Postuar më: 02/12/2011
Lejomëni t’ju uroj secilit dhe secilës ndër ju sukses të përbashkët në misionin e kësaj Asambleje të re. Me të sapozgjedhurit nga Kongresi i 5 nëntorit u paratakuam për një bashkëbisedim lidhur me rolin dhe me detyrat e Asamblesë Kombëtare dhe çdo të zgjedhuri si pjesë e saj. Sot takohemi në mbledhjen përuruese të këtij forumi të lartë, ku do të zgjedhim kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Kryesinë e re të partisë dhe Sekretariatin e ri ekzekutiv të partisë. Kjo është një asamble më e gjerë se e mëparshmja, është asambleja e betejës së ardhshme zgjedhore. Është asambleja që do të çojë derë më derë dhe dorë më dorë Programin e ri të Partisë Socialiste. Është asambleja që do të jetësojë reformën e re organizative të partisë. Si e tillë kjo do të jetë asambleja e punës me territorin. Çdo anëtar e anëtare e saj duhet ta kuptojë praninë e vet në këtë forum kaq të gjerë në radhë të parë si një angazhim të përbashkët për të qenë pranë çdo organizate socialiste dhe çdo komuniteti nga Veriu në Jug, nga Bajram Curri në Konispol.
Formula e përzgjedhjes së atyre që kanë ardhur në këtë forum me votën e Kongresit përmes një liste të hapur kombëtare nuk ishte më e mira e mundshme për të garantuar proporcionalitet të plotë të përfaqësimit territorial edhe pse përgjithësisht zonat e vendit janë të mbuluara me një prani të shtuar të deleguarish prej këtij forumi të lartë të partisë. Dua ta theksoj fort këtu sot dhe ky do të jetë theksi i çdo mbledhjeje dhe i të gjithë aktivitetit të asamblesë që fjalëkyçi i punës së Asamblesë Kombëtare dhe i çdo anëtari e anëtare të saj deri ditën e përfundimit të numërimit të votave të shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është territori.
Kam fillimisht dy propozime për të bërë sot lidhur me krijimin e kushteve për të mbuluar plotësisht dhe sa më cilësisht territorin. Së pari, në mbledhjen e ardhshme të bëjmë një numër shumë të kufizuar, por të nevojshëm kooptimesh në Asamblenë Kombëtare nga disa pak zona periferike për të plotësuar forcat me mandatin e përfaqësimit të këtij forumi edhe në disa pika ku siç e thashë formula e zgjedhjes së asamblesë me një listë kombëtare të hapur ka lënë ndonjë boshllëk. Së dyti, shumë më e rëndësishme të miratojmë sot ngritjen e një Komiteti të Përfaqësimit Territorial. Këtë komitet e kuptoj si një strukturë të Asamblesë Kombëtare që duhet t'i shërbejë partisë dhe të ndihmojë kryetarin e saj, jo vetëm sot në opozitë, por edhe nesër në qeverisje si një strukturë e lidhur drejtpërsëdrejti me territorin dhe me problematikat e realiteteve të ndryshme të vendit përtej kufijve të kryeqytetit dhe përtej mureve të parlamentit.
Nuk është një shpikje “sui generis”, por një adaptim shumë modest i një forumi të njohur të konservatorëve anglezë që është marrë si model dhe është adaptuar nga disa parti të ndryshme në Europë dhe në botë. Është një forum që iu jep zë në mënyrë sistematike, në prani të kryetarit të partisë në opozitë, apo të kryeministrit në qeverisje, të gjitha shqetësimeve të një përfaqësie të deputetëve që nuk janë pjesë e kryesisë kur partia është në opozitë apo pjesë e qeverisë kur partia është në pushtet. Është hallka që nuk lejon shkëputjen e drejtuesit më të lartë apo të krejt forumit drejtues ose ekipit qeverisës nga realiteti i territorit, përmes krijimit të një lidhjeje simetrike me drejtuesin e partisë ose të qeverisë njësoj si kryesia apo qeveria. Është momenti për ta konsideruar aprovimin e një strukture të tillë dhe për t’i dhënë asaj bashkarish jetë, formë, përmbajtje, duke e kthyer në një forcë të shtuar që e mban drejtuesin dhe kryesinë e partisë, apo qeverinë nesër, me këmbë në tokë.
Po ashtu ju kërkoj të miratoni sot krijimin e një Këshilli Politik të Partisë. Një strukturë këshillimore e njerëzve më me përvojë, thënë ndryshe ajo që hera herës është kërkuar si një këshill të urtësh. Ky këshill duhet të institucionalizohet dhe mblidhet sistematikisht në prani të kryetarit të partisë, domosdoshmërisht, dhe të tjerë përfaqësues të partisë sipas rastit dhe nevojës për të dëgjuar dhe për t’u dëgjuar. Në kushtet kur më shumë se asnjëherë është e domosdoshme një sinergji e re dhe sa më e plotë me sa më shumë protagonistëve të jetës së kësaj partie, nga më të moshuarit tek më të rinjtë. Besoj se protagonizmi në vijueshmërinë e jetës së partisë, qysh nga lindja deri sot, si edhe rolet e larta drejtuese në parti e në qeveri dhe eksperienca e gjatë si anëtarë të organizatës sonë përbën një kriter të arsyeshëm për ta formësuar këtë këshill politik. Pavarësisht se disa prej anëtarëve të tij mund të jenë sot në një aktivitet të reduktuar, ndërkohë që disa të tjerë janë në aktivitet të plotë politik dhe publik.
Në Këshillin Politik të partisë sonë unë propozoj të jenë:
Servet Pëllumbi
Rexhep Mejdani
Ylli Bufi
Namik Dokle
Gramoz Ruçi
Panedeli Majko
Arta Dade
Et’hem Ruka
Maqo Lakrori
Luan Hadaraga
Sabit Brokaj
Bashkim Zeneli
Siç e thashë i bashkohen këtij këshilli sipas rastit dhe çështjeve për diskutim edhe të tjerë, anëtarë kryesie, deputetë, të zgjedhur vendorë dhe gjithmonë domosdoshmërisht kryetari i partisë.
Përpara sesa të kaloj më tutje më lejoni që sipas detyrës të propozoj fillimisht si kandidat për kryetar të kësaj Asambleje Kombëtare mikun dhe shokun tonë dhe bashkëpunëtorin më të palodhur timin dhe tuajin Gramoz Ruçin. Në rast se ka një apo më shumë kandidatura të tjera, le të propozohen në fund të kësaj fjale dhe në të gjitha rastet kandidatura e Gramozit të kalojë normalisht procedurën e votimi të fshehtë, ashtu si çdo kandidaturë e të katër fletëve të votimit të sotëm; për kryetarin e ri të Asamblesë Kombëtare; për gratë që do të jenë anëtare të Kryesisë së re; për burrat që do të jenë anëtarë të Kryesisë së re; si edhe për sekretarët që do të zgjidhen në sekretariatin e ri ekzekutiv.
Sot do të kemi edhe një risi që jam i bindur që do të kthehet në traditë në zgjedhjet brenda forumit të kësaj partie, numërimin elektronik. Duke ju njohur sigurisht gjithkujt të drejtën e rinumërimit manual për të verifikuar votat e veta në rast dëshire dhe për çfarëdo arsye të një apo më shumë personash. Procesi numërimit mund të ndiqet live nga të gjithë, përfshirë edhe publikun, përmes një ekrani ku në kohë reale do të afishohet ecuria e rezultatit dhe në fund do të dalë përfundimi me numërim e votave për gjithsecilin. Shpresoj që kjo provë e parë të jetë edhe me fat dhe të mos hasim probleme teknike gjatë procesit. Duke dhënë, kështu, jo vetëm një shembull të paparë më parë të transparencës së votimit në një parti politike shqiptare, por dhe një shembull të qartë për vlerën e propozimit të tryezës së koalicionit tonë, që në Kodin Zgjedhor të sanksionohet numërimi elektronik si alternativë e parë dhe rinumërimi manual si opsion i hapur për çdo palë të interesuar për verifikime me sy. Kjo e sotmja është një provë, le ta quajmë me mjete rrethanore. Me një aparaturë që e gjetëm në Shqipëri, por teknologjia e fundit bashkëkohore ofron mundësinë e një numërimi transparent dhe edhe më të shpejtë dhe të largimit përfundimisht të duarve të partive politike nga kutitë dhe nga fletët e votimit. Kështu mund të arrijmë qysh në zgjedhjet e ardhshme, pa asnjë lloj pengese objektive, eliminimin e një prej hallkave më të ndryshkura të zinxhirit të korrupsionit elektoral, që është numërimi për të vjedhur votat e popullit jo për të zgjedhur drejtë përfaqësuesit e tij.
Jam besim plotë se ekipi ynë i reformës zgjedhore, nën drejtimin e Damian Gjiknurit dhe me mbështetjen e çmuar të tryezës së koalicionit dhe të ekspertëve të angazhuar në këtë proces, do të japë një kontribut të rëndësishëm në koalicionin parlamentar, me propozime konkrete të realizueshme dhe dobiprurëse për vendin dhe për të gjitha palët e zgjedhësve.
Ky vend s’mund të jetë më pengu i pamundësisë për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit e vet.
Ky vend s’mund të jetë më gazi i botës me zgjedhje pa standarte dhe me standardet e gojëtarisë së Saliut.
Ky vend s’mund të rrijë më mënjanë Europës se shkon nga vjedhja e zgjedhjeve në vjedhje të zgjedhjeve, ose siç thotë qeveria nga fitorja në fitore, ndërkohë që Shqipëria nga humbja e statusit të kandidatit në humbjen e statusit të kandidatit në BE. Europa është e qartë në gjuhën e saj. Kemi 12 prioritet për të plotësuar si vend. Pa u plotësuar s’kemi vend në paradhomën e saj dhe numërimin Europa e fillon nga zgjedhjet, duke vënë si kryefjalë të shqetësimit në këtë drejtim vjedhjen e zgjedhjeve në Tiranë, për të na thënë se që të marrim statusin duhet për së pari të garantojmë se zgjedhjet nuk vidhen më.
Saliu është i palëkundur në gjuhën e tij: “fajin e ka opozita që bllokoi ligjet me 3/5, opozita është problemi i vetëm që ka mbetur pa zgjidhur në këtë vend.” Shqipëria lulëzon mes arrave dhe rrushit të Saliut, që ka fituar marramendshëm votat e popullit. Ne jemi të troçtë në gjuhën tonë. Çfarë na takon për t’ju afruar Europës, nuk do ta kursejmë. Çfarë na duhet për t’i dhënë fund vjedhjeve në zgjedhje nuk do ta lëmë pa bërë. Çfarë na kërkohet për të rilindur Shqipërinë do ta përmbushim medoemos.
Programi i ri ka ngjallur një interes të jashtëzakonshëm, por është vetëm hapi i parë, jo fjala e fundit. Viti që hyn do të jetë viti i shtjellimit të programit përgjatë një rrugëtimi bashkë me shqiptarët, nëpër çdo stacion, të katër kapitujve të tij. Me një llogari të thjeshtë për të bërë bashkërisht nga ata që përmblodhën në një tekst sintetik programin bazë, na duhen të paktën 21 grupe pune të kësaj Asambleje, që do të përgatisin dokumente të veçantë dhe të detajuar, sipas temave specifike të programit, duke angazhuar ekspertë vendas dhe të huaj, përveç kapaciteteve tona të brendshme.
Përkatësisht unë propozoj për drejtimin e këtyre grupeve si më poshtë:
Për Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Eduard Shalsi
Për Punësimin Arbër Mazniku
Për Arsimin Ledi Shamku
Për Çështjet sociale Kosta Barjaba
Për Shërbimin Kombëtar Shëndetësor Klodjana Spahiu
Për Çështjen e Pronës Merita Qato
Për Politikat Fiskale Adriana Berberi
Për Energjinë Andis Harasani
Për Telekomunikacionin Ilir Zela
Për Infrastrukturën, Turizmin dhe Mjedisin Artan Lame
Për Rendin Publik Ilir Gjonin
Për Shtetin e së Drejtës Shega Ligori
Për Zhvillimin Rural Agron Dukën
Për Sipërmarrjen në fshat Petrit Agon
Për Autonominë Vendore Artan Shkëmbin
Për të Përndjekurit Keti Bazhdarin
Për Mediat Iris Luarasin
Për Menaxhimin e Kulturës Kiço Londo
Për Politikat Rinore Elisa Spiropalin
Për Sportin Fidel Yllin
Për Shërbimin Diplomatik Marko Bello
Por, le të jemi të hapur dhe realist. Për ta bërë Programin fitues në zgjedhje nuk mjafton përmbajtja e tij, sado e pasur. Duhet në radhë të parë rrezatimi i një besimi, që duhet të burojë nga mënyra jonë e të qenurit me njerëzit dhe me publikun në tërësi. Nga mënyra jonë e të sjellurit me ta dhe të folurit për ta. Nga mënyra jonë për të bashkëjetuar me njëri tjetrin me sytë e tyre dhe e të shikuarit të njëri tjetrit në sy. Për të vënë interesat e njerëzve mbi mëritë, hatërmbetjet apo mosmarrëveshjet tona të cilat sado të mundohemi t’i justifikojmë, nuk i ngremë dot në lartësinë e sfidës së përbashkët. Nuk i bëjmë dot çështje të njerëzve, që presin nga ne të merremi me çështje e tyre dhe të vendit të kërcënuar nga rrënimi demokratik, ekonomik dhe social. Nuk i kthejmë dot në energjinë pozitive, që i bëhet medoemos si drita e syve, njerëzve të rraskapitur dhe të përdhunuar të këtij vendi, e që duhet ta përçojmë ne si një fuqi e madhe njerëzore në radhë të parë dhe pastaj si një alternativë për pushtet.
Për ta bërë programin fitues, duhet ta bëjmë në radhë të parë atë axhendën tonë të përbashkët. Duke i bërë të gjitha axhendat personale pjesë të axhendës së përbashkët. Programin do ta mbushim me shpirtin e një familjeje politike që ngroh shpirtrat e shqiptarëve të sfilitur nga padrejtësitë dhe cinizmi i politikës së gënjeshtrave të mëdha dhe të llogarive të vogla. Këtë familje politike, familjen tonë politike, do ta bëjmë strehë të ngrohtë për këdo që është apo dëshiron të bëhet pjesë e saj. Hapësirën brenda nesh do jua mbushim me pasionin e politikës dhe me entuziazmin e qëllimit të përbashkët dhe të punojmë si një skuadër, të bashkëjetojmë si një familje, të debatojmë si të afërm dhe të merremi vesh si të rritur. Kjo nuk është një parti e vasalitetit, por e rivaliteteve. Ka qenë kështu, është kështu, duhet dhe do të jetë kështu në të gjitha nivelet. Nga rivalitetet për të drejtuar partinë, tek rivalitetet për të drejtuar një organizatë bazë, apo rivalitete për të qenë delegatë në Kongres, apo për të qenë në Asamble, apo për të qenë në Kryesi. Por problemi ynë nuk janë rivalitetet, problemi ynë është i të jetuarit keq të tyre. Të mësuarit keq nga to. Të bërit keq për shkak të tyre. Në të gjitha nivelet.
Ç’mund t’ju ofrojmë ne organizatave, ç’mund t’ju kërkojmë ne Asambleve vendore, nëse kjo Asamble, nëse Kryesia jonë nuk japin shembullin e të jetuarit mirë me rivalitetet. E të bërit mirë përmes rivaliteteve, madje e shërimit të zakoneve të këqija, falë rivaliteteve të shëndetshme. Më tutje, ç’ mund t’ju kërkojmë ne qytetarëve që na ndjekin, na shohin e na dëgjojnë nëse përsëpari nuk u ngjallim besimin frymëzues se dimë të punojmë bashkë, pa rënë sistematikisht në kursin e fajësimit të njëri tjetrit. Dimë të zgjidhim bashkë probleme të vështira, madhore, marramendëse si ato që ka sot vendi, pa u mbytur duke parë veten, në një lugë uji. Dimë të qeverisim punët e tyre pa ngecur, si pa të keq, në qeverisjen e punëve tona të brendshme. Dhe tek e fundit si mund të fitojmë nëse nuk organizohemi si kurrë më parë dhe si mund të organizohemi si kurrë më parë nëse secili nuk bën punën e tij përpara se të merret me punën e tjetrit dhe nuk e kupton si rrallë më parë se puna e tij është me njerëzit dhe për njerëzit. Njerëzit e partisë që presin prej nesh këtu lart, nxitje, inkurajim, motivim, zëdhënie të halleve dhe të shpresave të tyre, shembuj për t’u ndjekur deri në fund, deri në ditën finale të një beteje të vështirë por plotësisht të mundur, të një beteje që duhet dhe do ta fitojmë të gjithë së bashku. Por edhe njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që presin prej partisë sonë, jo thjesht programin, po arsye për të besuar se nuk kemi vetëm një program në letër, por në radhë të parë një skuadër të përkushtuar për ta bërë atë realitet pa humbur energji dhe kohë me kundërvënie të padobishme. E, këtu nuk bëj aluzion për disa. Këtu e kam fjalën për të gjithë, të gjithë ne.
Kundërshtari që kemi përballë nuk ka nevojë të organizohet si parti politike, e ka kthyer shtetin në parti politike. Kundërshtarët që kemi përballë nuk iu duhen organizata të shëndetshme dhe nuk iu duhet asnjë rrjet vullnetar komunikimi sepse kanë kthyer çdo zyrë qeverie në zyrë drejtimi të një organizate. Ka kthyer çdo kolektivitet nga klasat e gjimnazeve tek të gjitha agjensitë shtetërore në organizata. Ka kthyer të gjithë shtetin në parti elektorale, të cilën e fuqizon në mënyrë të përditshme me paranë e zezë të korrupsionit që shpërthen përditë këtu e atje. Atëherë si mundet ne ta zbrasim këtë makineri shtet-parti në rast se nuk e mbledhim të gjithë së bashku mendjen se jemi këtu, për asnjë arsye tjetër, veçse për ta zmbrapsur bashkë me varfërinë, bashkë me papunësinë, bashkë me rrënimin dhe për t’ju dhënë shqiptarëve atë që ata kërkojnë dhe meritojnë prej 20 vjetësh, por që çdo ditë e më shumë e shohin t’ju shkojë më larg. E për këtë arsye herë pas here, me naivitet, dashamirësisht, bujarisht, por dobësisht bien nën tundimin e lëshimit të mesazheve për Ilir Metën. Ilir Meta është pjesë e pushtetit dhe nuk ka opozitë që të mund të thotë që na duhet gjysma e pushtetit për të mundur pushtetin. Ai e ka bërë zgjedhjen e tij dhe ne nuk kemi ç’ti themi përsa kohë ajo mbetet zgjedhja e tij.
Organizmi, organizmin dhe organizmin. Jemi të mjaftueshëm për të arritur të shkojmë në çdo derë dhe për të arritur t’i flasim çdo zemre. Programi që kemi në dorë është një argument, ajo që ne kemi në dorë, është që argumentit t’i japim shpirtin. Dua të rinënvizoj për të gjithë anëtarët e zgjedhur të asamblesë, përveçse për deputetët që dihen, askush nuk mund të jetë plotësisht i dobishëm për këtë forum, nëse nuk merr përsipër dhe nuk ndjek një segment të jetës organizative të partisë në territor. Me organizatat socialiste, me komunitetet, me njerëzit që kanë nevojë të na shohin, të na dëgjojnë, të na takojnë, t’i dëgjojmë, t’u themi e të na thonë dhe mbi të gjitha t’i japim përditë pa u lodhur argumentin e të qenit bashkë në një familje të madhe politike.
Le të vijmë tani tek kryesia e re. Ju propozoj në bazë të detyrimit statutor, një listë grash dhe një listë burrash. Të dyja lista të hapura, me më shumë sesa numri i anëtarëve të rinj të kryesisë, që mendoj të jetë 17 vetë, 5 gra dhe 12 burra. Përpara sesa t’ju njoh një për një me kandidaturat që propozoj më lejoni që t’ju shpjegoj shumë hapur se kriteri bazë që kam ndjekur për të qenë sa më objektiv, në një vlerësim të vështirë ku duhet me doemos kapërcyer çdo sensibilitet personal, çdo emocion njerëzor, çdo raport i trashëguar miqësor, ka qenë vlerësimi i përshtatshmërisë së çdo kandidature me qëllimin dhe me objektivat e kësaj kryesie, në bazë jo vetëm të përkushtimit në jetën politike sepse në këtë drejtim s’kam asnjë rezervë për shumicën dërrmuese, por edhe rezultati konkret në zgjedhjet e shkuara, falë angazhimit në terren. Nëse për përkushtimin besoj se është edhe kjo një orë për të falënderuar gjithë deputetët për të gjitha sakrificat, për të gjitha peripecitë që kemi kaluar së bashku, për të gjitha ato që u është dashur të bëjnë gjatë gjithë kësaj periudhe për punën në terren dhe për rezultatin konkret, ka dallime që më kanë udhëhequr në përzgjedhjen e bërë. Praktikisht, pjesa dërrmuese e kandidaturave janë ato dhe ata që kanë qenë të suksesshëm në mbajtjen e barrës së vështirë të betejës më të fundit zgjedhore, të cilët gjykoj se përbëjnë edhe një shembull për të gjithë të tjerët. Në fund të fundit kemi një rezultat të përbashkët, por brenda këtij rezultati të përbashkët ka edhe rezultate pjesore. E për këto rezultate vlen që të kemi referencë dhe që t’i japim kësaj partie gjithmonë e më shumë hierarkinë e kulturës së rezultatit dhe jo të kulturës së klientelave apo të miqësive. Janë tre nivele kandidaturash që sipas meje është e arsyeshme të konsiderohen, pavarësisht se pastaj secili me votën e fshehtë do të vendosë individualisht për çdo kandidat. Anëtarët dhe anëtaret e kryesisë aktuale që morën pjesë në betejën zgjedhore, pavarësisht në qasje në angazhim gjatë këtyre dy vjetëve, për të cilat unë ju ftoj të gjykojmë në vështrimin nga e ardhmja. Deputetë që krijuan kushtet shpirtërore dhe organizative brenda partisë dhe zonave e tyre për rezultate të suksesshme, dhe nganjëherë befasuese zgjedhore. Të zgjedhur vendorë që i vunë theks të fort fitores sonë në 8 maj dhe që duhet të kenë zërin e tyre në kryesi dhe një përgjegjësi më të madhe se ç’kanë sot për ecurinë e punës së partisë në zona kyçe për fitoren e ardhshme, si dhe disa individë në këndvështrimin tim që meritojnë vlerësim apo nxitje pastaj është vota që vendos për të gjithë. Për listën e grave unë propozoj si vijon:
Arta Daden, e palodhur dhe shumë e efektshme në mobilizimin e elektoratit në zonën e saj, ku pati një përmbysje shumë domethënëse të rezultateve.
Adelina Farici, Kryetaren e Bashkisë së Burrelit, fituese e shkëlqyer në një zonë dhe territor ku e kemi të domosdoshme të shumëfishojmë forcat e mandatuara politikisht nga qendra, për të orientuar jetën organizative të partisë dhe ku s’kam asnjë dyshim që Adelina do të jetë një vlerë e shtuar pavarësisht rezultatit të votimit. Ndërkohë që është një domosdoshmëri që edhe deputetët të kenë sa më shumë mbështetje në tërësi.
Eglantina Gjermeni, e përkushtuar dhe e papërtuar në punën me elektoratin dhe luajti një rol kyç në fitoren e çmuar dhe të stërmundimshme të Tiranës.
Meqenëse janë sipas alfabetit, po vazhdoj me Irena Kallçon. Irena nuk hyn në grupin e atyre që kanë një kontribut të drejtpërdrejtë si drejtuese apo si protagoniste në një zonë të caktuar. Por, është në listë si një personalitet publik dhe akademik i Korçës që mund të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e punës dhe përmirësimin e rezultatit në atë zonë edhe si pjesëtare e listës sonë të deputetëve në zgjedhjet e shkuara.
Lindita Nikollën, një model përkushtimi, pune dhe suksesi të përsëritur në zgjedhje që meriton të ripropozhet si anëtare kryesie pas përmbushjes me seriozitet dhe efikasitet të detyrave që ka pasur.
Luiza Xhuvanin, surpriza ime më e madhe e gjithë skuadrës së deputetëve të ardhur rishtas, për faktin se nga një aktore e madhe që s'ishte marrë kurrë me punë partie, doli në pah si një organizatore e sprovuar që luajti rol kyç në kthimin e rezultateve në zonën e saj.
Mimi Kodheli, ka rritur të bëjë përtej ngarkesës së posaçme edhe në parlament një punë të admirueshme në bashkëpunim me kryetarin e rrethit Ilir Xhakollin dhe me mbështetjen e Pandeli Majkos, dhe praktikisht, ka qenë faktor vendimtar për një përmbysje të plotë të rezultateve në zonën rurale të kujdestarisë së saj, pa llogaritur qytetin e Pogradecit.
Vasilika Hysin, sistematikisht pranë organizatave socialiste dhe komunitetit të zonës dhe me një rezultat të kënaqshëm pavarësisht vështirësive dhe madje një përballje krejt të pazakontë përditë me radhë me elementë kriminalë gjatë fushatës.
Valnetina Leskaj, anëtare kryesie, një shembull për t'u marrë nga të gjithë, por posaçërisht nga deputetët e Elbasanit, për përkushtimin ndaj zonës dhe jo vetëm, por edhe për rezultatet që arrin vijimësisht.
Së fundi, Mimoza Hafizi, anëtare aktualisht e kryesisë, anëtare e këshillit bashkiak të Tiranës, e cila po ashtu meriton vlerësim si propozim për angazhimin dinjitoz deri sot. Zgjedhja është e juaja.
Për burrat kam një renditje pak tjetër. Anëtarët aktualë të kryesisë, Namik Dokle, Gramoz Ruçi, Pandeli Majkon, Erjon Braçe, Ben Blushin, Arben Malaj, Arben Isaraj, Besnik Baraj, të cilët i njihni dhe s'dua t'ju marr kohën tuaj me shpjegime specifike do t'i propozoj kështu në bllok për të nënvizuar një gjë në tërësi. Kryesia e shkuar kaloi një paralizë të paprecedentë pas zgjedhjeve të qershorit 2009. Arsyet dihen, por përgjegjësia është sa e secilit, aq edhe e përbashkët. E të gjithëve ne duke filluar nga unë i pari. Secili ka argumentat, justifikimet apo alibitë e veta ose pjesë pjesë kemi qëndrime të ndryshme për përgjegjësitë. Por le të biem në një mendje që askush nuk është pa përgjegjësi dhe le të japim sot dakordësinë për faktin se s'kemi më kohë për të humbur duke ndarë faje, gabime, të meta të së shkuarës. E shkuara le të na vlejë si pasqyrë për të parë të ardhmen. Vetëm mund të fitojmë kohë dhe avantazhe të jashtëzakonshme duke i marrë të gjitha siç janë përgjegjësitë, duke i futur në bagazhin e eksperiencës sonë të përbashkët. Duke i premtuar njëri tjetrit dhe atyre që i kanë sytë nga ne se gabime të reja mund të mos i shmangim dot, por s'do bëjmë në asnjë mënyrë gabime të përsëritura.
Arsye për të mos pëlqyer fjalët, punën dhe veprimet e tjetrit gjenden në çdo kohë, por çka ndodh është se duke u marrë apo kërkuar të tilla nuk i sheh dot më arsyet më të dukshme për ta vlerësuar tjetrin. Dhe këtu në këtë parti rivalitetesh dhe trazimesh të herë pas herëshme për shkaqe nga më të mëdhatë tek më të vocklat ka tek secili arsye të mjaftueshme për të marrë vlerësimin e tjetrit. Lejomëni t'ju them pa modesti se pavarësisht të gjithë atyre që janë thënë dhe stërthënë rëndom padrejtësisht në adresën time nga ata që Partinë Socialiste e shohin nga jashtë apo shpeshherë janë besuar edhe nga ata mes nesh, unë i shoh arsyet e mjaftueshme për të vlerësuar, respektuar dhe bashkëjetuar me secilin ndër ne. Lejomëni po ashtu të shtoj se kam parapëlqyer paralizën e kryesisë dhe shërimin e ngadaltë të plagës së hapur nga rivalitetet e paszgjedhjeve të vitit 2009 përpara fyerjes që kërkonte rikompozimi dhe rivënia e menjëhershme në punë e saj. Sepse kam besuar dhe besoj që duhet të ngjitemi të gjithë sëbashku një shkallë më lartë në mbajtjen e përgjegjësisë së madhe të të qenit pjesë e udhëheqësisë së partisë më të madhe të shqiptarëve në kohën më të vështirë për Shqipërinë qysh nga viti 1997. Sepse kam besuar dhe besoj që rivalitetet brenda kësaj partie mund dhe duhet të bëhen forca dhe jo të mbeten dobësia e saj. Duke i dhënë një tjetër përmbajtje dhe një tjetër formë zhvillimit të tyre në funksion të qëllimit të përbashkët, sepse kam besuar dhe besoj, jo që për të mundur Saliun duhen të gjithë, por që për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe duhet një shembull i ndryshëm i të bashkëjetuarit nën një bashkësi. Dhe unë nuk shoh askund tjetër në Shqipërinë tonë një forcë dhe një hapësirë tjetër që mund ta japë këtë shembull emancipues për shoqërinë shqiptare siç na takon ta japim ne, Partia Socialiste e Shqipërisë.
Më pas propozimet e mia në vijim janë, jo në rend alfabetik për shkak se janë shkruar pa pasur alfabetin përpara:
Et'hem Ruka. E njihni të gjithë ka mbuluar një territor ku me sukses ka arritur të ribashkojë, të riorganizojë dhe të rienergjizojë Partinë Socialiste me rezultate të prekshme.
Namik Kopliku. Për kë nuk e njeh një mik dhe një burrë i nderuar nga Shkodra, i cili pavarësisht arsyeve vetjake për të qenë hatërmbetur për t’u futur në këndin e mërisë apo për të thënë meqë unë nuk u bëra deputet lamtumirë, ka vazhduar të japë modestish dhe me përkushtim një kontribut shembullor, duke vazhduar të gëzojë respektin e të gjithëve.
Shkëlqim Canin e njihni nuk ka nevojë për prezantim, por unë dua të nënvizoj atë aspekt që ka qenë i vyer në kontributin e Shkëlqimit duke filluar nga e fundit, programi i ri që mban firmën e tij ndër firmat më kryesore. Dhe pastaj duke shkuar më tutje në kohë mbrapa me drejtimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar të PS dhe me gjithë ekspertizën që ka ofruar bujarisht dhe vullnetarisht.
Sajmir Tahiri, përsëri i njëjti kriter. Suksesi në organizimin shpirtëror dhe në përbashkimin e socialistëve për të realizuar një fitore spektakolare në një zonë jashtëzakonisht të vështirë që shërben si një shembull, si dhe plot zona të tjera nga Kavaja deri në Laç dhe me radhë nëpër Shqipëri, për të kuptuar që Partinë Socialiste mund ta mundë vetëm Partia Socialiste. Dhe për të kuptuar që aty ku ka një riorganizim në radhë të parë shpirtëror të familjes socialiste dhe një bashkim për një qëllim të përbashkët ka vetëm një rezultat, beteja jonë me Saliun e me gjithë të tjerët me radhë të reshtuar përballë me gjithë makinerinë e tyre të pushtetit të parave, ky rezultat është fitorja.
Ditmir Bushatin, përtej profilit të tij dhe përtej angazhimit të tij intelektual në funksion të ekspertizës më të lartë besoj për integrimin europian. Edhe për Ditmirin e njëjta gjë, suksesi në riogranizimin, bashkimin, motivimin dhe analizimin e qëllimeve në terren.
Një personazh që shumëkush nga ju e ka njohur nga unë, por që unë e propozoj për të pasur edhe një të zgjedhur nga fshati, jo një të zgjedhur dokudo, por një personazh i cili ka bërë një copëz fshati shqiptar si Shqipëria europiane që ne aspirojmë me Programin tonë dhe ky është Dhimo Kote.
Së fundi, tre kryetarë bashkish të asaj diagonaleje që vendos rezultatet në çdo zgjedhje, që ndan nga shkon fitorja Durrës, Elbasan, Korçë. Secili prej tyre pritej të ishte ose një humbës nga shumëkush, ose një fitimtar i cfilitur, po dhanë një shembull të shkëlqyer, duke na treguar të gjithëve, se çfarë ndodh në qoftë se PS bëhet familja ku në radhë të parë ka një bashkim shpirtëror, pastaj ka dhe një bashkim energjish fizike e morale për të shkuar drejt fitoreve të pamundura në letër, po jo vetëm të mundura, por edhe më të thella se sa të parashikueshme në teori, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin e Niko Peleshin. Të tre i propozoj edhe për një arsye tjetër se në të treja këto zona ne kemi arsye të kërkojmë më shumë, të shpresojmë më shumë dhe të marrim më shumë. Po ashtu Kryetari i rrethit të Dibrës Ulsi Manja, i cili pavarësisht tragjedisë së hidhërueshme të deputetit të zonës dhe mungesës së tij për arsye objektive, i vetëm arriti të krijojë të njëjtën gjë.
Suksesi në të gjithë hartën e 8 majit ka një emërues të përbashkët. Krijimi i një hapësire në radhë të parë shpirtërore dhe pastaj edhe i një bashkimi numrash dhe solli nga Dibra një fitore të jashtëzakonshme në kuptimin e përmbysjes së rezultateve krejt, krejt të papritura. Dua të propozoj një person të cilin e kam njohur në PS dhe kam fituar admirim për nivelin intelektual dhe për përkushtimin në të gjitha rastet kur është thirrur të japë kontributin e tij në shkrimin e dokumenteve, në shkrimin e Programit. Është dhe ai një firmë e rëndësishme e Programit tonë të ri Gëzim Tushi kryetar i PS të Vlorës në ditët më të vështira dhe sot thjesht një i papunë.
Sekretariati i ri Ekzekutiv i Partisë Socialiste
Së pari, propozoj një ndryshim të strukturës, në funksion të zgjedhjeve, të zgjedhjeve, të zgjedhjeve dhe të organizimit, të organizimit, të organizimit. Një Sekretar Organizativ që s’kam asnjë dyshim quhet Blendi Klosi për një model pune që unë shpresoj të mund ta implementojmë dhe përtej kufijve të qarkut të Durrësit, por që në qarkun e Durrësit dha sukses jo vetëm në bashkinë e Durrësit, por edhe në shumë territore të tjera.
Një Sekretar për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknurin i cili ka gjithë kompetencat dhe eksperiencën për të garantuar një punë cilësore dhe të efektshme.
Një Sekretar për Programin që është Ilir Beqja
Një Sekretar për Pushtetin Vendor Bashkim Finon.
Duke folur për strukturën do doja të thosha që të gjitha këto hallka duhen parë si pjesë e së tërës.
Një Sekretar për Sipërmarrjen dhe për Grupet e Interesit nisur nga një eksperiencë e krijuar në një komision të Asamblesë me të njëjtën tematikë që është Arben Ahmetaj.
Një Sekretar për Burimet Njerëzore edhe ky i parë i lidhur ngushtë me Sekretarin e Çështjeve Zgjedhore në funksion të gjithë atij volumi të madh pune që duhet organizuar nga reforma tek terrreni, nga 5 mijë koordinatorë që parasheh reforma jonë statutore tek 20 mijë komisionerë e me radhë Armando Subashin.
Një Sekretar për Emigracionin dhe Rininë që është Erjon Veliaj.
Një Sekretar për Koalicionin që nënkupton domosdoshmërinë për të filluar një punë që sot me të gjitha partitë nga më të mëdhatë deri te më të voglat e koalicionit tonë dhe për të garantuar maksimizimin e të gjitha forcave, të secilës prej këtyre partive, që është Ndre Legisi.
Një Sekretar për Koordinimin që do marrë përgjegjësinë të koordinojë të gjithë këtë sekretariat duke krijuar kushtet për një harmonizim të punës mes sekretarëve dhe mes sekretariatit, kryesisë dhe pastaj bazës së partisë që është Fatmir Xhafaj.
Këto propozime, qofshin ato për Kryesinë e partisë për të dyja listat, qofshin këto edhe për sekretarët janë në fletë votimi që kanë edhe kuti të zbrazëta në pritje të çdo alternative që mund të keni ju apo pjesë ndër ju.







