhe të ndërtojë dhomën e vet. Kjo është arsyeja pse disa nga godinat patën dëme. Patjetër kemi bërë një rikonstruksion  total shumicën prej tyre, por themelet, kolonat janë po ato. Kjo është arsyeja pse tre godina që në fakt ishin zaptuar nga ata që ishin  munduar që ta kalëronin grevën e studentëve, ishin zaptuar nga po këta aktivistë. Ne si socialistë nuk themi ose këta, ose ata. Ne si socialistë themi edhe këta, edhe ata. Edhe ata që kishin zaptuar për 30 vite nën atë rrumpallhane të atij regjimi do të strehohen dhe janë sot me bonus qiraje dhe do të marrin apartamentet duke lëshuar hapësirat e zaptuara në qytetin student, edhe studentët do të kenë një kampus të ri universitar.

Dhe lajmi më i mirë është  për fakultetin Juridik, për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, që do të transferohen aty, për 12 godina, për një bibliotekë të re, për një mensë dhe për disa terrene sportive.

Lajmi i tretë i fundit dhe i shkëlqyer, është që të njëjtën gjë ne do të bëjmë dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Një universitet i cili ka mbajtur një peshë të madhe në gjithë kuadrot e bujqësisë dhe tani që  i është kthyer vëmendja falë kësaj qeverie tek agrobiznesi, tek agroturizmi, do të kemi një kampus ku dhe tetë godinat që ishin zaptuar do të sistemohen qytetarët që për një arsye apo një tjetër kaluan vitet e tranzicionit aty falë projektit të qeverisë  sonë për rindërtimin , por edhe studentët  do të kenë një kampus ekzemplar.

Mezi pres të përveshin mëngët dhe për gjithë studentët, qoftë protestues, qoftë që e kanë marrë kartën, apo janë rrugës, duam t’ju themi që kjo parti është e jona por është edhe partia juaj.

E vetmja parti e studentëve që ëndrrën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa e ka sot Biblën dhe Kuranin e vet.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm