Postuar më: 16/02/2011
Seanca e sotme është një atentat tjetër, shumë i rrezikshëm kundër parlamentarizmit! Një atentat që në thelb i vë minat funksionimit normal, dialogut politik, respektit ndaj vlerave të përfaqësimit. Një atentat që do të thotë se tani e tutje, në Shqipëri nuk ka vlerë Kushtetuta, nuk ka vlerë ligji, nuk ka vlerë rregullorja. Një atentat që don të kumjtojë se tani e tutje, në Shqipëri dhe në Kuvendin e saj, do të zbatohet vetëm urdhri dhe firma e Sali Berishës dhe shpikjet absurde të Jozefina Topallit.
E tregon më së miri këtë kjo seancë, problematika që ajo ofron për diskutim, por mbi të gjitha, mënyra si u projektua, si u organizua dhe për çfarë synon të realizojë. Përfundimisht ju nuk doni të llogarisni opozitës si pjesë të Kuvendit. Arroganca qeveritare rreket të vendos diktat mbi opozitën, mbi parlamentin, mbi gjithë jetën e vendit.
Sot ju vini në rendin e ditës një shkelje tjetër të Kushtetutës, pasi e keni bërë këtë katrahurë mbi 20 herë! Sot ju po shkelni Rregulloren për ta masakruar atë edhe më keq, siç keni bërë disa herë të tjera, pa konsensusin e opozitës dhe kundër opozitës. Doni të bëni represion mbi opozitën, doni t’a nënshtroni, t’i mohoni lirinë e fjalës, madje edhe me procedurë të përshpejtuar!
Si erdhët deri në këtë mendje? Pasi firmosi ca letra Sali Berisha në grupin tuaj, mblodhët Konferencën e kryetarëve, pastaj Këshillin e Rregullores, përsëri Konferencën e kryetarëve dhe përsëri e përsëri! Erdhët sot këtu me një çorbë antikushtetuese dhe antiligjore! Opozita jo vetëm që nuk do ta hajë çorbën tuaj, por refuzon t’i marrë edhe erë. Qelbet një kilometër larg kjo çorbë antidemokratike.
Le t’i marrim me radhë propozimet tuaja të sotme.
Heqja e imuniteteve. Absolutisht t’u hiqen imunitetet, atyre që Prokuroria e kërkon! Nuk kemi asnjë ekuivok për këtë. Procedura për këtë është e përcaktuar ekskluzivisht. Nuk ka analogji me asnjë rast tjetër të procedurave parlamentare. Buron nga Neni 73/2 të Kushtetutës.
Dhe Neni 118 ka qartësisht të ndara hapat që ndërmerren në këtë rast:
Në seancën plenare më të parë njoftohet Kuvendi. Pastaj vjen në shqyrtim në Këshillin e Imuniteteve. Pika 4 e Nenit 118 përcakton se : “ Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës së dytë pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve. Pse e bëni sot dhe për më tepër pse vetëm për njërin nga deputetët?!
Ju digjet xhani për drejtësinë?! Aspak! Por si gjithmonë po përdorni demagogjinë! Po bëni lojën e të ndershmit, ashtu siç keni bërë çdo ditë që nga shtatori i vitit të kaluar, kur PS filloi të nxirrte stivat e dosjeve tuaja të korrupsionit, kur shqiptarët filluan të shohin qartë e më qartë se çfarë bëhet në bodrumet korruptive të kësaj qeverie!
Por akoma më keq! Pikërisht sapo erdhi kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të dy deputetëve, ju sillni nismën antikushtetuese për kufizim imuniteti. Parimisht nuk jemi kundër. Por vetëm e vetëm në rrugë kushtetuese. Çdo rrugë tjetër është hipokrizi politike.
Këtë zhurmë demagogjike e keni bërë edhe më parë! Dhe gjithmonë, kur kërkohet imuniteti i ministrave apo ish-ministrave tuaj. Kështu bëtë edhe në rastin e ministrit Basha dhe ndërkohë që mbuluat me zhurmë dhe mjegull ekranet, gazetat, sallat e konferencave këtu e nëpër botë, kurrë nuk i dorëzuar Prokurorisë proces-verbalet e qeverisë për akuzat që bëheshin dhe ja ku e keni ministrin tuaj, me imunitet përsëri, shëndoshë si molla nga jashtë dhe i korruptuar nga brenda.
Këtë komedi luajtët edhe me Gërdecin e tanimë 26 të vrarët janë brenda në dhe, ndërsa të gjithë vrasësit jashtë burgut. Me këtë zhurmë keni dashur gjithnjë e doni edhe sot të barazoni të gjithë deputetët e ndershëm të PS dhe PD, me atë të cilëve u kërkohet imuniteti nga Prokuroria. Është i pështirë ky synim. Propozoni sot edhe ndryshim të Rregullores për të rritur dënimet ndaj opozitës!
E dini se kush duhet përjashtuar i pari nga seancat e këtij parlamenti?!
Çdo fjalë e rëndë e gjuhës shqipe që përdoret, tashmë për fat të keq, në parlament ka marrë vizën për herë të parë me gojën e Sali Berishës. Nëqoftëse dikush përdor këtu, pa asnjë provë ligjore fjalët “kriminel, hajdut, mafioz etj” dijeni se e ka dëgjuar së pari nga Sali Berisha, i cili nuk e ka për gjë më vonë që këta kriminelë, hajdutë, mafiozë etj, t’i marrë dhe ti mbajë në qeveri. Nëqoftëse dikush u ndërron emrat dhe mbiemrat deputetëve, sikur ata të ishin pa prindër e pa atdhe, dijeni se i pari e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë Sali Berisha!
Nëqoftëse dikush (largqoftë!) do t’i thoshte drejtueses së seancës bushtër apo drejtuesit të seancës bir bushtre; dijeni se këto sharje të ndyra janë dëgjuar vetëm nga dy politikanë në gjithë Europën e kulturuar; nga Zhvirinovski në Rusi dhe nga Berisha këtu përpara nesh.
Nëqoftëse dikush do t’i thotë ndonjë deputeti “do ta çajë kokën në dysh”, “do ta bëj fytyrën si këpucë”, “qenër e këlyshë që lehni”, sillni gratë tuaja dhe nxirrni këtu lakuriq” etj, etj, dijeni se këto i kanë bërë vetëm dy kryeministra në botë; Mugabe në Afrikë dhe Mugaberisha këtu!
Prandaj, duket qartë se në atë propozim masakrues ju bëni represion mbi opozitën dhe nuk keni aspak hallin e qetësimit të situatës në parlament.







