Postuar më: 21/12/2009
Vetëm pak kilometra nga këtu ku ne jemi sot, një tjetër popull fqinj, feston heqjen e vizave, feston hapjen e kutive, feston bashkimin përfundimtar të qytetarëve të vet me të gjithë qytetarët europianë. Malazezët, Maqedonasit, Serbët sot festojnë, kurse ne shqiptarët sot protestojmë, ky është në dallim i madh që nuk ka të bëjë me ne, po ka të bëjë me këtë pushtet, ka të bëjë me këtë qeveri, ka të bëjë me këtë Pinok kryeministër që vetëm gënjen, gënjen, gënjen dhe sot i ka lenë shqiptarët të izoluar, sot e ka lenë Shqipërinë të fundit në Ballkan, pa mundësinë për të lëvizur lirisht.
Kur një vit po ikën dhe një tjetër po vjen ne jemi në protestë, jo në festë. Dyqanet e mbytura në listat e borxheve kanë më pak blerës se asnjëherë në fund viti qyshse s’mbahet mend.
Në vend t’i gëzoheshin festave duke shitur më shumë madje me çmime më të ulëta, biznesmenët e vegjël të Shkodrës dhe të të gjithë Shqipërisë presin në dyqanet bosh janarin e tmerrshëm me TVSH e me tatim fitimi.
Dhe ata me siguri nuk e kanë marrë vesh ende akoma se për restorantet, për baret, për ushqimoret, për rrobaqepësitë floktoret, për libraritë, për kinkaleritë, për të gjitha ato njësi që japin këto shërbime për qytetarët, çmimi i ri i energjisë nuk është 13% më i lartë, po është 22%. Ne protestojmë në emër të tyre. Sali Berisha i premtoi biznesit të vogël barrën më të ulët fiskale në botë për t’u marrë votën dhe sot po u pret faturën më të lartë në historinë e këtyre 19 vjetëve pasi u ka marrë votën.
Ne protestojmë duke i thënë Sali Berishës hap kutitë ose largohu Pinok. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re me biznesin e vogël. Ne sot protestojmë sepse Shqipëria që jeton jashtë oborrit të Familjes në Pushtet e ka të pamundur të festojë Krishtlindje e Vit të Ri.
Në vend se të mendojnë për dhuratat e fëmijëve për Krishtlindjet të gjithë prindërit që deri vjet merrnin edhe një rrogë tjetër shpërblim, për punën në shërbim të shtetit, nuk morën as rrogën e përmuajshme, as rrogën e shpërblimit. Ne protestojmë në emër të tyre. Sali Berisha u bëri rritje rrogash punonjësve të këtij shteti për t’u marrë votën dhe sot u fut dorën në xhep për t’u marrë më shumë se ç’u dha.
Ne protestojmë duke i thënë Pinokut kryeministër hap kutitë ose largohu.
Në vend se të presin festat për të kaluar ca ditë e netë të ngrohta me fëmijët, nipërit e mbesat e tyre, 540 mijë pensionistë në këtë vend presin me drithërim janarin kur do t’u hyjë nën derë fatura e re e energjisë. Ne protestojmë në emër të tyre. Sali Berisha u bëri rritje pensionesh më të shkretëve të kësaj shoqërie për t’jua marrë votën dhe sot ua ka bërë zero rritjen e pensionit me çmimin e rritur të jetesës dhe me faturën e re të energjisë.
Ne protestojmë duke i thënë Pinokut kryeministër hap kutitë ose largohu. Motra e vëllezër, a ju kujtohet se sa herë Sali Berisha ka dalë përpara jush, përpara gjithë shqiptarëve, duke u zgërdhirë dhe ka thënë, “Mos dëgjoni ministrat e mi, mos dëgjoni asnjë që thotë se çmimi i energjisë duhet të rritet dhe do rritet, sa të keni Sali Berishën, nuk rritet çmimi energjisë”? Dhe mos harroni, kështu tha edhe përpara zgjedhjeve kur e kishte vendosur firmën dhe e mbante të fshehur në sirtar, sepse donte votat.
Ne protestojmë duke i thënë këtij Pinoku hap kutitë ose largohu.
E dëgjuat çfarë tha kompania e huaj që e ka privatizuar shërbimin e shpërndarjen së energjisë. Çmimi që na ka dhënë shteti tha është i papranueshëm, ai duhet të jetë më i lartë se ndryshe kompania falimenton. E dini pse kompania e huaj u ankua, sepse Sali Berisha e ka gënjyer edhe kompaninë me të cilën ka firmosur tjetër gjë dhe tani që e vërteta e frikshme e krizës ekonomike dhe e rrokullimës të ekonomisë dhe të kompanisë bashkë po ia nxeh karrigen ku është ulur, gënjen andej e gënjen këtej se s’di çfarë të bëjë Pinoku që kemi për kryeministër.
Prandaj ne i themi, hap kutitë ose largohu gënjeshtar.
Janë 46 mijë invalidë që janë të harruar dhe kanë muaj që s’marrin atë që u jep ligji dhe jo më të marrin ndonjë gjë tjetër nga përrallat që u ka treguar Pinoku që kemi për kryeministër. Ne protestojmë edhe në emër të tyre. Ne protestojmë duke i thënë Pinokut hap kutitë ose largohu.
Në vend se Krishtlindjet e Viti i Ri të sillnin pak më shumë gëzim për 800 mijë shqiptarët që janë të pasiguruar sepse nuk janë në marrëdhënie pune, ata kanë marrë lajmin se për çdo trokitje tek mjeku do të paguajnë deri pesë herë më shumë. Sali Berisha u premtoi shërbim më të mirë shëndetësor për t’u marrë votën dhe pasi u mori votën u preu faturën e re, faturën e pagesës së çdo trokitjeje tek mjeku. Ne protestojmë në emër të këtyre 800 mijë njerëzve që nuk kanë lekë të paguajnë vizitën mjekësore.
I themi Sali Berishës, hap kutitë ose largohu, o Pinok.
Motra e vëllezër,
Ju kujtohet me siguri se sa herë ne e paralajmëruam Sali Berishën publikisht që të merrte masa kundër krizës, masa që ta mbronin këtë popull dhe jo të bënte rrush e kumbulla paratë e popullit për të mbledhur votat për familjen e tij.
Fatkeqësisht, Sali Berisha nuk dëgjoi as kambanën e opozitës dhe madje as kambanën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilin e përzuri. E fshehu krizën dhe i zhyti të gjithë në borxhin ekonomik që sot po troket në të gjitha dyert e shqiptarëve, me shpenzime të shfrenuara për zgjedhje, para e gjatë fushatës dhe duke e lënë vendin në rënie të lirë vetëm e vetëm që të rrinte vetë në majën ku qëndron si gjel deti majë të plehut në këtë fund viti, ku njerëzit nuk arrijnë dot të festojnë.
Marrëzia e këtij gjeli deti për pushtet të përjetshëm dhe për para të madhe përmes korruptimit të pushtetit, ia ka shterur fuqitë ekonomisë shqiptare dhe ka provokuar këtë rënie agresive ekonomike, që dashtë Zoti të mos jetë si ato situatat kur për shkak të rënies ekonomike një popull i tërë u trondit, se nuk donte të binte nga fiku Sali i parë.
Viti 2009 po mbyllet si s’ka më keq, por si s’ka më keq, po fillon edhe Viti 2010, ndërkohë që leku ka njohur zhvlerësimin më të madh në dhjetë vjetët e fundit, duke u kthyer në një taksë të fshehtë që vepron sa herë njeriu fut dorën në xhep për të blerë diçka.
Ky zhvlerësim i lekut do të vazhdojë edhe në vitin 2010, kur shqiptarët do të ballafaqohen drejtpërdrejt me një rritje të mëtejshme të çmimit të jetesës, në çdo hap, në faturën e energjisë, në faturën e ushqimeve, në faturën e vizitave shëndetësore e të ilaçeve, në faturën e arsimimit të fëmijëve. E dini se çfarë thonë shifrat e Eurostatit, jo INSTAT i Sali Berishës, por Eurostati, lidhur me fuqinë blerëse të shqiptarëve? Është më e ulëta në Europë, 26 %. Po jo më e ulëta krahasuar me Gjermaninë e me Francën, po më e ulëta krahasuar edhe me Bosnjën, që e ka 30%. Këtu e ka sjellë Shqipërinë Sali Berisha për hir për hir të përfitimeve të tij, për hir të përfitimeve të pushtetit të tij familjar, klanor, klientelist.
800 mijë shqiptarët e pasiguruar, tani do t’u duhet të paguajnë sa herë trokasin tek mjeku i familjes 10 mijë lek. Sa herë të shkojnë në Poliklinikë 15 mijë lek. Sa herë të kapërcejnë pragun e spitalit rajonal për një vizitë 20 mijë lek. Sa herë të shkojnë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës 30 mijë lek, për një trokitje, për një vizitë.
A ju kujtohet Sali Berisha kur doli pas zgjedhjeve në një nga ato mitingjet që bën në tavolinën e qeverisë dhe u tha nënave me barrëlindje, “Mos u mërzisni që nuk fituan socialistët, do t’ua heq unë barrën e rëndë të mospërfitimit nga barrëlindja. Asnjë nënë shtatzënë nuk do të jetë e detyruar të punojë për të jetuar apo të paguajë për vizitat mjekësore”. Vendim qeverie tha. Por në fakt, çfarë ka ndodhur, e ka shtuar, duke shtuar numrin e nënave shtatzënë që nuk do të shohin dot më gjendjen e bebes në bark për shkak të varfërisë.
10 mijë lek është minimumi, se ka edhe 15 mijë lek. Është një shifër e papërballueshme, jo vetëm për një grua të re të papunë në një familje që jeton me ndihmë ekonomike. Por edhe për shumë gra të tjera pa sigurime shëndetësore në këtë vend. Ne protestojmë sot në emër të të gjitha nënave me fëmijë në bark duke i thënë Sali Berishës hap kutitë ose largohu Pinok. E njëjta gjë për librat e shkollës, që kur ne ngritëm problemin e madh të analfabetizmit, duke folur për abetare që nuk i blinin dot familjet e varfra, thanë gënjen opozita. Dhe kur e morri vesh se opozita nuk gënjente, atëherë morri angazhimin, që librat e shkollës ti jepte falas. Ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe sot e gjithë ditën. Ne protestojmë në emër të të gjithë fëmijëve që s’kanë abetare, sepse prindërit e tyre s’ua blejnë dot dhe të të gjithë prindërve që nuk çojnë dot fëmijët në shkollë. I themi Pinokut kryeministër, hap kutitë ose largohu.
Me siguri shumë nga ju që jeni këtu jetojnë në familje që varen nga dërgesat e motrave dhe vëllezërve, të djemve dhe vajzave emigrant dhe e dini shumë mirë, siç e dinë mirë të gjitha familjet shqiptare që kanë njerëz jashtë atdheut, se dërgesat e emigrantëve të këtij viti kanë rënë pa pushim apo do të vazhdojnë të bien edhe vitin e ardhshëm. E pra çfarë do të ndodhë me familjet e varfra? Çfarë do të ndodhë me familjet shqiptare që e kanë mbështetje jetike dërgesat e emigrantëve, ndërkohë që këtu në Shqipëri nuk kanë mundësi të punojnë. Çfarë do të ndodhë me këto familje në fshat të braktisura në mëshirën e fatit, ndërkohë që s’ka asnjë lloj perspektive, asnjë lloj projekti, asnjë lloj ideje, se çfarë mund të bëhet me fshatin. Nuk ka treg të tokës dhe nuk ka ende certifikata pronësie, për njerëzit që jetojnë në fshat. Ashtu siç nuk ka shans që ky pushtet i grabitur ti kthejë sytë nga fshati.
Çfarë do të ndodhë me bujqit e me fermerët dy të tretat e të cilëve, sipas vetë ministrit të bujqësisë, nuk nxjerrin dot prodhimin e tyre në treg? Viti i Ri nuk ka asgjë të re përveç thellimit të dëshpërimit e të varfërisë në fshatin shqiptar. Bujqit e fermerët e këtij vendi do të vazhdojnë të jenë skllevërit e një politike të vjetër që u vjedh votën, që u blen votën, që u fsheh votën dhe në fund u jep vetëm shqelmin.
Ne i themi sot, edhe në emër të gjithë atyre që jetojnë në fshatin e braktisur shqiptar, Pinokut kryeministër hap kutitë ose largohu,sepse në kutitë e mbyllura nuk qëndrojnë vetëm votat, nuk qëndrojnë vetëm listat, nuk qëndrojnë vetëm procesverbalet e falsifikuara, por në kutitë e mbyllura qëndrojnë ëndrrat dhe shpresat e njerëzve. Në kutitë e mbyllura qëndron politika e re për shëndetësinë, politika e re për arsimin, politika e re për biznesin, politika e re për ndryshimin e madh, që ne do ta sjellim me patjetër sepse Shqipëria nuk mund të rrijë varur në hundën e Pinokut, që zgjatet çdo ditë me gënjeshtra pas gënjeshtrash.
Dhe këtu nga qyteti i Shkodrës unë i përsëris Pinokut kryeministër, hap kutitë, ose largohu Sali Berisha, sepse këtë krizë e solle ti dhe nuk duhet ta paguajë një popull i tërë. Protesta jonë për hapjen e kutive është vullneti ynë për t’i dhënë fund krizës së demokracisë dhe rrënimit të ekonomisë për shkak të pushtetit të një njeriu që e ka bërë familjen e tij qeveri dhe politikën neveri.
Kutia e mbyllur e 28 qershorit është kutia ku ky Pinoku mund të fshehë forcërisht votën e popullit, por nuk mund fshehë krizën ekonomike që e mohoi dhe e nxori jashtë kontrollit për të kontrolluar me pahir pushtetin politik dhe ekonomik të këtij vendi.
Prandaj ne i themi, hap kutitë ose largohu Pinok, sepse Shqipëria nuk ka më para të paguajë për gënjeshtrat e tua, për pushtetin tënd. Shqiptarëve nuk u duhen një Shqipëri ku tregjet janë të kapura nga Familja në Pushtet, po një treg i lirë dhe një ekonomi tregu ku vendos konkurrenca, jo pushteti i babait.
Shqiptarëve nuk u duhet një ekonomi e orientuar nga babëzia e Familjes në Pushtet, po një ekonomi e orientuar nga investimet që hapin vende të reja pune për të gjithë ata shqiptarë që duan të punojnë dhe që nuk duhet t’jua mohojë askush të drejtën e një punë të ndershme. Shqiptarëve u duhet një ekonomi që favorizon sipërmarrjen dhe prodhimin.
Prandaj për të gjitha këto ne përsërisim, hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse nuk mund ta mbash me forcë të fshehur në ato kuti vullnetin e shqiptarëve për t’i dhënë fund armiqësisë së shtetit me biznesin dhe të shkatërrimit të ekonomisë. Për t’i dhënë fund rrjepjes së biznesmenëve me referenca, gjoba, bakshishe. Për t’i dhënë fund trajtimit të biznesmenëve si kulakë e mafiozë. Ky është pushteti pa të ardhme i biznesmenit Sali Berisha, ne jemi partia e të ardhmes së çdo shqiptari që merret me biznes,të vogël, të mesëm, të madh, që punëson veten, familjen apo të tjerë shqiptarë që duan të jetojnë me punë të ndershme falë këtij biznesi.
Pinoku kryeministër e ndan përditë Shqipërinë me gjuhën e urrejtjes për opozitën. Opozita do ta bëjë 2010-ën vitin e ndarjes së Shqipërisë me kryeministrin Pinok. Ky pushtet që e ka kthyer parlamentin në skenën e shthurjes së turpshme të gjuhës, ku bëjnë paradë gojët e përdala të shërbëtorëve të Sali Berishës dhe ku Sali Berisha duartrokitet për sharjet me libër shtëpie ndaj opozitës, ka filluar të shpërndajë së fundmi ftesa për dialog.
Por, pa ndaluar asnjë dekikë të vetme, vrullin e të sharave e të palarave të gjuhës së nxjerrë marrëzisht në mexhelis. Na thonë çdo ditë mafiozë e perversë, na bëjnë terroristë e na lidhin me botën e krimit, na shkelin mbi varrin e familjarëve tanë e na hedhin baltë si torturues të fëmijëve tanë. Dhe ndërkohë, më e bukura, na ftojnë në parlamentin e kutive të mbyllura e na kërkojnë dialog për të mirën e vendit me demek, dhe që siç e shihni po u dhimbset shumë tani që karrigia po u zhytet në qelbin shpërthyes të ekonomisë së gangrenizuar nga korrupsioni, borxhet e Saliut të bëra litar në fytin e popullit dhe shpenzimet e shfrenuara për t’i marrë votat popullit me shirita si ato të Kalimashit.
Ne nuk jemi kundër dialogut, s’kemi qenë kurrë dhe s’do të jemi kurrë, por më parë të marrin mbrapsht akuzat e turpshme dhe shpifjet monstruoze ndaj opozitës.
Ne nuk jemi kundër dialogut, s’kemi qenë dhe s’do të jemi kurrë, por më parë të hapin kutinë e mbyllur të të gjithave të dhënave reale të kësaj ekonomie që po fundoset, duke filluar nga hapja e hetimit për tunelin i Kalimashit, ku janë varrosur qindra miliona euro të tjera për përfitime të paligjshme, që kërkojnë drejtësi.
Ne nuk jemi kundër dialogut, por më parë duhet të heqin dorë nga kushti i moshapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës së gënjeshtrave, që medemek hapja e kutive qenka në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Ne nuk vëmë kushte, po themi vetëm që dialogu duhet të jetë demokratik, i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë dhe në asnjë mënyrë mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin. Ashtu siç bëri me zgjedhjet e shkuara, pasi një opozitë e cila mendoi në mënyrë atdhetare, veproi në rrugë atdhetare dhe i bëri një shërbim atdheut të vet duke anëtarësuar Shqipërinë në Nato, ndërkohë që Pinoku me gjithë çetën e tij grisën paturpësisht dhe forcërisht ligjin që detyron hapjen e kutive të votimit.
Dhe nëse duan vërtet dialog, ta harrojnë se mund ta realizojnë duke bërë shfaqje banale urtësie, për të larë gojën, dhe për të thënë, “ja ne po e ftojmë opozitën”. Jo, jo nëse duan dialog të krijojnë kushtet për dialog dhe ta harrojnë se mund të ekzistojë ndonjë dialog sa për të rikthyer opozitën në parlament e për të na rifilluar farsën e demokracisë pa liri e të drejta të barabarta për të gjithë. Nuk ka opozitë në parlament pa transparencën e 28 qershorit.
Miqtë e mi, Sali Berisha ka humbur të drejtën për ta qeverisur Shqipërinë jo vetëm sepse ka grabitur votat, por edhe sepse ka gënjyer vazhdimisht, duke i kthyer borxhet, në litar, në fytin e të gjithë Shqipërisë.
Nga Lezha e nga Shkodra sot, i përsërisim Sali Berishës se e ka të kotë që përpiqet të mbulojë zullumet e veta, duke ju hakërryer opozitës si një i marrë.
Nuk e ka fajin opozita për 26 viktimat e Gërdecit që kërkojnë drejtësi. Nuk e ka fajin opozita për shembjen e dhimbshme dhe të turpshme të tunelit të rrugës së Kombit. Nuk e ka fajin opozita pse Shqipëria ka një kryeministër, hunda e të cilit zgjatet përditë mbi gënjeshtra që përditë i kushtojnë Shqipërisë një borxh që po bëhet i papërballueshëm.
Nuk e ka fajin opozita për kapjen e shtetit e të tregjeve dhe kthimin e prioriteteve të ekonomisë familjare të Pinokut në prioritete të qeverisjes së këtij vendi. Këto janë zullumet e njeriut që grabiti zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë dhe që kurrë, asnjëherë, nuk do ta thyejë dot opozitën duke e goditur ultësisht, poshtërsisht, pabesisht, me baltën e shpifjeve më të shëmtuara apo me forcën abuzive të shtetit të kthyer në vegël të pushtetit.
Opozitën e ka dhe do ta ketë përballë, përditë më të vendosur e më të bashkuar se kurrë, për t’i dhënë fund kësaj shfaqjeje të pistë 20 vjeçare, që u ka nxjerrë shqiptarëve nga qejfi vendin e tyre, që u ka poshtëruar traditën e tyre, që u ka dhënë shembullin më të shëmtuar kalamajve të tyre, që u ka neveritur politikën megjithë televizor.
Jemi në këtë betejë për t’i dhënë fund kësaj komedie që Sali Berisha luan i hipur mbi kurrizin e popullit bashkë me gjojadosjet e tij prej njëzet vjetësh. Ju të gjithë e kujtoni mirë çfarë tha, duke qeshur, për tërë të këqijat që i kishte nxjerrë goja vite të tëra kundër Fatos Nanos, Ilir Metës apo rulëve, imamëve e xhuvelëve, kur i ktheu të tërë në cingije për ahengun e pushtetit të tij? Kjo ishte loja tha Pinoku, s’kam faj unë po ju që e morët lojën seriozisht! Domethënë sipas Pinokut kryeministër loja vazhdon, mafioz e i zi blozë kush i del përballë këtij farë burri, shtetar e deli djalë kush i ulet në prehër si kukull kineze që flet sapo Saliu e kap nga faqet.
Mjaft më me këtë lojë, mjaft me këtë Shqipëri të marrë peng në këtë lojë, mjaft më me këtë politikë që kërkon ta vazhdojë këtë.
Hap kutitë ose largohu Sali Berisha. Përderisa kutitë nuk hapen ne s’do presim që Shqipëria të ribjerë në greminë, po do protestojmë për të larguar qeverinë. Deri në fund.
Deri në largimin e Sali Berishës nga detyra që shpërdoron prej kohësh, duke u faturuar padrejtësisht shqiptarëve çmimin e papërballueshëm të Vitit të Ri 2010.
Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran, në Shkodër në Vlorë, në Tropojë, në Sarandë, në Pukë, në Gjirokastër, në Kukës në Elbasan, në Korçë, në Durrës, në Tiranë, në të gjithë Shqipërinë.
Faleminderit!






