Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Sundimi i shtetit dhe fundi i sundimit të krimit mbi shtetin

Fjalime

Sundimi i shtetit dhe fundi i sundimit të krimit mbi shtetin

30 Jan 2014    
Fjala e Kryeministrit Rama, sot në Kuvend:

Dëshiroja shumë që opozita të na vinte në pozitë të vështirë si qeveri, por kjo opozitë na vë të gjithëve në pozitë si njerëz të këtij vendi, jo vetëm ne këtu, por edhe çdo shqiptar të arsyeshëm që ka durimin t’i ndjekë seancat si kjo e sotme, ku të mbyt mjerimi mendor, ku fjalët rrjedhin si llumë mendjesh të mobilizuara për të prodhuar sasi më të madhe të mundshme të gomarllëkut për minutë, ku, madje, këtu të vjen keq për gomarin që ta krahasosh me njeriun, sepse gomari mbajti në kurriz profetin, kurse këta kurrizin e mbajnë samar për Saliun.

Bënë ç’deshën me Shqipërinë. E minuan çdo marrëdhënie sociale me urrejtje politike, çdo komunitet me varfëri e me papunësi, çdo shkollë me injorancë, çdo pronë me konflikte, çdo rrugë  me pika aksidentesh vdekjeprurëse, çdo derë shteti me korrupsion. E bënë shtetin fije-fije, e mbollën shpirtin e tyre të rrëmujës në çdo zyrë, e nxorën ujin e zi nga çdo xhep Shqipërie dhe pa u tharë akoma vula e vendimit të shqiptarëve për t’i përzënë nga qeveria, na kërkojnë hesap këtu, sikur sapo kanë rënë nga qielli.

Po mirë që kërkojnë hesap, se puna e opozitës është, por këta kanë aq shumë hesape të pambyllura, me shqiptarët dhe me veten e tyre, saqë i gënjen mendja se mund t’i mbyllin duke derdhur ku të munden, sa të mundën, si të munden, një llum fjalësh për çdo gjë. Gënjejnë, sajojnë, shpifin, akuzojnë, fyejnë, delirojnë, shkumojnë e recitojnë një e nga një. Dhe bëjnë sikur vajtojnë për Shqipërinë që po shkatërrohet, për papunësinë që po rritet, për drejtësinë që po sulmohet, për biznesin që po tmerrohet, madje, edhe për shqiptarinë që po tradhtohet. Madje, madje, këta, ja këta, bëjnë sikur vajtojnë deri për administratën që po rrënohet, për administratën që e ngritëm mbi meritën,  jo mbi pushtetin dhe mbi paranë, administratën që nuk e prekën kurrë, vetëm e përkëdhelën, kurrë nuk e hipën në autobus për mitingje, kurrë nuk i kërkuan të dalë në fushatë në rresht për një, me lista e pikëtakime, me apele, kurrë nuk e panë si shpellë për të rrasur e përplasur solin e sorollopin e tyre në çdo zyrë shteti.

Në fakt, ju bëni sikur vajtoni tërë atë bukuri që i falët këtij vendi, me përkushtim e ndershmëri, tetë vjet me radhë. Është diçka tjetër që në fakt e vajtoni me të vërtetë, thellë, po se thoni dot: humbjen e pushtetit tuaj të korruptuar deri në palcë, humbjen e kontrollit tuaj të dhunshëm mbi librat e llogarive të shtetit dhe mbi  llogaritë e çdo kompanie private, humbjen e fuqisë policore që ju  e bëtë njësh me forcën e krimit.

Nuk mund ta keni idenë sesa açik e tregoni vuajtjen për këto humbje, kur flisni për atë serverin e tatimeve që ne, jo ju, e audituam dhe e çuam për hetim në prokurori, madje duke kërkuar që prokuroria të angazhojë edhe ekspertizë ndërkombëtare, për ta zbardhur gjithë çka brenda ai han elektronik, pa dyer e pa dritare.

Lërë pastaj sesi ju duket në fytyrë dhe ju ndjehet në çdo fjali, vuajtja dhe sikleti, kur lexoni fletërrufenë e ditës për policinë e shtetit. Aq keq e luani pjesën e të përvuajturit për mëmëdhenë, sa duket sikur tërë natën e kaloni duke pritur të plasë diku tritoli, që të dilni me vrap e të akuzoni jo krimin, po policinë. Që ju nuk keni me krimin, po me policinë, këtë luftën tuaj të dëshpëruar këtë e tregon mirë edhe fakti që ju nuk i bëni kurrë thirrje policisë të zbardhë ngjarjen, por nxitoni t’i kërkoni ministrit të Brendshëm, dorëheqjen. Madje, as sot, vetëm gjysmë ditë, s’është bërë akoma një ditë pas operacionit spektakolar të policisë, që zbuloi një pjesë të konsiderueshme të botës së zezë të tritolit, meazallah se heshtët, se për të thënë ndonjë fjalë inkurajuese për policinë, nuk pret kush nga ju. Por prapë, sulm. A thua se u trembët se mos u trembën trimat e asaj botës së tritolit!

Është zgjedhja juaj. Mbase nuk keni zgjedhje tjetër, me tërë ato gjynahe të pushtetit tuaj, që jua lënë pa gjumë plakun dhe jua katranosën juve, të gjithëve, gjuhën. Po kot e keni! Shtetin që ju rrënuat, ne do të vazhdojmë ta rindërtojmë. Policinë e Shtetit që ju e lidhët këmbë e duar, me litarë të interesave të paligjshme dhe me nyjet e paditurisë suaj, ne do ta zgjidhim deri në nyjën e fundit dhe do ta lëshojmë për ditë dhe më me shumë fuqi drejt kriminelëve dhe shkelësve të ligjit.

Që Shqipëria të shpëtonte nga sundimi i krimit duhej që në radhë të parë, Policia e Shtetit të shpëtonte nga pushteti juaj. Ne e dimë këtë, më parë dhe shifrat sot, kur policia vetëm sa ka nisur ta rimarrë veten, flasin qartë për këtë. Mjafton të bëjmë krahasimin mes këtyre katër muajve dhe katër muajve të së njëjtës periudhë të një viti më parë, kur ju s’ishit këtu, se ju ratë nga qielli sot: 34 vrasje në këto katër muaj, nga 53 në të njëjtën periudhë të një viti më parë; 18% më pak vdekje nga aksidentet në rrugë; 50% më pak vjedhje me armë, me pasojë vdekjen. Pra, më pak vrasje dhe më pak vdekje, më shumë aksion dhe më shumë reagim nga Policia e Shtetit.

Shifrat e thonë këtë. Kujtesa e shqiptarëve që ju, sado të përpiqeni, nuk i budallallepsni dot duke kujtuar se përpjekja juaj për t’i trajtuar si budallenj mund të japë ndonjë sukses, e thonë këtë.

Megjithatë, ne as jemi të kënaqur dhe as duhet të kënaqemi ndonjëherë, deri në ditën e fundit të qeverisjes sonë. Sepse, nëse për sundimin e krimit ka filluar fundi, lufta me krimin është një luftë që nuk mbaron asnjëherë. Askund, në asnjë vend të botës. Dhe ne do ta bëjmë luftën deri në fund, pa asnjë tërheqje, pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë diskutim dhe jo vetëm kundër krimit, por edhe kundër shkaqeve të krimit, jo vetëm  për të arrestuar dhe ndëshkuar 18 vjeçarë që qëllojnë një autobus me kallashnikov, por edhe për t’i dhënë shkollës cilësinë e duhur  dhe edukimit në shkollë, kuptimin  e humbur;  jo vetëm për të kapur e çuar para gjyqit kriminelë, por edhe për të zmbrapsur korrupsionin nga dyert e gjykatave dhe për t’i kthyer drejtësisë kuptimin e varrosur; jo vetëm për të rritur rezultatet e policimit, por edhe për të rritur treguesit e punësimit.

Ne, sot, pas vetëm katër muajsh s’mund të krahasohemi përveçse me ju, por është e sigurt dhe ne e dimë mirë këtë, që të krahasohesh me ju në fushën e luftës kundër krimit dhe të jesh i kënaqur është njësoj si të kënaqej skuadra e kohëve të arta të “Flamurtarit”, duke u krahasuar gabim me ekipin e pingpongut të fshatit të Saliut.

E pra, ne, krahasimin, sot e për pak kohë do të vazhdojmë ta bëjmë me ju. Ndërkohë që për ne, krahasimi është tjetër dhe i siguroj të gjithë shqiptarët se ne do të kënaqemi vetëm nëse do t’i afrojmë shifrat e krimit në Shqipëri me shifrat e krimit në Europën ku duam të integrohemi. Dhe ne jemi të bindur se do t’ia dalim dhe jemi absolutisht të bindur se forca reaguese e policisë ndaj krimit e paligjshmërisë në tërësi duhet dhe do të rritet, ashtu siç po rritet dita-ditës, falë thellimit të reformës strukturore të policisë, rritjes së cilësisë së burimeve njerëzore në polici, futjes së teknologjisë së re në funksion të aktivitetit policor.

Ministria e Brendshme po punon intensivisht në të gjitha këto drejtime dhe unë kam bindjen se shifrat do të  shkojnë duke u përmirësuar çdo muaj. Ndërkohë që çdo muaj, qytetarët do të vazhdojnë të prekin ndryshimin e cilësisë së shërbimit policor, jo vetëm përmes shifrave, por në çdo kontakt me Policinë e Shtetit.

Në të shkuarën keni harxhuar miliona euro për kamera sigurie, që nuk anë punuar asnjë ditë të vetme. Ndërkohë që vetëm në pak muaj kemi vënë punën në vijë për të ngritur disa sisteme të reja kamerash, që nga trupi i policit të patrullës, te makina e patrullimit, si dhe në rrugët e vendit, ku duke filluar shumë shpejt, nga Tirana, do të ketë monitorim të standardeve më të larta teknologjike.

Kemi trashëguar një polici të keqstrukturuar, të paekuilibruar mes strukturave që rrinin zyrave dhe strukturave të terrenit, të shkatërruar në linjën informative, aq të shkatërruar sa i keni zhdukur të gjithë informatorët dhe ndërkohë, ju kanë vënë kryq, vitet e fundit, partnerët, sepse asnjë mundësi të shkëmbimit të informacionit të sigurt nuk kishte me Ministrinë tonë të Brendshme dhe çdo informacion, përpara se ta merrnin strukturat e policisë, e merrnin kriminelët që ishin në kërkim ndërkombëtar.

Ne trashëguan një polici që ishte mësuar me humbje përballë krimit dhe të nënshtruar politikisht, të keqpaguar si s’ka më keq, të degraduar moralisht dhe nga çfarë?! Nga pasojat e korrupsionit në Ministrinë e Brendshme, në polici dhe sigurisht, nga pasojat e asaj tradhtie të  përditshme, që ju e kthyet në sistem, në kurriz të Policisë së Shtetit, në kurriz të policëve që shkonin e përballeshin me kriminelët dhe këputeshin si të ishin pemë, përballë plumbave të kriminelëve.

Janë hedhur bazat e një ristrukturimi të plotë, në marrëdhënie të ngushtë me partnerët tanë. Është ekuilibruar ndarja e forcave, po ringrihet linja informative, ka nisur marrja e terrenit të lëshuar me vite, ndaj krimit dhe ka marrë fund nënshtrimi policisë, janë ndryshuar pagat për punonjësit e policisë në terren dhe ka filluar ajo rimëkëmbje morale që e bën policinë, sot, të gatshme dhe të aftë jo vetëm të sekuestrojë sasira droge që juve sigurisht keni mundur t’i kapni, por ju e dini pse i keni lënë të kalojnë dhe të bëjë operacione si ai i djeshmi. Dhe ju siguroj prapë, se ky është vetëm fillimi!

Shifrat përsëri flasin vetë për çka po them. Zbulueshmëria e krimeve apo e kriminelëve është rritur ndjeshëm për të njëjtën periudhë dhe këtu flasim për shifrat tona zyrtare dhe për shifrat tuaja zyrtare. Krahasuar me një vit më parë janë kapur 15% më shumë persona në kërkim brenda vendit dhe 111% më shumë persona në kërkim ndërkombëtar; janë goditur 35% më shumë grupe kriminale në fushën e drogës; janë kapur dhe proceduar 59% më shumë autorë trafiqesh dhe 71% më i lartë është numri i autorëve të kapur dhe proceduar për korrupsion.

Kemi trashëguar fatkeqësisht, policinë me nivelin më të lartë të moshës mesatare në Europë dhe me nivelin më të ulët mesatar të shkollimit në Europë. E kemi të vështirë sa herë që shtrijmë dorën për të kërkuar ndihmë, kur duhet të japim shifrën e moshës së policisë sonë dhe kur duhet të japim përqindjen e shkollimit të lartë, e shkollimit të mesëm dhe shkollimit fillor në policinë tonë.

Nëse të gjitha shifrat e tjera janë në përmirësim të vazhdueshëm, sigurisht që ky muaj ka shënuar një përkeqësim të ndjeshëm, sidomos psikologjik, për shkak të risisë negative në tërësinë e aktivitetit kriminal, aktet terrorizuese të goditjeve kriminale me tritol. Ky është një fakt jo vetëm i pamohueshëm, por edhe më shumë sesa i mjaftueshëm për të kuptuar se reagimi i shtetit duhet të jetë shumë më kompleks, sesa thjesht reagimi i policisë së shtetit. Siç e thoshte dikush që di shumë më tepër se unë dhe se ju, në çështjen e luftës me krimin, Kryetari i Bashkisë së New York,  Rudolf Guliani, ka të bëjë me kohën që i duhet rendit ligjor për t’u organizuar, po aq sa ç’është i organizuar krimi.

Së shpejti, në Parlament do t’i vijë për shqyrtim një reformë ligjore e këtij Kuvendi, për rendin publik dhe po ashtu do të ngrihet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, për të cilat po punojmë ngushtësisht dhe jemi në përfundim me partnerët tanë. Ky është një fakt më shumë, po ashtu, sesa i mjaftueshëm, për të kuptuar se niveli i shërbimeve inteligjente shqiptare, jo vetëm i SHISH-it që ngrihet mbi një ligj të vitit ’98, që nuk përmbush më nevojat  për të përballur sfidat e kohës, duhet ngritur në një shkallë tjetër. Edhe këtu lypset një reformë tërësore, ligjore edhe organizative, e cila ka filluar, siç ka filluar edhe Strategjia e re e Sigurimit Kombëtar.

Por ky fakt,ky i tritolit, është një fakt më shumë sesa i mjaftueshëm për të kuptuar çdo shqiptar se ku jemi ne shumica parlamentare dhe ku jeni ju opozita, në këtë përballje të fortë që ka nisur mes shtetit dhe krimit, në këtë përballje ku krimi më në fund ka përballë shtetin, në këtë përballje ku shteti fiton terren përditë dhe ku sigurisht, krimi po ashtu reagon.

Ju bëni politikë me krimin. Ne bëjmë luftë me krimin. Politika juaj e frymëzon krimin. Lufta jonë po e zmbraps dhe do ta çojë aty ku e ka vendin, krimin. Kjo politika juaj është zgjedhja juaj. Vazhdoni bëjeni, por vetëm një rezultat ka, humbjen e radhës. Ndërsa lufta jonë është zgjedhja jonë dhe mbi të gjitha është zgjedhja e atyre shqiptarëve, që nuk e kanë harruar se kur na votuan, na votuan në radhën më të parë, për sigurinë dhe qetësinë, ashtu siç ishin të lënë rrugëve për shkak të pasigurisë së përgjithshme që kishte krijuar Policia, e degraduar qëllimisht, e Shtetit, nga ana juaj. E pra, kjo luftë ka vetëm një rezultat për ne: vendosjen e sundimit të shtetit dhe fundin e sundimit të krimit mbi shtetin.

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm