Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Shumëfishojmë energjinë në mbështetje të reformave

Fjalime

Shumëfishojmë energjinë në mbështetje të reformave

07 Feb 2016    

Faleminderit të gjithëve për fjalët që thatë!


Është një eksperiencë pozitive për ne që i kemi harruar emocionet kur dalim e flasin, duke parë njerëz që kanë emocione. Natyrisht është një moment jo i parëndësishëm që të vendosësh për t’u bërë pjesë e Partisë Socialiste, çka do të thotë, jo domosdoshmërisht për t’u marrë me politikë, duke lënë punën tënde, por e kundërta, duke i shërbyer vetes, familjes, komunitetit edhe si qytetar, përveçse si një profesionist, apo si një kontributor përmes punës. Sot në këtë proces të rëndësishëm anëtarësimesh të reja, ne ndjehemi mirë sepse kemi plot gjëra për të thënë.  Pas dy vitesh e gjysmë që jemi në krye të procesit qeverisës, jemi vërtet të inkurajuar nga rezultatet e para të reformave të thella dhe të rëndësishme që kemi ndërmarrë, e na vjen mirë që në këtë proces anëtarësimesh të reja mund t’u themi me plot gojën njerëzve se ka arsye të forta për tu bërë pjesë e Partisë Socialiste.  Mund t’u drejtohemi të gjithë atyre që fitojnë me punën  e tyre më pak se 1 milion lekë të vjetra dhe t’ju themi se, falë qeverisë së Partisë Socialiste dhe falë mbështetjes që Partia Socialiste mori për të drejtuar qeverinë e vendit, sot të gjithë ata paguajnë më pak taksa nga të ardhurat e tyre përmes punës. Janë 97% e shqiptarëve që paguhen në sektorin publik, apo sektorin privat, që paguajnë më pak taksa nga rroga.


 Kemi sot mundësinë të trokasim në çdo sipërmarrje të vogël, në çdo biznes që ka vetëpunësuar familje të tëra. E janë jo pak, por 83 mijë e disa qindra, të cilëve mund t’u themi sot, - ju keni zero taksë për biznesin tuaj, e kjo falë qeverisjes së Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ne kemi mundësi t’u drejtohemi të gjithë atyre që kanë dalë në pension në vitin 2015 dhe vazhdojnë të dalin në pension këtë vit, dhe t’u themi se falë reformës së Partisë Socialiste ata nuk marrin një pension që kufizohet nga tavani 240 mijë lekë të vjetra, por marrin një pension shumë herë më të lartë, shpesh për faktin se e marrin sipas kontributit të viteve të punës, jo sipas një rregulli që, për të keq, ua kufizoi pensionin shumë e shumë pensionistëve të tjerë. Gjithë këtyre pensionistëve që dalin në pension prej vitit të shkuar, falë reformës së Partisë Socialiste, shumë më të mirëtrajtuar në dinjitetin e tyre, ne kemi arsye t’u themi që të bëhen pjesë e Partisë Socialiste, sepse pa këtë parti nuk do të ishte e mundur ajo që faktikisht ka ndodhur për ta, për mirë. Ne kemi mundësi t’u themi të gjithë familjeve në nevojë për ndihmë ekonomike, se sot ndihma ekonomike është dyfishuar dhe thuajse trefishuar për ta, sipas kategorive  dhe kjo për faktin se ndryshe nga çfarë propagandohet qëllimisht dhe egërsisht kundër reformave dhe kundër Partisë Socialiste, ne jemi partia që në drejtimin e vendit kemi vënë në dispozicion të më të varfërve dhe të shtresave në nevojë, paketën më të madhe të mbështetjes financiare. Është një paketë mbështetjeje financiare që shtrihet nga ndihma ekonomike te kompensimi i energjisë për të gjitha ato familje që janë me ndihmë ekonomike dhe që mund të prekeshin nga heqja e fashës mbrojtëse 300 kilovatë, dhe kompensojmë 16 milionë dollarë çdo vit për këto familje.Por, ne jemi partia që mund t’i themi të gjithë atyre që kanë nevojë për kujdes shëndetësor se u kemi kursyer 70 milion dollarë nga shpenzimet e tyre familjare në vit, duke i ulur ilaçet 30% dhe duke i sjellë në një çmim të arsyeshëm dhe të përballueshëm, pasi i dhamë fund paradoksit që ilaçet në Shqipëri shiteshin më shtrenjtë sesa në vendet e origjinës.


Ju jeni dëshmitarë të gjithë furisë së baltës kundër reformave tona dhe të përpjekjes për të përfituar, duke abuzuar dhe duke spekuluar me kostot e reformave, me dhimbjet e reformave dhe me mundimet, që në rrugën e reformave janë të pashmangshme. Nën këtë furi ka rënë edhe një nga masat e rëndësishme që kemi marrë, në kuadrin e reformës rrënjësore në sistemin e shëndetësisë, që është chek-up-i, analizat falas për moshën nga 40-65 vjeç, që është mosha ku edhe shfaqen përgjithësisht simptomat e para të sëmundjeve të mundshme në organizmin e njerëzve. Këto analiza kushtojnë 51 mijë lekë në rast se dikush shkon t’i bëjë vetë. Kështu kanë kushtuar edhe në kohën e qeverisjes së vjetër që sot i kundërvihet egërsisht, duke shpifur përditë ndaj kësaj mase të rëndësishme për shëndetësinë falas. Ndërkohë që ne paguajmë nga buxheti i shtetit për të ndihmuar njerëzit që nuk mund të paguajnë 51 mijë lekë dhe që janë të pasiguruar që të bëjnë analizat falas dhe nuk paguajnë 51 mijë, por paguajnë vetëm 18 mijë lekë të vjetra, çka do të thotë se u japim mundësinë njerëzve që të informohen mbi gjendjen e tyre shëndetësore dhe i japim mundësi vetes si shoqëri që të kursejmë, duke i kapur simptomat e sëmundjeve përpara se ato të zhvillohen dhe pastaj të bëhen të papërballueshme nga pikëpamja shëndetësore dhe financiare. Në Shqipëri, përpara se të fillonte tranzicioni, ka pasur kartelë mjekësore për çdo person. Në çdo vend normal, edhe në rajon, në Ballkan, në Europë, pa diskutim ka një kartelë mjekësore për çdo person. Madje në Shqipëri ka pasur, siç ka në çdo vend të Europës, kartelë për çdo lopë, për çdo vic, për çdo dele, vetëm qentë e rrugës ishin pa kartelë. Ndërkohë që sot, më thoni ju, si mund të vazhdojmë ne, pas 20 e kusur vitesh pa pasur një bazë të dhënash të gjendjes shëndetësore të njerëzve dhe pa mundësuar që çdo person, që nga nxënësit që shkojnë në shkollë, deri tek ata që janë në pension, të kenë kartelën e tyre shëndetësore dixhitale! Nëpërmjet chek-up-it ne po krijojmë një bazë të rëndësishme të dhënash dixhitale për gjendjen shëndetësore të gjithsecilit. Duke bërë analizat shëndetësore falas e kemi më të lehtë sepse nuk mund t’u themi njerëzve: “shkoni ju bëni analizat me 51 mijë lekë!”


Nga ana tjetër, ne mund të kemi shumë gjëra për të thënë dhe ka plot gjëra që nuk shkojnë ende ashtu siç duhet, kur vjen puna te shërbimi shëndetësor, por në vetëm 2 vjet e gjysmë, ne kemi arritur që duke filluar nga ky vit, mjekun e familjes ta vëmë në dispozicion të njerëzve, pa pagesë. Pra, edhe shërbimi i mjekut të familjes është sot falas. Padyshim që duhet të shkojmë deri në fund me këtë proces dhe duhet që edhe shërbimi në spitale të jetë falas.


 A e dini se, duke filluar nga data 1 Shkurt në shërbimin tonë spitalor ka një rënie nga 4-6 herë të tarifave. Këto tarifa do të bëhen publike për të gjithë në ditët në vijim, që të kuptojnë që jo vetëm mundësia për të marrë një shërbim shumë më lirë sot, është krijuar falë reformës, por edhe se ne jemi në rrugën e ndërtimit të një sistemi shëndetësor me mbulim universal, pra në rrugën ku, nuk ka rëndësi nëse je i varfër, apo je i pasur, nëse ke apo s’ke lekë, shërbimin shëndetësor e merr njësoj, me të njëjtin dinjitet. E pra kjo është një arsye shumë e fortë për t’u thënë njerëzve: Ja pse duhet të bëheni pjesë e Partisë Socialiste!


 Sigurisht që ka dhe plot arsye të tjera. Këtu ne dëgjuam disa arsye. Ne ishim partia që përdoreshim si gogoli për të trembur votuesit që kishin një shtëpi pa leje, të cilëve u thuhej se, “po erdhi Partia Socialiste në pushtet, po erdhi Edi Rama në qeveri, jo vetëm që s’do ju legalizohen shtëpitë, por do ktheheni andej nga keni ardhur”. Ndërkohë që faktet flasin krejt ndryshe. Në 8 vjet qeveria e vjetër bëri 21 mijë legalizime, nga të cilat, mbi 80% nuk ishin për shtëpitë, por ishin për bizneset, ishin për hotelet, për motelet, për pishinat, për trampolinat, për magazinat dhe në troje publike, në akse rrugësh, mbi monumente kulture, mbi hidrovore, mbi kanale kulluese e ujitëse. Ndërkohë që ne, në vetëm 1 vit e gjysmë, pasi një vit na u desh që të sistemojmë njëherë letrat që i kishin lënë rrugëve, kemi bërë 42 mijë legalizime, pra dyfishin e qeverisë së vjetër në 8 vjet. Këtë vit jemi shumë besimplotë që mund të shkojmë në dyfishimin e kësaj shifre. Kjo është një arsye për të qenë ballëhapur përpara njerëzve dhe për t’u thënë, ja pse duhet të përfshiheni në Partinë Socialiste!


 Por pyetja që mund të bëhet normalisht është, pse duhet të bëhemi anëtarë të Partisë Socialiste? E vërtetë që, Partia Socialiste, po bën çmos që të bëjë reforma rrënjësore, po krijon kushte për të menduar se gjerat do të shkojnë ende shumë më mirë dhe po përpiqet që të bëjë shtet, po pse duhet të jemi ne anëtarë të PS!? Sepse Partia socialiste sot ka nevojë për të dyfishuar fuqinë e saj. Dyfishimi i fuqisë sonë, na duhet për të mbështetur edhe më fort reformat. Sepse reformat kanë krijuar - dhe kjo është e natyrshme, - një front kundërshtie që ka mbledhur forca të ndryshme, individë të ndryshëm, për arsye të ndryshme kundër reformave. Ky front kundërshtie që udhëhiqet nga qeveria e vjetër ka synimin e qartë që të deformojë të vërtetën, duke abuzuar apo përfituar nga vështirësitë, të spekulojë dhe të sajojë gjera të paqëna, shifra të pavërteta, për tu thënë njerëzve se në fakt reformat do sjellin dëme të mëdha, të arrijnë deri në pikën që tu thotë njerëzve se papunësia është rritur, ekonomia ka rënë, se njerëzit po ikin nga Shqipëria, etj, të gjitha këto të pavërteta, që ky front synon ti ktheje në energji negative, duke abuzuar me problemet që kanë njerëzit.


Natyrisht që njerëzit kanë probleme, natyrisht që ekonomia shqiptare sot nuk po lulëzon. Do të ishim magjistarë po ta kishim bërë të lulëzonte, po të kemi parasysh nga u nisëm dy vjet e gjysmë më parë. Por sot, ekonomia shqiptare po jep shenja shumë inkurajuese rimëkëmbjeje.


Sot, eksportet japin shenja shumë inkurajuese rimëkëmbje. Sot konsumi jep shenja inkurajuese rimëkëmbje. E nëse do të hiqnin nga llogaria e përgjithshme, naftën, çmimi i së cilës ka rënë në mënyrë dramatike, duke ndikuar bilancin e eksporteve dhe importeve, do të shikonim një ndryshim rrënjësor.


Pse duhet sot dyfishuar forca dhe fuqia e  bashkimit në PS, pikërisht sepse duhet shumëfishuar energjia pozitive në mbështetje të reformave. Reformat janë e vetmja rrugë për të bërë shtet dhe e vetmja rrugë për të transformuar hapësirën e  ndërveprimit mes nesh. Unë jam shumë krenar që sot ka shumë mësues dhe mësuese, apo nëpunës dhe nëpunëse që vijnë sot në PS, pasi kanë provuar nga eksperienca e tyre se me meritën e tyre kanë fituar konkurset.


Sot, konkurset në administratën publike janë konkurse reale. Sepse po të mos ishin reale nuk do të kishte konkurse pa fitues. Fakti që ka konkurse dhe jo pak, që nuk nxjerrin fitues tregon që konkurset nuk janë të parafabrikuara dhe tregon që fuqia e influencës që deri dje përcaktonte politikisht apo falë korrupsionit, se kush fitonte konkursin, sot është shumë e kufizuar dhe nuk arrin dot të imponojë rezultate konkursesh në administratën publike. Por  ajo që për ne ka një rëndësi shumë të madhe si PS, është kur njerëz, të cilët kanë fituar me meritën e tyre vijnë dhe thonë, tani po, dua të bëhem anëtar i PS, pasi tani unë besoj se Partia Socialiste është forca që duhet fuqizuar dhe natyrisht përmirësuar edhe më shumë që të bëjnë edhe më shumë për njerëz si unë, që nuk kanë mundur ta gjejnë të drejtën e tyre dhe rrugën e tyre më parë.


E njëjta gjë mund të thuhet për çdo sektor, për çdo grupmoshë. Nuk ka një sektor dhe  një grupmoshë ku ne të mos kemi ndërmarrë një proces reformash dhe ku ne mos të kemi ndërmarrë hapa për të përmirësuar situatën. Pikërisht, pse ka ende shumë për të bërë dhe pikërisht pse rezultatet janë shumë larg të qenit përfundimtare, kemi nevojë ti japim një fuqi edhe më të madhe mbështetëse reformave. Kemi nevojë ti japim një fuqi edhe më të madhe PS.


Më vjen mirë sepse sot ne numërojmë mijëra anëtarë të rinj në të gjithë territorin. Por ajo që është më e rëndësishmja siç është se nuk janë thjesht vetëm vajza dhe djem të moshës së re, por janë të të gjitha moshave dhe janë përfaqësues të grupeve të ndryshme shoqërore. Pasi ne nuk duam një Parti Socialiste, ku një familje ka gjithë organizatën në kontroll. Ne nuk duam një Parti Socialiste që dominohet nga një fis i vetëm në një fshat apo dominohet nga një komunitet i vetëm në një zonë ku ka plot komunitete, për shkak të lëvizjeve demografike. Nuk duam një Parti Socialiste, ku ka burra dhe djem, por nuk ka gra dhe vajza, në çdo fshat, jo vetëm në qytet, ku kjo nuk diskutohet. Nuk duam një parti socialiste, ku në organizatë i vetmi muhabet të jetë “u fute në punë, apo nuk u fute në punë në shtet”. Por përkundrazi duam një Parti Socialiste që në çdo organizatë të jetë pasqyrë e shoqërisë, pasqyrë e strukturës sociale të atij komuniteti, ku kjo organizatë vepron në bazë të qendrës së votimit. Sepse ne nuk duam një PS që thjesht të fitojë zgjedhjet, por duam një PS që arsyet për të fituar ti këtë po aq të forta sa ç’janë nevojat e njerëzve për të ndryshuar vendin, për të ndryshuar shoqërinë dhe për të  ndryshuar pozicionin e tyre në këtë vend.


Ne kemi përgatitur dhe faqen e re të anëtarësimeve online, e cila nuk është thjesht një faqe e re në kuptimin grafik, por është një faqe e re  anëtarësimesh online që mundëson kontaktin e menjëhershëm, mes atij që anëtarësohet online dhe partisë në atë zonë, në atë vend ku personi banon. Kjo vlen qoftë për anëtarësimet online brenda vendit, qoftë për anëtarësimet online jashtë vendit.


Ndryshe nga eksperienca e mëparshme, gjithkush që anëtarësohet online, nuk është thjesht një numër që merr thjeshtë një kartë anëtarësie, por është një person kontakti, që kontaktohet menjëherë dhe që përmes rrugës online, në fakt gjen ekzaktësisht stacionin ku kontakton fizikisht me PS, me organizatën e PS, aty ku ai jeton, aty ku ai është aktiv, qoftë brenda, qoftë jashtë vendit.


Është një anëtarësim shumë i shpejtë, shumë i thjeshtë dhe është i lidhur me gjithë procesin e brendshëm të bazës së të dhënave që ne sot kemi, një bazë të dhënash elektronike, pjesë kjo e modernizmit të mëtejshëm të PS. Ne nuk mund të pretendojmë të reformojmë çdo sektor të vendit dhe të mos reformojmë vetveten dhe mënyrën sesi funksionojmë vetë, gjë që PS  nuk e bën për herë të parë, e ka bërë vazhdimisht. Ka qënë  një parti që qysh në lindjen e saj ka patur në ADN-në e vet, nevojën e brendshme për të qenë me hapin e  shoqërisë dhe për ti prirë zhvillimeve të shoqërisë, duke reformuar vetveten. Shumë faleminderit për këtë takim! Mirënjohje të gjithëve që u bënë pjese sot e familjes sonë të madhe politike. Ju uroj që të ndjehen sa më mirë mes nesh dhe të përfshihen sa më shume në jetën e partisë sonë që është një jetë shumë aktive dhe që do të jetë akoma shumë më aktive në këtë proces, ku ne kemi vendosur që në 25 vjetorin e lindjes së Partisë Socialiste në qershor, të jemi 150 mije anëtare dhe anëtarë, brenda dhe jashtë vendit.Ju që keni ardhur do të na ndihmoni në këtë objektiv që nuk është numerik, por është një domosdoshmëri për të rritur dhe shumëfishuar energjitë pozitive në funksion të reformave transformuese të vendit tonë. Tani, pasi morët kartën, detyrimi është që nga do të hidhni sytë të shikoni një anëtar potencial të PS, ti afroheni, ti flisni, ta bindni dhe ta sillni me vete në PS.


Ju faleminderit!


*Fjala e Kryeministrit dhe njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në takimin me anëtarët e rinj të Partisë Socialiste, në Tiranë


 


 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm