Partia Socialiste e ShqipërisëFjalime › Të vendosur për bërjen e reformës në drejtësi

Fjalime

Të vendosur për bërjen e reformës në drejtësi

18 Feb 2016    
Fjala që sapo u mbajt, me përjashtim të fjalisë së fundit, është njësoj me fjalimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të 2013. Parashtrove para shqiptarëve të gjitha këto arritje imagjinare, por shqiptarët të flakën si leckë me 1 milion vota kundër. Këtë fjalë mbajte dhe më 26 qershor kur dhe dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike. Me përjashtim të lotëve të gazetares së TVSH-së, asnjë shqiptari tjetër nuk i erdhi keq që ti humbe, që ti u ndëshkove. Besoj ka ardhur koha që të vesh mend. Mos fol më për arritjet e tua se nuk ke asnjë arritje. Dy herë që ke qenë në pushtet vetëm piramida ke lenë mbrapa. Atëherë me Vehbiun dhe me Suden, tani borxhet e fshehura që i’u deshën plot dy vjet qeverisë sonë, ministrit Cani, ministrit Ahmetaj që të zbardhin borxhet dhe t’i paguajnë një më një.

Pas 2 ditësh është 20 shkurt, 25 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit. Nuk ka ironi më të bukur për trashëgiminë e idealeve të dhjetorit kur në krye të PD është një sekretar partie. Ndërkohë unë jam shumë krenar që në krye të qeverisë është një pjesëtar i lëvizjes së dhjetorit dhe dy ministrat që u përgjigjën janë studentë të grevës së urisë. Grevë dhe lëvizje që ti e vodhe zotëri. Pse nuk iu tregon shqiptarëve, tregoi edhe Mesila Dodës që do të flasi pas meje, çfarë ju the ti studentëve kur shkove ti takosh? Kur studentët të thanë hajde në partinë tonë, ti i’u the ‘unë e kam partinë time, unë ju sjell përshëndetjet e shokut Ramiz’ dhe studentët të fërshëllyen, apo jo?  Ti nuk ishe dakort që studentët ta rrëzonin bustin sepse këtë lëvizje ti e quaje ekstremiste. Madje siç tregojnë ndihmësat e tu, sot të larguar prej teje, ti ishe në makinën që të kishte vendosur Partia e Punës në dispozicion kur more vesh që u rrëzua busti i Enver Hoxhës. Ja pra Sali, ironi më të madhe se kjo nuk ka. Ti në krye të PD dhe studentët e grevës së urisë të dhjetorit në qeverinë e Partisë Socialiste. Kjo është krenari për ne. Turp për Partinë Demokratike. Ti e vodhe lëvizjen e dhjetorit, siç ke vjedhur dhe pasuritë e këtij vendi.

The këtu Enveri, Hitleri. Sigurisht diktator më të tmerrshëm se Enver Hoxha nuk ka pasur në Europë dhe në botë. Pyetja për ty Sali është: i tillë ishte Enveri edhe kur haje bukë në shtëpinë e tij, me nipërit dhe mbesat e tij? A ishte i tillë? Unë nuk kam ngrënë bukë në shtëpi të tij, jam i vogël shumë. Enveri si Hitleri ishte kur ti hipje në varkën e tij për të bërë xhiro me djalin e tij? Po ti paske ndenjur me djalin e Hitlerit dhe haje bukë në shtëpinë e Hitlerit. Mjaft më me këtë histori. Ke 25 vjet që të duket vetja si antikomunisti më i madh, kur ti je problemi më i madh që ka sot njëra prej partive më të rëndësishme të këtij vendi, Partia Demokratike, e cila u krijua për të çuar përpara idealet demokratike në këtë vend.

Fole këtu për vizitën e mikut të madh të Shqipërisë dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit në detyrë, ish kandidat për President në SHBA, John Kerry. Fole, por ne tani të njohim mirë. Ti kur ke një hall i bie rreth e rreth e rreth, por hallin nuk e tregon. Fole këtu për vizitën, nuk ka shqiptar nga me dy klasë shkollë deri më 22 klasë shkollë që nuk e ka kuptuar dhe nuk e ka marrë vesh që John Kerry erdhi për reformën në drejtësi. Ti nuk e përmende këtë. Ke dy javë që merresh me një çështje që në axhendë nuk ishte çështje kryesore. John Kerry erdhi për reformën në drejtësi, e konfirmoi edhe njëherë, që ta kuptosh mirë që ambasadorët amerikanë kur vijnë në Shqipëri nuk kanë axhendat e tyre personale, siç je mësuar ti t’i quash ambasadorët amerikanë sa herë që të bien në kundërshtim me interesat e tua. Kur flisje për Withers, një zotëri i nderuar, thoje ky zotëri ka ardhur me axhendë personale. Deri ditën që u largua miku ynë dhe i gjithë shqiptarëve, Alexander Arvizu, përsëri nxirrje Strazimir e shokë që të thoje që ky ka ardhur me axhendë personale. Edhe për Donald Lu, këtë gjë përpiqesh të thuash. Nuk kanë këta axhendë personale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mik pa kushte të Shqipërisë, e John Kerry erdhi pikërisht për këtë në Shqipëri. I the të gjitha me muxhahedinë e të tjera ca nuk the, po nuk fole për reformën në drejtësi. Sepse aty e ke hallin ti, të mos bëhet reforma në drejtësi dhe të mos ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit. Se nuk ka parti në botë që kryetari i partisë del dhe deklaron që do votojmë Byronë Kombëtare të Hetimit dhe ish kryetari del dhe thotë nuk e votojmë dhe ajo nuk mbështetet nga Partia Demokratike. Madje aq therëse është ironia në këtë rast saqë në takimin e rradhës me prindërit Lulzimin nuk e shoqëroi babai, por kushëriri i babait. Çoi Mal Berishën në delegacion, që të ishte i sigurtë se çdo të thoshte Lulzimi në takim me përfaqësuesit e lartë amerikan. A ka turp më të madh për këtë parti! Tani ka humbur besimin dhe tek Aldo, tek Tabaku s’ke pasur ndonjëherë siguri, tek Ed Paloka normal që jo se nuk e di se në çfarë ore është takimi, Mond Spaho nuk flet mirë anglisht dhe çove Mal Berishën që t’i mbante të gjitha shënim.

Qytetari dixhital, të ka ardhur besoj një mesazh analog sot. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, i partisë tënde, ka vendosur drejtor të ujësjellësit nipin e vet. Djalin e tezes e ka shef kabineti. Ju partia e parimeve keni ndonjë reagim për këtë, apo nuk të ka ardhur akoma mesazhi. S’të ka ardhur ndonjë mesazh për këtë çështje! Turp!

Fole këtu për charterat. Siç ka ikur ministri i Ekonomisë në Katar me charterin e mbretit të Katarit, ke shkuar dhe ti. Vendet arabe, vizitave zyrtare j’ua ofrojnë këtë mundësi, t’a çojnë avionin e mbretit të të marrë. Ke shkuar edhe ti. Ky paska bërë gabim, ti nuk paske bërë gabim!

Sa për tenderat, të sfidova javën e kaluar por ike. Javën e kaluar u çove këtu për një biznesmen dhe fillove të thoje se ky biznesmeni është kriminel, kryekriminel etj. Zotëri, dokumentat zyrtare thonë që ky biznesmeni ka pasur për 8 vite, sa ke qenë ti kryeministër konsulente Argita Berishën. Tani kam një pyetje, a është shpërdorim detyre nga ana jote fakti që ti i bën presion një biznesmeni për shkak se je deputet, nga foltorja e Kuvendit, që biznesmeni të vazhdojë të ketë konsulente vajzën tënde! Kompania quhet "Alpet" dhe paguante 3 mijë euro në muaj konsulencë juridike në zyrën e avokatisë së vajzës tënde. Pse nuk paska qenë kriminel 8 vjet me rradhë kur bënte konsulencë me zyrën e vajzës tënde dhe u bë kriminel pas qershorit të 2013-tës? Kjo nuk qëndron. Biznesin që ka, atë ndërtesën tek Taiwan-i, atë parkun që ti sulmon kryetarin aktual të Bashkisë, Erion Veliaj, ia ke dhënë ti me vendim të Këshillit të Ministrave. Nuk ja kemi dhënë ne. Ka një vendim të Këshillit të Ministrave me firmën tënde. Sikurse edhe për ndërtimin e Taiwan-it, Edi Rama ka qenë kundra. Është votuar në këshillin bashkiak dhe ka qenë një aleancë me këshilltarët bashkiak për ta marrë vendimin. Është e rëndë, që sa herë ti prishesh nëpër pazare, fillon lufta kundër çdo lloj biznesmeni.

Sa për valixhet një gjë po ta them, Byroja Kombëtare e Hetimit do të ngrihet dhe do t’i hetojë të gjitha valixhet. Ato të gushtit të 2013 duhen hetuar mirë se çfarë kanë pasur brenda.

 

*Fjala në seancën e sotme parlamentare e nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te Fjalimi Fjalimi tjetër       Fjalimi i mëparshëm