Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Të dashura mikesha të Partisë Socialiste angazhohuni me fuqinë e përfaqësimit tuaj kudo ku zëri juaj dëgjohet

Fjalime

Të dashura mikesha të Partisë Socialiste angazhohuni me fuqinë e përfaqësimit tuaj kudo ku zëri juaj dëgjohet

28 Feb 2020    

Fjala e zonjës Linda Rama në Kongresin e Partisë Socialiste 2020:

Mirë se ju gjej!

Në të gjithë këto vite të gjata është hera e parë që marr pjesë në një forum të Partisë Socialiste dhe aq më shumë që marr fjalën në një forum të Partisë Socialiste. Përveç pjesëmarrjes në takimet e fillimit dhe të mbylljes së fushatave elektorale ku i jam gjendur në krah Edit, kam ruajtur me fanatizëm bindjen se koha, rruga, betejat me të gjitha çfarë kanë brenda në vorbullën e jetës tënde në këtë front i përkasin vetëm dhe vetëm Partisë Socialiste.

Ndërsa familjes së vogël, asaj të gruas dhe të burrit, nënës a babait, prindërve a fëmijës i përket vetëm mbështetja e padukshme, por e patundshme, pa kushte, pa u lodhur dhe pa u dorëzuar, mbështetje për njeriun e saj, që, pjesën më të madhe të jetës së tij e ka të lidhur pazgjidhshmërisht me familjen e madhe politike, por, mbi gjithçka për kauzën të cilës ai i është përkushtuar në dobi të Shqipërisë ku kemi lindur dhe ku kanë lindur e nesër do të lindin fëmijë fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë.

Por, befasisht e ndjeva të natyrshme dhe ftesën e papritur që mu bë për të ardhur këtu e për të marrë fjalën në këtë ditë të grave, me gratë dhe për gratë me moton e bukur Edhe 1. Them befasisht, sepse vijimisht të natyrshme kam ndjerë të kundërtën refuzimin, për tu shfaqur si protagoniste qoftë dhe në një moment nën çatinë e madhe të Partisë Socialiste por edhe nën dritat e skenës publike përgjithësisht. E gjithë pse-ja e pranimit të kësaj ftese pikërisht sot dhe pikërisht këtu mbase do dal në rreshtat e fjalës time, por lejomëni t’ju them se në sekondë ky mu duk momenti i duhur dhe vendi i duhur për të folur publikisht, prandaj faleminderit kujt i shkoi mendja për të ma bërë këtë ftesë dhe faleminderit të gjithave ju që me mikpritjen tuaj thjesht më konfirmuat që bëra shumë mirë që e pranova pa mëdyshje.

Faleminderit Lindita për prezantimin që, aq bujarisht bëre dhe uroj që të kem një vlerë të shtuar në këtë aktivitet domethënës. Fjala ime që përzien brenda nënën studiuesen aktivisten civile dhe shoqen e jetës së kryetarit tuaj shumë i dashur për pjesën më të madhe tuajën, por shpresoj për të gjitha ju, nuk pretendon të jetë asgjë më shumë sesa një shprehje e dëshirës së mirë për të ndarë publikisht me ju disa mendime të miat modeste.

Në vjeshtën e vitit 2005 PS zgjidhte kryeartin e saj të ri. Në atë kohë së bashku me kolegë të mi kishim filluar që të aplikonim modelin e ri të shkollave komunitare në një komunë në jug të vendit, diku në zonën e Gjirokastër-Përmetit. Kryetari i asaj komune ishte delegat në atë Kongres zgjedhor. Ishte ai kongresi i trazuar që në fund fare zgjodhi kryetar Edin, pak muaj pasi PS doli në opozitë. Në përfundim të Kongresit kryetari i komunës erdhi në zyrën tonë për të biseduar për aktivitetet që ne do zhvillonim në shkollën e komunës së tij.

Në një moment dikush nga ne e pyeti: “Si shkoi Kongresi?” “Nuk e zgjodhëm ne kryetarin, - tha, - ne delegatët, e zgjodhën fëmijët tanë. Na mbytën me mesazhe, duke na thënë “zgjidhni atë të gjatin””. “Është modern ai dhe e ka shumë të lehtë komunikimin me ta,” - e mbylli kryetari me një buzëqeshje që saç tregonte dyshim te i gjati aq tregonte dhe një lloj lehtësimi që kishte përmbushur dëshirën e fëmijëve të tij.

E pra, Edi erdhi në krye të PS si një thirrje e fëmijëve të atyre që mes plot vështirësish, pengesash të mëdha, sakrificash të jashtëzakonshme, rënieve dhe ngritjeve i dhanë jo pak Shqipërisë së trazuar të 15 viteve të para pas daljes në rrugën e lirisë e të demokracisë. E fëmijëve ishte në fakt edhe thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa që mblodhi popullin e tërë në hapjen e asaj rruge 30 vite më parë. E fëmijëve mbetet sot e gjithë arsyeja themelore pse politika duhet të ekzistojë, pse partitë duhet të ndeshen në betejën e vizioneve dhe ideve për të nesërmen, pse vetë Partia Socialiste duhet të kërkojë më shumë nga vetja e saj dhe pse ju gratë e vajzat e kësaj familjeje të madhe duhet të këmbëngulni në përpjekjen tuaj për të qenë gjysma më e mirë e kësaj partie.

Ka ndodhur një ndryshim i madh, real dhe i paimagjinueshëm deri jo shumë vite më parë, që personalisht më bën shumë mirë kur flas jashtë vendit për përfaqësimin gjinor në Shqipëri. Kjo me siguri është pjesë e qenësishme e arsyes që më bëri të vij këtu sot te ju gratë që i përkisni partisë që ka meritën e padiskutueshme për këtë ndryshim dhe që keni barrën e padiskutueshme për ta thelluar atë, ta bëni atë një ndryshim që shtrihet poshtë, pasi ka ndodhur lart, sepse, që ta themi deri në fund, kur një burrë del në dritën e skenës publike ai është një më shumë në gjininë e të shumtëve, ndërsa një grua në skenën publike e mbart si hijen e vet detyrimin për tu bërë një zë dhe forcë tërheqëse më shumë e gjinisë së saj.

Është vërtet krenari ta shohësh sot Shqipërinë të renditet në një nga pesë vendet e para në botë për pjesëmarrjen e grave në qeveri dhe po ashtu ta shohësh se në tabelën globale të suksesit aksesi i gruas në sferën publike, Shqipëria sot është në një nga pozicionet më të mira krahasuar me çdo tabelë tjetër.

Në këndvështrimin tim modest kjo ngjitje me vlerë historike e gruas në lartësinë e vëmendjes së partive politike falë Partisë Socialiste është një vlerësim i admirueshëm, jo thjesht i meritës individuale dhe kontributit individual, është vlerësim sa i drejtë dhe kurajoz, sa politik aq dhe humanist për përpjekjen dhe kontributin afatgjatë të nënave, të mësuesve, të aktivisteve civile në betejën e vazhdueshëm të tyre për zhvillim dhe për emancipim.

Kjo përpjekje që vijon në format e veta të panumërta në çdo qelizë shoqërore të këtij vendi meriton plotësisht që rrjeti i fuqizuar sot i grave dhe i vajzave në politikë të gjejë forma dhe mënyra për t’i vënë ambiciet individuale dhe aksesin në jetën publike në dispozicion të familjeve të zakonshme ku nënat dhe bijat e tyre zhvillojnë betejën emancipuese dhe zhvilluese në kushte ende tejet të vështira.

Përpara një auditori të tillë jam shumë e tunduar për të rrokur çdo temë të të përditshmes tonë, por dua të qëndroj te më e rëndësishmja brenda meje, që është ajo thirrja e fëmijëve e cila kalon si jehonë në tërë zinxhirin e viteve duke u kaluar vit as viti edhe tek grupmoshat e fëmijëve tanë.

Për mua ata, fëmijët tanë janë shëmbëlltyra e Europës që kemi brenda nesh. Detyrimi ynë që t’i trajtojmë ata si të tillë, jo vetëm kur flasim me ta, apo për ta, po edhe kur flasim me njëri-tjetrin apo me publikun, them se qëndron mbi të gjitha detyrimet e tjera. Me këtë të fundit kam parasysh dëmin e pallogaritshëm që i bëhet kësaj Europe të brishtë brenda nesh nga egërsia, vulgariteti, varfëria e mjedisit tonë publik të komunikimit.

Europiani i vogël që lind dhe rritet në familjet tona, ka nevojë për një përkujdesje të jashtëzakonshme, që të zhvillohet mëndjehapur e tolerant dhe të dijë te identifikojë të përbashkëtat e të çmojë të veçantat mes modeleve, kulturave të qytetërimeve. Përkatësia e tij në botën moderne nuk mund të lihet si një gjë që rrjedh në listën e gjërave të tjera. përpara tyre shtrihet një jetë që nuk ka të ngjarë thuajse fare me jetën që kemi patur ne në fëmijërinë tonë.

Dhe na takon të gjithave të pyesim, po mbase juve ju takon të pyesni edhe më shumë se kaq, po edhe të ushtroni presion për të marrë përgjigjet e duhura në terrenin e jetësimit të politikave publike:

“A bëhet vërtetë gjithçka duhet që gjenerata më e re, ajo e fëmijëve tanë, të jetë nesër mishërimi i përkatësisë europiane të Shqipërisë?

A është kuptuar vërtetë me gjithsej, se sfidat e fëmijëve tanë nuk do jenë të njëjta me ato qe përballojmë ne dhe për rrjedhoje tejkalimi i modelit tone është domosdoshmëri, por njëkohësisht një kërcënim i madh vjen me të?

Dhe pastaj, a mjafton të paturit e vetëdijes së ndryshimit dhe vullneti për të përqafuar realitetin e ri, për t’ia dalë tejkalimit pa rënë pre e kërcënimit të humbjes së vlerave e të normave, që brez pas brezi erdhën deri tek ne si guidë morale e jetës sonë?”

Le të marrim për një çast ndryshimin epokal që ka sjellë në jetën e fëmijëve interneti dhe platformat e tij.

Aktualisht, numri i përdoruesve të internetit në Shqipëri e ka kaluar mesataren botërore dhe rritet vijimësisht. Këtë na e thonë numrat, por numrat nuk na thonë se cila është jeta në internet e fëmijëve dhe siguria e tyre në të. Mosha e fëmijëve që fillojnë të përdorin internetin vjen duke u ulur. Këtë thonë numrat, por ne nuk dimë se si mendja e një fëmije të vogël e interpreton dhe e absorbon ushqimin e ekranit pa asnjë standard të garantuar sigurie në duart e tij.

Prindërit janë ende rojet e pazëvendësueshëm të fëmijëve nga kërcënimet e frikshme të internetit, por 30% e tyre nuk dinë të përdorin internetin dhe shumë të tjerë, të mbingarkuar me problemet e një jete aspak të lehtë për ta, preferojnë t’ia lënë internetit të bëjë rojen e fëmijëve.

Një fëmijë përdorues i internetit në Shqipëri shpenzon mesatarisht 2.9 orë online në ditët e javës dhe 3.3 orë në një ditë pushimi. Shumica e fëmijëve e aksesojnë internetin nga ekranet e telefonave dhe kjo është kaq e lehtë dhe kaq atraktive sa rrezikon që e vetmja mëhallë që do të njohin mund të jetë mëhalla e internetit. Të vetmit shokë të tyre rrezikojnë të jenë miqtë imagjinarë digjitalë, heronjtë më domethënës të jenë ata që nuk ekzistojnë dhe gjuha e tyre numër një e komunikimit të jetë zhargoni i shkurtimeve dhe i shenjave në ekran.

Kam përshtypjen se në këto kushte, oferta tradicionale, e cila edhe ajo ka mangësitë e veta të mëdha, nuk mjafton. Shkolla, kopshte, çerdhe, kënde lodrash janë bërë shumë, po jo vetëm duhen shumë akoma, po edhe sikur të mbaronte nevoja për to, mendoj se prapëseprapë jemi të zbuluar në raport me sfidën që po flasim.

Prandaj të dashura mikesha socialiste, ju lutem angazhohuni me fuqinë e përfaqësimit tuaj, në qeveri, kuvend, këshilla bashkiakë, apo hapësira të tjera ndërvepruese, ku zëri juaj dëgjohet, për një ofertë të re për fëmijët e këtij vendi.

Është e qartë pse duhet të kemi një Teatër të Operës dhe Baletit, një Teatër të ri Kombëtar, apo të tjera salla teatri si ArtTurbina, në të tjera zona të vendit, të gjitha këto me standarde europiane. Po a mundet të jemi të qeta ne, nënat e këtij vendi, kur i vetmi teatër fëmijësh është ende Teatri i Kukullave, një hije e ftohtë e atij që ishte kur Tirana ishte thuajse pesëfish më e vogël se Tirana e sotme?! Ose pse, si ka mundësi qe falë fondeve publike, të mbijetojë si një megashoë televiziv në kohën e konkurrencës së lirë, si Festivali i Këngës në Radiotelevizion, ndërkohë që më i madhi duhet të ishte një festival mbarëkombëtar dhe pse jo i fëmijëve?!

I bukur shumë është stadiumi i ri kombëtar dhe bukur janë bërë stadiumet e tjera, që me siguri janë më pak se sa ata që i duhen Shqipërisë që ka nevojë për futbollin. Po a ma thotë dot njeri, se Edi asnjëherë nuk më ka dhënë në argument bindës, pse nuk e kemi dot në vend një sistem funksional klasash sportive për fëmijët në shkolla?!

Më në fund dëgjova që Kopshti Zoologjik i Tiranës do ndërtohet sipas standardeve europiane, të shpresojmë që këtë herë do të ndërtohet, por pse mua nuk më duket e pamundur që të kemi kopshte të bukur kafshësh të buta edhe në zona të tjera të vendit, ku fëmijët të mund të kalojnë kohë e të mësojnë për to.

Bukur është punuar për të zgjeruar rrjetin e shkollave qendra komunitare, por a nuk duhet t’iu ofrojmë fëmijëve hapësira të reja takimesh mes shkollave përmes konkurseve që stimulojnë talentet e tyre?!

Ndarja e re territoriale, shprehur si ide dhe nevojë qysh në vitin 2002 dhe e finalizuar në ligj, më shumë se sa një dekadë më vonë, në thelb ka synuar krijimin e hapësirave për modele të avancuara të zhvillimit dhe të shërbimit, përtej gardheve dhe sinoreve të vjetra. Vizioni për këto hapësira të reja duhet të mundësojë që nevojat e fëmijëve për argëtim të mos mbyllen brenda ofertës minimaliste të lodrave nëpër lagje, apo mureve të qendrave tregtare, edhe këto të fundit të pakta në numër.

Vetëm një vizion i tillë do të mundë që lista e atraksioneve turistike të shkojë përtej trashëgimisë kulturore, trashëgimisë historike, detit dhe malit, ku fëmijët janë zgjatim i të rriturve, po jo arsyeja e parë pse të rriturit tërhiqen nga këto atraksione dhe vetëm ky vizion do t’i jepte argëtimit dhe edukimit artistik të fëmijëve një përkatësi institucionale.  

Në nëntorin e 105-të të pavarësisë, Zaho kishte mbushur 3 vjeç. Në kopshtin e tij po përgatiteshin për të festuar ditën e pavarësisë. Në mbrëmje, më vjen një mesazh nga mësuese Elda, që ishte dhe administratore e kopshtit së bashku me bashkëshortin e saj, qytetar amerikan. “Zaho më ka surprizuar dhe më ka prekur sot”, shkruante.  

Të nesërmen në mëngjes po më priste dhe me tregoi: “Dje po pyesnim fëmijët se përse e duam Shqipërinë dhe kur radha i erdhi Zahos, ai u përgjigj shumë thjeshtë: Se ajo është shtëpia jonë. M’u kujtua vetja ime,- vijoi. Ika në Amerikë e vogël dhe pas shumë viteve u ktheva me Davidin, të fejuarin tim, pasi babai ishte sëmurë dhe ishte shtruar në spital. Ishte fillimi i viteve 2000. Dilnim në rrugë, kishte mbeturina dhe gropa, më vinte turp nga i fejuari dhe i thosha “më vjen keq”. Hipja në autobus, njerëzit shtyheshin, ktheja përsëri kokën nga ai dhe i thoja “më vjen keq”. Shkoja në spital, ku asgjë nuk funksiononte siç duhej, pëshpëritja, “më vjen keq”. Hynim në shtëpi, iknin dritat dhe mua përsëri më vinte keq. Nuk e di sa herë më tha Elda e kam përsëritur togfjalëshin “më vjen keq” ato ditë. Ditën që u larguam, në momentin që do të fillonte fluturimi për të kaluar oqeanin, i fejuari im nxori një letër dhe më tha: Ke thënë kaq shumë herë “më vjen keq” këto ditë. Të lutem, shkruaj 10 arsyet pse ti e do vendin tënd. Në mbi 10 orët e fluturimit tim, me vështirësi i bëra dhjetë arsye, por asnjëra prej tyre nuk ishte sa për 10.

Ndaj, u preka. Kishte qenë aq e thjeshtë dhe aq domethënëse: Po, e dua Shqipërinë, se ajo është shtëpia ime.

Me një falënderim të madh që më dhatë mundësinë të ndaj me ju dhe përmes jush, me të gjithë familjen tuaj të madhe socialiste, këtë fjalë timen dhe po ashtu, duke ju falënderuar për vëmendjen që me dhatë bujarisht, lejomëni ta mbyll duke ju thënë:

O e bëni ju, gratë socialiste të kësaj kohe kaq të favorshme për gruan në politikë atë që politika duhet të bëjë për një ofertë të re për fëmijët, ose bën dot askush tjetër!

O e bën Partia Socialiste sot këtë vend, shtëpi të fëmijëve të të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine e kategorie sociale, o askush tjetër s’ka për ta bërë dot për kushedi se sa kohë!

Uroj ta bëni dhe të merrni bekimin e historisë së të vetmes Europë qe ne kemi brenda nesh, historisë së fëmijëve tanë!

U bëftë më e mira për ju, familjet tuaja, fëmijët e këtij vendi, që është shtëpia e tyre!

Faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm